E enjte, 25.04.2024, 10:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Denada Bare: Nuk më pëlqen të jem komercialiste

E hene, 24.07.2006, 05:46 PM


Denada Bare
Denada Bare tregon planin e saj për realizimin e albumit të saj të ri i cili pritet të dali nga shtëpia diskografike në fundin e këtij viti. Ky album do të jetë një larmi bashkëpunimesh dhe do të ketë një shumëllojshmëri këngësh. Emra të njohur do të jenë pjesëmarrës në realizimin e këtij albumi.

- Titulli i albumit tuaj të parë është shumë i veçantë dhe kënga më ritmike e albumit është bërë tashmë një hit në shqipëri. Cili është mesazhi që përcjell ky album tek publiku shqiptar ?
Kjo është shumë e vërtetë dhe kjo ndoshta ngaqë kësaj kënge i është realizuar edhe videoklip.Është një nga këngët e para me të cilën kam filluar punën për realizimin e këtij albumi. Kjo është një nga këngët e dashura të mia dhe mendova që ta realizoja videoklip. Kjo këngë promovoi albumin tim dhe ndoshta kjo është arsyeja që është bërë hit.
-Nëse do të vlerësonim komponentët e kësaj kënge videoklipin, tekstin, muzikën, orkestrimin dhe interpretimin cili ju duket se është më i realizuar?
Të them të drejtën realizimi në total i këngës më pëlqen dhe realizimi i klipit mund të them se është i arritur artistikisht. Fakti se kishim një limit kohor për realizimin e klipit më ka krijuar disa rezerva lidhur me realizimin e tij. Mendoja se do të ishte bërë më bukur dhe kështu që më shumë këngën e mbush ana muzikore.
-Ju vendosët që titulli I albumit të ishte “Princesh e dashuruar”, ndoshta sepse kështu titullohet kënga më e bukur e tij dhe pëlqehej më tepër nga publiku?
Pikërisht njëra nga arsyet është edhe kjo por arsyeja tjetër dhe më kryesorja është se me këtë këngë unë promovova albumin tim. Albumi im do të njihej nëpërmjet kësaj kënge dhe për këtë arsye vendosa që ti jap këtë titull albumit dhe për më tepër është një titull disi intrigues, më pëlqeu dhe e vendosa.
-Vite më përpara e njihnin Denada Baren sepse merrte pjesë në Festivalet e Këngës në Radio Television, më vonë e harruan, tani rikthehet dhe e njohin përsëri. Nganjëherë ndoshta ngatërrohen njerëzit sepse ti je prezantuar me emrin Deni. Mos vallë është një emër arti ky?
Është e vërtetë pasi unë në fillimet e mia jam prezantuar si Denada Bare dhe Deni në fakt ka një histori. Me këtë emër më thërasim miqtë dhe të afërmit e mi. Kur shkova tek shtëpia diskografike Labia në Kosovë e cila morri përsipër publikimin e albumit tim në Kosovë vendosi pasi dëgjoi që në ambiente shoqërore më thërrisnin Deni vendosi që në këtë unë të shfaqesha me këtë emër. Kur i pieta se përse donin që të më vendosnin këtë emër pasi unë isha prezantuar me emrin tim të plotë në koncerte dhe dëshiroja që të vazhdoja të prezantohesha në atë mënyrë ata më thanë se në Kosovë është shumë e përhapur shkurtimi i emrit nga artistët dhe sa më i shkurtër të ishte ai aq më interesant ishte për publikun kosovarë. Ky emër u vendos edhe në dezainin e albumit i cili është edhe në Shqipëri.
-Si është pritur albumin juaj në Kosovë?
Është një fenomen se këngëtarët kosovar dhe artistët priten dhe afirmohen më mirë se artistët shqiptarë në Kosovë. Drejtori i shtëpisë diskografike Labia më ka përgëzuar dhe më ka thënë se ke vendin tënd në tregun kosovar.
-Shumë këngë e kanë autorësinë e tekstit dhe të muzikës nga ju, kjo do të thotë se jeni dhe kantautore?
Është e vërtetë pasi mua më pëlqen të shkruaj. Letërsia është një pasion i imi të cilin ma ka trashëguar im at. Kam shkruar shumë poezi dhe prozë dhe vendosa që këto poezi të mia ti mishëj në tingull muzikor. Ka qënë një dëshirë e imja e hershme kompozimi dhe tek kjo ka ndikuar edhe diplomimi im.
-Ju keni qënë pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës jo si këngëtare por si autore teksti?
