E enjte, 25.04.2024, 08:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Nebih Bunjaku

E merkure, 04.03.2009, 07:23 PM


Nebih BUNJAKU

DIELLI PRAPA GRILAVE

Që një shekull dielli në burg
na pat lënë në dritë të hënës
lot e gjak na shkuan çurg
nën këmbë njerke pa gji t’nënës

vonë nga retë kur doli dielli
n’shpirt buzëqeshja na lulëzoi
ëndrrës së jetës iu zgjidh filli
kroi i lotëve n’burim shteroi

RRUGËS SË DIELLIT

Shaban Palluzhës

Dardania kur digjej flakë
nga piromanët e tërbuar
asnjë i ri plak as plakë
s’donte vatrën për ta lëshuar

nëpër krisma dhe acar
dielli shahej veç sllavisht
zemra eshkë ndizej zjarr
gjoksi hapej martirisht

e me armë rrugës së diellit
nuk e braktisi Dardaninë
meteor Shaban Palluzha
shumë e deshi Ilirinë

të lajthiturve nga drit’e hënës
përbetuar në yll të kuq
mos lejoni u tha në Besianë
lot e gjak t’na shkojnë huq

me agimin në rrugën e diellit
si në legjendë dikur Anteu
maja e Lisit Shaban Palluzha
shtriu rrënjët n’thellësi dheu


PROMETEU

Adem Demaçit

Kur liria ishte ngrirë
në acar dimri rrezengrirë
Prometeu ynë n’zinxhirë
nisi akullin për ta shkrirë

prej të voglit në burg të madh
këmbë e duar lidhur n’pranga
vetëm shpirtin e kishte të lirë
nga qelia i jehonte kënga

Rrap’i kombit n’zemrat tona
me lirinë i kurorëzuar
Lulja e parë e kurorës
në Pranverën e vonuar

Baca Adem simbol lirie
vepra Jote rreze dielli
e zgjon mendjen e përgjumur
Yll Mëngjesi ndrin nga qielli


REÇAKU

Liria fshihet në një pikë gjaku
të një fëmije a të një plaku.1

Riza Beqir Reçeku

Fundi i shekullit plot acar
dyfish dimër në Reçak
ditë e zezë pesëmbëdhjetë janar
Reçaku i trimave u bë me gjak

ekraneve të shpirtit nëpër botë
komunikon vetëm trishtimi
zemra tona grimë dhe copë
veç nga ankthi e pikëllimi

n’gjuhën e dhembjes njerëzore
lajtmotiv vetëm mizoria
mbeti bota e nemitur
vallë u kthyeka barbaria

tok me engjëj Riza Beqiri
ra dëshmor n’prag shtëpie
mu pranë tij ra edhe i biri
ku u fshehka ai gjak lirie

n’zemrën time kam një shpellë
plaga e shpirtit më kullon gjak
midis dhembjes një hon i thellë
loti më rrjedh për Ty Reçak

a ka fashë që ma lidh dhembjen
përveç Vokerit – Mikut Plak
a ilaç që shëron brengën
krimit të hienës t’i vë kapak

1) Martirin Riza Beqiri e njoha në Banjën e Kllokotit në fund të vitit 1998. Një javë banuam në të njëjtën dhomë. Për lotin tim ndaj masakrimeve barbare, Riza më qortoi me profecinë e tij që e shënova në fillim të kësaj poezie. Dy javë më vonë, më 15 janar 1999, tok me të birin dhe martirët e tjerë i masakruan në Reçak.

FUNDI I KRYEKORBIT

Një korb sillet mbi humnerë
në ëndërr sheh veten skifter

me krra-krra u ngrit n’pushtet
korbëri bëri në Korbëri të vet

kukuvajka i këndoi mbi krye
ogurin e zi lidhur nyje

i tha dielli rreth tij sillet
dhe pa të farë nuk mbillet

nga Ballkani në Japoni
shtriheshka Korbëria e tij

alfabetin e gjithë Korbërisë
kukuvajka me krim e ngjiz

sa herë vetveten e shikon
edhe pasqyrën e shëmton

e lëshoi shpirti mu në Hagë
vendit të vet ia la një vragë

PAVARËSIA

Gjatë të pritëm rreze dielli
me shumë shekuj e dekada
kurorë lulesh midis prilli
të sfiduan në barrikada

akulli shesheve të Dardanisë
i 17 Shkurtit me borë acar
tretej në zemra të shqiptarisë
lavë vullkani magmë e zjarr

për Ty seç na dogji malli
nuk të lejonin të vije dot
kurrë s’të lëmë për së gjalli
për Ty derdhëm gjak e lot

me gjithë shpirt na buzëqeshe
Nusja jonë në Kuvend
ballëlartë rrugëve e në sheshe
në zemrat tona zure vend

në ballë të valles Nusja e jetës
dasmë të tillë s’ka parë bota
që nga shekujt e Mesjetës
në Dardani si luhet shota
nga ikja jote u lag moti
fjala jote gaz hare
kurorë ylberi përmbi re

LULJA E KOMBIT

Pas fitores drejt në Hagë
shpirtin e lirë duart n’zinxhirë
Lulja e kombit n’zemër plagë
se Ilirinë e donte të lirë

dorë e djathtë e UÇK-së
tok me NATO-n ka luftuar
pse i këputi shpirtit prangat
në bankë të zezë i akuzuar

kryelartë shkon në Hagë
historinë për ta lartësuar
n’shpirt i vishen ca akuza
nga Drejtësia i trishtuar

i pandehur përbetohu
sa ushtarë paramilitarë
kur ta dogjën shpirtin n’djep
pa mëshirë m’i paske vrarë

u betohem n’diell e n’hënë
në Luftën tonë Çlirimtare
vrava veç bisha Karpatevesh
shumë të zeza e barbare



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora