E premte, 19.04.2024, 04:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Mimoza Shaholli: Serenatat e mia, të rinjtë mi këndonin mbrëmjeve poshtë ballkonit

E diele, 01.03.2009, 03:05 PM


Mimoza Shaholli
Mimoza Shaholli
Mimoza Shaholli: “Nga fisi i babait tim të pesë vëllezërit kanë interpretuar vallen e Devollit në Festivalin e Gjirokastrës”
 
Serenatat e mia, të rinjtë mi këndonin mbrëmjeve poshtë ballkonit

Nga Albert Zholi
 
Emri i saj dhe pse është harruar disi nga spektatori shqiptar, ajo është një ndër këngëtaret më të pëlqyera në trevat shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Malit të zi dhe nga emigrantët tanë të shumtë në Evropë. E qetë, e qeshur, ajo tërhiqet paksa në bisedë kur flet për veten. Por kur pyet bashkëqytetarët e saj për të, impresionohesh. Ata e vlerësojnë si një nga këngëtaret më të mira të qytetit piktoresk të Pogradecit deri në atë masë sa shumë për mbiemër i bashkëngjisin emrin e qytetit. Për shumë pogradecarë ajo quhet Mimoza Pogradeci, pasi me të vërtetë ajo i ka dhënë shumë këngës së këtij qyteti, por njëkohësisht ajo flet me simpatinë më të madhe për qytetin e saj piktoresk që nuk e ndërron me asgjë në jetë.
 
Zj. Mimoza, çfarë mund të flisni diçka mbi fëmijërinë tuaj? Ju keni lindur në qytetin e bukur dhe piktoresk të Pogradecit. Çfarë ju lidh me këtë qytet të bukur?

-Sigurisht që më lidh fakti i vendlindjes. Unë kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet dhe aktualisht më duket vendi më i bukur dhe më i ëmbël i gjithë Shqipërisë. Në atë qytet kam patur fillesat e mia si këngëtare që kur isha vogëlushe.
 
-Çfarë moshe i përket pasioni i të kënduarit?

E kam nisur që në klasën e katërt fillore, në orën e muzikës. Mësuejsa ime, Dëshira Darova i aktivizonte nxënësit të këndonin dhe unë u përzgjodha si vajza me zërin më të bukur të klasës. Atëherë mësuesja të dërgonte në konkurset që bëheshin në shkollë dhe fatmirësisht unë dola e para.
 
E mban mend këngën me të cilën keni fituar?

-Të them të drejtën, jo. Por mbaj mend këngën e Festivalit e 7-të, për Fatosa dhe Pionierë në Shkodër. Ajo ishte prova e parë serioze që më shtyu të ndërmerrja rrugën e këngës në jetën time. Ka qenë kompozimi i Pranvera Kokolarit “Unë dhe piano”. Që nga ajo kohë unë këndoja gjithkund: në shtëpi kur isha vetëm. Më kujtohet që shpalosja kanatet e dritareve dhe më dëgjonin të gjithë njerëzit që kalonin.
 
Morët ndonjë çmim në Shkodër?

-Atë vit fitoi kënga “Qingji i vogël” që ishte kënga më e bukur dhe mori çmimin e parë. Mbaj mend që jam përzgjedhur për natën e fundit.
 
Mësuesja që ju zbuloi ishte mësuese muzike apo?

-Jo. Ishte mësuesja kujdestare, Dëshira Derova.
 
Nga familja keni patur ndokënd që këndonte?

-Po, prindërit këndonin gjithnjë në ambientet familjare. Edhe nëna dhe babai. Ndërsa nga fisi i babait tim të pesë vëllezërit kanë interpretuar vallen e Devollit në Festivalin e Gjirokastrës. Kemi pasur një damar të kultivuar për artin dhe kulturën.
 
Më pas si rrugëtoi dëshira juaj për të kënduar?

-Unë kam jetuar në kohën kur talentet e reja tërhiqeshin nëpër Shtëpitë e Pionierit. U regjistrova në degën e muzikës dhe aty fillova veprimtarinë. Kam zgjedhur që atëherë të jem interpretuese e muzikës së lehtë dhe pse kam patur qejf dhe këngët popullore. Por vokalit tim i shkonin më shumë këngët e muzikës së lehtë, baladat kryesisht. Por serenatat ishin pjesë e repertorit tim. Pogradecarët i pëlqejnë po aq sa korçarët. Unë i këndoja me gjithë shpirt. Të rinjtë i këndonin këngët e mia poshtë ballkonit të shtëpisë. Kështu më nxisnin të këndoja më shumë dhe më mirë.
 
Ju studiuat më vonë për muzikë?

-Unë kisha shumë dëshirë, por nuk m’u dha mundësia. Ashtu ishte koha. Por gjatë gjithë jetës unë kam marrë pjesë në aktivitetet e Pallatit të Kulturës. Pogradeci ka patur vokale shumë të mira dhe është shquar në ansamblin e qytetit apo në veprimtaritë kombëtare me përfaqësuese shumë të mira. Kishte konkurrencë dhe kam qenë gjithnjë në lëvizje për të marrë pjesë në ansamble, festivale.
 
Di që keni patur talent dhe për sportet?

-Po kam luajtur shumë volejboll. Kam marrë pjesë dhe me skuadrat e qytetit. Kam mbajtur numrin 5. Por më pas e lashë për këngën. Por volejbollin e kam pasur si dashuri të dytë si profesion. Kam qenë kapitene e ekipit të të rejave me trainer Xhili Llahmani.
 
Jam informuar se keni marrë pjesë tek filmi “Zonja nga qyteti”. Rastësisht apo…?

-Unë nuk kam qenë aktore, por ju e dini që ai film është realizuar në Pogradec. Dhe unë bashkë me Ermira Babaliun dhe disa të tjerë këndojmë në kompleks, në një pjesë të fizarmonikës me Yllka Mujon dhe aktorë të tjerë. Atëherë u kërkua ndihma e këngëtareve të Pogradecit dhe ne u përzgjodhëm për të marrë pjesë.
 
Kë veçon nga koncertet që keni realizuar në Shqipëri?

-Sigurisht që kam marrë pjesë në shumë aktivitete të suksesshme. Ka pasur një moment që Pogradeci ka pasur një rritje të prestigjit të estradës sepse kishim regjizor Mario Ashikun dhe bëheshin aktivitete shumë të mira. Gjithë kohën në publik kam pasur shumë sukses. Dhe kur më shohin në rrugë tani më thonë “Mimoza e Pogradecit”. Më mbajnë mend si këngëtare. Ne kemi marrë pjesë me koncerte në gjithë Shqipërinë, në katër skajet e vendit dhe kam përshtypjen se në atë kohë spektatorët të sillnin lule më shumë se tani. Mendoj se në atë kohë duartrokitja e spektatorit ka qenë më e sinqertë se sot. Kanë qenë koncerte shumë emocionuese. Kam marrë pjesë në anketat muzikore, ku me një kompozim të Luan Zhegut kam zënë vend të parë.
 
Si kanë qenë organizimet në sistemin komunist, po shpërblimi për këngëtarët?

-Sigurisht që atëherë më shumë ekzistonte stimuli moral. Dhe pse nuk ishte e lehtë të zije vendin që të takonte në shoqëri. Por, atëherë këngëtari kishte vlerë tjetër. Në çdo qytet që shkoje njerëzit të respektonin shumë. Kur shkoje në 9-të mëngjesit në Pallat të Kulturës, ai institucion të jepte të dridhura dhe emocione sepse kishte hijen e vet të rëndë.
 
Pse mbas viteve ‘90-të preferuat të këndonit jashtë trevave tuaja për të kënduar në Tetovë dhe në Kosovë?

-Rastësia ose fati më çuan atje. Unë u nisa të merrja pjesë në një dasmë së bashku me Lindita Theodhorin dhe një shoqe tjetër. Dasma u realizua shumë bukur dhe kështu filloi një karrierë e re muzikore. Shqiptarët e Maqedonisë ishin shumë mikpritës dhe na bënë dhe miq shtëpie. Filluan kërkesat dhe realizuam disa koncerte. Na ftonin në restorante, piano bare dhe ndjeheshim mirë sepse të gjithë më respektonin dhe u bë një ambient shumë i pëlqyer. Që nga ajo kohë deri më sot ndjehem shumë mirë me tetovarët. U bënë gati 18 vjet.
 
Keni bashkëpunuar dhe me këngëtare të tjera?

-Po. Kam patur fatin të këndoj dhe me këngëtare të tjera si: Lindita Theodhori, Liljana Kondakçi dhe së fundi me këngëtaren Eli Fara. Për mua është nder që kam kënduar me këto yje të muzikës shqiptare. Kam kënduar dhe me disa grupe të njohura të Maqedonisë si “Elita 5” e të tjerë.
 
90 % të jetës tashmë e bëni në Maqedoni. Sa ndryshon jeta jonë me atë atje?

-Nuk dua të flas për ndryshime sepse, unë ndjehem mirë në qytetin tim. Por mendoj se tetovarët të respektojnë më shumë për muzikën që këndon për ta. Janë njerëz të qetë dhe e kanë tejkaluar tranzicionin. E pëlqejnë muzikën qytetare shqiptare të të gjitha trevave dhe unë i kam pothuaj të gjitha në repertor sepse më kërkohen.
 
Një femër në lëvizje. A ndjeheni e ngacmuar me gjithë këto lëvizje që bëni?

-Jo. Absolutisht. Shqiptarët atje janë shumë dashamirës dhe të paqtë. Janë njerëz të respektueshëm. Unë këndoj në piano- bare që frekuentohen nga njerëz shumë të kulturuar. Gjithashtu kam krijuar një klientelë shumë të mirë, sepse më ndodh shpesh që ftesat të më përsëriten për gëzimet familjare dhe kjo më ngroh shumë.
 
Çfarë preferojnë më shumë në muzikë shqiptarët e Maqedonisë?

-Serenatat dhe këngët e vjetra qytetare. Këngët patriotike. Ato adhurojnë këngën e bukur shqiptare.
 
Mendoni se ato janë më patriotë se ne shqiptarët brenda kufijve?

-Janë, sepse ato kanë mall për Shqipërinë dhe punojnë shumë për gjuhën. Ata nuk e kanë patur lirinë e fjalës dhe të gjuhës shqipe siç e kemi patur ne.
 
Je penduar ndonjëherë që ke zgjedhur rrugën e këngës që mund të ishe bërë volejbolliste shumë e mirë?
 
-Jo. Kënga më ka mbajtur gjithnjë gjallë dhe mendoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur.
 
A ka konkurrencë mes jush dhe këngëtarëve shqiptarë në Maqedoni. Cilët janë këngëtarët që spikatin në Maqedoni?

-Unë personalisht nuk ndjej konkurrencë sepse mendoj që çdokush që e ndjen dhe i ka pasion këngët shqipe ka individualitetin e vet. Kështu çdo gjë është bukur. Mua më pëlqen shumë Miranda një këngëtare shumë e suksesshme dhe Selamiu i Strugës. Tuna, gjithashtu më pëlqen shumë nga këngëtaret e reja. Kam marrë pjesë dhe në aktivitete të ndryshme dhe në Shkup.
 
Ju keni dhënë shumë koncerte dhe në Kosovë apo jo?

-Kam kënduar në shumë qytete të Kosovës. Me grupin “Dashamirët e këngës” kemi organizuar shumë koncerte duke mësuar dhe shumë këngë të vjetra qytetare. Mendoj se ato këngë do jenë shumë të preferuara në të ardhmen.
 
Ç’mendim keni për meshkujt shqiptarë?

-Mashkulli shqiptar ashtu si dhe femra janë pak më të emancipuar se aty ku jetoj unë.
 
Cilën lloj muzike dëgjon më shumë?

-Mua më pëlqen shumë muzika klasike dhe orkestralet, kabatë në klarinetë. Adhuroj muzikën e çdo zhanri që më dhuron emocion.
 
Kush janë këngëtarët tuaj të preferuar brenda dhe jashtë atdheut?

-Këngëtarët e mi të preferuar janë Vaçe Zela. Si këngëtare Jugu më pëlqen zëri dhe kënga e pazëvendësueshme e Eli Farës, Merita Halili dhe emocioni i Aurela Gaçes. Më pëlqen shumë dhe Alma Bektashi.
 
Keni ndonjë peng në jetë?

-Me punën dhe me zërin që kam, duhet të kisha dalë më shumë në ekran. Por mua nuk më pëlqen shumë kamera. Ndoshta mendoj se në këtë drejtim kam gabuar. Mendoj se po ta kisha shfrytëzuar siç duhet, do isha më e suksesshme.
 
Çfarë hobesh keni?

-Të shoh patinazh. Është një sport që më pëlqen shumë.
 
Po kënga juaj më e preferuar në repertor?

-Valsi i lumturisë sepse i shkon vokalit dhe më krijon emocion. Më pëlqejnë serenatat se më shkojnë dhe ato. Më pëlqejnë dhe këngët e bukura shkodrane.
 
Kush janë këngët tuaja më të suksesshme?

-Unë do përmend kompozitorët që kanë kompozuar për mua: Hajg Zaharian, Luan Zhegu e shumë kompozitorë të tjerë.
 
Po përgatiteni të nxirrni së shpejti një album?

-Kam menduar të bëj një shumë shpejt. Kam menduar të bëj një album me këngë të vjetra, të sjella në mënyrë të re. Titulli “Shqipëri një mal me këngë”
 
Çfarë ju lidh me flladin e erës së liqenit të Pogradecit?

-Flladi i liqenit më jep kënaqësi, shpresë dhe vullnet për të jetuar. E adhuroj qytetin tim. Mendoj se është një qytet që na ka ndihmuar ne këngëtarëve dhe me bukuritë e veta natyrore. Ne kemi patur fatin që aty vinin me pushime shumë kompozitorë të njohur që frymëzoheshin në Pogradec. Duhet të dini që qytetit tim i shkon për shtat shumë emri: “Qyteti i artistëve”.
 
Kanë thënë për Mimoza Shahollin:

Eli Fara
 
Rasti i Mozës është i veçantë sepse mënyra profesionale e një këngëtareje estrade, të një qyteti të bukur siç është Pogradeci ka shkuar tashmë në Tetovë. Mendoj se është privilegj dhe për shqiptarët që jetojnë atje. Respekti i vëllezërve tanë në Maqedoni dhe Kosovë për të është maksimal. Ndoshta në Shqipëri nuk njihet aq shumë por në këto vende ku unë kam kënduar me të jam befasuar. Ajo në këto treva shqiptare është bërë si e shtëpisë.
Koncertet që kemi bërë bashkë nuk numërohen. Ne kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm dhe të gjatë , në Kosovë dhe në Maqedoni.
 
Rita Lati

Mimozën e kam njohur shumë vite më parë. E kam njohur në Elbasan në vitin 1987 kur bëhej një konkurs i estradave të qyteteve. Unë isha me Estradën e Vlorës ndërsa Mimoza me atë të Pogradecit. Kisha dëgjuar, por nuk e njihja nga afër. Kur e pashë duke kënduar në skenën e Elbasanit ngela e mahnitur. Në radhë të parë nga bukuria. Nuk kisha parë femër më të bukur. Nuk e them për t’i bërë qejfin, por ato ishin vitet e rinisë së saj. Pra 22 vjetësh. Të gjitha flisnin për bukurinë e saj. Pastaj kur ajo filloi të këndojë, respekti për të i kaloi kufijtë realë. Rrallë mund të mblidhen në një njeri zëri i bukur dhe bukuria e veçantë fizike. Por me njohjet e më vonëshme pashë dhe pse ajo në skenë ishte një këngëtare e madhe në jetë ishte një femër e ndritur, tepër e tërhequr, e qetë, e respektuar. Kjo ka bërë që ndoshta nuk mori famë në Shqipëri. Kushdo mund të pyesë për të në Maqedoni,
Kosovë apo në zonën verilindore. Është një këngëtare me një reputacion të padiskutueshëm.

Kozma Dushi
 
Mimoza ka qenë dhe mbetet Mimozë. Si lulja e mimozës në bukuri dhe këngë. Por Moza nuk u shkëput nga qyteti i saj. Jetën ja kushtoi Pogradecit. Ndoshta ky ishte gabim, pasi zëri i saj duhej të dëgjohej dhe në Tiranë, ku reputacioni përhapet më tej. Megjithatë ajo mbetet po ajo këngëtare, që kur e dëgjon mbetesh i mrekulluar. Ka zë të bukur, por është njeri i tërhequr.

Nexhmije Pagarusha

E dashur Mimoza, vetë fotografia me ty, tregon se sa fort të dua dhe sa shumë të adhuroj si këngëtare. Pata fat që u takuam dhe qëndruam së bashku. U kënaqa shumë me zërin tënd të mrekullueshëm. Të dua shumë. Prishtinë 20.01.2003

Pano Taçi

(Një poezi pasi dëgjoi një këngën e saj në Tetovë)
 
Në dritën e qiririt të Naimit
Përhumb teksa ti këndon
Bibil, ky short i mërgimit
Në shpirt një lot të pikon
 
Nën një buzëqeshje hyjnore
Bën çmos të më mbushësh me dritë
Oh, ti motra ime hënore
Ndjej’ Hëna t’më derdhet në shpirt
 
O gjedh i këputur nga era,
Nga shelgu lotonjës, o gjeth
Vjen e më troket tek dera
E zemrës që m’u rrënqeth
 
Bëj ta gëlltis trishtimin
Ngulitur si greth në fyt
Oh, meqë na e vranë blerimin
Ky fat i mërgimit na mbyt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora