E diele, 27.09.2020, 02:33 AM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Afganistan, aty ku gratë shiten si dele

E merkure, 04.03.2009, 01:48 PM


Mariam ishte 11 vjeçe në vitin 2003, kur prindërit e detyruan me dhunë që të martohej me një 41-vjeçar fetar. Nusja u shit për 1200 dollarë dhe paratë u përdorën nga i ati, një i dhënë pas drogës, që të paguante borxhet. Pasi familja mori lekët, Mariami nisi të jetonte me bashkëshortin dhe nënën e tij. Të dy e trajtonin si shërbëtore, madje nisën të ushtronin dhunë fizike, kur ajo nuk po mund të sillte dot në jetë një fëmijë. Pas dy vitesh të dhimbshëm abuzimesh, Mariami vendosi të largohej fshehurazi nga vendi ku e dhunonin e të kërkonte ndihmë në një stacion policie në Kabul, kryeqytetin e vendit. Deri para pak vitesh, policia afgane do ta kishte "vlerësuar" guximin e Mariamit duke e dërguar menjëherë pas hekurave të burgut (morali tradicional i ndalon gratë që të dalin të vetme në rrugë), ose do ta kishte dërguar, si pako, sërish në shtëpinë nga kishte ardhur. Në rastin e Mariamit, policia pasi mori ankesën e saj, e dërgoi në një godinë dykatëshe, në një qendër grash, që para vitit 2003 ishte diçka që as nuk mund të imagjinohej. Pas vitit 2001, kur iu mor pushteti talebanëve, ka nisur në vend konkretizimi i nocionit të të drejtave të grave, bazuar në Kushtetutën e re dhe nxitur nga Ministria e Çështjeve të Grave. Problemet me të cilat përballen gratë e vendit i kanë rrënjët të ngulura thellë në traditat fetare dhe ligjet fisnore me anë të të cilave është qeverisur vendi. Por gjërat kanë nisur të ndryshojnë e bashkë me to edhe perspektivat jetësore të vajzave të reja të dhunuara si Mariami. Sipas drejtoreshës së organizatës "Gratë për Gratë Afgane" një nga katër organizatat që kanë ngritur strehët për femrat e dhunuara, në traditën e vendit, gratë janë pronë e burrave. Për sa u përket strehëve për gratë e dhunuara, hapja e tyre është kritikuar ashpër duke u konsideruar si një "shfaqje e huaj" e sjellë nga perëndimorët që duan të ndryshojnë Afganistanin, një vend ku problemet familjare dhe ato të komunitetit janë zgjidhur tradicionalisht nga ndërmjetësimi i liderëve fisnorë dhe këshillat e posaçëm. Por mbrojtëset e grave ngulmojnë se gjithmonë çështjet zgjidhen në favor të meshkujve. Martesat e detyruara mes vajzave të vogla e meshkujve shumë më të mëdhenj në moshë kanë qenë pjesë e jetës së tribuve dhe familjeve në Afganistan dhe vendet përreth prej shekujsh. Të njëjtat tradita vazhdojnë edhe sot, edhe pse mosha ligjore për martesë është 16 vjeç për femrat dhe 18 për meshkujt. Rrahjet, tortura dhe trafikimi i femrave janë ngjarje të zakonshme dhe pranohen në heshtje. Deri para krijimit të strehëve të femrave të dhunuara, një grua që ndodhej në një martesë abuzive, mundej vetëm të kërkonte ndihmë dhe strehë te familja e saj, te vëllezërit, apo babai, por gjithmonë ekziston rreziku se pikërisht këta do ta rikthenin sërish në familjen e bashkëshortit, në emër të mbrojtjes së nderit. Në kushte të tilla, kur gruaja ndihet e braktisur dhe e dhunuar nga njerëzit e vet më të afërt, shpesh fundi i historisë është vetëvrasja. Për gratë që kanë marrë vendime të tilla të dhimbshme ikja nga kjo jetë ka qenë zgjidhja e vetme, edhe pse e dëshpëruar. "Në Afganistan ekziston kultura e heshtjes", thotë një nga gratë afgane që ka hapur së bashku me shoqet e saj qendrën e parë të strehimit, 6 vjet të shkuara. Shumica e viktimave të abuzimit mashkullor kanë shumë turp që të flasin për problemet e tyre. Në vitin 2005, disa organizata sociale afgane as nuk mund të pohonin publikisht se qëllimi i ngritjes së tyre ishte ndihma ndaj grave të dhunuara. Në atë periudhë, togfjalëshi "të drejtat e grave" ishte një koncept i panjohur, por me kalimin e kohës shumë gra janë ndërgjegjësuar. Sipas vetë grave që merren me organizmin e strehëve, qëllimi i tyre është strehimi i grave të dhunuara dhe krijimi i kushteve sa më mikpritëse për to. Ndërkohë, punonjëset nisin ndërmjetësimin me familjet dhe në shumë raste u është dhënë zgjidhje konflikteve që ishin konsideruar si të pamundura për t‘u zgjidhur. Nëse ndërmjetësimi dështon, atëherë avokatet e strehëve ndërmarrin personalisht përsipër çështjet e divorceve në emër të klienteve të dhunuara. Madje disa qendra të reja kanë ndërmarrë një hap edhe më të guximshëm: gjetjen e bashkëshortëve të rinj për gratë e divorcuara. Bëhet fjalë për burra që nuk mund ta përballojnë dot çmimin e "blerjes" së gruas, por që janë njerëz të mirë e të besueshëm e që premtojnë që nuk do ta keqtrajtojnë gruan e re. Jo gjithmonë këto premtime mbahen, por në të shumtën e rasteve rezultatet janë pozitive. Kur Mariam mbërriti në strehën "Gratë Afgane për Gratë" në vitin 2007, avokatët e grupit e çuan rastin e saj në gjykatë. I shoqi i Mariamit u lut për rikthimin saj, duke premtuar që nuk do të vinte më dorë ndaj të shoqes. Mariam pranoi. Në një intervistë që dha jo deklaroi se u detyrua që të ndërmerrte një zgjidhje të tillë e nxitur nga frika se mos askush nuk do të martohej më me të dhe ajo do të mbetej përgjithmonë e vetme dhe e nëmur. Por me t‘u rikthyer në shtëpinë bashkëshortore, vjehrra dhe i shoqi nisën sërish ta keqtrajtonin Mariamin dhe ajo nuk pa tjetër rrugë shpëtimi veç largimit edhe njëherë. Rasti i saj përfundoi në Gjykatën e Krimeve, sepse ajo deklaroi se i shoqi e kishte kërcënuar me vrasje. Por ajo nuk është e vetmja që ka pasur një fat të tillë. Gratë që vijnë në këto strehë janë nën presionin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të burrave dhe njerëzve të tjerë të familjes. Një tjetër grua e dhunuar është Nadia, 17 vjeç, e cila jeton në qendër që në vitin 2007. Ajo rrëfen se ishte dhunuar njëherazi si nga i ati ashtu edhe nga bashkëshorti që e kishte rrahur duke i shkaktuar një frakturë në hundë dhe në vesh. Për të ndrequr dëmin asaj iu desh të bënte 6 operacione dhe ende nuk është shëruar plotësisht. "Unë lumturinë e njoh vetëm si fjalë. Nuk e kam ndier kurrë", thotë Nadia. Një tjetër vajzë, Gulsum, në moshën 8-vjeçare u grabit nga i ati, që ishte ndarë nga e ëma. Pas grabitjes i ati e detyroi me dhunë që të martohej me djalin e të dashurës së të tij. Pas martesës, si i shoqi, ashtu edhe e ëma e tij e keqtrajtonin vazhdimisht, madje kjo e fundit e kërcënonte vazhdimisht se do ta vriste. Tashmë 13-vjeçare, Gulsum thotë se para se të vendoste të ikte nga shtëpia kishte kohë që kishte menduar të vetëvritej. Disa herë e kishte provuar me gëlltitjen e ilaçeve, por pa rezultat. Sipas avokatëve që merren me çështjet e vajzave dhe grave të dhunuara situata është përmirësuar që kur talebanët u shporrën nga pushteti. Gjykatësit japin vendime më të drejta dhe policia është bërë më e ndjeshme ndaj denoncimeve, si dhe pranë saj është ngritur një njësi e posaçme që merret me çështjet e dhunës në familje. Por megjithatë, mbrojtja që mund t‘u ofrohet grave është e pakët dhe mbetet ende në teori, veçanërisht në zonat e thella rurale, ku tradita është e rrënjosur thellë dhe zakonet e reja e kanë më të vështirë për t‘u pranuar. Mariam thotë se është me fat që e kanë pranuar dhe e kanë mbështetur në strehën e grave, sepse pa të jeta e saj do të kishte qenë një tmerr i vërtetë, e ndoshta sot ajo nuk do të ishte gjallë. Kur e pyesin se si e sheh të ardhmen e vet ajo përgjigje: "Së pari dua të divorcohem dhe më pas dua të studioj". Atë e hoqën me forcë nga shkolla në klasën e 4-ët fillore. Mariam tregon se ishte shumë mirë me mësime dhe se dëshira e saj është që të bëhet avokate dhe në një të nesërme t‘u vijë në ndihmë njerëzve të pambrojtur dhe të bëhet për ta mbështetësja. Ajo çka të bën përshtypje bë rastet e vajzave dhe grave të keqtrajtuara nga familjet e bashkëshortëve është fakti se familjet e tyre, nuk reagojnë për sa ndodh. E motra e Mariamit është "shitur" në moshën 9-vjeçare te një burrë më i madh për 400 dollarë dhe me këto para, babai i tyre ka larë një tjetër borxh të shkaktuar nga përdorimi i drogës. Edhe motra e saj më e vogël, 6-vjeçare duket se do të ketë një fat të tillë. Por ndërsa situata është e rëndë, shpresa ka nisur të lindë dhe kjo nuk është pak si për fi llim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora