E shtune, 20.04.2024, 04:14 PM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Në një shoqëri të verbër, edhe qorri mund të bëhet udhëheqës!

E shtune, 07.03.2009, 09:22 PM


NË NJË SHOQËRI TË VERBËR, EDHE QORRI MUND TË BËHET UDHËHEQËS!

Nga Adnan Abrashi

Caktimi dhe emërimi i z. Valton Beqirit në postin e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës, pa dyshim se, si në opinionin e gjerë, ashtu edhe në radhët e strukturave profesionale kë këtyre fushave, ishte pritur sa s’ka më mirë. Duke e njohur në rend të parë personalitetin e kompletuar dhe karrierën  e pasur krijuese artistike të Valton Beqirit, dhe, duke pasur për bazë vetë deklaratat e tij të shpeshta publike se ky resor me të në krye, do të reflektojë një ministër apolitik, edhe më shumë e forconin bindjen se, mu ky njëri i zgjedhur për ministër në këtë ministri, është i qëlluar dhe i duhur në këtë funksion. Por, realiteti sikur dita-ditës po tregohet ndryshe. Pa dyshim, Valtoni si ministër, për nga rajtingu që gëzon, edhe më tej mbetet si ministër i preferuar, por, assesi, si ministër apolitik dhe jo i varur nga ndikimet e partisë që e ka propozuar në këtë funksion (LDK), siç deklaronte shpesh.
Dihet se, propozuesi i tij partiak në këtë post është LDK-ja, dhe sipas marrëveshjes për koalicion në mes të PDK-së, asaj i ka takuar që në krye të kësaj ministrie, ta propozojë njeriun e vet.  E, kur është fjala për LDK-në si partnere e këtij koalicioni, atëherë, aspak nuk është vështirë t’ia qëllojmë se aty, të gjitha penjtë e diktatit politik të vendimmarrjes i ka Eqrem Kryeziu – EQA. Mbase, këto hamendësime të bazuara, këto ditë u dëshmuan edhe në praktikë. Dhe, flagranca ndodhi në Prizren. Tek rastet konkrete të emërtimeve të udhëheqësve të dy institucione të nivelit komunal, institucione këto që ligjësisht janë nën kompetencat qendrore të kësaj ministrie. Këto dy institucione komunale janë: Biblioteka e qytetit dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore - Historike të Prizrenit.
Në to mbase me diktat nga lart, në vend se si udhëheqës të përzgjidhen ekspertë profesionalistë të lëmenjve adekuatë të veprimtarisë së ngushtë specifike të këtyre institucioneve, ndodhi e kundërta - u emëruan njerëz joprofesionistë dhe militantë lokalë të mbetur pa punë pas zgjedhjeve të fundit të LDK-së
Dhe, kusht tjetër ka gisht në këto matrapazllëqe kadrovike që po ngjajnë këto ditë në Prizren,  përveç ish kryetarit të tij, Eqrem Kryeziut, dhe ndikimit të fuqishëm partiak që ka ai tek Valton Beqiri në këtë ministri në përgjithësi. 
Ndonëse këto vende janë poste udhëheqëse dhe me përgjegjësi të veçantë, pas skadimit të afatit kontraktues, këso rokadash dhe ndërrimesh kadrovike kudo merren si normale. Ato, përveç motivit të cekur ligjor (skadimi i afatit të kontratës së punës), shpesh bëhen edhe për qëllime të zëvendësimit kualitativ dhe profesional të kuadrit ekzistues udhëheqës.
Por, këtë herë, sikur po del me këto emërime të pakuptimta, nuk qe shkak asnjëra nga këto motivet e cekura. Përkundrazi, zgjedhja e problemit të punësimit të ish kuadrove të mbetur të papunë, të njohur si besnikë dhe militantë të përbetuar të Eqës dhe LDK-së sa ishte ai kryetar komune në Prizren. .
Për çka është fjala më konkretisht?
Biblioteka e qytetit të Prizrenit, e vendosur në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha“ në Prizren, deri më tani është udhëhequr dhe menagjuar nga një kuadër profesionist dhe me përgatitje superiore për bibliotekari (magjistre). Sa ishte ajo e suksesshme me menagjimin shumëvjeçar të kësaj biblioteke, flasin rezultatet e saja të pakontestueshme në këtë fushë.
Pas publikimit të konkursit për këtë vend udhëheqës, në to ka konkurruar edhe drejtoresha e tanishme e cila 100%  i ka plotësuar të gjitha  kushtet e kërkuara, por, në vend të saj, me diktat politik zgjidhet apo emërohet ish zëdhënës i Eqrem Kryeziut dhe njeriu që një kohë, pas marrjes së pushtetit nga PDK-ja në Prizren, kishte mbetur i papunë. Çfarë përgatitje profesionale ka i përzgjedhuri i tashëm, unë nuk e di . Por, më e rëndësishme është se ai aspak nuk është kuadër profesionist për këtë post.
Përflitet se këtu ka gisht edhe ish zëvendësministri i shëndetësisë z. Fadil Kryeziu.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Institutin Komunal për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren. Edhe pse ish drejtori i këtij Instituti po ashtu ka qenë një vartës dhe kuadër partiak jo profesional i partisë së LDK-së, që me vite të tëra, me menagjimin tejet të dobët të këtij resori, po lë pas vetes një kaos të paparë në këtë segment tejet të rëndësishëm kulturor të qytetit muze të Prizrenit. Ai, thuhet se largohet për shkak të moshës dhe shëndetit të dobët, por edhe strategjive të tjera të kalkulimeve politike, ndërsa, në vend të tij, caktohet një kuadër po ashtu edhe më joprofesionist, që dikur në kohën e Eqrem Kryeziut si kryetar, ka qenë drejtor i Drejtoratit Komunal për Arsimit.
Vetëm sa për kuriozitet, drejtori i ri i emëruar nga politika LDK-iste është një ish profesor i filozofisë, marksizmit dhe sociologjisë.
Edhe pse në këtë institut komunal janë të punësuar edhe dy magjistra të historisë dhe njohës tejet të mirë të kësaj fushe, ata qëllimisht janë anashkaluar. 
Merreni me mënd krahasimin në mes të njohurisë së filozofisë, sociologjisë dhe marksizmit, me mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve historike të qytetit?! Përputhshmëri e përkryer, a po?!
Sigurisht lexuesi i vëmendshëm mund të vërejë se, përveç atij të Eqrem Kryeziut, në këtë artikull, qëllimisht nuk përmenden emrat e “lojtarëve” tjerë, sepse ata nuk janë të rëndësishëm dhe mu për këtë shkas, qëllimisht nuk i vura në shënjestër të kësaj kritike të mirëfilltë. Ata vetëm janë lakmitarë dhe servilë partiakë, që me qëllim të rikthimit të privilegjeve të tyre të mëparshme që kanë pasur si autoritete të kërrigës e jo të meritës, me çdo kusht tentojnë të vijnë sërish në pushtet, ku praktikisht si joprofesionalist nuk e kanë vendin.
Aspak nuk po më befasojnë këso farë rokadash politike me kuadro të dëgjueshëm dhe servilë partiakë, por, me këtë rast i kam të pakuptimta dy gjëra:
E para: se si po heshtin punëtorët e këtyre institucioneve, duke mos reaguar fare në këto emërime politike të pakuptimta?!
E dyta: edhe pse strukturat udhëheqëse të KK Prizrenit, ligjësisht nuk kanë kompetenca të ndërhyrjes në këto raste, pse së paku as përmes kontakteve joformale në nivel nuk i shprehin shqetësimet e tyre për këtë absurditet flagrant?!
Me sa duket, ende  Eqa politikisht është i fortë me ndikimin e tij në këtë qytet?!
Edhe pse kam mjaft çfarë të them në këtë drejtim, këtë artikull do ta përmbyllja pa ndonjë koment më të gjerë. Por, vetëm me një urtësi popullore e cila thotë: “ Në një shoqëri të verbët, edhe qorri mund të bëhet udhëheqës!”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora