Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevat Rexhaj: Pse jemi të tillë ne shqiptarët - se duam vetvehten

| E marte, 03.03.2009, 09:28 PM |


PSE JEMI TË TILLË NE SHQIPTARËT- SE DUAM VETVEHTEN

Nga Xhevat Rexhaj

Ngacmimet si dukuri e përditshmërisë janë shumë interesante. Ka të tilla që të qesin në “ bela”, ka të tilla që të japin elan në punë apo angazhime të ndryshme dhe ka të tilla që të bëjnë nervoz, thjeshtë pra të prishin disponimin. Ngacmimet më të theksuara në jetën e përditshme te ne shqiptarët, sidomos tani pas luftës janë ato të cilat vijnë nga mjetet e informimit, si ato të shkruara si ato vizuale.

 Ka disa ditë që në mjetet e ndryshme informative shqiptare u shkrua, u debatua, u thumbua, u fantazua, por fatkeqësisht nuk u vlerësua apo së paku nuk u shtjellua me njerëzi një nismë apo një njoftim se një shtet  anëtarë i KB, nga një Kontinent i quajtur Afrikë, kishte shfaq një interesim për  një Njeri, politikan shqiptarë dhe Luftëtarë i vërtet i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftoi denjësisht dhe pa ndërprerë, duke mos e lëshuar vijën e frontit gjatë tërë luftës në Kosovë për çlirimin e vendit nga barbaritë serbe, pra Ish Kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj. Tërë këto ditë me vëmendje kam përcjellurë të gjitha mediat që kanë shkruar apo kanë folur në dhe për këtë lajmë të dhënë nga agjenci të huaja ndërkombëtare.

Pas tërë kësaj përsiatjeje mediatike, vërehej  sheshazi se shumica e mjeteve të informimit mundoheshin ta minimizonin, ta banalizonin dhe thjeshtë të talleshin me këtë iniciative që sigurisht se burimin e kishte dhe e ka te miqtë e Kosovës në botë. Shihej qartë se pasi që fjala ishte për një emër të quajtur R. Haradinaj, shumica e mjeteve informative të kontrolluar nga qarqe qeveritare me shumë kujdes bënin çka ishte e mundur që kinse të thurnin edhe batuta dhe "hajgare" me këtë iniciativë. Unë nuk do të përmendi me emër gazetat apo TV të por do të ndalem edhe  te një dukuri shkatërrimtare që na përcjellë ne shqiptarëve, pra për atë thënien e  popullit ” për inat të ime re më të më vdesë  djali”. Si mos të jetë kështu kur të kihet parasysh që ne jemi popull i vogël, dhe kur të na ofrohen këso rastesh ne duhet të përfitojmë si komb, kur janë iniciativa të tilla nuk fiton individi por populli, ama fatkeqësisht kësi rasti kemi edhe te shkrimtari më i madh shqiptarë Ismail Kadare, i cili disa here u  sakatua nga vetë shqiptarët për marrjen e çmimit Nobel.

Prandaj edhe me këtë rast të Z. R. Haradinaj, u pa ajo shkurtpamësia e jonë, ai inati katunaresk, provincial dhe ajo vetëdija ende e ulët kombëtare kur kemi të bëjmë me vetveten, pra ne jemi vërtet të cekët në shumë sfera jetësore, ne jemi patriot të çiftelijave, dhe të rrenave patriotike, ne ende nuk e vlerësojmë atë që ka të mira, ne për fat të keq jemi ende mbrapa nga progresi. Në tërë këtë mish mashë mediatik kishte edhe komente të njerëzve kinse” luftëtarë” që shkruanin se ata në Ugandë janë terroristë, rebelë, hajna etj, e këta të mjerët harronin se ai që lufton për lirinë e vetë nuk është terroristë, pra dyfytyrësi të tillë dimë të bëjmë ne shqiptarët nganjëherë( e them jo të gjithë).

Për mua vetë përmendja e emrit të Zotëriut Ramush Haradinaj për ndërmjetësues është një mirënjohje për tërë kombin shqiptarë, prandaj më mbetet të ëndërroi se çfarë do të kishin shkruar dhe lajmëruar mjetet e informimit sikur të ishte propozuar dikush nga kasta qeveritare për ndërmjetësues ( e përjashtoi z.F. Limaj se edhe ai vërtet ka qenë tërë kohën në luftë), pra do thureshin lëvdata si përpara pa mbulesë.

Pra e kërkuan Z. Haradinaj se tërë bota e dinë që ai luftoi makinerinë pushtuese serbe dhe doli fitues e edhe në luftën e Hagës ngadhënjeu.

Suksese në të ardhmen edhe nëse nuk merr misionin Z. Haradinaj, vetë përmendja e emrit tuaj është sukses për tërë lëvizjen shqiptare, si atë paqësore edhe atë ushtarake.

Nuk jam anëtarë i AAK

Xhevat Rexhaj