E enjte, 18.04.2024, 07:29 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Tribunali i Hagës, instrument i politikave të Beogradit

E diele, 01.03.2009, 08:55 PM


Enver Bytyçi
Enver Bytyçi
Tribunali i Hagës, instrument i politikave të Beogradit

Nga Enver Bytyçi

Domethëniet e vendimit të Hagës
 
Në vendimin për dënimin e pesë zyrtarëve të tjerë është shqiptuar se ata akuzohen për vrasjen dhe asgjësimin e mijëra shqiptarëve të Kosovës (burimet zyrtare ndërkombëtare kanë saktësuar numrin prej 21 000 personave), për dëbimin me dhunë të gjysmës së popullsisë së Kosovës si dhe për shkatërrimin e qëllimshëm të dhjetëra mijë banesave dhe objekteve të tjera në Kosovë. Por kokoshi është katandisur në një thelë: Gjithë këto krime i kanë kryer "individët e lartpërmendur". Milosheviçi e Milutinoviçi "nuk kanë urdhëruar", "nuk kanë pasur dijeni", shkurt "nuk janë fajtorë", sepse edhe po të kishin pasur dijeni do të duhej të dënoheshin së paku "për mosveprim për shkak të detyrës".

Nëse do të dënoheshin Milutinoviçi e Milosheviçi, atëherë zyrtarisht shteti i Serbisë do të merrte përgjegjësinë juridike e morale të krimeve makabre në Kosovë. Kjo do të thoshte që Serbia si shtet e si komb të merrte barrën e reparacioneve dhe të kërkonte publikisht falje për ato krime. Kjo do të thoshte që Serbia përfundimisht juridikisht të detyrohej të sillej ndryshe rreth Kosovës dhe realitetit të ri të krijuar aty. Kjo do të thoshte më në fund stabilitet, qetësi, rikthim i vlerave morale e njerëzore, qetësim i shpirtrave të atyre shqiptarëve të cilëve u mungojnë njerëzit më të dashur. Dalëngadalë kjo do të thoshte edhe pajtim me nocionin e faljes nga ana e viktimave të krimeve serbe, pra nga ana e shqiptarëve.

Por Tribunali i Hagës nuk i dha këto shanse. Tash duket se dikush në Hagë ka qenë i interesuar që edhe Slobodan Milosheviç t'i ikte gjykimit. Ai nuk mund të pësonte në asnjë rrethanë fatin e Milutinoviçit. Ndaj dhe që ai të mos dënohej, duhej të shndërrohej në një hero të nacionalizmit masiv ekstremist serb.

Për lirimin e Milutinoviçit janë dhënë versione të shumta. Në shtypin perëndimor përmendet fakti se ai ka vazhduar mandatin e presidentit të Serbisë deri në vitin 2002, megjithëse shefi i tij direkt, Milosheviçi, kishte përfunduar në Hagë. Është shënuar gjithashtu se "Milutinoviç ishte më luajal, krahasuar me Milosheviçin". Madje gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" aludonte në numrin e saj të datës 27 shkurt se kjo që ndodhi tani ishte pasojë e një marrëveshjeje politike.

Megjithatë më e besueshme është se ky vendim është pasojë e politikës evropiane "për t'ia shpëtuar fytyrën Serbisë". Kjo karotë evropiane për Serbinë, e stimuluar edhe nga dëshira për të ruajtur miqësinë me Kremlinin, ishte njëkohësisht përpjekje për ta inkurajuar Beogradin në politikat e tij destruktive në Kosovë. Pikërisht kjo përpjekje e inkurajimit të Serbisë kundër Kosovës i duhet tash më së paku rajonit dhe vetë Evropës. Kjo politikë e certifikuar në Hagë është shkaku i të gjitha problemeve dhe vështirësive që Serbia vazhdon t'ia shkaktojë shtetit të pavarur të Kosovës.

Pas këtij vendimi për lirimin nga akuza të të akuzuarit kryesor, Milutinoviç, do të jetë shumë më vështirë për institucionet e Kosovës që ta mbajnë nën kontroll gjendjen. Janë dhjetëra mijëra njerëz që ende nuk janë kthjelluar psikikisht nga tragjedia e dhjetë viteve të shkuara. Të dalësh e t'u thuash këtyre njerëzve se "kreu i shtetit kriminal serb nuk ka dorë në këtë dhunë asgjësuese", është më shumë se fyese, është më shumë se denigruese, është një rivrasje dhe një riasgjësim i tyre. Por politika meskine e aplikuar nga i ashtuquajturi "Gjykatë e Drejtësisë" nuk dëshiron t'ia dijë për ndjenjat njerëzore. Madje nuk duan t'ia dinë dhe politikanët e atyre vendeve evropiane, të cilat reklamohen si shëmbëlltyra e demokracisë.

Fatkeqësisht në rastet kur qeveritë e kanë pranuar shtetin e pavarur të Kosovës, reporterë të shumtë proserbë janë vënë me militantizëm kundër kësaj pavarësie. Më 17 shkurt, në ditën e njëvjetorit të pavarësisë, reporteri i Vjenës raportonte për TV ZDF se "pavarësia nuk ka sjellë asgjë në Kosovë, përkundrazi, ka sjellë krim, trafiqe, drogë" dhe jepte një kronikë, ku shfaqej vetëm një familje rome, gjendja e së cilës ishte e mjerueshme. Kronika të tilla me romë mund të përgatisësh edhe në Gjermani, Itali e gjetkë. Shtypi ka shkruar se në Hungari pamje të ngjashme që jepte reporteri me romët janë të zakonshme. Por kjo kronikë i duhej këtij kronikani antishqiptar, për ta rivrarë shpresën e shqiptarëve shumicë dërmuese e popullsisë në vend si dhe për t'i dhënë hapësirë akuzave serbe e ruse për "pazotësinë e shqiptarëve të Kosovës për të bërë shtet".

Megjithatë Sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillari Clinton, duket se u jepte përgjigje këtyre obstruksioneve të stilit të Beogradit, kur para tri ditëve u thoshte dy liderëve të Kosovës, Sejdiut dh Thaçit se: "Është privilegj i madh dhe nder për të parë të gjitha të arriturat e Kosovës që nga kohët e tmerrshme të represionit dhe luftës 10 vjet më parë".

Ndërkaq Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë ka dhënë një vendim të falsifikuar për qëllime politike dhe i ka bërë shërbimin e radhës, ndoshta më të madhin shërbim, shtetit të Serbisë. Shqiptarët për drejtësinë e këtij tribunali kanë qenë dhe janë qytetarë të dorës së fundit, njësoj siç ata kishin qenë para gjykatave serbe në kohën e sundimit të Slobodan Milosheviçit. Dhe duket se nuk ka asnjë ndryshim midis Hagës dhe Beogradit. Për këto arsye në Kosovë ndoshta ka ardhur koha të protestohet si në kohën e minatorëve të Stari Tërgut, tashmë jo më kundër Beogradit, por kundër Tribunalit të Hagës, si instrument në duart e Serbisë. Ky vendim është një arsye më shumë për udhëheqësit politikë në Prishtinë, që ata t'i thonë jo të gjitha politikave dhe instrumenteve të OKB-së në Kosovë. Prej sot ka logjikë e arsye që ky tribunal të shpallet i paligjshëm nga ana e Kosovës. Prej sot duket gjithashtu sa të drejtë kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në refuzimin e tyre për ta njohur këtë Tribunal.

***

Krushë e Madhe, gruaja e Dr.Fahredin Hotit, pranë arkivoleve të burrit e të djalit
Krushë e Madhe, gruaja e Dr.Fahredin Hotit, pranë arkivoleve të burrit e të djalit
Kriminelët u “shpërblyen” e nuk u dënuan sa duhej!

Nga Isuf Bytyçi

Reagime të familjeve shqiptare, pas vendimit të Tribunalit të Hagës
 
Dy ditë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e forcave serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve në Kosovë, kanë reaguar familjarë të viktimave civile nga komuna e Malishevës dhe e Rahovecit. Masakrat e Burimit të Malishevës, më 31 mars 1999, ku u ekzekutuan dhe masakruan 42 civilë, kryesisht banorë të fshatrave Dragobil e Astrazup të kësaj komune, si dhe ajo e Rudinës-ish Pastaselit të Rahovecit, po të njëjtën ditë, ku u ekzekutuan dhe masakruan 106 banorë civilë nga ky e fshatra të tjera të komunës së Rahovecit dhe nga disa komuna fqinje, pastaj masakrat e Krushës së Madhe (me 242 martirë), e Celinës me 73, e Fortesës me 64, e Brestocit, me 54 etj, janë vetëm disa nga masakrat e që forcat serbojugosllave, të komanduara pikërisht nga ata, që u dënuan apo liruan ditë më parë nga Tribunali i Hagës, kanë kryer në Kosovë në vitet 1998/ 1999. Dy ditë pas vendimit të Tribunalit të Hagës, i cili me 96 vite burg bashkërisht dënoi ish udhëheqësit më të lartë të Serbisë e ish Jugosllavisë, ndërkohë që ka liruar si të pafajshme ish kreun e shtetit serb M. Milutinoviq, kanë reaguar familjarët e viktimave civile nga komuna e Malishevës dhe e Rahovecit.

Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës është fare i vogël krahasuar me krimet që i kanë bërë të dënuarit

Në masakrën e Burimit të Malishevës, okupatori, pati ndarë nga familjet e tyre, 42 veta, përfshirë pleq kryefamiljarë dhe fëmijë-të mitur, të cilët i ka ekzekutuar e masakruar, kanë rikujtuar Bekim M. Paçarizi, me familjarët e tij, të cilëve kjo masakër ua mori babanë, përkatësisht gjyshin Muharremin e vëllanë, përkatësisht babanë Shefkiun. Ai ka rikujtuar edhe martirët tjerë Rifatin, Ilazin, Malushin, Bahtjarin, Hamitin, Jahirin, Imerin, Behramin, Ramën, Rexhepin me gruan Zylen, Xheladinin, Nexhmedinin, Metën, Refkiun, Dituniun, Dautin, Shaqën, Metën, Hamitin etj, duke u shprehur se këta janë vetëm disa nga ata që e pësuan me jetë si pasojë e vendimeve barbare të autoriteteve të atëhershme të Serbisë, ku urdhërdhënësi kryesor ishte pa dyshim kryekrimineli Milosheviq me vartësit e tij. Gjykata, do të duhej të kishte parasysh edhe mijëra të ekzekutuarit e të masakruarit, si dhe të mijëra të tjerëve, për fatin e të cilëve, familjarët nuk dinë asgjë edhe afro 10 vjet pasa masakrave, ka thënë Bekimi, ndërsa pranë sot kishte gruan, fëmijë e nipër. Ai na tha se tashmë kanë përtërirë emrat e më të dashurve të tyre, ndërsa Liria dhe pavarësia e Kosovës, janë ngushëllimi për ta si familje dhe për gjithë Kosovën. Kjo familje, nga 21 anëtarë, 11 i ka jashtë Kosovës. Lajmin për masakrën në fjalë, i pari na e ka kumtuar Jakup Kastrati, nga Turjaka, tha Bekimi që atë kohë ka qenë në Itali, ndërsa e ëma e tij, për vrasjen e burrit e të djalit, ka mësuar vetëm disa ditë para se të ktheheshin nga Shqipëria për në Kosovë. Viktimat tjera të masakrës së Burimit, ishin burra e fëmijë nga fshati Astrazup. Këtë e rikujtoi sot Sadri Ali Morina, që krahas babait Aliut, ka të vrarë edhe axhallarë e të afërm të tjerë, si Rrahmanin i ekzekutuar bashkë me të birin Valonin, ish 14 vjeç, Idrizin, Sadriun, Shabanin me gruan Sabrijen, Imerin, Qazimin, etj. Sadriu sot ishte me gruan e tij Eminen dhe tre fëmijët e tij, Aliun, emrin e përtërirë të babait, si dhe Artin e Artanin, ndërsa ka vlerësuar se dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës për ish autoritetet e Serbisë dhe të Jugosllavisë, ishte fare i vogël krahasuar me atë çka kanë vepruar ata. Megjithatë, edhe për këtë ish ushtar të UÇK-së, ngushëllim për mungesën e më të dashurve të tyre është liria dhe Pavarësia e Kosovës. Lajmin e kam marrë vesh këtu, ndërsa bashkë me shokë i kemi varrosur tha sot Sadriu. Nga kjo masakër ka mbijetuar Nuredin Morina nga Astrazupi, por jo vetëm ai, por edhe qytetarë të tjerë, janë të befasuar pse nuk është ftuar fare të dëshmojë në Hagë përballë kriminelëve serbë. Ish drejtuesit serbë, të dënuar dhe ai që u lirua “në mungesë” të provave, kanë urdhëruar edhe masakrimin e qindra banorëve të Krushës së Madhe, të Celinës, të Fortesës e Brestocit të Rahovecit si dhe të atyre nga Krusha e Vogël e Prizrenit etj. Shumë gra mbetën pa burra, shumë fëmijë pa prindër, motrat pa vëllezër e të tjerë pa më të dashurit e tyre. Në këto masakra, barbarët e urdhëruar nga ish aparati shtetëror serbo-jugosllav, nuk patën kursyer as fëmijë, gra shtatzëna apo lehona, kanë rikujtuar sot Mustafë e Flamur Hoti nga Krusha e Madhe, vëllezërit e Dr. Farhedin Hotit, i ekzekutuar bashkë me të birin Kreshnikun, ish 14 vjeç.

Ish udhëheqësit e Serbisë e të Jugosllavisë, do të duhej të dënoheshin me burg të përjetshëm

Për masakrën e Rudinës, sot na rikujtoi juristi Neki Krasniqi nga Rudina. Dëshmi janë qindra varre si dhe qindra gra të veja me fëmijë jetimë, ndërsa më e dhembshme është se janë edhe më tepër se 80 veta, nga Krusha e Madhe, e shumë të tjerë nga Krusha e Vogël, që ende nuk janë gjetur. Kufomat e tyre, janë tërhequr nga forcat serbe, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të barbarisë. Ata që u liruan apo u dënuan, dhanë urdhër për masakrat ndaj më të dashurve tanë, janë shprehur sot, familjarë të viktimave civile të masakrës së Burimit të Malishevës, të Rudinës, Celinës e Krushës së Madhe të Rahovecit, (afro dhjetë vjet pas masakrave më të tmerrshme në komunën e Malishevës e të Rahovecit). Sipas tyre, ish udhëheqësit e Serbisë e të Jugosllavisë, do të duhej të dënoheshin me burg të përjetshëm, pasi veprat që ata kanë kryer, janë shumë të rënda. Dënimet e tyre, përballë shkaktimit të mijëra vdekjeve të dhunshme e masakrimeve të civilëve shqiptarë, janë fare pak, kanë spikatur bashkëbiseduesit tanë. Dhe në këtë rast, ne mësuam se ndonëse edhe nga masakra e Rudinës ka të mbijetuar, si Tahir Krasniqi, asnjëri nga ata, nuk janë ftuar të dëshmojnë në Hagë. Dhembja është edhe sot e madhe për faktin se edhe afro dhjetë vjet pas masakrës, në Rudinë, ende kanë mbetur bosh jo pak varre, nga të cilat barbarët patën zhvarrosur dhe zhdukur pa gjurmë viktimat e tyre, ka rikujtuar Neki Krasniqi, sipas të cilit, familjarët, vënë kurora lulesh, si dhe derdhin lot të arsyeshëm. “Liria dhe pavarësia e Kosovës, Rudinës, i kushtoi me 106 njerëz të vrarë, të masakruar dhe zhdukje të shumicës së kufomave", tha ai, duke shtuar se “forcat barbare serbe, më 31 mars të vitit 1999, patën ekzekutuar e masakruar 106 burra, që gjetën strehë në këtë fshat, ndërsa kufomat e tyre, i dërguan në drejtime të panjohura.

Po sipas Krasniqit, vetëm nga Rudina, ishin 40 burra e djem të moshave të ndryshme, derisa pjesa tjetër e të ekzekutuarve ishin nga fshatrat përreth, si dhe 14 të tjerë ishin nga Klina, Malisheva, Skenderaj etj. Bashkëbiseduesit tanë në Krushë të Madhe, sot kanë rikujtuar vizitat e autoriteteve të larta të Tribubalit të Hagës në Krushë, Celinë e gjetiu, siç ishte vetë Luiz Arbur, pastaj tash i ndjeri Robin Kuk etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora