E enjte, 25.04.2024, 03:30 AM (GMT+1)

Mendime

Rrok Berisha: Dëshpërimi i atyre që predikojnë në hava përçarjen e shqiptarëve

E merkure, 04.03.2009, 07:57 PM


Dëshpërimi i atyre që predikojnë në hava përçarjen e shqiptarëve

Nga Rrok Berisha

Në vend të reagimit ndaj deklaratave të imamit Shefqet Krasniqi

Është e çuditshme se si një imam, duke u thirrë në emër të Allahut e të myslimanizmit,  fyen e njollos njerëzit bamirës! Në shtyp dhe përmes internetit, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ka nisur një fushatë denigruese, fyese e të pamoralshme, duke i ndarë shqiptarët sipas përcaktimit të tyre fetar. Ky bishtuk shkon aq larg, sa hapur promovon idetë e tij të errëta fondamentaliste se kinse Nëna Tereze, pasi "që nuk është myslimane, ajo e ka vendin në Xhehnem" dhe "për mëkatet e bëra, do të digjet ne flakën e Xhehnemit”. Pra, ky njeri që paska arritur të "lidhë" kontakte me Allahun ka iluzione si është më i “mbërrimi” dhe më i “mençuri” e se nga toka e paska fuqinë që ta “caktojë” a ta “rezervojë” Xhenetin vetëm për myslimanë, ndërsa për të tjerët – Xhehnemin!!! Imam Shefqet Krasniqi vetën e quan patriot dhe çlirimtar të Kosovës, sepse paska marrë pjesë në luftën e Kosharës. Tash, pasiqë na e paska “çliruar” “në emër” të Zotit, i ka hyrë punës që ta shkatërrojë bashkëjetesën e marrëdhëniet ndërfetare dhe hapjen e vatrave të reja të krizës, si në Lindjen e Mesme, siç synonte e synon  Serbia. Ajo çka ky imam e thotë për Nënë Terezën, është më shumë se skandaloze, më shumë se e turpshme, që nuk ka asgjë të përbashkët as me Kuranin e as me Islamin. Sikur Allahu të mos ishte aq shpirtgjerë ndaj krijesës se vet më të dashur-njeriut, Ai, imamin Shefqet Krasniqin dhe bashkëmendimtarët e tij, edhe pse janë myslimanë, do t'i përplaste në zgafellën e djallit. Por krijuesi është i mëshirshëm, kur është në pyetje njeriu edhe kur mëkatnon i jep arsyen e shansin që të jetojë, të përballet e ndjejë gabimet, të pendohet e të kërkojë falje, gjë që nuk vlen për imam Krasniqin. E Lumnueshmja Nëna Terezë, sa ishte gjallë, ishte përballë me shumë sfida, me llojllojshmëri të racave njerëzore, andaj edhe ka lanë porosinë: “Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egocentrik. S’ka rëndësi, duaje”. Ndërsa për jetën e saj ajo shprehej: “Kërkoj Krishtin që vuan në vëllezërit e tij, dhe dua t’ia lehtësoj vuajtjet”.
Këto porosi, sa humane e hyjnore, janë bazë e dashurisë ndaj njeriut pa dallim race, ngjyre a besimi. Kjo urtësi mund të dalë vetëm nga zemra e një Nëne me plot dashuri, humaniste e shënjtëreshë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiut, e lindur nga baba Kolë Bajoxhiu nga Prizreni dhe nëna Drane, nga fshati Novoselë e Gjakovës. Është e dhimbshme kur imami shndërrohet në vrastar të së mirës e humanizmit, siç është vepra humane e me plot dashuri për njeriun e shënjtëreshës shqiptare.
E keqja është e keqe dhe reflekton shumë, sidomos fyerjet e shpifjet me plot urrejtje, ndaj figurave të çmuara të kombit, të një gjaku. Predikues i Kuranit, në emër të Allahut, për ta denigruar e turpëruar motrën e vet të një gjuhe e një gjaku, thotë: “Nëna Tereze e ka vendin në ferr, sepse nuk ka qenë myslimane... ajo i ka pasur të gjitha. E ka pasur derën çelë ku ka dashtë me shkua pa pare në këtë dynja, ka pasë me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë ka dashtë, burra kënd ka dasht me ndërruar...Ajo ka pasur të mira në këtë dynja plot”! Ky është gjykimi më i rëndë që njeriu i kësaj toke ia bën një shënjtëreshe në këtë rast Nënë Terezes, njeriut të kulturës e të qytetërimit 200-vjeçar të krishterimit të shqiptarëve, së cilës e tërë bota, pa dallim, i përulën, duke e quajtur Nënë e Botës. Por imam Shefqet Krasniqi, më bashkëmendimtarë, që s’janë gjë veç shpirtra të shitur, e kurrsesi njerëz të  Allahut e as interpretues të Kur’anit, janë lëshuar në një aventurë mediatike, përmes gazetave e veçmas përmes internetit, ku promovojnë qëndrimet e tyre, në të njëjtën vijë me Xhihadin Fondamentalist. Kjo gjë dëshmon se dikush me hapa të shpejtë po shpejton që në Kosovë ta mbjellë farën e urrejtjes ndërkonfesionale. Jo rastësisht është filluar edhe përdhosja e figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe listat e likuidimit menjëherë pas luftës të 350 veprimtarëve e intelektualëve të besimit katolik, me thurjen e varrezave katolike në Prizren, sulmin fizik ndaj biografit të Nënë Terezës, Don Lush Gjergjit, pastaj me vështirësitë e punësimit të të rinjve shqiptarë katolikë si në polici a në institucione lokale e qendrore (analizo institucionet e Kosovës, Qeveria, Parlamenti dhe Presidenca) dhe binduni për çka edhe numri i rinisë katolike që po largohet nga Kosova, është shumë i madh. E ndaj kësaj dukurie heshtet edhe tani që ky imam po mundohet ta përdhosë figurën më të ndritshme të kombit shqiptar pas Gjergj Kastriotit, të Lumnueshmën Nënën Tereze. 
2. Këto përpjekje të errëta fondamentaliste do të dështojnë. Nga toka më shekuj nuk kanë mundur që t'i shkulin rrënjët tona, të menduarit, të vepruarit dhe të folurit shqip. S’kanë mundur të na i shkulin rrënjët e vlerave humane të civilizimit evropian, që kanë shqiptarët pa dallim besimeve. Trashëgimia e njimendttë shqiptare qëndron nëpër shekuj. I qëndroi Perandorisë Osmane, krajlive të Serbisë, diktaturës së komunizmit ekstrem të  Enver Hoxhës. Prandaj, po ia përkujtoj këtij imami bishtuk se lulëzimi i humanizmit të Gonxhes shqiptare, u bë përmes dashurisë së saj në shërbim të njerëzimit, e jo përmes epsheve. Kongregacioni që e udhëhoqi Nëna Tereza, aktivizoi mbi 445 shtëpi bamirësie për njerëz nevojtarë, pa dallim, të shpërndarë në 95 kombe të botës. Për Nënën Tereze bota ishte e vogël, nuk ishte e ndarë në kufij nacionalë, racorë e as fetar, as vëth për katolik a mysliman, hindus etj. Shikuar realisht nga bamirësia e shenjtëreshës tonë, më se shumti kanë përfituar nevojtarët myslimanë, të cilëve ajo u ofroi ngrohtësi, dashuri e mirëqenie pa dallim. Për këtë, kombet e botës pos çmimit Nobel për Paqe, Nënës së Mirësisë, Nënës së Dashurisë, Nënës Tereze i dhuruan edhe 124 dekorata e çmime të ndryshme ndër më prestigjiozet. Këto nderime janë krenari edhe për ne shqiptarët, por që nuk vlejnë vetëm për imam Shefqet Krasniqin dhe bashkëmendimtarët e tij fondamentalistë.
Për fund, imam bishtukut duhet bërë edhe këto pyetje: Cilët janë armiqtë e Islamit, të myslimanëve e të librit të shenjtë Kuranit? Sigurisht se jo njerëzit humanë e as të shenjtëruarit si është Nënë Tereza, shqiptarja katolike. Nuk janë as besimtarët  katolikë shqiptarë, ata që në shpirt dhe jetë e kanë tolerancën, humanizmin dhe bamirësinë. Kundër islamit, myslimanëve e Kuranit janë djajtë, që tash po na marrin formën e Shefqet Krasniqi. Nga kush paguhet ky njeri për mbjelljen e gjithë kësaj fare të urrejtjes në mes të shqiptarëve? A paguhet nga fondamentalizmi islamik apo nga ai ordodoks serbo-rus? Apo nga të dyja? Me prononcimet e veta, imam Krasniqi bën shërbimin e djallit, duke forcuar tezën serbe se Kosova është myslimane dhe si e këtillë paraqet rrezik për kulturën, paqen dhe stabilitetin në Evropë.
Krejtësisht në fund, institucionet e shtetit të Kosovës e kanë për obligim të marrin masa për eliminimin dhe kontrollimin e grupeve të caktuara, të cilat janë të lidhura me  Xhihadin Islamik dhe fundamentalizmin ekstrem. Këto grupe hyjnë e dalin në Kosovë pa u kontrolluar, që mjerisht për pak lekë gjejnë mbështetje edhe nga individë që janë të indoktrinuar nga predikimet si të imam Krasniqit, por që kanë gjetur mbështetje edhe të disa bartës te funksioneve të shtetit të Kosovës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora