E merkure, 24.04.2024, 11:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Alida Hisku rrëfen historinë e jetës së saj

E enjte, 14.04.2005, 05:27 PM


“Ditari që më largoi nga skena”

Alida Hisku është në qiellin e shtatë. Pas 25 vjetësh është ringjitur në skenë, duke përcjellë gati me të njëjtin emocion këngën si në Festivalin e 13-të, kur këndonte "Anës e pas anës o". Në një intervistë ekskluzive për "Tirana Observer", këngëtarja e shquar e viteve '70-të tregon për herë të parë përse e dënuan të mos këndonte. Ditari mbi të cilin u ngrit akuza e agjitacionit dhe propagandës dhe jeta e vështirë në shtypshkronjë, largimi për në Gjermani dhe jeta e re pas martesës me një mjek gjerman.

Zonja Alida, keni bërë një performancë të shkëlqyer në spektaklin Këngët e Shekullit, a e kishit menduar ndonjëherë se ju do të ringjiteshit një ditë në skenën shqiptare?

Jo. Nuk e kisha menduar dhe as e kisha llogaritur që mund të më mirëprisnin kaq ngrohtë dhe me zemër. Nuk e pata llogaritur, mbase ngaqë kaloi edhe një kohë shumë e gjatë. Nga kjo kohë mësova diçka më të shtrenjtë; se dikur kam qenë dikush, kam lënë gjurmë në historinë e muzikës dhe populli nuk më ka harruar. Populli të harron nëse nuk lë një emër të rëndësishëm. Unë e pashë tani, që ai më donte dhe më kujtonte.

Sa vjet kishit që nuk këndonit në Shqipëri dhe çfarë do të thoshte kjo për ju?

Kisha një çerekshekulli, që nuk këndoja më. Jam larguar nga skena që në vitin 1982. Më larguan nga skena jo me dëshirën time. Ka qenë një brengë shumë e madhe, sepse isha si ajo lulja që është gonxhe dhe çel dhe mua nuk më lanë të lulëzoja. Isha 24 vjeç dhe tani jam 48 vjeç, në vyshkjen time. Aromën e bukurisë sime nuk munda t'ia jap popullit tim. Është një brengë shumë e madhe që nuk kthehet më kurrë. Kam humbur 24 vjet, pjesën më të bukur të jetës sime. Një njeri 25-vjeçar është i formuar si njeri, por mua nuk më lanë të jetoja jetën time.

Kur dhe ku keni lindur, cili është arsimi juaj ?

Kam lindur në Tiranë. Kam bërë shkollën 8-vjeçare, Liceun Artistik dhe më vonë kam kryer një shkollë profesionale. Kam punuar për 18 vjet me radhë në shtypshkronjën "Mihal Duri", si tipografe. Dëshira ime për të kënduar lidhej me atë që doja të argëtoja popullin, jo të pasurohesha. Kjo tregon vlerën time, krahas punës si tipografe. Pasi punoja gjithë ditën dhe në darkë isha e lirë shkoja të këndoja, pa fituar asgjë. Vetëm ana morale dhe kënaqësia që ta kënaqja këtë popull, t'i jepja popullit atë që i mungonte më mbushte shpirtërisht dhe më shtynte të vazhdoja. Doja t'i jepja popullit tim, atë që popujt e tjerë e kishin të lehtë ta fitonin. Kam dalë 6 vjeç në skenë. Por në njëfarë mënyre, unë kam lindur me skenën. Nëna ime, Fiqreti ishte krijuese e filarmonisë së operës. Motra ime po ashtu këndon, si edhe vëllai im, i cili ka qenë shok klase me Ardit Gjebrean dhe Inva Mulën. Në Festivalet e Fatosave gjithmonë kam marrë medalje, ashtu si edhe në festivalet e fëmijëve në Shkodër. Isha vetëm 13 vjeç, në klasën e tetë, kur më morën në festivalet e të rriturve, për të kënduar bashkë me Vaçe Zelën e Gaqo Çakon, ku kam marrë çmimin e dytë të festivalit. Mbaj mend se në natën e parë më kanë nxjerrë në skenë me shallin e pionierit. Kam marrë pjesë në festivale çdo vit, deri në 1982. Por pa mu rritur asnjëherë mendja. Deri ditën kur u largova nga Shqipëria nuk jam ndarë nga kënga. Unë e kam parë këngën si argëtim, jo si fitim. Për mendimin tim një njeri që do të punojë, duhet të merrej me punë që të jep diçka edhe materialisht. Kënga më dukej shumë e lehtë dhe nuk mendoja të merresha gjithmonë me këngën, ta shihja si profesion.

Kur keni kënduar për herë të parë? A ju kujtohet personi që ju afroi dhe të tha se duhet të bënit një provë se kishit zë të mirë?

Ka qenë Robert Radoja, udhëheqës artistik në Pallatin e Pionierëve dhe Fatosave, por edhe nëna ime e kishte kuptuar, atëherë isha aktivizuar që në kopsht. Më kujtohet që më vinin te bredhi i Vitit të Ri të këndoja. Gjithmonë kam pasur në krah Robert Radojën, që ka qenë pianist në Orkestrën Simfonike; në turne, në festivale me të. E kam pasur si baba.

Çfarë ishte për ju pjesëmarrja në Festivalin e Këngës, çfarë ju kujtohet nga momenti kur ju hytë në skenë?

Emocion nuk kam pasur, se unë u rrita me skenën. Skena ishte për mua një pjesë e shtëpisë, që e vogël kur shkoja me mamanë në prova. E zotëroja skenën si një fushë me lule ku lozin fëmijët. Mu bë skena e dashur dhe atje jepja gjithçka që kisha, lirisht, pa emocione. Ndihesha shumë e ngrohtë me skenën dhe shumë e lirshme. Dhe kjo ndjesi më është krijuar në mënyrë krejt natyrale. Sigurisht, përgjegjësia nuk mungonte, sidomos kur më thirrën në Festivalet e të Mëdhenjve. Atëherë mu duk e çuditshme dhe mendova: Nuk ka mundësi!

Keni kënduar këngën "Vajzat e fshatit tim", një këngë që në atë kohë këndohej dhe pëlqehej nga të rinjtë. A mund të na kujtoni si u kompozua dhe si bashkëpunuat me kompozitorët për të realizuar këtë këngë?

Kam qenë 16 vjeç. Dikur festivali organizohej në mënyrë të tillë që mblidhte këngëtarë. Këta këngëtarë i dëgjonin Vaçe Zela dhe Gaqo Çako, së bashku me komisionin dhe më pas bënin ndarjen e këngëve sipas zërit, pra përputhnin këngën me këngëtarin. Më kujtohet se në fund fare kishte mbetur kjo kënga,
"Vajzat e fshatit tim". Nuk e donte asnjeri, se ishte këngë popullore dhe të gjithë mundoheshin të këndonin këngë ritmike, moderne. Unë e mora këtë këngë për miqësinë që kisha me kompozitorin Enver Shëngjergji, që e kisha njohur para një viti në Festivalin e Studentit. Ai më tha: Aman, dëgjoje pak këtë këngën dhe ma këndo. Ja kam marrë si këngë të dytë, në mënyrë shoqërore, që të mos ia prishja. Pa përmendur që në atë kohë, punëtorët si puna ime, këngëtarë "joprofesionistë", merrnim ato që tepronin. Kështu u bë lidhja jonë dhe nuk mendoja kurrën e kurrës që do të fitoja me atë këngë. Ishte shumë e thjeshtë dhe e kapa menjëherë. Nesër e ke të mbaruar i thashë Enverit.

Po në momentin kur fituat çmimin çfarë përjetuat?

Më kujtohet kur mora çmimin e parë. Atëherë ka qenë Festivali i 15-të dhe unë kam qenë 16 vjeç. Kam qenë shumë çapkëne, si djalë nga natyra. Kam qenë shumë e hedhur, prandaj e hëngra. Ishte këngë popullore. Kurrë nuk e kisha menduar që do të merrja çmim të parë me "Vajzat e fashatit tim". Këndova dhe ika. Duke ecur nëpër shkallë më thirrën dhe më ndalën dy regjisorë që më thanë: Hajde në skenë! E çuditur u thashë: E mbarova këngën. Ç'keni me mua? "Ka dhënë urdhër regjisori që do të këndohen këngët edhe njëherë. Më nxorën në skenë edhe njëherë dhe pasi mbarova së kënduari, më thanë: Ju meritoni çmimin e parë. "Jo nuk ka mundësi", u thashë. "Po Vaçja çfarë do të marrë?". Harrova që më kishin lyer dhe fillova të qaj. Më rridhnin lotët dhe u nxiva krejt nga tualeti. Në ato çaste harrova edhe rregullat e mirësjelljes apo distancën dhe iu hodha Ferdinand Dedës në qafë. Më kujtohet sesi dhuratë për çmimin mora një termus kinez dhe një orë tavoline me një pulë që lëvizte kokën. Të nesërmen pas festivalit të gjithë kalamajtë e këndonin këngën. Kjo ishte fitorja. E rëndësishme ishte kjo gjë, sepse çmimi harrohet, kënga mbetet.

Ju ishit një nga këngëtaret më të reja që u ngjitën në skenë pas dënimeve në Festivalin e 11-të. A e quanit veten me fat që ky fakt ju favorizoi për t'u afruar me këngën?

Patjetër. Ishte një fat për mua që të merrja pjesë në festivalet e të rriturve, por e vlerësova këtë fat dhe u mundova me shpirt dhe djersë që t'i jepja një kënaqësi popullit, jo për vete. Ky ka qenë gjithmonë drejtimi im. Që të zgjedh ato këngë që të mbeten në popull.

Cilët kanë qenë njerëzit që ju kanë mbështetur dhe afruar më shumë për të pasur sukses në këngë?

a pasur plot të tillë. Jam një njeri shumë tolerant dhe që i ndihmoj shumë të tjerët.
Kjo të bën të kesh shumë miq. Kam gjetur edhe ndihma nga të tjerët. Kanë qenë emra të tillë si: Liljana Kondakçi, Ema Qazimi, Irma Libohova ( megjithëse është më e re), kompozitorët Agim Krajka, Avni Mula, Enver Shëngjergji, Kujtim Laro, Kastriot Gjini, Aleksandër Lalo etj., ata të cilët më kanë qëndruar afër.

Shumë njerëzve u kujtohet se ju kur këndonit mbyllnit sytë. Kjo ishte një ndjesi për këngën, apo veprim që lidhej me supersticiozitetin tuaj?

Ma kanë përmendur shpesh në atë kohë këtë mbylljen e syve. "Mundohu t'i mbash sytë hapur se nuk dukesh bukur", më thoshin. Por ishte diçka e pakontrollueshme, një kënaqje e vetes sime që këndoja dhe atë kënaqësi t'ia prezantoja edhe dëgjuesve.
Dhe unë iu përgjigjesha "Nuk dal në skenë për e bukur, por për t'ju kënaqur". Kur mbyllja sytë këndoja më e qetë, më ngrohtë, më e sigurt. I vija rëndësi jo bukurisë, por shpirtit, ndjenjës, botës së brendshme.

Si ndihej Alida Hisku kur ecte rrugës nëpër Tiranë, pas momentit kur u bë e famshme?

Ndjenjat janë të papërshkueshme. Më dukej sikur fluturoja dhe jo sikur ecja. Çdo njeri do të më ndalonte, do të më puthte, saqë një farë kohe fillova të mos eci në rrugë, por të marr autobus ose biçikletë që të evitoja takimet që më merrnin kohë. Mundohesha të dilja kur errësohej që të mos njihnin rrugës. Kjo jo në kuptimin e keq të fjalës, pasi më jepte kënaqësi, por për arsyen që thashë më lart.

Cili ishte momenti që ju thatë me të vërtetë që ishit e famshme?

Nuk e kam quajtur kurrë veten të famshme. Kam qenë thjesht një punëtore e mirë.
Kam kënduar për njëfarë kohe edhe me estradën e shtetit. E kam shfrytëzuar ditën në maksimum dhe rrija 16 orë në punë. Dilja nga shtëpia në 6.00 të mëngjesit dhe kthehesha në 23.00 të darkës. Edhe sot në fjalorin tim nuk e kam fjalën u lodha. Kisha një shprehjen time karakteristike: Nata për gjumë, dita për punë. Nuk e ndieja lodhjen dhe isha shumë e qeshur dhe humorxhie. Ndërsa për sa i përket këngës e kam quajtur veten të aftë, kur fillova seriozisht me Festivalin e të Rriturve. Kam fituar dy -tre çmime të para njëri pas tjetrit. Pas "Vajzat e fshatit tim" thashë për herë të parë të marr një këngë me politikë "Kasollja e Galigatit" me të cilën po ashtu mora çmim të parë.

Nga kënga, në Shkollën e Partisë. Për Alida Hiskun u kërkua ta fusnin në Shkollën e Partisë?

Në atë kohë më kërkuan në Shkollën e Partisë. Isha 18 vjeç kur u pranova në radhët e partisë. Më dhanë teserën e partisë, ngaqë isha punëtore, shkoja në aksion. Ku nuk kam punuar. Në atë kohë kam pasur edhe influencën e babait, që ishte sekretar partie në të gjitha shtypshkronjat e Tiranës. Ai më frymëzoi të futesha në parti, por më shtyu edhe dëshira ime. Isha kurioze si tip dhe thosha me vete: Çfarë bëjnë këto në mbledhje partie? U futa edhe unë në parti. Në kohën kur më vdes nëna në vitin '80-të, vijnë për ngushëllim shumë nga të partisë. Atëherë isha zgjedhur në Komitetin Qendror të Partisë. Pra, krahas punës e këngës, iu futa edhe politikës. Duke pirë kafe në dhomë; nga njëra anë ishte ulur Nexhmije Hoxha, nga ana tjetër Fiqrete Shehu, Fiqretja më thotë: Do të keni qejf të vini edhe në shkollën time? Kush ia kundërshtonte fjalën atyre! Më tha që të hënën të shkoja dhe të paraqitesha tek ajo në Shkollën e Partisë. Atëherë ishte qershor, kurse ne do të fillonim mësim në shtator. Kështu fillova në Shkollën e Partisë. Pasi bëra vitin e parë, në fund të vitit të dytë, Fiqretja më thotë: Unë do të të heq nga shtypshkronja, se puna atje nuk të bën mirë për shëndetin. Do të të fus në Ministrinë e Kulturës në marrëdhënie me botën e jashtme për kulturën". Kështu ka qenë plani në atë kohë. Pastaj bashkë me grupin e klasës na çojnë nja tre muaj në një fshat të Sarandës, ku do të merreshim me punë fizike për t'u kalitur. Pastaj gjithçka u përmbys...

Nga ngritja si një yll, në një rrëzim absurd. Si e kujtoni atë historinë e ditarit?

Në Sarandë isha në dhomë me tri qelbësira nga Vlora, Rrësheni dhe Fieri. Më kujtohet që atë ditë, ishte 13 qershor, kishte plot një vit që kishte vdekur mami dhe isha shumë e trishtuar. Unë gjithmonë mendimet e mia i shkruaja në një ditar dhe kjo ishte krejt normale. Edhe motra ime kishte një ditar. Mamaja na thoshte gjithmonë se ishte gjë e bukur të mbaje ditar. Atë ditë në ditar shkrova: Sot jam shumë e mërzitur. Më duket jeta skëterrë. Këtu ha pula gur. Këta të shkretë flenë keq dhe rropaten gjithë ditën. Të nesërmen ditari që kisha nën jastëk nuk ishte më. Ma kishin zhdukur ditarin që e kisha lënë nën jastëk. Ditarin ia kishin dhënë profesorit të Shkollës së Partisë, që e çoi në Komitetin e Partisë. Të nesërmen më thonë: Do të nisemi direkt në Tiranë, se kështu na kanë thënë me telefon. Më nisën në Tiranë dhe atje më thirrën në Komitetin e Partisë numër 3. Fize Bozhegu më tha: Keni thyer rregullat e partisë, ky është agjitacion propagandë. E kemi gjykuar të dorëzosh teserën e partisë. I futa një të sharë; i thashë qelbësirë dhe shtova se nuk ia jepja teserën e partisë. Atë teserë ia dhashë vetëm babait, të cilit i thashë: Ti më rrite, ty ta jap teserën. Kurse teserën e Komitetit Qendror e kam akoma me vete. Ma zhdukën ditarin. Më humbën 25 vjet jetë, 25 vjet ditar. Më zhdukën bllokun e trashë, sa veprat e Enverit, bllokun që e kisha bërë vetë në shtypshkronjë. Por më ikën edhe kujtimet e jetës. Pastaj m'i zhdukën edhe këngët nga arkivi si këngëtare, më hoqën nga puna, më lëvizën nga reparti. Si dënim organizata e partisë më hoqi dhe më çoi në një repart ku ishin punëtorët e dënuar. Fillova jetën nga zeroja. Deri ditën që kam ikur kam punuar dhe e qepa gojën. Më zuri goja merimanga. U mundova të kthehem në një tjetër njeri. U zhgënjeva nga jeta. Nuk gjej dot fjalë të përcaktoj logjikën e këtyre njerëzve.

Flitet se keni shkruar diçka që ju kishit dëshirë të bënit koncerte recitale dhe të bënit turne në Shqipëri. Sa e vërtetë ishte kjo?

Këto kanë qenë ëndrrat e mia që të krijoja një grup, një kompleks. Një kohë ka pasur një kompleks të rinjsh që më vonë u hoqën si modernë, si kapitalistë. Ka qenë një kompleks i "Petro Nini Luarasit" në vitet '70 ku unë kam kënduar, por vetëm kaq. Nuk e realizova ëndrrën time. Të këndoja dhe të bëja turne në Shqipëri dhe jashtë shtetit, të popullarizoja këngën shqiptare. Për herë të parë kur kam dalë nga Shqipëria nga Titogradi isha 16 vjeç. Edhe atje ndihej ndryshimi me botën e jashtme.Më vinte keq kur kthehesha në Shqipëri dhe thosha me vete: Çfarë kanë më shumë se ne këta? Se në atë kohë ne nuk na linin t'i mbanim flokët më të gjatë se supet, sepse ishte shfaqje moderne. Edhe rrobat na i zgjidhnin ata. Ishte komisioni ku duhej të kaloje si dele. Çdo gjë kontrollohej në pe të gjilpërës. Të arrije sukses në atë kohë, nuk ishte si sot. Këndoja me tekst të shkruar në dorë, sepse çdo ditë ata e ndërronin tekstin kur gjenin ndonjë gjë që nuk iu pëlqente, apo nuk iu shkonte për hije....

Jeteshkrimi

Emri: Alida
Mbiemri: Hisku
Datëlindja: 20 qershor 1957
Vendlindja: Tiranë
Shkollimi: Pasi përfundon shkollën tetëvjeçare, Hisku vazhdon Liceun Artistik dhe më pas edhe një shkollë profesionale.
Idhulli: Vaçe Zela

Çmimet

1970: 13 vjeç në festivali e nëntë, merr çmimin e dytë. Kompozimi Agim Krajka "Portret Heroine"

1971: 14 vjeç në festivalin e 10-të, merr çmimin e dytë. Teksti Dritëro Agolli "E Paharruara"

1973: merr pjesë në festivalin e 12-të dhe fiton çmimin e dytë. Me këngë të Josif Mingës "Agimi i Kuq"

1974: merr pjesë në festivalin e 13-të dhe fiton çmimin e parë me kënngën "Vajzat e fshatit tim". Këngë e Enver Shëngjergjit, teksti Zhuliana Jorganxhiu

1975: merr pjesë në festivalin e 14-të të këngës dhe fiton çmimin e parë me këngën "Buka e duarve tona". Muzika Kujtim Laro, teksti Xhevahir Spahiu

1979: merr pjesë në festivalin 18-të me këngën "Nëntori i Lirisë", e fiton çmimin e dytë, në një duet me Lindita Theodhorin. Muzika Limo Dizdari, teksti Koçi Petriti

1980: merr pjesë në festivalin e 19-të dhe fiton çmim të dytë me këngën "Njerëzit e agimeve", në një duet me Irma Libohovën.
Interpretimi dhe emocionet e këngëtares në mbrëmjen e së hënës

“100 Këngët e Shekullit” kthen Hiskun në skenë

Pas gati 25 vjetësh ajo rikthehet në skenën shqiptare, në spektaklin e organizuar në Tv "Klan", "100 Këngët e Shekullit". E ftuar nga organizatorët e këtij spektakli me regjisor Bledar Laçon, Hisku u shfaq para publikut më e emocionuar se kurrë.
Rijetoi edhe njëherë ato vite kur këndonte në Festivalet e Këngës dhe atë muzikë që bëri të mos harrohej. Gjithçka ka ndodhur pas telefonatës dhe ftesës së bërë nga kompozitori Ardian Hila, i cili në mënyrë se si e ka konceptuar spektaklin ka përfshirë këngëtaren në projektin e vet. Vetë Hisku këndoi një kolazh mjaft interesant me këngëtarët e tjerë që merrnin pjesë në "Këngët e Shekullit", duke sjellë edhe një herë emocionet e viteve shtatëdhjetë, kur Alida Hisku bënte që publiku të duartrokiste për të shumë gjatë. Vetë Hisku këtë e përshkoi me një emocion shumë të veçantë dhe e bindur se ajo nuk kishte më punë me skenën; ky ishte një rikthim dinjitoz. Pikërisht pas këtij suksesi ajo tashmë mendon që brenda këtij viti të realizojë një spektakël me këngët e repertorit të saj, pikërisht për publikun shqiptar. Alida Hisku do të mbahet mend gjatë për interpretimin e saj mjaft të ndjeshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora