E premte, 29.03.2024, 11:15 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Tragjedia e popujve indigjenë

E diele, 01.03.2009, 09:58 AM


Në vitin 1969, një reportazh shfaqi të vërtetën e fiseve në zhdukje para syve të botës, por gjenocidi vazhdon. Në Brazil është zhdukur një tribu çdo dy vjet. Bota e tyre vihet në rrezik nga shtrirja e fermave, rrugëve dhe digave

Nga Alesandra Kopola e Stefano Rodi

Titulli i "Sunday Times Magazine", i përbërë vetëm nga fjala "Gjenocid", u zbuloi në vitin 1969 lexuesve britanikë një realitet, i cili mbahej i fshehtë prej vitesh: që shfarosja e popujve indigjenë, nisur shekuj më parë, pas zbulimit të kontinentit amerikan, nuk kishte ndalur kurrë. Reporteri britanik Norman Ljuis ishte zhytur në dokumentacionin e hetimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme braziliane dhe kishte nxjerrë në pah një skenar të llahtarshëm: vrasje në masë, tortura, vdekje makabre, helmime, skllavërim, abuzime seksuale, vjedhje dhe shpërdorime të të gjitha llojeve.

Një "Gomorrë tropikale", shkruante Ljuis në një prej paragrafëve të artikullit: "Tragjedia e indianëve të Amerikës po përsëritet, por e zhvilluar në një hark më të shkurtër kohor. Aty ku dhjetë vjet më parë jetonin qindra indigos, sot numërohen vetëm disa dhjetëra".

Ishte 23 shkurti i vitit 1969, por mund të kishte ndodhur edhe dje. Tamam 40 vjet pas atij artikulli shokues që provokoi reagime masive dhe lindjen e "Survival", një prej organizatave më të mëdha për mbrojtjen e të drejtave të popullsive indigjene, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Shifrat nuk do mund ta hidhnin aspak poshtë titullin e tmerrshëm "Gjenocid", as mbititullin, ku autori sqaron se në Brazil është zhdukur një tribu çdo dy vjet. Rastet e zbuluara flasin për gjenocid të vërtetë. Një prej shembujve është tribuja Enauene Naue. Fillimisht një rreze shprese për ta: të vënë në kujdesin e misionarëve jezuitë në vitin 1974, nga 97 që numëroheshin në atë kohë u shtuan deri thuajse 5 qind ditët e sotme. Por rrezikojnë të zhduken. Jeta e tribusë, që përqendrohet rreth lumit Juruena, vihet në rrezik prej një projekti për ndërtimin e 77 digave, të cilat do t‘u sigurojnë energji elektrike kultivuesve të mëdhenj të prodhimeve bujqësore, më shumë se të tërë për miliarderin e industrisë së sojës Blario Maxhi.

Tokat e pushtuara

Problemi më i madh mbeten tokat e uzurpuara. Kështu në Maranhao, në veri të Brazilit, fisi Aua veç mund të ndrydhet edhe më tej para buldozerëve e sharrave. Janë prej vitesh në ikje të pandërprerë dhe numri i tyre sot nuk i kalon të treqindat. Të kërcënuar nga kontaktet e dhunshme me ata që rrafshojnë pyjet, ajo botë e "qytetëruar" avancon në territorin e tyre bashkë me sëmundjet, depresionin dhe alkoolin.

Gjërat ndryshojnë pak, si kur bëhet fjalë për qeveri konservatore, apo si në rastin e Brazilit, që drejtohet nga një administratë progresiste. Të drejtat e popullsive indigjene i dhunojnë si qeveritë e djathta, ashtu edhe të majtat. Në shumicën e rasteve mungon vullneti politik për t‘u ardhur në ndihmë. Gjatë këtyre viteve janë miratuar edhe ligje ndërkombëtare, si ai i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e popujve indigjenë. Problemi është se nuk respektohen, për shkak të korrupsionit, interesave ekonomike, ose thjesht edhe për inerci, mungesë vullneti politik, pasi mbrojtja e indigjenëve konsiderohet si çështje sekondare në raport me emergjencat e tjera. Disa shpresojnë që Presidenti progresist Lugo i Paraguait do ta ndihmojë fisin Ajoreo për t‘i shpëtuar shfarosjes prej shpyllëzimit.

Në Indi

Sa për fisin Dongria Kondh, 8 mijë të mbijetuar përreth kodrave të Nijamgirit, shteti indian Orisa, më shumë se nga mbështetja qeveritare, i ka varur shpresat te ndihma e popullsisë lokale dhe te fushatat sensibilizuese ndërkombëtare. Prej muajsh në tokat e tyre po punon një kompani britanike mineralesh, e cila po planifikon hapjen e një miniere gjigante.

Qeveria e Botsvanës në Afrikë ka krijuar një projekt origjinal për mbrojtjen e rezervateve, veçanërisht në shkretëtirën e Kalaharit, toka e Boshimanëve. Një sentencë e Gjykatës së Lartë të Botsvanës u njeh indigjenëve të drejtën të jetojnë në atë zonë, por që nuk respektohet nga qeveria nën justifikimin e përpjekjeve për t‘i përshtatur në shoqëri: është betonuar pusi i vetëm që mbante gjallë tribunë dhe është ndaluar rihapja e tij. Në të njëjtën kohë është autorizuar hapja e tre puseve të tjera për t‘u shërbyer kompanive të minierave të diamanteve, strukturave turistike dhe kafshëve të zonës.

Luftërat

Në raste të tjera, faktor i zhdukjes së popullsive indigjene janë luftërat. Për shembull, në Kolumbi, ku indigos-ët janë zënë peng i përplasjeve të armatosurave mes guerilasve, forcave paramilitare dhe ushtrisë. Këto ditë u fol nëpër media për vrasjen e 30 indigjenëve Aua (nuk kanë asnjë lidhje me fisin brazilian me të njëjtin emër). Disa zëra bëjnë fajtore forcat e FARC, të cilat mund t‘i kenë eliminuar nën dyshimin se bashkëpunojnë me ushtrinë kolumbiane. Rasti i tyre shtyu 22 europarlamentarë t‘i shkruajnë një letër Presidentit kolumbian Alvaro Uribe. Denoncimet për kërcënime e akte dhune nuk numërohen. I frikshëm edhe rasti i Aida Kuilke, një prej krerëve të këshillit indigjen të zonës Kauka: 16 dhjetorin e shkuar, makina me të cilën duhej të udhëtonte aktivistja u bë shoshë nga plumbat, nga të cilat gjeti vdekjen bashkëshorti i saj. Ushtarët që hapën zjarr thanë se ishin njoftuar që në atë veturë udhëtonte një terroriste e rrezikshme.

Laura Greko, një prej aktivisteve të organizatës "Survival", është përgjegjëse për projektin e mbrojtjes së popullit Nukak në Guaviare. Konflikti e ka shtyrë këtë popullsi larg tokave të veta, deri në periferi të San Hozesë, kryeqytetit të këtij shteti. "Prej vitesh punojmë në fushatën për mbrojtjen e popullsive vendase, si dhe për respektimin e të drejtave e territoreve të tyre", thotë. "Veçanërisht në Kolumbi përpiqemi prej vitesh të denoncojmë veprimet, apo lëshimet kriminale të qeverisë e autoriteteve lokale, të cilat jetojnë ose nuk bëjnë asgjë për të ndaluar gjenocidin ndaj indigjenëve".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora