E premte, 29.03.2024, 10:30 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Speciale e “The New York Times”-it: “Ahmet Zogu është si Musolini”

E diele, 01.03.2009, 12:24 PM


Ahmet Zogu
Ahmet Zogu
Gazetarja amerikane në shtëpinë presidenciale të Ahmet Zogut. Sfidat e kreut të shtetit të ri dhe problemet që ka Shqipëria

Nga Anne O’Hare Mçormick

TIRANË - Figura më romantike dhe e pallogaritshme në atë kohë në Ballkan, Ahmet Zogu, kreu i një familjeje feudale që prej shekujsh ka drejtuar një konfederatë fisnore të pamposhtur në Mat, në këtë kohë në moshën 31-vjeçare, është President i Republikës 2-vjeçare të Shqipërisë. Nga një shtëpi e vogël ngjyrë gri në Tiranë, ku ai shfaqej i rrethuar nga një siguri e lartë, Ahmet Zogu ushtronte një diktaturë të vështirë mbi një vend të mësuar me anarkinë e ligjit fisnor; një vend ku çdo njeri kishte policin e vet; ku ideja e lirisë ishte t’i rezistoje qeverisjes dhe t’iu shmangeshe taksave. Ai ishte Musolini i Shqipërisë dhe në një miniaturë, në skenën primitive që e kishte mbërthyer, ai sulmon me më pak energji, por me më shumë rrezik nga sa sulmon fqinji i tij dinamik detyrën e vendosjes së rregullit në situatën e pushtuar nga kaosi dhe për ndryshimin e një sensi pasionant të nacionalizimit në një komb.

Aventurë fantastike

Detyra e tij ishte të ndërtonte një shtet modern; jo vetëm qeverinë, por edhe vetë ligjin; dhe bashkë me ligjin, rrugët e mëdha, komunikimin, shkollat, urat, forcat policore, një mendim kombëtar larg mbetjeve. Shqipëria kishte një rrip bregdetar të lakmuar, e ndarë nga malet shkëmbore, pak lugina të pasura, por të zhvilluara, me prodhim nafte, mbrojtje nga vendet fqinje xheloze dhe një milion banorë të shpërndarë në njëqind “Shqipëri të vogla” lokale, të palidhura me njëra-tjetrën; madje as me rrugë, një vend ky që asnjë fuqi nuk kishte mundur më parë ta drejtonte apo ta nënshtronte.
Në shikim të parë kjo dukej si një aventurë fantastike. Të qëndroje përpara shtëpisë së presidentit në një rast të tillë, siç ishte përvjetori i Shpalljes së Republikës dhe ta imagjinoje veten si pjesë të një skene në një opera komike. Qyteti ishte mbuluar me kurora jeshile dhe me flamuj që valëviteshin, me shqiponjën e zezë të shqiptarëve në një fushë të kuqe të thellë.
Rojet presidenciale, me uniforma të thurura me të zezë dhe të kuqe, marshuan mjaft bukur lart e poshtë në dritën e diellit. Sfondi ishin malet, minaret dhe selvitë; në krye të rrugës ishte një “kamion progresi”, një garazh “Ford”-i dhe një bllok fasadash kryesore, tipike amerikane, të papërfunduara. Por figura kryesore është pjesa që mungon. Unë i hodha vështrimin veshjes së presidentit; pelerinës së zezë mbi uniformën e bardhë të lavdishme. Por ai nuk i rishikonte rojet e tij të manovrës në parakalim; nuk bëri asgjë më tepër, vetëm shfaqi pamjen e tij shkëlqyese nga ballkoni, ose doli në dritare.
Nga kjo mund të kuptohet se drama politike në Shqipëri është e ashpër dhe reale. Në burgun mesjetar të Shkodrës ndodheshin 1000 të burgosur, që paguanin dënimin e revolucionit të fundit. Disa prej tyre u varën në shesh-pazarin e qytetit. Fshatrat në të cilat ata jetonin u dogjën dhe bagëtitë u therën ose u shfarosën. Udhëheqësit e këtyre kryengritjeve periodike u arratisën pothuajse përgjithmonë. Por rangjet e rebelëve populluan burgjet dhe komplotet e freskëta kurdiseshin çdo ditë kundër presidentit të ri.
Masa të tilla represioni ishin të zakonshme në Ballkan. Ahmet Zogu i përdorte ato duke i zbutur në raste që përbënin përjashtim. Ai ishte i prirur për krijimin e një qeverie. Ushtria e tij fashiste përbëhej nga 3000 burra të stërvitur që paguheshin 12 dollarë në muaj për të qenë në gatishmëri gjatë emergjencave. Ata nuk ishin “këmisha të zeza” të kapardisura të qyteteve italiane, por malësorë me qeleshe të endura dhe me pantallona të varura, breza të larmishëm dhe xhaketa të tipit “Skënderbe”. Ata janë tipik fisnikë, nga qëndresa fisnore, të shkathët, luftëtarë, njerëzorë dhe të rrezikshëm. Ata vrapojnë nëpër rrugët e shkurtra të Tiranës duke vështruar qetësisht dekoracionet e veshjeve të rojeve të Gardës dhe të Xhandarmërisë, të organizuar për të patrulluar nëpër vend, nën drejtimin e pesë oficerëve britanikë, duke përfshirë këtu edhe një gjeneral. Ata shikojnë stërvitjet e bëra gjatë ditës djeshme nga forcat policore, të cilët u shndërruan shumë shpejt në ushtarë të ushtrisë së parë, të trajnuar dhe në uniformë; ata e dinin se nuk ishin këto batalione zyrtare që thirren në veprim kur shfaqet një kryengritje që duhet shtypur. Ahmet Zogu lufton burrat e egër me burra të egër; burrat e malit janë të vetmit që ai u beson vërtet.
Ahmet Zogu nuk duket si pjesë e një prijësi të këtyre njerëzve. Ai është një Shkëlqesi; një djalë i ri, por serioz, që flet me zë të ulët dhe në një mënyrë modeste. Asnjë person që e takon atë nuk mendon se ai është nga ata njerëz që kanë luftuar dhe prijës që në moshën 18-vjeçare; si një diktator i hekurt, i rregullit dhe progresit, burri i shtetit që ka “tërhequr një kontinent për veshi” dhe që e ka shndërruar vendin e tij pothuajse si qendra e gravitetit për Europën; ashtu siç është Meksika për Amerikën dhe Shangai për Azinë.
Ai i priste vizitorët e tij mjaft thjesht. Një sekretar i veshur me uniformë i drejtonte ata sipër një palë shkallëve të larta druri me një rrip të kuq dhe i shoqëronte ata drejt një dhome me mure blu, me gjatësinë e shtëpisë. Ajo ishte e mbuluar kryesisht me rrugica orientale, të pasura. Në njërin cep të dhomës varej portreti i spikatur i presidentit me një mbretërim të plotë, ndërsa në tjetrin, prapa një tryeze pune, lartohet figura e një njeriu energjik dhe të sjellshëm, me një kostum gri të mrekullueshëm e me një kollare të kombinuar, çorape mëndafshi dhe këpucë të sheshta, një shami të vendosur me mjaft kujdes në xhepin e sipërm të xhaketës.

Traditat e pritjes

Ahmet Zogu i pret miqtë me mirësjellje, por edhe me një ashpërsi që e shoqëron gjithmonë atë. Përveç një dukje orientale në përkujdesin e tij dhe syve të përqendruar, ai ngjante më shumë me perëndimorët. Ai ishte një njeri i qytetëruar; me dinjitet dhe që nuk mbante qëndrim. Nëse ai shfaqej pak i shqetësuar dhe nervoz në mënyrën e tij, ishte pa dyshim për shkak të stresit të shkaktuar nga ngjarjet, por edhe pjesërisht sepse ai nuk ishte mësuar me intervistat, e aq më tepër me gazetaret femra. Autorja e kësaj interviste ndoshta ishte e para femër nga “një specieje e çuditshme” që ai kishte parë. Drejtuesi mysliman i një vendi me dy të tretat e popullsisë myslimane, ishte rritur me një traditë të ndryshme për femrat, të cilat visheshin me vello dhe rrinin të pazbuluara.
Zogu ishte martuar me vajzën e njeriut më të pasur në hierarki, por, duke iu bindur traditës shqiptare, ai nuk e kishte parë ende të fejuarën; dhe përpara se të martohej me të duhej të martoheshin katër motrat e tij më të reja sesa ai për nga mosha, të cilat jetonin me nënën e tyre në një shtëpi që i bashkëngjitej asaj të presidentit. Kreu i nderuar dhe i respektuar i një shtëpie shqiptare nuk e tejkalon veten derisa të afërmit e bashkëshortes së tij janë të gjithë dakord.
E paralajmëruar për të mos pyetur rreth çështjeve që kanë lidhje me politikën, intervistuesja tregon se ajo është ndjerë mjaft në siklet. Në një atmosferë të elektrifikuar nga Traktati i Tiranës, ajo nuk mund të mendonte për ndonjë pyetje tjetër pa përfshirë problemet politike. Presidenti u zhyt në një fjalim të shkurtër, plot hijeshi rreth amerikanëve dhe mbështetjen e tyre të palëkundur për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Më pas bisedimi u zhvendos në të ardhmen e vendit, që shpresohej të ishte më e sigurt sesa kjo e tanishmja. Në këtë pikë, Ahmet Zogu ishte mjaft i vështirë dhe i zjarrtë. Ishte e dukshme se kur ai ëndërronte, ëndërronte se si mund të ishte Shqipëria kur të zhvillohej, bashkohej, të bëhej më e qëndrueshme dhe të jetë në gjendje të mbështetet në forcat e veta. Ai profetizonte se brenda pak vitesh Durrësi do të ishte porti më i mirë i vendit.

Reportazhi është publikuar në “The New York Times” më 20 mars 1927
Titulli është redaksional



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora