Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lirie Dedvukaj: Përpiqem të eci me kohën

| E hene, 22.08.2005, 05:31 PM |


Lirie Dedvukaj
Lirie Dedvukaj-Sinishtaj u lind në Podgoricë më 19 prill 1981. Është rritur në fshatin Sukruq. Në këtë fshat kreu edhe ciklin e ultë të shkollës fillore, kurse ciklin e lartë dhe shkollën e mesme e kreu në Tuz. Është e martuar dhe jeton në Amerikë. Përveç se merret me muzikë, ajo atje studion në Kolegjin amerikan. Është e rëndë rreth 55kg. Në horoskop ka shenjën e dashit. Deri më tani ka realizuar 3 albume/cd. Gjatë karrierës së saj muzikore, Liria ka marrë pjesë në shumë koncerte dhe në disa festivale të organizuara në Malësi, Kosovë, Shqipëri dhe diasporë ("Kënga magjike" në Tiranë, "Show fest" në Kosovë, "Crystalide" në Itali dhe në festivalin e Rozhajës- "Fjolla e Artë".
Mospjesëmarrjen e saj në festivalet e viteve të fundit, ajo e shpjegon me atë se në Amerikë është duke vazhduar studimet dhe para dy vitesh lidhi martesë me Mark Sinishtaj, me të cilin, siç shprehet ajo, deri më tani ka qenë në muajin e mjaltit.

Koha Javore: Znj. Lirie, si depërtuat në skenën muzikore?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Duke iu falenderuar pridërve të mi (babait Zefit dhe nënës Gjyste). Janë ata që më dhanë përkrahje të madhe që unë të depërtoj në skenë si këngëtare. Që në moshën 9 vjeçare jam paraqitur në skenën muzikore, ku mora pjesë në SHKA "Malësia" të udhëhequr nga këngëtari Nikollë Nikprelaj, të cilin mund ta quaj edhe si mësuesin tim të parë. Që nga ajo ditë e deri më tani, unë kam krijuar shumë e shumë miq, të cilët më ndihmojnë dhe më përkrahin. Si njërin prej tyre, dua ta veçoj vëllaun tim, Luigjin, që është edhe përcjellësi im kryesor në muzikë.

Koha Javore: Fillimisht keni kënduar këngë popullore, tani e keni ndërruar zhanrin. Pse ?
L. Dedvukaj-Sinishtaj: Është e vërtetë që në fillim kam kënduar këngë popullore-folklorike dhe popullore pak sa të modernizuara. Si shkak i kësaj është se çdo kohë e ka zhanrin e vet, me kombinacione të ndryshme ritmesh dhe stilesh të ndërthurura. Kështu që unë përpiqem të eci me kohën. Sinqerisht mund të them se në atë kohë kur fillova të këndoj, për muzikën nuk dija edhe aq shumë, sa di p.sh. tani. Me kalimin e kohës çdo këngëtar shkon duke përparuar si dhe duke e zgjedhur stilin e vet të këndimit. Tani, unë i zgjedhi këngët sipas pëlqimit tim.

Koha Javore: Kur ndiheni më mirë, kur këndoni këngë folklorike, apo gjatë këndimit të këngëve tuaja të tanishme?
L. Dedvukaj-Sinishtaj: Unë më së miri ndihem atëherë kur i këndoj këngët e melosit të tanishëm.

Koha Javore: Sa albume keni realizuar deri tani dhe si janë pritur ato?
L. Dedvukaj-Sinishtaj: Deri më tani kam realizuar tri albume, të titulluara: "Bukurosh malësor", "Të kujtoj" dhe "Për ato puthjet e djalit". Me albumin e parë dhe të fundit jam shumë më e kënaqur sesa me të dytin, por në përgjithësi jam e kënaqur me albumet.

Koha Javore: Keni marrë pjesë në disa festivale. A keni fituar ndonjë çmim ?
L. Dedvukaj-Sinishtaj: Në Festivalin e organizuar vite më parë në Rozhajë kam marr çmimin si interpretuesja më e mirë në skenë. Pastaj në Itali çmimin "di merito". Këto janë shpërblimet e mia të deritanishme.

Koha Javore: Me cilët këngëtarë bashkëpunoni më së tepërmi?
L. Dedvukaj-Sinishtaj: Në përgjithësi bashkëpunoj me secilin koleg apo kolege që më jepet rasti.

Koha Javore: Përveç muzikës, ju pëlqen diçka tjetër ?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Të them të drejtën, se sikur të mos e kisha zgjedhur muzikën, me siguri do të kisha qenë valltare. Më pëlqen shumë vallëzimi, por për fat të keq nuk më del edhe aq kohë tzi përkushtohem më shumë, por mundohem edhe me vallëzim të merrem nga pak. Po ashtu edhe sportin e pëlqej shumë.

Koha Javore: A është Liria më tepër e adhuruar në diasporë, apo në Malësi ?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Unë i jap shumë rëndësi vendit dhe adhuruesve të mi të parë, meqë ata e ngritën Lirien që të ketë famë edhe në diasporë. Me këtë dua të them se artisti i ndjek ato vende ku e adhurojnë më së shumti.

Koha Javore: Më tepër jeni e dhënë pas famës, apo pas të hollave ?
L.Dedvukaj- Sinishtaj: Për mua rëndësi kanë të dyjat, por mundohem tzi jap më shumë rëndësi famës. Kuptohet, se nëse nuk ke të holla, as famë nuk mund të keshë edhe aq. Tek ne shqiptarët nuk ka arritur ende ai kulminacion i sponsorëve dhe menaxherëve që kujdesohen për menaxhimin e këngëtarëve, e jo më të flasim për prodhimin - kualitetin dhe vlerat artistike të muzikës shqiptare. Kjo do të thotë se ende nuk kemi kompani që i udhëheqin artistët, sikur ata të Holivudit. Në këtë drejtim duket se ka filluar diçka, por për këtë shpresoj se do të formohen institucione, të cilat do të përkujdesen prej fillimit e deri në fund.

Koha Javore: Çfarë Ju shtyri që të largoheni nga Malësia dhe të shkoni në Amerikë?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Po, arsyeja kryesore që u largova nga Malësia, ishte martesa me bashkëshortin tim Markun, si dhe vazhdimi i shkollimit.

Koha Javore: Tani jeni e martuar. Sa ju përkrah bashkëshorti juaj që të vazhdoni të këndoni ?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Po. Jam martuar para dy vitesh me Mark Sinishtaj, i lindur në Malësi - Dushiq. Deri më tani ai është më se i lumtur dhe i kënaqur me punën dhe zgjidhjen që kam bërë për të ardhmen time.

Koha Javore: Sa ka ndryshuar jeta e Liries pas martesës?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Sa i përket personalitetit tim, unë jam përpjekur të mos ndryshoj shumë dhe mendoj se tek unë nuk ka ndryshime të veçanta në jetë që nga martesa, përveç se kam ndjekur rrugët që mendoj se janë pozitive dhe të drejta për të ardhmen time. Por në këtë pyetje, ndoshta, ata që më njohin do të kishin dhënë një përgjigje më të mirë sesa unë.

Koha Javore: Përveç muzikës, a merreni me ndonjë aktivitet tjetër në Amerikë?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Në SHBA - Michigan, përveç se merrem me muzikë, po ashtu i ndjeki edhe studimet- drejtimin e muzikës- dega solo këndim në Oaklan dhe Macomb College, kurse së shpejti do të transferohem në Wayne State University.

Koha Javore: Gjatë qendrimit tuaj në Malësi, a keni ndërmend të realizoni ndonjë koncert këtu apo diku tjetër?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Para disa ditësh organizova një mbrëmje vallëzuese për të rinjtë e Malësisë, meqë ata po i preferojnë më shumë netët vallëzuese, sesa koncertet. Me datën 15 të këtij muaji, me kolegun tim Malësorin realizuam edhe një mbrëmje tjetër vallëzuese. Po ashtu kam ndërmend që edhe në Krajë dhe Ulqin tzi realizoj disa mbrëmje tjera. Edhe në Kosovë gjithashtu kam planifikuar të organizoj diçka të ngjashme.

Koha Javore: Keni ndonjë projekt për të realizuar ?
L.Dedvukaj-Sinishtaj: Po qe se kam kohë, dëshiroj të realizoj një video-klip. Po ashtu jam duke bërë incizimet e disa këngëve të reja, me kompozitorin Shpëtim Saraqin.

Rrok Dushaj