E enjte, 25.04.2024, 10:07 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Dhuna ndaj françeskanëve

E shtune, 07.03.2009, 03:01 PM


Ardian Ndreca
Ardian Ndreca

Dhuna ndaj françeskanëve

Nga Ardian Ndreca

Ka gati 800 vjet që kanë ardhë në Shqipni tue pru me vete përshëndetjen e tyne: "Paqë e mirësi" (Pax et bonum), por në këto 800 vjet, shqiptarët u kanë dhanë shumë pak paqë e edhe ma pak mirësi.

E kam fjalën për françeskanët, të cilët prej tetë shekujsh janë ba pjesë e pandame e Shqipnisë, tue mos e braktisë atdheun tonë në rreziqe dhe tue u kthye në nji shqytë me menden e me shpirtin e tyne.

Françeskanët, ma së pari, i kanë shërbye Shqipnisë. Ata kanë mbështetë e drejtue luftën antiturke, kanë mbajtë shkolla shqipe, kanë gjallnue ndërgjegjen kombtare, kanë shkrue historinë tonë, kanë mbledhë dëshmitë arkeologjike të së kaluemes, na kanë dhanë gramatikat e para shqipe, kanë luftue me pushkë për lirinë e shqiptarëve, kanë dhanë jetën e janë flijue, edhe tue e dijtë se pakkush do t'ua kishte njohtë për nderë.

Emnat e Pal Hasit, Da Lecce-s, De Martino-s, Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtës, Vinçens Prennushit, Anton Harapit, Marin Sirdanit, Donat Kurtit, Justin Rrotës e dhjeta të tjerëve, janë ba pjesë e kulturës shqiptare.

Pothuej nuk ka zonë veriore, të humbun, të izolueme e plot probleme, ku françeskanët mos të jenë të pranishëm prej shekujsh, tue çue gjithnji mesazhin e tyne; "paqë e mirësi". Në shenjtoren e Shën Andout në Laç- Sebaste, ata ndodhen qysh prej shekullit XIV, kur përreth n'ato male, s'kishte veç ujq e egërsina.

Kurse sot, siç denoncoi para pak ditësh para shtypit At Mikel Pllumaj, atyne u kërcënohet jeta prej elementash delinkuent, mbas të cilëve mshehen politikanë lokalë dhe deputetë të djathtë.

Me datën 24 shkurt, françeskani Mikel Pllumaj u kërcënue mbrenda në kishë, gjatë kremtimit të meshës. Ai u sha, u fye, dhe ndaj tij pati tentativa për ushtrimin e dhunës gjatë nji akti publik, siç asht mesha.

Para nji numri të madh dëshmitarësh, ai u kërcenue me jetë. E gjithë kjo ndodhte mbas kërcënimesh të vazhdueshme të disa politikanëve lokal dhe disa deputetëve që i mbrojnë dhe i frymzojnë këto akte.

Qëllimi i këtyne njerzve nuk asht as e mira e bashkësisë së Laçit dhe as përparimi i vendit, mbasi në këto dekada që sundojnë, e kanë tregue se bagazhi i pafund i padijes dhe korrupsioni që gjenerojnë, s'kanë prodhue veçse vorfni dhe shkretim. Ata duen me ua vjedhë pronat fretënve, atyne që janë shërbtorët e bashkësisë, atyne që jetojnë të vorfën për me ndihmue të tjerët.

Dhe kjo vjedhje asht në bashkëpunim. Po, në bashkëpunim me gjykatës të korruptuem deri në palc, me mehmurë që dridhen para lekut dhe që janë turpi i drejtësisë shqiptare.
As Enver Hoxha nuk ka pasë guximin me u mohue fretënve të drejtën mbi ato troje, të vorfna në vetvedi, por të pasuna vetëm prej devocionit që besimtarët kanë.

Diktatura arrestonte, burgoste dhe vriste - por s'kishte guximin me mohue disa të drejta që historia i ka konfirmue në mënyrë të pandashme.

Por, atë që s'e bani diktatura, po e bajnë sot disa keqbasa që mshehen mbas petkut të demokracisë, që arrijnë deri atje sa me dhunue kishën dhe priftin. Simbas kanunit të maleve, kisha e prifti janë të paprekshme, prona, personi dhe dinjiteti i tyne janë të pacenueshme, por banditizmi politik nuk njeh asnji ligj.

Me cenue priftin, për nji të krishterë, asht sakrilegj, por banditët nuk kanë as fe e as besë.

Shumëkujt i la mbresë të thellë negative fakti që, asnji prej atyne që duhet të bashkëndanin idealet shpirtnore të françeskanëve dhe duhet të kishin ndjeshmëni ndaj nji akti të tillë, nuk folën. Por, edhe kësaj here, optimistat po shpresonin në diçka që s'kishte ndodhë kurrë ma parë.

Bani shumë përshtypje edhe mungesa nga ana klerikëve të besimeve të tjera e deklaratave që të dënonin ketë akt të turpshëm dhe të solidarizoheshim me françeskanët.

Duhet ta dijnë klerikët e nderuem të besimeve tjera, se sot, në shenjestër të dhunës kriminale janë françeskanët, por nesër mund të jenë ata vetë, pse oreksi i mashtruesve dhe i hajdutëve hapet gjithnji e ma shumë kur njerzit nuk reagojnë.

Kjo dhunë e paprecedent vijon me u ushtrue (ka shumë muej që fretënve të Shenjtnores u kërcënohet jeta) nën nji sistem demokratik, ku komandën e ka nji parti dhe nji leader i vetëm.

Pra, vertikaliteti i pushtetit nuk len asnji dyshim për përgjegjsitë morale të këtij akti të ulët.
Në anën tjetër, sistemi ligjor shqiptar asht nji rrjetë merimangash ku mbesin vetëm mizat e vogla, e kurrfarë shprese nuk mund të kihet hepërhe në të.

Në qoftë se, ndërkaq, françeskanëve dhe atyne që u ndihmojnë, do t'u vijë diçka e keqe, autorët e kësaj gjaje janë të vetëpaditun publikisht.

Ateherë, çka mbetë me ba? Në shenjtnoren e Laçit shkojnë çdo vit 800 mijë besimtarë, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Për çdo meshë, për çdo ditë, për çdo sekond dhe në çdo kishë, fretnit duhet t'ua kujtojnë besimtarëve se kush asht përgjegjës për ketë vjedhje dhe për ketë dhunë barbare.

Dhe 800 mijë shqiptarët që duen "paqën dhe mirësinë" françeskane, do ta kenë parasysh ketë gja kur të zgjasin dorën drejt kutisë së votimit në qershorin e ardhshëm.

Autori drejton revistën françeskane «Hylli i Dritës»



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora