E premte, 19.04.2024, 05:25 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Mafia me ndikim te krerët e shteteve të Ballkanit

E diele, 01.03.2009, 12:19 PM


Instituti kërkimor në Uashington jep të dhëna për lidhjet mafie-politikë. Ndikimi i klaneve mafioze te strukturat shtetërore dhe rrjetet ballkanike

Grupet mafioze në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë ndikim të fuqishëm te autoritetet shtetërore më të larta të vendeve të rajonit. Një fakt i tillë është bërë nga një qendër e specializuar në studimet për trafiqet, me qendër në Uashington. Mediat e rajonit njoftuan disa ditë më parë se Instituti Kërkimor për Çështjet Europiane dhe Azisë Qendrore ka publikuar raportin për lidhjet e mafies me politikën dhe strukturat shtetërore. Në këtë raport tregohen lidhjet mes rrjeteve tradicionale të heroinës nga Azia Qendrore drejt Ballkanit. Raporti thotë se klanet mafioze në Maqedoni, Bosnjë, Mal të Zi, Serbi, Kroaci dhe Shqipëri janë duke bashkëpunuar në tregtinë e armëve, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, cigareve dhe drogës.
“Duke iu referuar të dhënave të pjesshme të raportit të publikuara në media, pjesa më e madhe e drogave, kryesisht e heroinës, vjen nga Azia Qendrore përmes rrjeteve ballkanike, nga Irani, në Turqi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë dhe Kroaci”, - thotë raporti i Institutit.
Ndërsa grupet e trafikut të kokainës nisin nga Kolumbia dhe arrijnë në Europë përmes Italisë. Mali i Zi dhe Sllovenia janë vendet ku kalon droga e kushtueshme përmes porteve të Barit dhe Koparit.

Rrjetet e drogës

Rrjetet e drogës në Ballkan janë fuqizuar dhe kanë krijuar lidhje të qëndrueshme me elemente të politikës dhe figurave të larta të strukturave shtetërore. Grupet mafioze të trafikut të heroinës, kokainës, të qenieve njerëzore, por edhe të kontrabandës së cigareve, janë fuqizuar duke investuar paratë e tyre në disa sektorë të industrisë. Përmes lidhjeve që kanë me politikën, ata lehtësojnë rrugët për pastrimin e parave. Aktualisht Serbia konsiderohet si një nga qendrat e fuqishme rajonale, që lidh fijet e grupeve të drogës me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Madje nga Beogradi janë krijuar rrjete efikase të bashkëpunimit të grupeve mafioze në Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri.
Katër javë më parë edhe ekspertë të strukturave të specializuara europiane në luftën kundër krimit pohuan se “grupet kriminale në Ballkan, me mbështetjen e qendrave politike të caktuara të fuqisë, po ngrenë një organizatë të përbashkët me forcën e vet të armatosur, me institucionet e veta financiare dhe me shërbimin e vetë të zbulimit! Shkurt dhe konkretisht, mafia në Ballkan po krijon një rend të ri, ndërsa grupet kriminale, të ndihmuara edhe nga kolegët e tyre europianë, po zhvillojnë një forcë të vetën të armatosur, duke u bërë kështu gjithnjë e më të rrezikshëm. Këtë paralajmërim ogurzi e ka bërë kohët e fundit një ekip ekspertësh të Europës Juglindore për luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar.

Grupet mafioze

Situata e re e krijuar u përcaktua nga pjesëtarët e ekipit të lartpërmendur pas një analize dhe shqyrtimi të detajuar që ata u bënë veprimtarive të kohëve të fundit të mafies ballkanike, që i paraqitën në raportin përkatës të përgatitur prej tyre. Sipas ekspertëve, institucionet financiare në Ballkan, gjatë 20 viteve të fundit, kanë qenë aleati kryesor i kriminalitetit të organizuar. Klanet kriminale në Malin e Zi, Kroaci, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Shqipëri, si dhe partnerët e tyre jashtë kufijve, paratë e fituara si rezultat i veprimtarive kriminale, kanë arritur t‘i legalizojnë përmes operacioneve financiare me ndërmjetësinë e bankave të ndryshme në Ballkan, por edhe më gjerësisht, në Europë.
Deri te konkluzione të tilla kanë arritur edhe ekspertët britanikë, të cilët morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Politika e kundërvënies ndaj krimit të organizuar”, të zhvilluar në Beograd. Krimi i organizuar në Ballkan po zhvillohet me një intensitet të tillë saqë grupet kriminale, krahas bizneseve jolegale, kanë edhe biznese legale. Këto grupe, duke pasur në dispozicion mjete të tilla financiare, sidomos, ato, në pamje të parë, legale, arrijnë të korruptojnë politikanë dhe policë që të arrijnë deri tek informacionet e nevojshme për ta. “Elementët kriminalë me peshë dhe influencë më të madhe kanë, madje, edhe partitë e veta politike, megjithëse njerëzit në këto parti nuk arrijnë ta dallojnë këtë”. Veprimtaria primare e mafies ballkanike është kontrabanda e heroinës dhe transportimi i emigrantëve, e pasuar nga kontrabanda e kokainës dhe “larja” e parave. Kontrabanda e cigareve dhe tregtia e “mishit të bardhë” është një veprimtari sekondare e grupeve kriminale dhe kjo e fundit, në shumicën e rasteve, është një veprimtari që shoqëron kontrabandën e heroinës dhe shitjen e makinave të vjedhura. “Për realizimin e sigurt dhe të papenguar të këtyre aktiviteteve, mafia ka ngritur një sistem të kontrollit të aparatit shtetëror, ekonomisë, politikës dhe të organeve të ndryshme të medias në shtetet ballkanike.

Raporti i Europolit

Ekspertët e Europolit konsiderojnë se veprimtaria e grupeve kriminale në Ballkan është intensifikuar, sidomos për shkak të rritjes së prodhimit të heroinës në Azi dhe të kokainës në Amerikën Jugore. Në të njëjtën kohë, duke ndjekur rregullat tregtare të lojës, janë rritur edhe ofertat dhe kërkesat për këto lloj drogash në Europën Perëndimore, kështu që e ashtuquajtura “Rruga ballkanike e kontrabandës së drogës” është superaktivizuar. Kjo rrugë ka dy drejtime. Një drejtim vjen nga Turqia, përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, kurse tjetri nga Bullgaria të çon drejt Maqedonisë, Serbisë, Kosovës dhe Kroacisë. Kontrabanda përmes kësaj rruge, krahas me makina dhe kamionë, zhvillohet edhe me aeroplanë, pasagjerë, ndërkohë që janë konstatuar edhe raste kur droga dërgohet edhe me dërgesa postare! Në Europol thonë se përmes rrugës që përdoret, më së shumti për kontrabandën e heroinës nga Afganistani, vitet e fundit, është transportuar intensivisht edhe kokaina, e cila, fillimisht është sjellë nga Amerika Jugore dhe, përmes porteve të Afrikës Perëndimore, ka mbërritur në Portugali dhe Spanjë. Grupe të mafies shqiptare dhe tetë klane kriminale në Malin e Zi janë marrë vesh, tashmë, me narko-liderët në Kolumbi, Bolivi dhe Peru dhe, kështu, droga me anije transportohet për në portet e Barit në Malin e Zi, si dhe në porte të Kroacisë dhe Shqipërisë ose edhe në Itali.
Ekspertët policorë të Europolit kanë mendimin se rruga ballkanike e kontrabandës së drogës, që shfrytëzohet edhe për tregtinë e armëve dhe të emigrantëve, lidh të gjitha grupet transnacionale të krimit të organizuar në Europë, madje edhe përtej saj. Kjo, në praktikë, do të thotë se të gjitha grupet kriminale që nuk janë nga Ballkani, por duan ta përdorin këtë rrugë, duhet të merren vesh me kolegët e tyre ballkanikë.

Raporti vjetor i OKB-së përcaktoi rrjetet e trafiqeve të kokainës dhe heroinës

Bordi Ndërkombëtar i Luftës kundër Narkotikëve pranë Kombeve të Bashkuara publikoi një javë më parë raportin vjetor të prodhimit dhe trafikimit drogave të llojeve të ndryshme. Sipas të dhënave që i përkasin periudhës së vitit 2008 deri në muajin nëntor, të cilat iu referohen një sërë agjencish të specializuara, Shqipëria është ndër prodhueset e para të kanabisit në Europë dhe shërben si vend transit për kokainën dhe heroinën
“Europa mbetet tregu i dytë më i madh i kokainës në botë. Trafikimi i kokainës përmes Europës Lindore drejt Europës Perëndimore është rritur në mënyrë domethënëse gjatë viteve të fundit”, - thotë raporti. Shuma totale e kokainës së konfiskuar në Europën Lindore është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2007, kryesisht si rezultat i kapjes së sasisë prej 480 kilogramësh nga zyrtarët e Doganave në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Rritja e numrit të ngarkesave të kokainës nga Amerika e Jugut te vendet e Europës Lindore është pjesë e një zhvillimi të ri në trafikimin e kokainës. Gjithnjë e më shumë sasi kokaine po futet në Perëndim, duke kaluar nga Europa Lindore. Trafikantët përdorin linjën që është përdorur deri tani për trafikun e lëndëve të tjera narkotike, duke kaluar përmes Ballkanit. Ndërsa përdorimi i heroinës në tregjet e ndaluara të Europës e ka zanafillën në Afganistan dhe futet brenda saj përmes dy rrjeteve kryesore: njëri është rrjeti ballkanik, apo e ashtuquajtura “linja e mëndafshtë”, - rruga Azi Qendrore, brenda Federatës Ruse dhe nga atje te vendet në Europë. Linja e Ballkanit vazhdon të mbetet rruga kryesore që përdoret për trafikimin e heroinës nga Europa Lindore për t’u hedhur në atë Perëndimore. I ashtuquajturi rrjeti ballkanik verior kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe më pas Austrisë. Ky rrjet është përdorur në mënyrë të shpeshtë gjatë vitit 2007. Këtë e tregojnë të dhënat sipas të cilave ka kaluar përmes kësaj rruge më shumë se 2.5 tonë heroinë për një vit. I ashtuquajturi rrjeti jugor ballkanik e ka kokën nga Greqia, përmes Shqipërisë dhe veç kësaj edhe Maqedonisë drejt Italisë. Kjo linjë duket se është përdorur më pak nga trafikantët gjatë vitit 2007 se sa në vitet e kaluara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora