Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Salaj: Kënga shkodrane është e pavdekshme

| E shtune, 14.05.2005, 05:25 PM |


Gëzim Salaj
Gëzim Salaj u lind në Katërkollë të Anës së Malit në vitin 1970. Ka filluar të këndojë që në moshën 8-vjeçare, në SHKA “Buna”, një shoqëri e njohur dhe e suksesshme e asaj kohe. Në fillim të viteve ’90 ka formuar grupin muzikor “Arb” dhe fillon të merret profesionalisht si këngëtar. Deri tani ka nxjerrë gjithsej tetë audiokaseta dhe CD.

Koha Javore: Z. Salaj, jeni ndër këngëtarët e rrallë që e kultivoni muzikën e vjetër shkodrane, anamalase dhe ulqinake. Çfarë Ju ka nxitur që të merreni me këtë lloj muzike?
G. Salaj: Më kanë nxitur dëgjuesit e këtyre trevave. Jemi rritur në frymën e këngës së bukur shkodrane, e cila është kultivuar me pasion dhe e ka ruajtur vlerën e vet artistike edhe sot e kësaj dite. Pasi këto treva i lidh gjuha dhe dialekti, kultura, doket e zakonet pothuajse identike, kudo që kam kënduar këngët shkodrane janë mirëpritur nga publiku.
Kënga shkodrane ka shpirt. Ajo është e pavdekshme. Gjithmonë i jemi kthyer këngës shkodrane si thesar dhe burim i pashterrur i folklorit shqiptar.
Repertoarin tim e kam begatuar edhe me këngët e vjetra anamalase dhe ulqinake, të cilat po ashtu mirëpriten nga dashamirët e muzikës popullore kudo që kam kënduar në trevat e banuara me shqiptarë.

Koha Javore: Sot edhe këngëtarët e njohur këndojnë këngë tallava. A paraqet kjo dukuri rrezik për këngën shqipe?

G. Salaj: Muzika popullore për fat të keq i ka hyrë rrugës së komercializimit dhe huazimit të këngëve nga muzika jopopullore me origjinë të huaj. Kjo dukuri sipas meje ndikon negativisht në cilësinë dhe begatimin e kulturës sonë në përgjithësi. Shumica e këngëtarëve që përdorin muzikën tallava nuk mendojnë për karrierën e tyre dhe kulturën shqiptare. Në këtë aspekt fajtorë janë edhe shtëpitë diskografike, TV dhe radio stacionet, të cilat e përkrahin këtë lloj muzike duke i dhënë publicitet të tepruar dhe të pamerituar, duke u bërë kështu në mënyrë indirekte pjesëmarrës në çoroditjen e muzikës popullore.
Kjo dukuri, për çudi, është prezente edhe në qendrat e mëdha urbane, aty ku kushtet për t’ju përkushtuar muzikës janë më të volitshme dhe më të favorshme për këngëtarët e rinj. Mirëpo, tregu dhe konkurrenca e fortë i shtyn këngëtarët e ndryshëm të devijojnë rrugën e nisur dhe të anojnë shpeshherë kah muzika tallava. Çfarë është më e çuditshme, edhe publiku, sidomos gjeneratat e reja, po e pëlqejnë këtë mënyrë të interpretimit.

Koha Javore: Përpara në Anë të Malit kanë ekzistuar disa shoqëri të njohura kulturo-artistike. Sa ndikon sot mungesa e tyre në zbulimin e talentëve të rinj?

G. Salaj: Falë punës së SHKA “Buna” unë dola në skenë dhe sot u falënderohem të gjithë atyre që më mundësuan dhe më përkrahen të trasoj rrugën time si këngëtar. Folklori i larmishëm i trevave tona zanafillën e vet e ka në traditën e popullit tonë, e cila mund të ruhet e pavyshkur vetëm në gjirin e shoqërive kulturo-artistike. Aty lindën dhe dita-ditës lindin shkëndijat e reja të muzikës popullore si personifikim i kulturës dhe çdo virtyti që një kombi ia shton vlerën e vet.
Për fat të keq, shumë SHKA kanë pushuar veprimtarinë e vet. Si shembull pozitiv duhet përmendur puna e mirë e SHKA “Ulqini”, e cila u ka përballuar të gjitha vështirësive të kohës dhe vlerat e veta kulturo-artistike i ka prezentuar me sukses anembanë Europës, ku është mirëpritur nga mërgimtarët tanë. Në këtë jam bindur edhe vetë kur herën e fundit si anëtar i kësaj shoqërie mora pjesë në koncertin e mbajtur në Gjermani në fillim të këtij viti.

Koha Javore: Si këngëtar Ju shohim duke kënduar shpesh nëpër dasma. Si ndikon pjesëmarrja e këngëtarëve të afirmuar në famën dhe vlerën e tyre si artistë?
G. Salaj: Angazhimi im në dasma dhe gëzime familjare është thjesht nevojë e kohës për të mbijetuar, sepse profesionin e këngëtarit e përcjellin shpenzime shumë të mëdha, shumë më tepër sesa mund të mendojë opinioni.
Për të investuar në karrierën e tij, çdo këngëtar duhet të jetë ekonomikisht i pavarur, kurse përfitimet materiale janë tepër modeste sikur të mos angazhoheshim nëpër dasma.
Vetë publiku dhe adhuruesit e muzikës sonë ngulin këmbë që orkestra jonë, që përbëhet nga gjashtë anëtarë me katër instrumente, të marrë pjesë në gëzimet e tyre familjare.

Koha Javore: Si këngëtar keni marrë pjesë në disa festivale mbarëkombëtare?
G. Salaj: Po, kam marrë pjesë në Festivalin e Parë të Këngës Popullore, të organizuar nga orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, pastaj kam marrë pjesë në Maratonën e Këngës Popullore të organizuar nga Televizioni Klan. Po ashtu kam marrë pjesë në dy festivalet mbarëkombëtar në Elbasan dhe me SHKA “Buna” në Preshevë, ku jemi shpërblyer me çmimin e dytë.

Koha Javore: CD-të dhe audiokasetat Tuaja i kanë riprodhuar disa shtëpi të njohura diskografike në Kosovë dhe Shqipëri. Si janë pritur ato?
G. Salaj: Kam punuar me disa shtëpi diskografike në Shqipëri dhe Kosovë. Shtëpitë diskografike “Feniks” nga Tirana dhe “Cil-aut” dhe “Zëri i Drenicës” nga Prishtina kanë nxjerrë në treg albumin tim të fundit, të cilin e kam punuar me orkestrën time “Arb” dhe kolegun tim Ramazan Islami. Bëhet fjalë për albumin “Për kënaqësinë e shpirtit”, ku kemi bërë një përmbledhje të këngëve nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo CD është pritur mirë nga publiku në Kosovë dhe Shqipëri dhe besoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë bashkëpunimin me këto shtëpi diskografike në interes të dyanshëm.

Koha Javore: Po sa u përket projekteve për të ardhmen?
G. Salaj: Sa i përket së ardhmes dhe projekteve të reja, adhuruesve të mi do iu lë surprizë. Është e sigurt se me kolegët e mi të orkestrës do të mundohem që edhe në të ardhmen të punoj me seriozitet dhe mirënjohje për të gjithë ata që na dëgjojnë.
Suksesi im personal nuk është i mundur pa përkrahjen dhe meritën e orkestrës muzikore “Arb”.

I. Kallaba