Ishte kënga “Pegaso” e Aurela Gaçes. Ka qënë një kompozim i Gazmend Mullait me tekstin tim dhe që këtu lindi binjakëzimi im me këngën. Nuk u ndamë më ne të dyja. Ishte prezantimi im i parë në një festival. Ka qënë viti 1994, ende isha studente dhe punoja njëkohësisht si redaktore e muzikës në radio Tirana. Ky ishte bashkëpunimi im i parë dhe lidhja ime e parë me këngën.
-Më pas ju merrnit pjesë në festival si këngëtare dhe jo thjesht si autore teksti apo muzike?
Më vonë në Festivalin e Këngës me disa krijime të mia, bashkëpunime të mia me një shoqe Rena Ryshiti, kemi qënë në Festivalin e Këngës në 1995, 1996 dhe në festivalin Këngët e Stinës në vitin 1994 dhe gjithashtu në vitin 1999.
-Do të ndalesha pak Denada tek një këngë tjetër në albumin tuaj që titullohet “Violina” e cila ka edhe videoklip dhe kjo është një këngë tjetër që ju keni përzemër?
Është e vërtetë. Kjo është një këngë që përmban autorësinë time në muzikë dhe në tekst. Kjo këngë është një bashkëpunim gjithsesi me poetin Armand Trebicka me të cilin unë kam bashkëpupuar në këtë album. Është një nga këngët e mia të dashura për faktin se edhe unë kam studiuar për violinë.
-Albumi juaj ka dhjetë këngë. Nëse flasim për të gjitha cila është kënga më e dobët?
Mund të them se cila është kënga më pak e dashur për mua por më e dobët nuk mund të them pasi janë të gjitha të realizuara mirë teknikisht. Këngët e mia më të dashura janë “Perla”, “Je vetëm ti”, “Princesh e dashuruar”, “Violina”, “Një dashuri” bashkëpunim ky me M. Elvis, nga kjo kuptohet se cilat janë më pak të dashura për mua. Këngët e tjera kanë në përbërje pak komercializëm. Nuk jam person që dëshiron të komercializohet por këtë m’a kanë këshilluar bashkëpunëtorët e mi.
-Kënga “Një dashuri” është në dy versione. Një version është bashkëpunim me M.Elvis dhe një tjetër solo?
-Është e vërtetë. Historia e kësaj kënge ka qënë disi ndryshe. Këtë këngë e kam krijuar pesë vite më parë ashtu si materialin e këngës “Perla” dhe vendosa që ta ripunoi kur fillova punën për albumin tim dhe vendosa që ta thyej pak natyrën e albumit dhe të përfshija një zë mashkullor në të. Zgjodha M.Elvis për t’i dhënë një ngjyrë pak më moderne këngës. Kënga në përgjithësi është pop dhe me nota hip-hop nga M.Elvis. Me këtë këngë doja që të konkuroja edhe në Polifest në vitin 2005 në Prishtinë. Ishte e pamundur që të vinte M.Elvisi sepse drejtori i festivalit Polifest Naim Krasniqi më propozoi që të shkoja solo në atë festival. Kështu vendosa që ta realizoja edhe solo këtë këngë, dhe e lançova edhe në album në të dy variantet. Gjithsesi kjo është një nga këngët e mia të dashura.
-Shumë këngëtarë sot veçanërisht të rinjtë kërkojnë që të jenë sa më komercial. Të pëlqen që të jesh më tepër profesionale se sa komerciale?
Do të më mbushte shumë një vepër artistike, qoftë kjo një poezi, një pikturë, një libër, një këngë apo një opera. Në radhe të parë ajo duhet të jetë e realizuar artistikisht. Nuk kam asgjë kundër këngëtarëve që komercializojnë.
-Arsyeja pse ju jeni larguar nga Shqipëria për në Gjermani?
-Jam larguar për t’u specializuar, për të bërë një master në Gjermani, në fillim kam jetuar në Hamburg. Kam filluar një kurs praën një universiteti atje për gjuhën gjermane, kam studiuar për dy vjet gjuhën gjermane dhe kam marrë një diplomë. Më vonë jam futur në një kurs masteri për historinë e artit të cilin e kam lënë përgjysmë, e kam shprehur disa herë këtë gjë në median e sshkruar dhe elektronike. U riktheva pasi im at e shkëput nga kjo jetë dhe mora përsipër që të vazhdoj aktivitetin që ai la përgjysmë shtëpinë botuese “Apolonia”. Kjo është arsyeja që më ka mbajtur shumë të lidhur këtu në Shqipëri.
-Do të ketë një rikthim në Gjermani për Denada Baren?
Ndoshta do të jetë një rikthim vetëm për të marrë diplomën e plotë të masterit por nuk besoj se do të zgjedh të jetoj atje përfundimisht. Mendoj se do e gjej veten këtu në Shqipëri.
-Përveç muzikës dhe letërsisë cili është hobi juaj?
Më pëlqen të merrem më sport, më pëlqen noti dhe të lexoj libra të cilët janë bota ime dhe shoping është një nga manitë e mia.
-Vendi juaj i preferuar për të pushuar?
Deri tani për mua vendi më i mirë për të pushuar është Turqia. Kam qënë tre herë atje dhe e vlerësoj shumë si një nga vendet optimale për të pushuar. Megjithatë kam ëndërr që të shkoj në Spanjë për pushime.
-Cili është mjeti juaj i preferuar për të udhëtuar?
Makina, më pëlqen që të udhëtoj me makinë.
-Koncertet tuaja në Shqipëri por edhe jashtë?
Kemi pasur disa koncerte në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoni në Gostivar dhe në Strugë. Kemi aktualisht një koncert në një kompleks në autostradën Tiranë-Durrës së bashku me Ponin.
-Cilat janë këngët më të pëlqyera nga publiku?
Kryesisht janë këngët e gjalla si “Perla”, “Princesh e dashuruar”, “Jam Don Zhuan”, “Jam dreq” të cilat kanë nota pak ballkanike, kënga “Djemtë janë njësoj”, me këto këngë krijohet vërtetë një atmosferë pasi janë ritmike.
-Çfarë vlerëson dhe urren më tepër tek njerëzit?
Vlerësoj shumë sinqeritetin dhe inteligjencën, gjithashtu dhe humorin, më pëlqejnë shumë njerëzit me humor. Tek njerëzit urrej hipokrizinë dhe kokëderrësinë.
-Përshkruaj një ditë të zakonshme tuajën?
Axhenda ime është e tillë, zgjohem herët, në orën tetë. Shkoj në libraritë e Tiranës për tu interesuar dhe më pas në zyrat e shtëpisë botuese. Shikoj e-mail-et dhe më tej gjithçka i lihet punëve të vogla që mund të dalin gjatë ditës. Kohët e fundit po frekuentoj përsëri palestrën. Pasditen e kaloj duke bërë shoping dhe në darkë lexoj libra, dëgjoj muzikë dhe shkruaj poezi apo prozë. Filmat më pëlqejnë shumë, shoh shumë filma.
-Po dita juaj në Gjermani?
Në Gjermani dita ishte disi ndryshe, midis shkollës dhe koncerteve të ndryshme. Nuk ka munguar asnjëherë edhe shoping.
-Shumë këngëtarë po këndojnë këngë popullore. Ju nuk keni dëshirë që të interpretoni muzikë popullore?
Unë kam studiuar muzikë të lehtë dhe kjo është rryma ime e dashur. Megjithatë kam dëshirë që të realizoj një këngë me motive të folkut. Nuk dua të dal nga natyra ime sepse nuk e gjej veten tek muzika e mirëfilltë popullore.
-Ke menduar ndonjëherë që të realizosh një koncert recital në Tiranë?
Po kam menduar. Është një ide ende në letër. Kam menduar vetëm një listë të të ftuarve, miq të mitë që do të jenë në këtë koncert. Por je t’ja lemë kohës.
-A e ka gjetur Denada princin e saj?
Parapëlqej që të mos flas për jetën time private megjithatë jo, jam ende një princeshë e lirë. Kërkoj një njeri me humor dhe inteligjent.
-Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Kam plan që të dali albumi im tjetër në fundin e këtij viti. Në pamundësi të ndodhi kjo ndoshta në verën që vjenë, në qershor.
-Me kë do të bashkëpunoni për realizimin e këtij albumi?
Dëshiroj që të bashkëpunoj me kompozitor të ndryshëm në mënyrë që të dali një larmi stilesh. Kam biseduar për një material me kompozitorin maqedonas Darko Mitro, me Endi DJ, Kristin, Adrian Hilën. Tekstet do të jenë të orientuar nga unë, dëshiroj që të bashkëpunoj me autorë të ndryshëm. Kam folur për disa me materiale me Timo Flloko dhe natyrisht me Armand Trebicka, megjithatë është ende herët për të folur për këtë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora