E premte, 29.03.2024, 03:04 PM (GMT)

Mendime

Falma Fshazi: Hakmarrje alla shqiptare

E diele, 01.03.2009, 11:51 AM


Hakmarrje alla shqiptare

Nga Falma Fshazi

Hakmarrja përbën një element mjaft të rëndësishëm të mentalitetit individual në shumë shoqëri. Ashtu siç përbënte një element të drejtësisë shoqërore në komunitetet primitive dhe pre-moderne. Veçanërisht me ndërtimin e shtetit modern, hakmarrja u bë pjesë e diskutimit mbi filozofinë dhe qëllimin praktik të drejtësisë. Ajo u ingranua në sistemet moderne të drejtësisë perëndimore në formën e dënimit nga organe të posaçme. Dënimi, përveçse në raste ekstreme, kishte si qëllim final riedukimin, pendimin, riintegrimin e individit të dënuar në shoqëri, domethënë "përgjigjen e së keqes me të mirën". Kjo bëri zhdukjen e hakmarrjes si burim drejtësie individuale dhe vendosjen e sistemeve që parandalonin dënimet pa gjykime. Ashtu siç vendosi në qendër të sistemit shoqëror proceset transparente demokratike, të cilat parandalonin hakmarrjen individuale ose kolektive dhe bënin që hakmarrja të zhdukej edhe si mentalitet individësh ose grupesh. Hakmarrja në Shqipëri është trajtuar dhe analizuar përgjithësisht si një fenomen shoqëror me dimensione individuale. Hakmarrja ka tërhequr vëmendjen më tepër si gjakmarrje. Gjakmarrja ishte versioni më i përhapur hakmarrjes në Shqipëri. Jeta e një njeriu paguhej patjetër me jetën e një njeriu tjetër. Ky njeri mund të mos ishte vrasësi, por dikush nga familja e vrasësit. Kjo lloj vrasjeje kishte pastaj disa rregulla që ekzistonin për të marrë nën kontroll vrasjen, jo për të krijuar një mekanizëm që e ndalon atë. E gjitha kjo për të bërë të mundur që individi ose familja të marrin hakun, domethënë të hakmerren. Sipas këtij mentaliteti, individi ose grupet e individëve nuk mund të jetojnë në shoqëri normalisht pa ju përgjigjur së keqes - ose atë çfarë ata mendojnë se është e keqe - me të keqe, domethënë pa u hakmarrë.

Në fakt, një fenomen i tillë nuk ishte vetëm shqiptar. Megjithëse një veçori e shoqërive primitive, hakmarrja ka ekzistuar në shumë shoqëri të tjera si fenomen shoqëror deri në fundshekullin e 19-të dhe si fenomen sporadik individual deri në atë të 20-të, ndërsa ajo ka ngelur si burim drejtësie vetëm në logjikën dhe veprimtarinë mafioze. Forcimi i strukturave shtetërore vendore dhe qendrore ka bërë që hakmarrja të humbasë rëndësinë e saj si burim i drejtësisë në shoqëri. Kjo ka sjellë dhe zhdukjen e hakmarrjes si mentalitet. Hakmarrja si mentalitet tregon një mënyrë të të menduarit dhe jetuarit. Në këtë mentalitet, hakmarrja bëhet principi dominues i jetës private dhe shoqërore. Domethënë individi dhe rrethi i tij social mendojnë se e keqja ose çfarë përkufizohet si e keqe mund të zhduket vetëm më të keqe. Këtë nuk duhet ta ngatërrojmë me rastet individuale kriminale kur hakmarrja është një arsye krimi. Çdo individ mund të kryejë krim për hakmarrje në Shqipëri, ashtu si dhe në shumë vende të tjera. Krimi për hakmarrje është i dënueshëm nga shoqëria dhe autoritetet drejtuese, ndërsa mentaliteti hakmarrës është pjesë e të jetuarit të përditshëm dhe nuk ka të bëjë me krim të mirëfilltë, as me kryerjen e një krimi me paramendim ose jo, por me vendime, cilësime, veprime të cilat në fakt bëhen në emër të një drejtësie që beson se e keqja zhduket me të keqen.

Këtu qëndron dhe veçoria e hakmarrjes shqiptare, e cila ka shumë versione, të cilat kanë ditur t‘i rezistojnë kohës. Versioni i saj më primitiv, ai i gjakmarrjes, nuk është zhdukur akoma, ndërsa në të njëjtën kohë ka ndodhur procesi i transformimit të hakmarrjes. Ajo është transformuar bashkë me shoqërinë, duke marrë forma të komplikuara që, dhe pse në pamje të parë mund të mos duken si të tilla, në thelb kanë instinktin hakmarrës. Në këtë formë, hakmarrja nuk përbën një krim momental ose mendimin për të kryer një krim, por është elementi që dominon mentalitetin e grupe individësh dhe si rrjedhim mënyrën e sjelljes në vazhdueshmëri. Mentaliteti hakmarrës me vetëdije ose pa vetëdije ndërthur veprimet në mënyrë të tillë që çdo lëvizje të krijojë mundësi hakmarrjeje; që ta bëjë atë pjesë normale të jetesës së përditshme dhe si rrjedhim hakmarrja kur të kryhet të mos i duket askujt si e tillë, por si një veprim normal, pjesë e domosdoshme e rrjedhës së jetës, bile aq e rëndësishme sa pa të nuk mund të jetohet ose të ndërtohet e ardhmja. Për ta ilustruar me një shembull krejt të thjeshtë; fëmija, gruaja, komshiu etj. nuk dënojnë babanë që i bën diçka të keqe me qëllim atyre që dikur i kanë pas bërë keq - ose mendohet t‘i kenë bërë keq - babit ose farefisit të babait. Kjo bëhet normale, e domosdoshme dhe e lavdërueshme në mentalitetin hakmarrës, për më tepër nuk quhet hakmarrje.

Hakmarrja si mentalitet ka dhe një veçori tjetër në Shqipëri. Kjo veçori e bën atë krejt unike. Mentaliteti hakmarrës ka kaluar kullën, shtëpinë, fshatin, qytetin dhe është bërë pjesë e mentalitetit shoqëror. Mentaliteti hakmarrës që drejtonte individë ose grupe individësh shkrihet herë pas here me mentalitetin e përgjithshëm. Kjo do të thotë që përveç hakmarrjeve individuale, në Shqipëri funksionon hakmarrja kolektive. Hakmarrje kolektive do të thotë që grupi shoqëror që dikur edhe disi ka dëmtuar - supozohet të ketë dëmtuar - një grup tjetër shoqëror duhet të dëmtohet njëlloj siç ka "dëmtuar". Ky lloj mentaliteti nuk bazohet në sistemet ligjore të shoqërive moderne, as në etikën demokratike perëndimore. Ai bazohet në besimin se të keqes duhet t‘i përgjigjesh me të keqe. Proceset shoqërore dhe ekonomike kanë transformuar këtë mënyrë të të menduarit në vendet e zhvilluara, por - mesa duket - jo në Shqipëri.

Sistemi socialist e formuloi hakmarrjen si luftë klasash. Nuk kishte shumë rëndësi kush hynte në klasa. Rëndësi kishte që disa individë ose grupe individësh të hakmerreshin nga të tjerët për vuajtjet e jetuara ose imagjinuara ose për poshtërimet e jetuara ose imagjinuara. Sistemi në vetvete ishte natyralisht hakmarrës. Si rrjedhim, të spiunoje komshiun, të torturoje të burgosurin, të syrgjynosje familje të tëra për një kapriçio, të bëje presion mbi individë për arsye nga më banalet etj., etj., ishte legjitime. Mentaliteti hakmarrës kur transformohet në mentalitet shoqëror dhe sistematik nuk ka limite. Ai mund t‘i drejtohet çdo gjëje dhe çdokujt. As e shkuara, as e ardhmja nuk i shpëtojnë dot veprimeve të këtij mentaliteti. Si rrjedhim as historia. Për t‘u hakmarrë thellësisht me të shkuarën që kishte "shkatërruar të sotmen" u shkatërruan monumente me vlera të rralla historike dhe kulturore, siç u syrgjynosën dhe njerëzit që mund t‘i kujtonin këto monumente. U zhdukën dhjetëra libra, u fshinë nga historia dhjetëra protagonistë, u denigruan familjet e tyre, u përul mundi dhe kujtimi i shumë të tjerëve. Hakmarrja ndaj së shkuarës ishte një pjesë e rëndësishme e mentalitetit hakmarrës, ndoshta më e rëndësishmja, sepse qëllimi i saj final ishte "damkosja përjetësisht me të keqen e atyre që ‘kishin bërë keq‘" dhe ndërtimi i një sistemi ideal pa të "keqen".

Me sa u vu re më pastaj, as sistemi kapitalist "demokratik" i vendosur më pas nuk arriti të mundte mentalitetin hakmarrës. Hakmarrja, edhe pse në thelb krejt e njëjta, kishte një këllëf të ri, i cili në dukje ishte më se i lavdërueshëm; të zhdukim diktaturën një herë e përgjithmonë. Dëmtimi i bibliotekave, librarive, shkatërrimi i shumë institucioneve, përulja dhe përçmimi i atyre që akuzoheshin si pjesë aktive e sistemit paraardhës, denigrimi për ç‘kishin bërë ose imagjinohej të kishin bërë i dhjetëra njerëzve, krijimi i gazetave të cilat kishin si qëllim vetëm të akuzonin individë, duke implikuar dhe familjet e tyre, liderë të cilët sulmonin familjet e njëri-tjetrit, parti politike që linin pa punë simpatizantë dhe të afërm të simpatizantëve ose të "damkosurve si simpatizantë" të partive opozitare etj., etj., etj., ishin shembuj të së njëjtës hakmarrje me këllëf të ri. Çfarë plotësoi mentalitetin hakmarrës dhe bëri krejt të qartë se ky mentalitet vazhdonte të jetonte ose mbahej gjallë në Shqipëri, ishte hakmarrja ndaj së shkuarës, ndaj historisë dhe burimeve të saj. Muzetë, monumentet, veprat kulturore, personalitetet shkencore dhe kulturore nuk u kursyen nga hakmarrja tashmë "demokratike". Shumë vepra vazhdojnë të dëmtohen (më të fundit monumenti i Pesë Heronjve në Shkodër), shumë njerëz vazhdojnë të denigrohen (i ashtuquajturi ligji i lustracionit). Të gjitha këto kanë shumë arsye dhe shpjegime, por në thelb është vetëm diçka; hakmarrje.

Hakmarrje e cila është kthyer në mënyrë jetese prandaj është legjitime. Kjo lloj hakmarrjeje nuk kursen as brezat e shkuar as brezat e rinj. Ajo nuk është më momentale apo individuale, por sistem të menduari dhe jetuari. Kjo hakmarrje ka shumë arsye, por në thelb është vetëm: shpërblimi i së keqes me të keqe. E gjithë kjo ka një rrjedhim; çdo 20 vjet, 30 vjet, ose 40 vjet Shqipëria do të fillojë nga fillimi, sepse duke zhdukur "e keqja të keqen", kur në fakt duhej e mira të zhdukte të keqen, zhduket gjithçka. Megjithatë, meqë Shqipëria tashmë është e hapur dhe kemi mundësi të krahasojmë, analizojmë, reflektojmë, mësojmë nga ato që kanë ditur të bëjnë ndryshe, le të shpresojmë që burrat dhe gratë shqiptare dikur dhe diku t‘i thonë jo hakmarrjes dhe po bashkëpunimit, rindërtimit dhe mbi të gjitha paqësimit të shoqërisë shqiptare me vetveten me historinë e saj, të shkuarën e saj, me tjetrin ose atë çfarë mund të duket si i kundërt nga vetvetja. Të shpresojmë se në vend që të mendojmë çfarë të dëmtojmë ose kë të denigrojmë nga ato që "kanë pas bërë keq" të mendojmë si të ndërtojmë monumente të reja, si të kuptojmë të shkuarën dhe si të mësojmë nga gabimet. Por deri atëherë dhe tani për tani vazhdojmë të dëgjojmë, shikojmë dhe jetojmë në "Hakmarrjen alla shqiptare".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora