E enjte, 25.04.2024, 01:13 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Udhëtim drejt Polit të Veriut

E diele, 01.03.2009, 11:56 AM


Portsmouth, në jug të Anglisë, një e hënë e ftohtë dhjetori. Një prej eksploruesve më të njohur të Britanisë së Madhe është ulur në një dhomë për të treguar misionin e tij të ardhshëm. Temperatura e dhomës është rreth 20°C nën zero, një klimë pothuajse tropikale, krahasuar me kushtet ekstreme që ky burrë do të përballet në ekspeditën e tij të radhës në Arktik. Në Polin e Veriut temperaturat mund të zbresin deri në 50°C nën zero. Gjatë ditës është errësirë, por kur bie dielli, drita e këtij vendi është verbuese. Sipërfaqja mbi të cilën ecën është një shtresë e hollë akulli, e cila mund të çahet në çdo moment dhe t‘i fundosë eksploruesit në ujin e ftohtë. Përveç ndonjë foke gri, qenia e vetme e gjallë që mund të takosh është ariu polar.

Të njohësh Pen Hadow është emocionuese. Ka qenë njeriu i parë që e ka përshkuar me këmbë vetëm dhe pa ndihmën e askujt 800 kilometra që ndajnë brigjet veriore të Kanadasë nga Poli i Veriut. Hadow është 46 vjeç dhe krejtësisht ndryshe nga ç‘mund ta imagjinosh: është trupvogël dhe ka një mënyrë përshëndetjeje shumë të veçantë. Ndihet mjaft rehat në mes të kësaj shkretëtire të akullt. Kur flet, frymëmarrja e tij ngrin në akull. Këmbët dhe duart e vogla, lëkura ngjyrë e errët, rrahjet e ngadalta të zemrës e bëjnë njeriun e duhur për të kaluar periudha të gjata në një nga zonat më të shkreta të Tokës. Por, këtë herë Hadow do të shkojë në Polin e Veriut për një ekspeditë krejtësisht ndryshe. Në fund të shkurtit ai do të lërë Kanadanë dhe do t‘i drejtohet Polit të Veriut. Por nuk do të jetë vetëm, përkrah tij do të udhëtojnë edhe një fotograf e një eksploruese. Tre miqtë do të marrin me vete ushqim, slita dhe mjete për të matur thellësinë dhe trashësinë e borës e akullit.

Nëndetëse dhe satelitë

Informacionet që do të mbledhin, do të i ndihmojnë të kuptojnë më mirë se cili është raporti mes situatës së Arktikut dhe ndryshimeve klimatike. Duke i bashkuar me të dhënat e mbledhura nga disa nëndetëse dhe studimet e fundit satelitore, grafikët e zonës tregojnë se në 40 vitet e fundit, sipërfaqja e ngrirë e ujit është zvogëluar gradualisht. Në 2007-ën situata është përkeqësuar në mënyrë dramatike dhe zona e akujve është zvogëluar me pesë milionë kilometër katrorë, 30 vjet më shpejt nga ç‘ishte parashikuar. Veç të tjerash, pas konflikteve për sovranitetin e zonës, mes Moskës, qeverisë së Kanadasë dhe disa vendeve evropiane, shkencëtarët kanë paralajmëruar se në Arktik i ftohti gjatë stinës së verës mund të zhduket shumë më parë nga ç‘është parashikuar.

Pothuajse të gjithë ekspertët janë dakord me pasojat që do të ndodhin pas shkrirjes së akujve. Fillimisht do të humbasë mjedisi natyror unik, që sot fshihet nën shtresën e akullit, do të rritet niveli i deteve dhe do të ketë ndryshime në rrymat oqeanike e të modeleve meteorologjike të të gjithë planetit. Ende nuk është e qartë se pas sa kohësh do të ndodhë e gjitha kjo. Sipas disa ekspertëve, gjithçka do të ndodhë pas katër vjetësh, për disa të tjerë në fund të mijëvjeçarit. Në fakt nuk dihet ende me saktësi sesa është dendësia e akujve detarë dhe volumi total i ujit të ngrirë të planetit. Ekspedita e Hadow do të përpiqet të qartësojë dhe të mbledhë të dhëna të sakta mbi sasinë e akullit të mbetur. Kjo do të shërbejë për të na treguar se edhe sa kohë na ka mbetur në dispozicion për t‘u përgatitur për pasojat e rënda dhe të menjëhershme të ngrohjes globale. Studimi është mbështetur nga programi i Kombeve të Bashkuara për ambientin, fondacioni i princit Karl dhe WWF, një organizatë joqeveritare.

"Nëse duam ta ‘kuptojmë‘ klimën, duhet të investojmë më shumë në studimin e ndryshimeve të saj", shpjegon këshilltari shkencor i ekspeditës. "E, duke qenë se Deti i Veriut është një tregues shumë i mirë, duhet të përqendrohemi në këtë zonë për të llogaritur se sa të shpejta do të jenë proceset e ‘ushqyera‘ nga ngrohja globale". Ndërsa Hadow ka një mendim më xhentil: "Arktiku është si një vajzë e vogël, që duhet mbrojtur nga dashakeqësit".

Një premtim që duhet mbajtur

Udhëtimi i parë i Hadow në Polin e Veriut ishte në vitin 2003. Ai udhëtoi i vetëm në këmbë për 75 ditë. Gjithçka filloi pas premtimit që i bëri të atit në prag të vdekjes, një angazhim që shumë shpejt u shndërrua në një fiksim. Ja se çfarë ka shkruar në biografinë e tij "Alone" si eksplorues: "Ai udhëtim ishte shumë i rëndësishëm për ekzistencën time, madje më shumë se çdo gjë tjetër, edhe se lindja e vogëlushit tim". I janë dashur 10 vjet, dy tentativa të dështuara dhe një sërë problemesh financiare e shëndetësore, por në fund ai premtim u bë realitet. Por dashuria e Hadow për Arktikun i kishte rrënjët shumë të thella. Prindërit e tij, Nigel dhe Ana, kishin në shtëpi një shërbëtore, e cila kishte punuar prej shumë kohësh në shtëpinë e eksploruesit legjendar Robert Scott. Ishte ajo që i tregonte Penit të vogël historitë e ekspeditës në Polin e Veriut. Vite me vonë, në bibliotekën e shoqërisë "Rojal", Hadow gjeti një libër, i cili do të zgjonte tek ai kujtimet e vjetra dhe do ta shtynte të bëhej eksplorues. Ishte përkthimi i ditarit i një ornitologu gjerman të shekullit XIX, që pas mbytjes së një anijeje vdiq duke u përpjekur të kalonte me këmbë veriun e Kanadasë për të gjetur një anije që ta çonte në shtëpi. Hadow u magjeps nga kjo histori dhe vendosi ta përfundonte udhëtimin e nisur nga gjermani.

"Kuptova se të gjithë librat e mi ishin shkruar nga eksplorues, aventurierë, ose shkencëtarë. Deri atëherë nuk e kisha imagjinuar se mund të jetoja si ata, por atë ditë i thashë vetes sime: ‘Do ta bëj këtë udhëtim‘", thotë Hadow.

Kështu, falë dëshirës së tij dhe shembullit të gjermanit, Hadow u nis për udhëtimin e tij të parë dhe mbeti shumë i mrekulluar nga kjo eksperiencë. Por, duke lexuar biografinë e tij, shfaqet një tjetër fakt kurioz në zgjedhjen e tij: një nevojë e jashtëzakonshme për ta vënë veten në provë. "Kishte shumë arsye se pse vendosa të udhëtoja i vetëm dhe të gjitha silleshin rreth atij premtimi të vjetër. Por motivi im i vetëm ishte fakti se bëhej fjalë për një sipërmarrje vërtet ekstreme".

Ekspedita e ardhshme do të ishte edhe më e vështirë. Ndërsa po bënte kërkime për librin e tij, kur u kthye nga ekspedita e vitit 2003, Hadow preku disa raporte të marinës amerikane. Studimi i dedikohej ndryshimit të varkave dhe anijeve që lundrojnë në ujërat e Polit të Veriut, të përshtatshme ndaj ndryshimit të akujve detarë, shkaktuar nga ngrohja globale. "Nuk dija asgjë për këtë fakt, por e njihja mirë Arktikun. Mendova se mund ta vija në shërbim të çështjes eksperiencën time, të zbuloja se si ishin gjërat dhe më pas të gjitha të dhënat e mbledhura t‘ia tregoja publikut të gjerë. Fundja këtë bëjnë eksploruesit: zbulojnë gjëra të reja dhe bëjnë me dije publikun e madh".

Duke qenë se kishte gjetur një arsye të re për t‘u rikthyer në Polin e Veriut, Hadow iu drejtua disa klimatologëve për të marrë vesh se cili ishte kontributi i tij në kërkim të ngrohjes globale. Kështu, ai mori vesh se shkrirja e akujve kishte filluar në vitet ‘60, por në të njëjtën kohë zbuloi se të dhënat e mbledhura nuk mjaftonin për të rindërtuar ndryshimet në vazhdim.

Që prej viteve ‘90, shkencëtarët përdornin hartat satelitore për të llogaritur trashësinë e borës dhe të akujve. Por, edhe me këto të dhëna, për masën e madhe të akullit që ndodhet nën ujë, mund të hidhen vetëm hipoteza. Në vitin 2007, satelitët kanë treguar se një zonë e madhe pothuajse sa Alaska, nuk ishte më e mbuluar nga akulli. Më 16 shtator të 2007-ës, sipërfaqja e akullt arriti minimumin historik prej 4 130 000 kilometrash katrorë. Sot, shumë qendra të ndryshme meteorologjike, që merren me monitorimin e akullit dhe dëborës në Shtetet e Bashkuara, llogarisin se akulli detar vazhdon të shkrihet me 11.7 për qind çdo dhjetë vjet. Kjo do të thotë se çdo vit zhduket një zonë e madhe akulli sa Skocia.

Shkencë dhe aventurë

Për trashësinë e shtresave të ndryshme të borës dhe akullit nuk ka shumë të dhëna. Të dhënat e deritanishme tregojnë se 40 për qind e tyre është shkrirë në vitet ‘60 dhe ‘90. Në vitin 2008, revista shkencore "Geophysical research letters" publikoi një studim të realizuar nga tre shkencëtarë të Universitetit të Londrës. Sipas studimit, gjatë dimrit 2007-‘08 trashësia e akullit u ul 26 centimetra krahasuar me pesë vite më parë. Në fakt, studiuesit kishin bërë ngatërresë prej pesë centimetrash, për shkak të mungesës së të dhënave për një kohë të gjatë. Për sa i përket vitit 2008, disa shkencëtarë të tjerë theksojnë se rritja totale e akullit ka qenë më e vogël se në 2007-ën.

"Ka shumë shkencëtarë që lundrojnë drejt Polit të Veriut me anije, ose fluturojnë me aeroplanë, për të marrë kampionë akulli, ose për të bërë zbulime përmes radarëve. Por, duke qenë se në Polin e Veriut bën shumë ftohtë, të paktë janë ata shkencëtarë që kanë dëshirë, rezistencë fizike, kohë dhe para për të bërë studime të ndryshme, të cilat kërkojnë muaj të tërë në dispozicion për të jetuar në kushte ekstreme", shpjegon Hadow. Pasi mblodhi 3 milionë sterlina, Hadow kaloi vite të tëra duke programuar udhëtimin e duke përballuar edhe probleme të ndryshme ekonomike. "E dija se do të isha në gjendje t‘ia dilja mbanë dhe kjo më entuziazmonte. Për të parën herë isha në vendin e duhur, në momentin e duhur".

"Shkretëtira"

Në Polin e Veriut temperaturat mund të zbresin deri në 50°C nën zero. Gjatë ditës është errësirë, por kur bie dielli, drita e këtij vendi është verbuese. Sipërfaqja mbi të cilën ecën është një shtresë e hollë akulli, e cila mund të çahet në çdo moment dhe t‘i fundosë eksploruesit në ujin e ftohtë. Përveç ndonjë foke gri, qenia e vetme e gjallë që mund të takosh është ariu polar

Kushtet e vështira

Ka shumë shkencëtarë që lundrojnë drejt Polit të Veriut me anije, ose fluturojnë me aeroplanë, për të marrë kampionë akulli, ose për të bërë zbulime përmes radarëve. Por, duke qenë se në Polin e Veriut bën shumë ftohtë, të paktë janë ata shkencëtarë që kanë dëshirë, rezistencë fizike, kohë dhe para për të bërë studime të ndryshme, të cilat kërkojnë muaj të tërë në dispozicion për të jetuar në kushte ekstreme

Eksploruesi

Udhëtimi i parë i Hadow në Polin e Veriut ishte në vitin 2003. Ai udhëtoi i vetëm në këmbë për 75 ditë. Gjithçka filloi pas premtimit që i bëri të atit në prag të vdekjes

Pen Hadow

Ka qenë njeriu i parë që e ka përshkuar me këmbë vetëm dhe pa ndihmën e askujt 800 kilometra që ndajnë brigjet veriore të Kanadasë nga Poli i Veriut

Ekspedita

Nuk dihet ende me saktësi sesa është dendësia e akujve detarë dhe volumi total i ujit të ngrirë të planetit. Ekspedita e Hadow do të përpiqet të qartësojë dhe të mbledhë të dhëna të sakta mbi sasinë e akullit të mbetur. Kjo do të shërbejë për të na treguar se edhe sa kohë na ka mbetur në dispozicion për t‘u përgatitur për pasojat e rënda dhe të menjëhershme të ngrohjes globale



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora