E premte, 29.03.2024, 03:52 PM (GMT)

Mendime

Arben Llalla: Për kë votojnë shqiptarët në Tetovë?!

E enjte, 12.03.2009, 09:52 PM


PËR KË VOTOJNË SHQIPTARËT NË TETOVË?!

Nga Arben LLALLA

Që kur ka filluar fushata parazgjedhore më 2 mars asnjë parti politike shqiptare që konkurojnë për të fituar Bashkinë(Komunën) e Tetovës nuk kanë publikuar listat për këshillin e Bashkisë më të madhe që banohet me shqiptar. Duket se partitë e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ti dërguar votuesit në kutitë e votimit pa njohur njerëzit që duhet të zgjedhin. Por vërtet për kë votojnë shqiptarët në Tetovë? Është një pyetje që gjithkush që e ka të drejtën e votës tia bëjë vetvetes në radhë të parë pastaj partisë ku ai është anëtar. Është fakt se BDI këtë herë ka zgjedhur Resi Abdurahmanin që të jetë bartës i listës së saj për të fituar votat në këtë qytet. Siç duket kjo parti që thirret në emër të luftës së 2001 dhe ka harruar idealin e fillimit të saj, njerëzit që u rreshtuan në UÇK, familjet e dëshmorëve nuk paska gjetur njerëz të shkencës, të kulturës që të paktën kanë një diplomë Universitare për të përfaqësuar me krenari votën e qytetarëve. Me një njeri të tillë BDI-a ia ka ulur autoritetin vetvetes si parti, por edhe qytetit që krenohet me dy Universitetet, atë të USHT dhe UEJL. Siç dihet Resi Abdurahmanit në prill 2005 siguroi diplomën e gjimnazit të Tetovës në moshën madhore. Në zgjedhjet e vitit 2005 për në Këshillin e Tetovës ai nuk morri asnjë votë, por postin e fitoji me disa lëvizje akrobatike. Një pjesë të madhe të fajit i mbetet mjekut Atilla Rexhepit. A ka kurajo Resi Abdurahmani të na tregojë publikisht çfarë ngritje intelektuale ka që të kërkojë votat e mijëra qytetarëve që kanë një diplomë Universitare?
Me të marrë postin e Kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës 2005-2009 Resi Abdurahmani filloi masakrimin e arsimit shqiptar në Tetovë. Po këtë herë kur të fitojë përsëri ish-taksisti çfarë masakrimi do ti bëjë qytetit të Tetovës?
Asnjë herë nuk është parë një lokalizëm bashkëfshatar i theksuar në Bashkinë e Tetovës se në katër vitet e fundit 2005-2009. Nga fshati Vicë ku BDI merr rreth 600 vota ka patur dy këshilltar në Këshillim Komunal Resi Abdurahmani dhe vajzën e xhaxhait të tij Rushadije Ramani, por kishte dhe drejtorin e Inspektoriatit tashmë deputet Hisen Xhemaili që edhe ky ka lidhje familjare me këta dy të fundit. Resi Abdurahamni në fshatin e tij financoji nga fondet e Komunës ujësjellësin me vlerë 100 mijë euro, duke anashkaluar financime në fshatrat e tjerë të Malësisë së Tetovës që janë më të mëdhenj se Vica dhe BDI fiton më shumë vota si Sellca dhe Shipkovica. Po ashtu një fakt interesant është se kur janë djegur disa shtëpi në qytetin e Tetovës Resi Abdurahmani ka dhënë me vonesë fondet ndihmë, ndërsa kur ju dogj shtëpia e bashkëfshatarit të tij në Vicë, ai brenda 48 orëve lëshoji rreth 4 mijë euro ndihmë për bashkëfshatarin e dëmtuar.
Në fshatin Vicë lokalistët Resi Abdurahmani, Rushadije Ramani dhe Hisen Xhemaili bënë të mundur që me fondet e Komunës së Tetovës të financojnë 50 mijë euro për shkollën fillore të fshatit duke harruar premtimet e shumta ndër vite për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël. Siç duket për disa Vica është më e rëndësishme se Reçica e Vogël ku ka shtabin BDI dhe fiton më shumë vota, mbi 1.800 mijë.
Përkujdesja për fshatin Vicë vazhdoji me shtrimin e rrugëve me pllaka betoni si dhe ndërtimi i disa hidrantëve të ujit, të cilat janë vendosur për rreth rrugëve kryesore të fshatit. Të gjitha këto kontribute janë për tu admiruar, por jo edhe të harrohen lokalitetet e tjera sepse Vica nuk është kërthiza e Tetovë. Fshati Vicë nuk i jep BDI më shumë vota se Shipkovica, Sellca, Reçica e Vogël, Teteksti etj., që Këshilli i Komunës nuk ka bërë investime sëbashku sa ka bërë vetëm në fshatin Vicë.
Në këtë rast ndeshim me fenomenin lokalist bashkëfshatar dhe racizmin ndërqytetor. Që dikush përfiton investime pa të drejtë më shumë seç i takon ngase ka më shumë njerëz lokalistë në pushtet që kujdesën për vendlindjen.
Po atëherë për kë duhet të votojnë shqiptarët në 22 mars?!
Prapa BDI-së nuk kanë mbetur as dy partitë e tjera PDSH-ja dhe DR-ja të cilat nuk kanë publikuar listat e këshilltarëve për në Bashkinë e Tetovës. Thuhet se në listat e tyre vërehet nepotizmi familjarë. Në listat e dy partive ka njërës që vijnë nga e njëjta familje. Kështu mos njëri, tjetri do jetë në Këshillin Komunal për të mbrojtur interesat familjare.
Tetovarët shkojnë në votime me një qytet me mbeturina, me një lum të pistë. Tetovarët do të votojnë për tu ndërtuar pallate vend e pavend dhe askush nuk shqetësohet, votojnë për ti marrë rrogat dy muaj me vonesë. Votojnë që fëmijët e tyre të rriten brenda katër mureve sepse për dhjetëra vite asnjë kryetar që ishte në krye të Bashkisë së Tetovës nuk ndërtoji një kopsht, një shesh lojërash për fëmijët, nuk ndërtoj një kinema, një sallë sportive. Që rinia të ketë një angazhim argëtimi kulturor, të ketë një vend ku ta harxhojë kohën e lirë për tu mos u endur rrugëve dhe kafeneve, për të mos përfunduar në narkoman.
Për kaq ditë që ka filluar fushata parazgjedhore asnjë kandidat nuk na ka paraqitur projekte konkrete se si do të duket Tetova në duart e tij. Asnjë kandidat nuk ka një projekt për vende të reja pune. Por për kë votojnë shqiptarët në Tetovë?! Votojnë për mjerimin e tyre, për prapambetjen e tyre, për një qytet që më shumë i ngjan një qyteti të vizatuar keq nga piktori amator e i pa shkolluar.
Tetovarët votojnë që fëmijët e tyre të mësojnë në kushtet ekstreme ku vetëm në gjimnazin e Tetovës mësojnë rreth 3 mijë nxënës me dy turne. Në asnjë vend evropian nuk gjen një shkollë të tillë të mbipopulluar me kaq shumë me nxënës.
Tetovarët votojnë për ndërtime jo standarde, për rrugë që nuk i përmbushin standardet evropiane për vitet që jetojmë. Një fenomen interesant është zaptimi i lulishteve të lira përpara banesave të ndërtuara në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ndërtimi dy kate të shtesave mbi këto pallate të vjetra. Por edhe pallatet e reja që janë ndërtuar në këto pesë vitet e fundit nuk janë të standardeve evropiane. Ndërmjet këtyre pallateve të reja ka disa tunele që kalojnë njerëzit për të hyrë në ndërtesat e pasme që u janë zënë edhe vështrimi diellor. Në rast zjarresh a do munden automjetet e mëdha të zjarrfikësve të hyjnë në tunelet e ngushta të pallateve firzamonik për tu ardhur në ndihmë qytetarëve?
Nuk e dimë se kush u jep lejet për zaptimin e lulishteve dhe të ndërtimeve të shtesave mbi tarracat e këtyre banesave dhe të pallateve me disa brimave ku hyjnë e dalin njerëz, por një gjë dihet se kemi të bëjmë me shkelje të rënda të infrastrukturës së qytetit. Shqiptarët e Tetovës përfundimisht ose nuk duhet të dalin në zgjedhje ose do të duhet të votojnë për të vazhduar të mbeten të prapambetur. Do të votojnë që nga ana psikologjike jetësore të mbeten prapa shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Që Tetova mos të ketë ngjashmëri me Tiranën dhe Prishtinën. E pra dikush punon që shqiptarët në Ballkan të mos mendojnë njëkohësisht, të mos rriten njëkohësisht. Por të kenë ndarje në mendime, në standarde dhe në kulturë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora