E enjte, 25.04.2024, 11:10 PM (GMT+1)

Mendime

Intervistë ekskluzive e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, për gazetën kombëtare “Bota sot”

E merkure, 04.03.2009, 08:02 PM


Presidenti Sejdiu
Vizita jonë konfirmoi edhe një herë marrëdhëniet e mira që ka Kosova me SHBA-në

Intervistojë: Beqir Sina, BOTA SOT
 
Gjatë vizitës së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, në SHBA, shfrytëzuam rastin dhe para se të largohej i morëm një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”. Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, flet për suksesin e kësaj vizite, për mbështetjen shumë të çmueshme që SHBA-ja i ka dhënë pavarësisë së Kosovës, për vazhdimin e kësaj mbështetjeje nga administrata e presidentit Obama, për ndërtimin në Kosovë të një demokracie funksionale, për njohjet e ardhshme që do t’i bëhen Republikës së Kosovës dhe për shumë çështje të tjera.

“Bota sot”: Zoti President, ju sapo realizuat një vizitë në SHBA. A mund të na e përshkruani përmbajtjen e kësaj vizite zyrtare në SHBA ?

Presidenti Sejdiu : Po, ishte një vizitë disaditore, jashtëzakonisht e rëndësishme, e bërë kjo në momentin dhe vendin e duhur. Vizita jonë konfirmoi edhe një herë marrëdhëniet e mira që ka Kosova me SHBA-në. Kjo vizitë u konkretizua edhe me takime të nivelit të lartë, siç ishte edhe takimi me nënpresidentin Bajden, sekretaren e Shtetit zonjën Hillari Clinton, senatorë dhe kongresmenë e zyrtarë të lart të Departamentit të Shtetit.

Në Nju-Jork pata një takim të veçantë me ambasadoren e re të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, zonjën Susan Rice, dhe ambasadorët e tjerë të disa vendeve, të cilat e kanë njohur ose nuk e kanë njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës. Me kryeministrin Thaçi dhe me ministrin e jashtëm Hyseni kemi takuar edhe ambasadorët e disa vendeve të Azisë, Afrikës e Amerikës së Jugut.

Vizita jonë në SHBA ishte një konfirmimi fuqishëm i asaj që po bën SHBA-ja në mbështetje të Kosovës. Për ne ishte tepër e rëndësishme kjo vizitë, sepse gjetëm te SHBA-ja edhe më shumë angazhim dhe nxitje të atyre vendeve që ta njohin Kosovën. Ajo që është më e rëndësishme, është mbështetja ekonomike që SHBA-ja po i jep në këto momente Kosovës në zhvillimin ekonomik të saj dhe në forcimin e mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës.

Në këtë kuadër, natyrisht, që morëm përgëzimet për përgjegjësitë që ka marrë mbi vete Kosova, por edhe për realizimin e detyrave kaq të rëndësishme. Ky vlerësim u pa edhe nga udhëheqësit më të lart të shtetit, që sot janë në administratën e presidentit Obama, Në të njëjtën kohë ne gjatë kësaj vizite kemi shprehur edhe vizionin tonë, për të vazhduar edhe më tej në këtë rrugë, duke pasur parasysh edhe angazhimin tonë në zbatimin e Planit Ahtisari.

Gjatë qëndrimit në Nju-Jork pata takim me ambasadorin e Nigerisë, të Namibisë, të Salvadorit, të Pakistanit dhe atë të Egjiptit. Vlerësoj lart pritjen që u organizua në Uashington, me bashkatdhetarët tanë, me rastin e njëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu me peshë ishte edhe nderimi që m’u bë me çmimin “Lidership i Dalluar Global”, nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

“Bota sot”: A mendoni se vizita juaj do të përforcojë mendimin se edhe presidenti i ri Barack Obama dhe administrata e tij do të ndjekin të njëjtën linjë në marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, ose traditën e “miqësisë së përjetshme me SHBA-në”, siç thoshte presidenti Rugova?

Presidenti Sejdiu: Absolutisht, po! Vizita jonë, takimet dhe pritja që na u rezervua, është vazhdim i atyre raporteve të shkëlqyera që janë krijuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe lirshëm mund ta them se vizita ishte një rikonfirmim konstant i SHBA-së dhe Qeverisë së saj dhe presidentit Obama për këtë miqësi. Në fakt deri më tash nuk ka pasur asnjëherë "ulje e ngritje" në marrëdhëniet tona. Por, pavarësisht nga presidencat dhe administratat, marrëdhëniet kanë qenë të njëjta, qoftë nga presidenti republikan apo ai demokrat.

Në Prishtinë nuk ka asnjë plan “gjashtë pikësh”

“Bota sot”: Zoti President, si i shihni ju inicimet e shefit të UNMIK-ut, zotit Zanieri, me zyrtarët e Beogradit për riaktualizimin çështjes së gjashtëpikëshit për Kosovën dhe "shpërfilljen” e tij ndaj institucioneve të Kosovës ?

Presidenti Sejdiu: Çdo gjë që nuk ka marrëveshjen dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me institucionet e Republikës së Kosovës është e papranueshme dhe nuk vihet fare në "tryezë" nëse ka inicime të tilla. Mbase mund të ketë nxitje nga kënde të ndryshme, me kërkesat e Beogradit, që ta trajtojnë edhe UNMIK-un si subjekt të veçantë në aspektin ndërkombëtar dhe si të "plotëfuqishëm", por të gjithë ata që mendojnë e veprojnë kështu gabohen shumë! Pasi UNMIK-u është në ditët e fundit dhe në përfundim të misionit të tij në Kosovë, ne dëshirojmë që ky mision të përmbyllet ashtu edhe siç është paramenduar. Pra, të jetë bartës i asaj çfarë ai ka pasur mundësi të bënte me EULEX in, derisa çdo përgjegjësi t'u kalojë institucioneve të Kosovës.

Përfitoj nga kjo intervistë, të përsëris dhe një herë atë çfarë së bashku me kryeministrin Thaçi e kemi thënë në Kosovë, se nuk mund të ketë asnjë lloj marrëveshjeje ose zbatim të çfarëdolloj dokumenti as të ashtuquajturit "gjashtë pikësh" dhe të dokumenteve të tjera pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, sidomos të atyre formave që nga ne konsiderohen si një ndërhyrje në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Bota sot”: Pra ka apo nuk ka në Prishtinë planë gjashtë pikësh ?

Presidenti Sejdiu: Absolutisht që nuk ka "gjashtë pikësh" në Prishtinë.

“Bota sot”: Ditë më parë autoritetet vendore ia ndaluan hyrjen në Kosovë ministrit serb Bogdanoviç. A do të thotë kjo se kushdo qoftë në të ardhmen duhet ta kuptojë dhe ta pranojë realitetin se Kosova tash është shtet i pavarur dhe sovran dhe se kjo duhet të vlejë edhe për zyrtarët serbë të Beogradit?

Presidenti Sejdiu: Mendoj se ky ishte një veprim i drejtë i Qeverisë së Kosovës, një veprim në momentin e duhur. Siç dihet, Kosova deri tani ka pasur një tolerancë të tepruar me "hyrjet e daljet" e pakontrolluara, njerëz që kanë ardhur duke shfrytëzuar hyrjen e lirë dhe kanë bërë diversione të ndryshme ndaj Kosovës. Fjala është sidomos për zyrtarët serbë të Beogradit. Ata kanë bërë fushata politike dhe kanë provuar të shkaktojnë "turbulenca" në Kosovë. Në fakt është në interesin tonë për të krijuar raporte të mira me Republikën e Serbisë, duke pasur liberalizimin e qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave, për të lehtësuar dhe favorizuar bizneset, për të mos ndjekur procedura burokratike. Por ky liberalizim nënkupton raporte ndërshtetërore, konform të gjitha rregullave ndërkombëtare dhe që u takojnë dy shteteve fqinje.

Ndërkaq, njerëzve të tipit të Bogdanoviçit, ose dikush tjetër i ngjashëm më të, që vijnë të bëjnë diversion në Kosovë, janë persona të papranueshëm në çfarëdolloj cilësie që ata dëshirojnë të vijnë në Republikën e Kosovës. Në këtë kuadër e vlerësoj pozitivisht vendimin e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

Nuk ka dialog me Beogradin për çështjet që prekin sovranitetin e Republikës së Kosovës

“Bota sot”: Zoti President ,nëse ju dhe Qeveria e Kosovës pranoni një dialog me Beogradin, sipas jush çfarë lloj dialogu do të duhej të ishte ky?

Presidenti Sejdiu: Vetëm si të barabartë. Ne gjithmonë e kemi thënë se jemi të gatshëm të bisedojmë me Beogradin lidhur me ato çfarë edhe mund të bisedojmë dhe janë në interes të dy vendeve. Dhe pa dyshim që tema të tilla për bisedime ka mjaft, por gjithmonë si dy vende sovrane dhe me integritet të plotë shtetëror.

Por, ne nuk pranojmë asnjëherë të bisedojmë për ato tema që në një formë apo tjetër kanë interfereca të rihapjes së çështjes së statusit të Kosovës. Pra ne mund të bisedojmë me Beogradin vetëm për ato pika që thashë edhe më lart dhe asgjë më tepër se aq. Pra, lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve, luftën e përbashkët kundër krimit, drogës dhe trafiqeve të ndryshme, për të pagjeturit e luftës, të cilët mungojnë edhe sot e kësaj dite etj. Në këtë drejtim, siç dihet, janë më shumë se dy mijë persona nga Kosova që konsiderohen të pagjetur.

“Bota sot”: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga 55 shtete deri më tani nga disa konsiderohet si një numër i vogël. Si e vlerësoni ju ecurinë e njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës?

Presidenti Sejdiu: Unë u bashkohem atyre që mendojnë se procesi i njohjes së Republikës së Kosovës deri më tani ka ecur mirë. Është bërë një punë e mirë dhe është një njohje pozitive njohja e 55 shteteve dhe ne kemi sinjale për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Është e natyrshme se ne kemi një njohje të kualitetit të veçantë nga 55 vende të botës. Por ne kemi nevojë që të kemi më shumë njohje për të pasur qasje në mekanizmat ndërkombëtarë siç është OKB-ja, meqë Kosova mëton të jetë anëtare e saj.

Ndër 55 shtetet që e njohin deri më tani bëjnë pjesë pothuajse të gjitha ato shtete, të cilat kanë potencialin më të fuqishëm, ekonomik dhe politik e ushtarak në botë. Vendet të cilat nuk e njohën deri tani ose janë vende që kanë një qëndrim neutral, ose që kanë pikëpamje të njëjtë me atë të Federatës Ruse.

Në listën e vendeve që kanë bërë njohjen e Kosovës janë 7 vendet më të mëdha të botës dhe tre të katërtat e vendeve të Bashkimit Evropian. Janë vende që mbajnë mbi vete edhe produktin botëror, apo 60 për qind të gjithë prodhimit të botës. Shumica e tyre janë dhe anëtare të institucioneve më të rëndësishme dhe më të larta të botës, duke përfshirë NATO-n, BE-në, BB-në, FMN, OSBE-në dhe tjerë. Dhe janë që të gjithë të kënaqur dhe që kërkojnë t'i zhvillojnë edhe më shumë marrëdhëniet me Kosovën.

Këto 55 vende janë ato që u bëjnë thirrje edhe vendeve të tjera ta njohin Kosovën. Natyrisht, që nevoja është që të kemi sa më shumë njohje të tilla, pa i vlerësuar ato si vende të vogla apo të mëdha, mjafton që ato të jenë anëtare të OKB-së.

Kosova, sot, është një realitet i pakthyeshëm, një proces historik, i cili ka ecur në rrugën e vetë të mbarë dhe të suksesshme. Është një vend që e ka dëshmuar vetveten.

“Bota sot”: Sa i ka shërbyer Kosovës dhe fqinjëve të saj njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi ?

Presidenti Sejdiu: Këto njohje të dy vendeve fqinje kanë ardhur në një moment tepër të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por edhe për Ballkanin dhe rajonin në përgjithësi. Këto njohje erdhën në një kohë kur Serbia ka trumbetuar shumë se nuk do të kishte njohjen e atyre vendeve fqinje. Për këtë Serbia, ka "shpenzuar" shumë dhe ka bërë presione të shumta.

Duke mos harruar ngjarjet e shkurtit 2008, kur ata "dogjën" e shkatërruan zyrat diplomatike në Beograd të atyre vendeve që e njohën së pari pavarësinë e Kosovës, Beogradi tërhoqi ose largoi ambasadorët e vendeve që njohën të parat Kosovën, me të vetmin qëllim që t'u bëjë presion vendeve të tjera, e sidomos vendeve fqinjë që të mos njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Çdo veprim iracional i Serbisë, deri tek dërgimi i çështjes së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, ka qenë presion i madh ndaj të gjitha vendeve që njohën Kosovën e sidomos për vendet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Si konkluzion do të thosha se njohja që i bënë Mali i Zi dhe Maqedonia janë të një rëndësie dhe vlere të veçantë për Kosovën dhe për vetë ato dy vendeve, pasi ne kemi tani relacione të shkëlqyera dhe për pak kohë këto marrëdhënie do të ngrihen në nivel diplomatik dhe të ambasadorëve.

Serbia “i ushqen” strukturat paralele serbe për të shkaktuar tensione në Kosovë

“Bota sot”: Kush e ka përgjegjësinë për eskalimin situatës në Mitrovicë dhe në Kosovën Lindore? Mitrovica dhe Kosova Lindore, disa herë kanë qenë pika “të nxehta” në Kosovë dhe në rajon?

Presidenti Sejdiu: Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia gjithmonë në kohë dhe situata të veçanta, ka tentuar që të krijojë tensione e turbullira eskaluese, si në veri të Kosovës, po ashtu edhe në vendbanimet shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegje. Dhe këto turbullira e tensione janë "paralele dhe zigzage" sido që t’i krahasojmë ato, qoftë në një hark, qoftë në një hark hapësinor. Natyrisht se Serbia i “ushqen” këto struktura paralele në Kosovë, duke harxhuar edhe shuma të mëdha parash, duke shfrytëzuar edhe ndihmat që merr nga vendet e ndryshme Evropiane, të cilat vetëm vitin e kaluar kanë shpenzuar deri në 200 milionë euro.

Në të njëjtën kohë Beogradi kërkon të instalojë krizën edhe në Kosovën Lindore. Me këtë rast ai bëri një fushatë arrestimesh të të rinjve shqiptarë, duke shtuar tensionet në ato tri komuna shqiptare. Ndaj të arrestuarve ka aktakuza absurde dhe të njëjta që Beogradi ngre ndaj shqiptarëve edhe në kohën e Milosheviçit. Beogradi akuzon si terrorist edhe fëmijët, siç është rasti i fundit më 26 dhjetor 2008, me arrestimet në Preshevë, pasi akuza thotë që disa prej tyre kanë kryer vepra gjoja terroriste kur ata kanë qenë 14 -15 vjeç. Kjo është edhe më e pabesueshme, kur ngrihen akuza të tilla edhe ndaj fëmijëve. Kjo bëhet për të krijuar një tension artificial në vendbanimet shqiptare. Dëshira e Serbisë sot është të krijojë si në veri të Kosovës edhe në Kosovën Lindore situata krize për të provokuar qytetarët, në mënyrë që ata, sipas planit serb, të kalojnë në veprime të pamatura e të pakontrolluara.

Kjo duket qartë edhe në analizat dhe anketat e ndryshme, se cili është mendimi i opinionit të brendshëm në Serbi edhe për sa i përket Kosovës. Një strukturë në Serbi deri tash është e mbështetur edhe nga Perëndimi, por kjo ka ndodhur vetëm për të marrë pushtetin. Serbia e ka për "borxh" ndaj komunitetit ndërkombëtar për të treguar realisht se është properëndimore. Dhe jo të lejojë që një ish-ministër i Milosheviqit, një njeri që ka udhëhequr bashkë me të spastrimet në Kosovë dhe ka bërë krime kundër njerëzimit, siç është Ministri i Rendit tani në Serbi, të bëjë veprime që janë edhe kundër dëshirës dhe vullnetit të gjithë qytetarëve në Serbi.

Pra Serbia me këto veprime merr nga bota vetëm vlerësime e opinione negative. Qarqet e caktuara serbe edhe në kohën e Milosheviçit, por edhe në kohët e mëvonshme, kanë zbatuar po ato politika hegjemoniste në relacion me Kosovën dhe vendet e rajonit. Pra, Serbia po vazhdon të zhvillojë një politikë të kundërt me kahet e rajonit dhe integrimeve evropiane.

Rruga Durrës –Kukës – Morinë një “arterie” kombëtare

“Bota sot”: Si e pritët ju vendimin e kryeministrit Berisha lidhur me portin e Shëngjinit , që t'i jepet Kosovës dhe përfundimin në qershor të këtij viti të rrugës së quajtur edhe "Rruga e Kombit", Durrës - Morinë - e më pas Prishtinë?

Presidenti Sejdiu: Mendoj se është një veprim jashtëzakonisht i shkëlqyer i qeverisë shqiptare. Unë kam pasur rastin të marrë pjesë edhe në prerjen e shiritit të rinovimit të Portit të Shëngjinit. Pra, që atëherë ai port është port i Kosovës. E kam fjalën për dhënien për shfrytëzim të këtij porti shtetit të Kosovës. Kryeministri Berisha ka bërë shumë mirë që ka marrë një vendim kaq të drejtë dhe me kualitet. Gjithashtu, për t'u lavdëruar është edhe përfundimi i rrugës Durrës - Kukës - Morinë. Natyrisht që pas përfundimit të kësaj rruge do të ketë mes dy qeverive tona edhe ndonjë marrëveshje formale. Në të njëjtën kohë dëshiroj të cek se rruga që përfundon në qershor, do të jetë një "arterie” kombëtare, një potencial i fuqishëm për të lidhur Kosovën me Shqipërinë.

“Bota sot”: Dekorimi që Ju i dhatë Shaban Polluzhës me urdhrin "Hero i Kosovës" për trimërinë e treguar në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës gjatë viteve ‘40-ta të shekullit të kaluar, a do të thotë kjo se Kosova për herë të parë, nëpërmjet kësaj dekorate, ka dënuar krimet e komunizmit në Kosovë ?

Presidenti Sejdiu: Ky është një "borxh" yni ndaj një luftëtari siç ishe Shaban Polluzha. Ne si institucione kemi një kujdes të veçantë që të bëjmë edhe më të paktën duke dhënë vlerësimet më meritore për ata që luftuan për lirinë e Kosovës, për të gjithë ata njerëz të të gjitha gjeneratave që bënë shumë për Kosovën dhe kombin shqiptar, për të gjithë ata që u sakrifikuan për Kosovën.

Dhe kjo dekoratë nuk është asgjë më tepër sesa kthim tek kujtesa jonë. Ashtu si edhe ishte vepra madhore që ka bërë Shaban Polluzha në një situatë të udhëkryqeve të mëdha historike, nëpër të cilat ka kapërcyer Kosova. Mendoj se pas kësaj do të trajtojmë edhe personalitete dhe ngjarje të tjera të lëna deri tani në harresë dhe të gjykuara dhe të paragjykuara edhe ideologjikisht. Pra për të gjithë ata që në një formë apo tjetër kanë qenë të lidhur me të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës dje, me këtë ditë që ne po e gëzojmë sot.

Urdhri "Hero i Kosovës" do t'u jepet të gjithë atyre personave që kanë bërë shumë për Kosovën, prej Lidhjes së Prizrenit e deri sot. Prandaj është një "borxh" që të japim një përmbledhje të të gjithë atyre emrave, që është një listë e madhe. Pra, kjo është një nismë për të nderuar dhe për të dekoruar të gjithë ata që kanë bërë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Porosi për bashkatdhetarët: Ejani e investoni në Kosovë!

“Bota sot”: Para largimit, cili është mesazhi juaj për diasporën shqiptare në Amerikë, që do ta jepnit nëpërmjet gazetës kombëtare “Bota sot”?

Presidenti Sejdiu: Së pari dua të jap një falënderim për gjithë diasporën! Për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan shumë në ditët më të vështira për Kosovën dhe vendin e tyre. Unë u bëj thirrje që çdokush që ka mundësi të bëjë edhe më shumë për Kosovën, edhe duke investuar dhe kontribuar edhe më shumë për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës. Për të nxitur dhe mbështetur edhe më shumë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në Kosovë, sot, ka një legjislacion të qëndrueshëm dhe garanci për çfarëdolloj investimesh nga diaspora. Paralelisht të vazhdohet me këtë qasje të shkëlqyer që ka krijuar diaspora shqiptare në Amerikë, me këtë vend të madh , mik dhe aleat i shqiptarëve.

Çdo njeri që dëshiron të kthehet në Kosovë, i ka dyert e hapura dhe është i barabartë si çdo qytetar i Kosovës.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora