E enjte, 25.04.2024, 08:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Nis udhëtimi i dhjetë i karvanit të shkrimtatrëve për fëmijë

E enjte, 12.03.2009, 08:29 PM


Ejup CERAJA      

NIS UDHËTIMI I DHJETË I KARVANIT TË SHKRIMTARËVE PËR FËMIJË

I

Më 6 mars 2009 në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës, në prag të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit e në përkujtim të figurës së themeluesit të Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë poetit, pedagogut e profesorit të nderuar Agim Devës e filloi për të dhjetën herë udhëtimin e tij të gjatë Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë me emërtim të ri: KARVANI I SHKRIMTARËVE PËR FËMIJË  “AGIM DEVA”.

Për figurën madhore të atij kolosi në letërsinë shqipe për fëmijë i sjellë dy fragmente të shkurtra: një, nga fjala e shkrimtarit për fëmijë, mikut dhe kolegut të Agim Devës, zotëri Xhevat Sylës të mbajtur me këtë rast, cituar sipas gazetës ditore “Epoka e re”, e shtunë 7 mars 2009, faqe 14, i cili ndër të tjera është shprehur: “... Ndaj të gjithë neve, si shkrimtarëve, nxënësve, arsimtarëve, ashtu edhe miqve e të ftuarve të tjerë, na sollën këtu hapat e rëndë nga pesha e dhembjes për humbjen e mikut tonë të shtrenjtë, por edhe një ndjenjë krenarie, nga që erdhëm t’i bëjmë nderin Agim Devës, mikut tonë të çmueshëm, poetit të mrekullueshëm, poetit më të frytshëm për fëmijë në mbarë letërsinë tonë, studiuesit të përkushtuar të kësaj letërsie, profesorit shumë të nderuar nga studentët e kolegët, atij që si një mik apo prind i mirë na tuboi, organizoi e udhëhoqi në qindra manifestime letrare me fëmijë si në Kosovë, ashtu edhe në viset e tjera shqiptare, në Kukës, Bajram Curr e Tropojë, në Preshevë e Bujanovc, në Ulqin, Tuz e Krajë dhe në Tetovë...” Dhe dy, një fragment nga fjala e shkrimtarit mjaft të talentuar, veçan për fëmijë, Ibrahim Kadriu: “Na e ka lënë si amanet që të mos ndalemi, andaj ne shokët e tij morëm qëndrim që karvani të vazhdojë rrugën e vet. Ndoshta jo me atë intensitet që e ka udhëhequr profesori e shkrimtari i madh Agim Deva, por do të përpiqemi që në gjurmët e tij të shkojmë edhe ne”. Gazeta “Zëri” shtojca për Kulturë e shtunë 7 mars 2009, faqe 27.  

 

II

METAFORA E TITULLIT TË NJË POEZIE

Agim DEVA: Shitet babai im – “Pionieri”, nr. 5 2006

(Recension)

Poeti i nderuar Agim Deva, mendoj, ka arritur zenitin e mjeshtërisë artistike të poezisë lirike për fëmijë. Ai qëndron korife në majën e piramidës së kësaj poezie. Agim Deva shkruan poezi të një frymëzimi të thellë lirik si në rrafshin artistik, ashtu edhe në atë motivues e përmbajtjesor. Janë të paktë ata që shkruajnë poezi  të mirëfilltë për fëmijë, kështu si poeti Agim Deva...  Sipas Lasgushit poezia e mirë e kalon shekullin. E poezia e Agimit, them, e përmbush me sukses këtë thënie të Lasgushit. Sepse poeti Agim Deva kur shkruan poezi me përmbajtje sociale, siç është kjo për të cilën e kemi fjalën, mendoj,  është i pa krahasueshëm në poezinë shqipe për fëmijë. Rrallë ndodh që të lexosh diç më të dhimbshme e më prekëse, veçan në poezi,  për  skamnorët, që nuk janë të pakët. Këndej, ma thotë mendja, duhet bërë çmos që si shoqëri edhe në këso rrethanash, të cilat i kemi tash, për rregullimin e statusit të tyre për punësimi... Pra, këta skamnorë, për të cilët poeti i nderuar Agim Deva shkruan poezi të ndjenjës sublime, hasen, pothuaj, ditë për ditë në shi e në dëborë, në kohë të mira e në kohë të acarta pazareve tona gjithandej gjeografisë kosovare që qëllim të vetëm e kanë “shitjen” e tyre te ndonjë punëdhënës ditor, që ka nevojë të momentit për krah fizik pune... Duke e lexuar këtë poezi, ashtu siç thotë vetë poeti, të dalin parasysh  skamnorë fytyrë zbehur e thatakë, me një copë bukë në trastë sa për ta shuar urinë duke pritur. Paçka edhe thatë qoftë ajo... Për këtë poeti shkruan:

“Sa më shumë kohë që kalon,

 Pritja i bëhet profesion...

 Pret një ditë, e dy, e tri...

 Minus dhjetë, acar e borë,

 Një armatë e tërë rreth tij,

 Ku askush nuk është – epror,

 Një refren që më le pa gjumë:

 - Mos iu duhet ndoj punëtor?”

Poezinë “Shitet babai im” poeti Agim Deva e ka shkruar në vetën e parë. Dhe, shkrimi e poezisë në këtë mënyrë i ka dhënë potit forcë shtytëse për pasqyrim të thellë të temës, të cilën e trajton. Kështu, hera herës, rrëfimi i poetit gërshetohet me rrëfimin e fëmijës, babai i të cilit “shitet”. Refreni që dëgjohet ditë për ditë: - Mos iu duhet ndoj punëtor?  Është refreni që, siç thotë vetë poeti, e le pa gjumë atë herë pas here. Është refreni që i sjellë shqetësime e dridhje shpirtërore... Është, pra, refreni që dëgjohet më me dhembje si nga poeti, ashtu edhe nga të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.  Dhe për këtë poeti shprehet:

“Ndonjëherë i lutem Zotit,

 Ta ndalë kohën – STOP në vend,

 E t’mos niset treni i jetës

 Pa i vënë ca gjëra n’rend...

Është një jetë që nuk kuptohet:

T’shitet babi që – të gëzohet?!”

Të themi kushtimisht se poeti Agim Deva e ka një kamerë të vogël ose më shumë sosh fshehur diku brenda korës së trurit, po edhe të shpirtit nga i vëren pareshtur dëshirat, nevojat e kërkesat e fëmijëve, për të cilët shkruan me aq njohuri e përkushtim. Dhe të gjitha këto do t’i përcjellë përmes radarit të zemrës (Gani Xhafolli) të fëmijët e të gjitha grupmoshave. Këto e shumë të tjera më së miri i vërteton vetë kjo poezi.

Dhe një ditë, heroit lirik fëmijë të kësaj poezie, duke kaluar andej nga pazari, nuk ia zënë sytë askund babën e vet.  Ishte “shitur”. Gëzimi fëmijës ia përshkon zemrën. Po në mbrëmje hidhërimi i tij arrin kulmin. Sepse babai i “shitur” atë ditë i kthehet në mbrëmje në shtëpi i dërrmuar fizikisht, po edhe me një kollitje të thatë, që ia gërryente kraharorin... Atë hidhërim të fëmijës për babin e sëmurë poeti e shpreh nëpërmes gojës së fëmijës në strofën:

 “Ec e merre tani – lugën,

 Unë që ende jam – fëmijë

 Dhe përtype sonte bukën,

 Të ngjyer në djersë të tij,...

 Çdo kafshatë në fyt – si gur,

 Kjo kafshatë nga babi i sëmurë,

 Me kollë e temperaturë...”

Dhe fëmijës në strofën vijuese si një të rrituri i digjet dhe i përvëlohet zemra për vuajtjet e babait të sëmurë. Sytë i mbushën me lot bilur të një fëmije të dhembshur. Për të mos ia lënduar zemrën e babait, ai e ulë kokën që ata lot të mos ia shohë ai, se do ta dërmonin më shumë se skamja e sëmurja...

Poeti Agim Deva në fund të kësaj poezie s’ka mundur të kalojë pa e përkujtuar atë thënien e Naimit tonë të madh se vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë. Për këtë poeti shprehet:

“E kam frikë – s’ma di adresën,

Të ma mbushë të gjallë shpresën,

 Sa për mësime – do t’i mësoj,

 I mësoj, mësuese, ta jep besën!”

Kjo poezi ngërthen në vete edhe dhembje, edhe shpresë, edhe dashuri, edhe...

 

           

            Maj, 2006                                                                                                               

                             (Në kujtim të poetit me rastin e kalimit të tij në amshim)

 

 

III

 

DO TË MBETESH FANAR I PASHUAR

(Poetit Agim Deva)

1

Aq sa ishe poet bashkëkohor,

Aq ishe edhe poet i traditës,

Në poezinë shqipe për fëmijë

Qëndroje në maje të piramidës.

 

Ti nuk qe një poet dosido

Dhe s’i këndove serenada sevdasë,

Me gjysmë mushkërie se fundi

Prapë i fryje me mund xhurasë.

 

Të këndosh për skamnorët

As sëmurja nuk të pat ndalë,

Edhe Migjeni do ta kishte zilinë,

Po të ishte në jetë - gjallë.

 

Në poezinë kuptimplote

“Shitet babi im...”

Shkrove me dhembje,

Por edhe me përkushtim.

 

2

Ashtu siç kishe prirje

Të pashtershme në krijimtari,

Ashtu kishe prirje përherë

Të zbuloje e të sillje risi.

 

Këtë prirje tënde,

Që konsiderohet si dhunti,

E vërteton themelimi

I Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë.

 

3

Ti e pate zemrën

Të dallgëzuar si valë deti,

Andaj me pietet përulemi

Përpara veprës sate prej poeti.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora