E shtune, 20.04.2024, 03:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Loja e shkrimit dhe leximi alegorik...!

E diele, 01.03.2009, 01:12 PM


Sejdi Berisha
Sejdi Berisha

ESE

Sejdi BERISHA:

LOJA E SHKRIMIT DHE LEXIMI ALEGORIK...!

...Assesi nuk vinte inspirimi! Dot nuk e kapja temën. Atëherë, më shkoi mendja tek loja e shkrimit, tek shkrimi dhe leximi alegorik. Ndonjëherë, më shkonte mendja  edhe tek kriza letrare. Por, as atëherë assesi ta lidhja vegëzen për temën, dhe si për inat, m’u poç të shkruaj diç për jetën, e cila sikur më sillej rreth e rrotull meje si një kalama apo si një këlysh qeni.
...Njerëzit, vdesin e vdesin,... dhe kurrë nuk ngjallën, kurse, aq shumë janë të nevojshëm për të dëshmuar për njëri-tjetrin, se sa janë të çuditshëm ata, sa janë armiq në mes vete e tregohen miq e të sinqertë...! Për atë, edhe jeta gjithnjë ka ngelur kacavjerrë, si mishi në çengela të kasapit, i cili duket shumë i mirë për tu ngrënë, e në fakt, të mbyt era e tij prej cofëtine. ...Kacavjerrë, jeta...! Jeta është lufta më e pamëshirshme, të cilës s’mund t’i ikën njeriu. M’u duk, se të them kështu, është më së miri...
...Por, një gjë është e sigurt. Se, do të ndërtohen piramida e piramida me mëkatet, të cilave ua japim formën dhe pamjen e florinjtë të jetës, dhe me to kemi jetuar, jetojmë dhe do të jetojmë gjatë tërë kohës! Andaj, e drejtë është, apo me vend, kur thuhet se ka shumë gropa nëpër histori! ...Por, nejse. Me rëndësi është që së paku diçka të lidhim pas makinës të cilën po e ngasim...!

1.
Pse thonë se shtratin e shtrembër të lumit askush nuk mund ta drejtojë. Kjo, sigurisht ka provokuar komentimet e njerëzve nëpër periudha kohore dhe historike, sepse, kanë pasur dhe kanë për çfarë të flasin, të komentojnë, të përpiqen për ta thënë të vërtetën, për ta thënë bindshëm të pavërtetën, pastaj, të intrigojnë, të ndreqin e shtrembërojnë faktet, të dhënat, të mirat, të bukurat, tragjeditë dhe komeditë!
Është kjo punë interesante, të cilën, askush, as nuk ka mundur as nuk do të mund ta ndalë kurrë dhe kurrë, dhe kurrën e kurrës. Por, një gjë është e sigurt. Se, do të ndërtohen piramida e piramida me mëkatet, të cilave ua japim formën dhe pamjen e florinjtë të jetës, dhe me to kemi jetuar, jetojmë dhe do të jetojmë gjatë tërë kohës! Kjo, dhe është ajo pabesia që ia krijojmë jetës dhe vetvetes, prej nga rrjedhin problemet në trajtë krimbash por edhe ileti, të cilave gjërave pastaj u frikësohemi për sëmundjet e pashërueshme apo edhe për dergjën e mundshme dhe të sikletshme që e rrëzon njeriun e mjerë mbase edhe popullin.
Dhe, kësaj forme assesi t’i largohemi dhe as t’i shmangemi, por edhe më shumë e parapëlqejmë dhe e preferojmë si meny, e cila dot nuk hiqet nga sofra as tryeza! Kështu, gjithnjë janë krijuar e krijohen gropa në histori, në të cilat i kemi hedhur shumë gjëra, të cilat edhe atëherë, edhe tani na nevojiten për dritën, për ndriçimin, por ato janë mbuluar me shtresa, të themi, toke, uji e moçale, me hije e terr. Ka edhe disa të tjera që janë fundosur në gropa të tilla, që janë humbur pa nam as dokë, kurse, dëshira është për t’i parë mbase për t’ua dëgjuar dikush zërin...!
Gropa ka shumë! Bile, disa sosh, në histori janë shënuar, si: Gropat e dhelprave, Gropat e Malit, Gropat e Territ, Gropat e Ujqërve, Gropat e Pishave, Gropat e Dhive, Gropat e Gështenjave, Gropat e Lugetërve, etj. Dhe, tani t’ua kërkosh historinë këtyre dhe shumë gropave të tjera, dalin telashe të mëdha, të cilat telashe ua mbulojnë këto problemet më të reja. Andaj, e drejtë është, apo me vend, kur thuhet se ka shumë gropa nëpër histori! Për këtë arsye, edhe këtyre t’iu themi, gropa nëpër histori...!
Duke e dëgjuar llafin për gropat, njërit iu kishte tekur të këtë thënë: “...Gropa nëpër histori,... histori nëpër gropa,... historia, gropa gropa,... gropat me histori,... gropa, gropa, gropa...! Histori,... gropa,... histori,... gropa,... histori e gropa,..., gropa e histori...! Mjerë ato gjëra të cilat në to kanë hyrë,... lum ai i cili në to është mbyllur...!
Nganjëherë, si i teket njeriut për të theksuar gjëra të çuditshme, gjëra qesharake... Edhe këto janë gropa,... e gropat me to...

2.
Ngatërresat dhe rrahjet kanë eksituar që nga koha kur mbahet mend të ketë jetë në këtë planet. Ato janë bërë si luftë për ekzistencë, si dëfrim, si teke qejfi, si qëndrim për dominim. Thjeshtë, këto janë avancuar në luftë, e cila dot nuk hiqet nga puna e veprimi i njeriut.
E thash këtë, sepse, nëpër periudha historike, këto gjëra kanë qenë “triumf” i tmerrshëm i njeriut mbi njeriun, i kolektivitetit mbi kolektivitetin, i popullit mbi popullin. Dhe, gjithnjë vdekja e gjaku e kanë shoqëruar këtë “fenomen”, i cili nuk u ka shkuar aq përdore për ta studiuar deri në fund as historianëve, por as shkencëtarëve të fushave përkatëse,... për ta shprushur rrënjën e rrënjës, shkakun e shkakut, lakminë e lakmisë për të ndërtuar “vepra” të tilla, të cilat me kohë janë transformuar dhe avancuar në forma e mënyra të ndryshme.
Ka edhe raste kur ato nuk e kanë bërë asnjë hap të përparimit. Kjo duket qesharake edhe për të theksuar kështu e në këtë formë, por, kur lexova në gazetë se si dy veta e kishin rrahur deri në alivanosje njërin, të cilin pastaj e paskan lidhur pas makinës dhe e kanë tërhequr zvarrë nëpër rrugët e qytetit apo të fshatit, nuk e di saktësisht(!). Po, “mirë” kishin bërë, sepse kanë krijuar spektakël, mu si në arenat e gladiatorëve...!
Të them të drejtën, kjo ngjarje ishte edhe një “rekreacion” mbase për këtë kohë i bie edhe si novacion që ia vlen për ta theksuar, sepse, kjo ka ndodhur në fillim të fillimit të shekullit të XXI-të! Edhe më interesant, sepse kjo ka ndodhur tek ne, që, sikur për shumë gjëra jemi prijatarë të besueshëm dhe të mirëfilltë, apo jemi,... po pra, frenues fanatikë të rrjedhave...!
Është kështu, apo jo?! Ecim tutje,... burrërisht! Por, mu kujtua njëri i cili njëherë më pat thënë:
-E tërë kjo është mirë. Por, a do të ishte më mirë që paraprakisht të dimë se ku do të dalim. Por, mos të humbim kohë,... jurish babëlok! Por,... në ç’drejtim ia kemi mësyrë për ta bërë veten e jetën...?!-më pat thënë herifi. Por, nejse,... me rëndësi është që së paku diçka të lidhim pas makinës të cilën po e ngasim...
3.
Dikur, shumë përpara, në ndejat e gjata e monotone të stinëve të dimrit, kisha dëgjuar shumë tregime për besnikërinë e njeriut, por edhe të qenit. Dhe, besoni se me shumë kurajë i përcjellja rrëfimet e tilla, të cilat disi e kishin nisur atë thelbin e imagjinatës sime të shëndosh për të bërë karakter e mendje të pastër dhe të qëndrueshme.
Pasdarke, dikur vonë kur shtrohej loja e kapuçave nën dritën e llambës me vajguri, pas këndimit të këngëve të kapuçave të cilat janë plot shpoti dhe me thumba goxha të nxehtë, atëherë fillonin edhe rrëfimet interesante të jetës, edhe pse, ndonjëherë ato nuk ishin as me vlerë por as me ndonjë porosi. Por, njëri i cili tërë jetën kishte qenë bari, i kishte ruajtur delet, tregonte për qenin e tij besnik. Vonë, pasmesnate, i kishte rënë ujku ndër dele dhe njërën (një prej më të mirave) ia kishte “grabitur”, duke ia therë së pari në fyt. Por, qeni besnik i tij, e paska nuhatur ujkun, edhe pse pak me vonesë, dhe iu paska lëshuar prapa. Nuk iu kishte ndalë derisa nuk e kishte zënë diku thellë në malin e dendur të bjeshkës me pisha të gjata dhe me plantazhe boronicash.
Dhe, çfarë kishte ndodhur aty?! Ishte zhvilluar luftë e ashpër në mes ujkut e qenit besnik. Duke pasur vullnet të madh mbase edhe motiv për ta mbrojtur kopenë e deleve, qeni besnik me fuqinë e jashtëzakonshme arrin që ta kapë në fyt dhe ta pëlcasë, mu sikurse ujku që e kishte “prerë” delen. Por tash, qeni tërë natën e tërë ditën e nesërme paska ndenjur pranë deles së prerë nga dhëmbët e mprehtë të ujkut dhe pranë ujkut të ngordhur. Nuk ishte larguar prej aty, derisa bariu dikur vonë, duke kontrolluar nëpër pyll ka hasur në ujkun dhe delen e prerë. Qeni, ishte salakuqur sysh, dhe sikur bariut donte t’i rrëfejë gjithçka për sakrificën e tij. Bariu, e kishte përkëdhelur qenin, i cili me krenari e lëvizte vetëm bishtin leshatak. Ia puthi turinjtë për t’ia dëshmuar aferimin për besnikërinë. Bariut i kishin rrjedhur lotët, të cilët, qeni ia kishte përlarë me gjuhën e tij.
Ishte ky një tregim i bariut plak për qenin dhe besnikërinë e tij. Eh, sa kohë ka kaluar prej atëherë e deri me tash,...?! Por, interesant. Asnjëri nuk e zuri në gojë as besnikërinë, por as tradhtinë e njeriut. Për këtë të parën, sikur nuk ka pasur se çfarë të thuhet. Ndërsa, për të dytën,... ndoshta nuk ka pasur guxim askush të thotë gjë! Ku ta di, tash për atëherë...!

4.
Kishte kohë që e kisha pritur me padurim vikendin që shkoi, vetëm e vetëm për tu relaksuar pakëz, për çfarë edhe ndjeja nevojë. Ika, së bashku me familjen në një prej vendeve më të bukura dhe atraktive të Rugovës, dhe u vendosa pikërisht në Qendrën turistike “Rugova-Relax”. Edhe pse shkurtë, kam pushuar mirë, por, mendja nuk më linte dot rehat për të shkruar diçka nga ajo pjesë e parajsës së Kosovës. Por, assesi nuk vinte inspirimi! Nuk e kapja dot temën. Atëherë, më shkoi mendja tek loja e shkrimit, tek shkrimi dhe leximi alegorik. Ndonjëherë, më shkonte mendja edhe tek kriza letrare. Por, as atëherë dot nuk e gjeja vegëzen për temën, dhe si për inat, m’u poç të shkruaj diç për jetën, e cila sikur më sillej rreth e rrotull meje si një kalama apo si një këlysh qeni.
Zorshëm e fillova shkrimin, dhe ja se çfarë shkrova. Nuk do ta mungoj as fsheh asnjë shkronjë:
“Njerëzit, vdesin e vdesin,... dhe kurrë nuk ngjallën, kurse, aq shumë janë të nevojshëm për të dëshmuar për njëri-tjetrin, se sa janë të çuditshëm ata, sa janë armiq në mes vete e tregohen miq e të sinqertë...! Për atë, edhe jeta gjithnjë ka ngelur kacavjerrë, si mishi në çengela të kasapit, i cili duket shumë i mirë për tu ngrënë, e në fakt, të mbyt era e tij prej cofëtine. Andaj, edhe çdo rrëfim për jetën dhe intimen e njeriut, sikur i ngjanë rrenës dhe paturpësisë, të cilat e mbërthejnë jetën për birë të gjilpërës, e në fund, sërish ia fillon rrëfimi për diçka të bukur, të cilën e mbron nga e keqja. Por, në fund, asnjëherë nuk del ashtu. Sepse, infektimi është i pashmangshëm, dhe gjërat pastaj të gërditen, sado që ato të janë të mira, të dashura dhe shumë të afërta, të cilat, po ashtu, duhet dhe dëshirohen të janë të tilla.
Dhe, sido që ta fillosh rrëfimin për jetën, ai del me plotë plasaritje, të cilat, sikur ta sjellin para hunde duhmën e vdekjes, dhembjen e pikëllimin për mëkatet,... për lëshimet e bëra. Kacavjerrë, jeta...!
Po them kështu, sepse, këtë pjesë të këtij shkrimi e fillova në ajër të pastër, në dritën dhe rrezet e ngrohta të diellit, nën flladin e pishave, të cilat rrufeshëm më shpijnë në botën e së mirës dhe të së bukurës, për të cilën gjë, kam frikë se edhe kjo do të dalë rrenë e trill, që demoralizojnë duke na detyruar të buzëqeshemi dhe të dëfrehemi duke u mashtruar me thelbin e dashurisë. Kurse, dashuria vetëm rrudhë krahët dhe rrudhë syrin për kohën që kalon dhe për atë që vjen. E, kjo ta përcëllon mendjen edhe trurin, ta djegë brendinë e tokës në të cilën jeton, dhe fare këto nuk i dikton! Kulturë vrapçe,... apo, kulturë e largët, kjo...!”.

5.
Duke i bërë rezyme tërë kësaj loje, nuk më mbetët gjë tjetër, pos të them: Jeta është lufta më e pamëshirshme, të cilës s’mund t’i ikën njeriu...! M’u duk, se të them kështu, është më së miri. Gjykoni edhe Ju! 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora