Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Xoxa: “Rini e copëtuar” - kujtimet e shkruara bukur të Reshat Kripës

| E diele, 01.03.2009, 01:10 PM |


“Rini e copëtuar” - kujtimet e shkruara bukur të Reshat Kripës

Nga Kostaq Xoxa

Në një parathënie të denjë për këtë vepër të R. Kripës, parathënie e cila është shkruar në mënyrë vërtet elegante, I. Shehut i ka rënë në sy ballafaqimi në këtë libër të bukur kujtimesh, i dy kategorive shoqërore që dolën në pah në atë kohë dhembjesh: të atyre që e ruajtën dinjitetin përkundrejt flijimesh të mëdha dhe të një pjese tjetër shoqërore, të zvetënuar nga çekani i rëndë i luftës së klasave,  nga “hetuesit gagaçë, oficerët e të zinj të sigurimit,   gardianët gdhë e të pashpirt dhe spiunët e dalë boje”.  Do t’i shtoja këtij vëzhgimi të mprehtë të paraqitësit të librit, se autori nuk flet me mllef për këtë kategorinë e dytë, i ka të rralla cilësorët stigmatizues, nuk përdor fjalë të rënda. Veçse, në mënyrën e tij të paraqitjes të së vërtetës, portreti i njëmendët i së shëmtuarës është bërë vërtet ekspresiv. Duhet thënë edhe se zoti Shehu i ka bërë një redaktim të mirë kësaj vepre mbresëlënëse.
Ai ballafaqim në parathënie mes “personazheve që shquhen për epërsi morale dhe një “lukunie bishash me shkretëtirë shpirtërore”, më kujton një tregim që më ka lënë mbresë të thellë, me titullin “”Fisniku dhe horri”. Do të përpiqem që ta paraqes në një trajtë sa më të thukët këtë ngjarje të vërtetë:
Në kampin e të burgosurve të Vlashukut. Shembjet masive të truallit shkaktonin viktima të njëpasnjëshme. Por panikun e përhapte, veçanërisht, operativi i sigurimit, Axhemi, nga Progjia e Gjirokastrës. Jani Konomit i rrinte mbi kokë. Dhe, me përbuzje, i shprehte një urrejtje të papërmbajtur: -“Ej, deputet!- Jepi belit, deputet!”. Jani ishte nga Narta e Vlorës. Kishte vënë kandidaturën, në zgjedhjet e para, për deputet. Dhe kjo hile pushtetare atij i ra mbi kokë: Përfundoi në Vlashuk, i dënuar me 25 vjet burg. Në vitin 1953 operativit mizor, Axhemit, iu sëmur djali, i ftohur rëndë; temperatura e lartë nuk po i zbriste. Te mjeku i të burgosurve, doktor Isuf Hysenbegasi, i burgosur edhe ai vetë në atë kamp ku vdekjet e pacienteve ishin të zakonshme,  Axhemi e uli hundën dhe ia çoi të birin për diagnostikim. Ia dinte zotësinë doktorit Hyesenbegasi, paçka se ky ishte arsimuar në Perëndim. Doktor Isuf Hysenbegasi i tha se gjendja ishte tepër e rëndë dhe, po të mos bënte injeksionet e penicilinave brenda tri ditësh, i biri ishte vërtet i rrezikuar. Por penicilinat në atë kohë nuk gjendeshin në vendin tonë.
Av. Jani Ikonomit , pas burgosjes thuajse të përjetshme, i kishte ikur gruaja  në Itali. Ajo i kishte dërguar tre flakonë penicilina, për çdo rast. Jani kishte marrë vesh fatkeqësinë e të birit të Axhemit dhe ia kishte ofruar mjekut Hysenbegasi, të cilin e kishte mik,  që t’i përdorte për të birin e operativit. Familja e oficerit sa s’luajti nga gëzimi.  –“Po ku i gjete, mor jahu?”- i tha Axhemi, që ishte bërë si i ndërkryer nga fatkeqësia. – “Avokatit ia kishte dërguar familja” – i tha dr. Hysenbegasi. Operativi bëri një si gjest pendese. (Përshkruhet gëzimi familjar kur, pas injeksioneve, i ra temperatura djalit të operativit. Kanë vlerë të citohen edhe fjalët e së shoqes së Haxhemit: – “Epo, iu shtoftë ymri atij dhe fëmijëve të tij! Edhe ty, doktor, që u bëre copë për djalin tonë, si ta kishe fëmijën tënd!”. Të nesërmen u hap fjala në kamp se vogëlushi shpëtoi.
... Doktor Isuf Hysenbegasi e thirri në ambulancë, mikun e tij Jani Ikonomin: -“Përse më kërkon”? – “Të thirra të të jap një kafe,- i tha doktori. Djali e ka jetën nga ty. Ata për ne nuk do ta bënin kurrë atë mirësi që bëre ti (....). Sidoqoftë Axhemi më porositi të të pyes sesa kushtojnë penicilinat”. Jani ndjeu një të skuqur të lehtë në fytyrë. Përgjigjja vlen të citohet: - “Ç`kuptim do të kishte nderi, sikur të më paguanin për të?” (Dialogët e bukur përshkojnë këtë tregim pesëfaqesh, detyrimisht të shkurtuar).
Por është e vërtetë ajo thënia e popullit se ujku qimen nuk e ndërron. Fshatari Bejo Vrazhdo nga Bolena, i dënuar me 15 vjet burg se kishte strehuar të vëllanë, diversant, ishte duke vdekur për mungesë ilaçesh. Doktor Isufi (ishte i pranishëm edhe Jani Ikonomi), i kërkoi Axhemit, që ambulanca e burgut të dërgonte ndihmësmjekun (oficer aktiv), që të tërhiqte  disa ilaçe në qendër. –“Ç’doni?- i pyeti me harbutësi Axhemi, - ju vjen keq për Bejon, që kishte strehuar armikun? Le të ngordhë, qeni! – “Zoti Axhem, është njerëzore të mos e lëmë të vdesë...- tha Jani; - “Kujt i thërret me emër, mor rezil? Më ke prerë kërthizën ti, burgjez i fëlliqur”? –iu hakërrye shpëtimtarit të djalit,  operativi”. (...). Dhe vazhdoi ai refreni qesëndisës: -Jepi belit, deputet!”. Megjithëqë doktori i shërbeu bolenasit sa mundi, ky vdiq në duart e tij.
 Libri i Reshat Kripës, i dënuar në moshën 15-vjeçare për trakte kundër pushtetit, ka një mori kontrastesh të tilla të mbartësve të luftës së klasave dhe të atyre që i bënë qëndresë kësaj lufte të pamëshirshme. Të atit të tij, Qazimit, me studime në shkollën me famë “Robert Kollege” , pas Pavarësisë, iu ofruan shumë lloje punësh zyrtare, të cilat nuk i pranoi. Prirja e tij ishte tregtia. E filloi me një kafene. Me fitimet përfundoi një shtëpi dykatëshe. Në vitin 1929  ndërtoi një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Pruri nga Italia një makinë shirëse, me të cilën shkonte fshat më fshat, në kohën e të korrave. Në vitin 1936, me vëllezërit e tij, bënë një vilë tjetër në plazhin e Vlorës, si edhe një shtëpi prej druri, për verim në Llogora. Në vitin 1941, ndërtuan një fabrikë të re vaji, më të madhe dhe më moderne se e para. Ishte, pra, një investues i papërtuar, në kundërshtim me disa tregtarë që e grumbullonin floririn, pa shfrytëzuar vlerën e tij.
Të gjitha këto iu sekuestruan nga pushteti i ri, i fundit të 1944-s. Për më tepër, Qazimi dhe të vëllezërit që bashkëpunonin me të, u rrënuan fare nga  tatimet e jashtëzakonshme të luftës, prej 170.000 frangash. Kush nuk paguante, burgosej. Qazimi, me reputacion për ndershmërinë e tij, ra në borxhe.
Familja e babait, Qazimit, ishte e madhe: katër vajza dhe tre djem. Të gjithë të pikëlluar nga burgosja e të parrituri endé, Reshatit, por edhe e të vëllait të tij, Besnikut. Ky u dënua më rëndë. Ndonëse të dyja motrat e vogla të Reshatit, Drita dhe Fatushja, ishin aktivizuar në  grupet e drejtuara nga Fronti Nacionalçlirimtar, familja e tregtarit të ndershëm, Qazim, filloi të shihej vëngër. Por askush prej kësaj familjeje të madhe nuk iu përshtat luftës së klasave për të mohuar të arrestuarit. Përkundrazi, i ndihmuan si mundën, në burgimin e tyre. Ishte faj të merreshe me tregti? Përndjekja e kësaj familjeje të shquar, që nuk kishte të arratisur apo të aktivizuar në radhët kundërshtare, nuk kishte arsye të quhej armike. Aq më tepër se edhe të dy djemtë e hallës së Reshatit kishin qenë partizanë. Dajo Nuriu dhe teze Zyhraja, gjithashtu. Sinan Gjoni dhe Shyqyri Alimerko, kushërinjtë e parë të nënës, ishin shpallur heronj. Por lufta e klasave nuk shqetësohej që të bënte armiq kudo. Kishte ligjet e saj. Duke i trembur njerëzit me zhveshjen e shpatës, konsolidohej pushteti! “Ishte vetë shteti që po na hidhte në kampin kundërshtar. Po na bënte armiq të tij pa dëshirën tonë” (f. 41).
Në vitin 1947 Reshati ishte 11 vjeç. Mësues Kiçua kishte mësimin te pjesa e librit “Për një shishe vaj”. Bëhej fjalë për shfrytëzimin nga borgjezët. Një punëtor i varfër kishte vjedhur një shishe vaj dhe ishte pushuar nga puna. Aluzioni qëndronte te babai, Qazimi, që ishte drejtor i fabrikës së vajit. Ky Kiçua i zellshëm, e provokoi Reshatin që të lexonte pjesën kur merreshin nëpër këmbë punëtorët e varfër. Njiëmbëdhjetëvjeçari iu shmang leximit, por profesori e nxori jashtë klasës dhe kërkoi përjashtimin e tij nga organizata e pionierit. Gazeta e murit u mor me këtë skandal, me një titull harbut: “Poshtë borgjezia”. Lufta e klasave ishte shtrirë edhe te fëmijët. Në 1 maj “të deklasuarit” përjashtoheshin nga kuadratet e parakalimit para tribunës, nga ku përshëndeste xhaxhi Enver. Kjo mësymje gjer te fëmijët, jepet vetëm në një trajtë rrëfimi, përsiatjesh pa fjalë të ashpra, nga autori i librit. Por Kiçot dihet se cilës kategori i përkisnin. Dhe autori i ngjarjeve të përjetuara nuk mund t’i linte jashtë tregimit gjërat që i bënin përshtypje. Sikundër flet me admirim edhe për mësuesin e talentuar të letërsisë, Eqrem Shijakun: “Ishte i mrekullueshëm. Kishte një gjuhë të rrjedhshme sa, kur shpjegonte, nuk të mbetej veçse t’i hapje pak fare librat në shtëpi...”.

***

Njëri ndër personazhet zemërligj, të përshkruar me thjeshtësi, me sinqeritet të dukshëm dhe me mjeshtëri letrare, është ai i toger Ademit. Kur ky e pyeti të burgosurin e mitur se përse ishte dënuar dhe mori përgjigjen “për agjitacion e propagandë”, “më shikoi sikur do të më hante të gjallë”,- thotë autori i librit, që të duket jo vetëm si libër kujtimesh, por edhe si një roman që lexohet me një frymë. Vetëm se personazhet e këtij romani nuk janë të sajuar. Janë njerëz të shoqërisë sonë, të kohës që pasqyrohet në letër. Meqë puna në kamp, si ndihmës i  topografit iu duk e lehtë toger Ademit, i tha të burgosurit me moshë të njomë, egërsisht: - “Nesër do të punosh në brigadë” (f. 99). Toger Ademin e shohim sërish, pas 22 faqesh, këtë herë kundër Sulejman Dizdarit. Sula u sëmur. Kishte temperaturë të lartë. Doktor Isufi e caktoi për në infermieri, për ta ekzaminuar. Toger Ademi, që ndodhej aty pranë, vendosi që të mos shtrohej. Iu kundërvu edhe doktorit. Kështu, zvarrë-zvarrë, Sula u detyrua të nisej për në punë. Por rrugës iu morën këmbët dhe u plandos. Besniku, i vëllai i autorit, i burgosur edhe ai, sesi e rregulloi me rojën që ta linin buzë një kanali dhe normën e Sulejmanit e merrnin përsipër të burgosurit. Toger Ademi ishte larguar dhe i mbetej rojës që të vendoste, tashmë. Roja pranoi. “Kur mbërriti Ademi, pa që Sula po rrinte shtrirë dhe urdhëroi që të ngrihej. Ai u ngrit, mori karron e dorës dhe e shtyu me mundim. Kur arriti te vendi i shkarkimit, fuqitë iu prenë dhe ra në pirgun me dhé. Karrot e tjera, që vini nga prapa, ndaluan. – “Çfarë prisni, shkarkojini karrot”! – urdhëroi togeri. Asnjë nuk lëvizi. Allaman Hysa, miku i Sulës, doli përpara dhe tha: - “Ai asht vëllau ynë. Ne nuk e mbulojmë vëllanë tonë”! Togeri u xhindos. Dha urdhër të lidhnin Allamanin. Pastaj u foli të tjerëve: - “Vazhdoni!”. Asnjë nuk lëvizi. Si e pa që çdo urdhër ishte i kotë, shkoi e mori një skuadër me të dënuar ordinerë.
-Mbulojeni me dhé,- u dha urdhër. Ata filluan të hidhnin karrot e dheut mbi trupin e drobitur të Sulës. Dëgjoheshin rënkimet e tij të mbytura. Kjo punë vazhdoi deri në mbrëmje...” . (121).
Kjo skenë ka si protagonist një sadist dhe zgjon përsiatje:
Kjo bishë, paçka se është njeri, zgjon refleksione të thershme dhe ka aktualitet për problemin e dosjeve: A ka bërë një krim ky njeri? Apo krimi i tij abrogohet, për shkak të kohës së gjatë nga ngjarja makabre. A jemi në shkelje flagrante të Konventës së Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, në një rast si ky? A ka kushtetutë në një vend demokratik që të pafajësojë kriminelë të tillë dhe të dalë kundër marrëveshjes së Helsinkit? Aq më tepër: A ndahemi nga e kaluara, kur njerëz si toger Ademi të kenë, madje,  edhe vende të rëndësishme në një sistem demokratik të mirëfilltë, siç mëton të jetë (apo të bëhet, më saktësisht) vendi ynë, më mizori gjatë diktaturës komuniste  të Europës Lindore? Ka gjasa që tipa si operativ Axhemi, (në krye të këtij shkrimi) dhe si toger Ademi, për hir të këtij përkushtimi gjakatar në zbatimin barbar të luftës së klasave, të ledhatuar nga diktatura që lamë pas, të jenë stimuluar dhe graduar nga kjo diktaturë, e të jenë çuar në fakultetin e drejtësisë, e të jenë bërë edhe prokurorë, hetues, gjyqtarë me shkollë, pavarësisht nga njohuritë e tyre të një niveli më se të rëndomtë, siç ishte edhe shkollimi i diktatorit, në përshkrimin e saktë të Nako Spirut. A nuk do të ishte një farsë tragjikomike që njerëz të tillë të jenë, tashmë, në poste të rëndësishme dhe familjarët apo të afërmit e Sulejman Dizdarit apo të Jani Ikonomit, ose të Bejo Vrazhdos të venë e t’u luten për një shkresë, apo për një të drejtë, nëse janë gjyqtarë?! A nuk është një provokim që prokurorë të këtij kallëpi të vihen në gjyqe të një rëndësie të veçantë, që të kontestohen natyrshëm pastaj, për të shtuar më tej debatet politike. Akuzuesit, natyrisht, do të ishin fanatikë të politizuar: jeniçerë që nuk durojnë dot të presin vendimet zyrtare, por i shpallin vetë sentencat, si në rastin e të ndjerit Trabicka, çështja e të cilit u përcaktua zyrtarisht si një aksident, ndërsa kërkohej në mënyrë të ethshme që të gjendej domosdoshmërisht një atentator!

***

Pjesa më interesante, veprimtaria e një të mituri për të përgatitur, me dy shokë si bashkëpunues, trakte kundër pushtetit e për t’i shpërndarë ato, i lihet lexuesit për vlerësim.
Por  nuk më jepet të përfundoj, pa thënë diçka që e quaj të rëndësishme: Ana letrare e veprës, vlerat e veprës në këtë kahe. Stili është i ngjeshur. Frazat, gjithmonë të shkurtra.  Ndihet, hap pas hapi, kultura e gjerë letrare e autorit. Shtjellimi jepet në mënyrë të përkorë. Shmangen fjalët e huaja. Autori nuk përdor fjalë kumbuese dhe neologjizma të sajuara. Këto i shohim shpesh në disa vepra të ashtuquajtura moderniste. Libri i Reshatit të tërheq. Nuk të bëhet ta lëshosh nga dora. Falë stilit të tij të rrjedhshëm, bëhet i besueshëm në çdo faqe të tij. Lexuesi beson në sinqeritetin e këtyre kujtimeve. Dashuria e tij e hershme për Nerin, është e pastër, e dëlirë, platonike. Ky pasion e shoqëron këtë vepër nga fillim gjer në fund. I jep kujtimeve një hijeshi të pazakontë. E mbërthen lexuesin te faqet e këtij libri, që është i rrallë për kah sinqeriteti i një dashurie të shprehur vetëm me sy, me shenja, me përflakjen e fytyrave, me interesimin e protagonistëve të kësaj erotike të llojit kristalin. Dashuria e ndërsjellë bëhet e dukshme kur jeta e kujtimeshkruesit merr një rrjedhë të re, të dhimbshme: burgosjen. Arrestimi pret në mes një shkëmbim ndjenjash, gjithmonë në rritje. Por secili e ka në shpirt dashurinë qiellore. Të rinjtë kanë nevojë edhe për përshkrimet e një zjarri shpirtëror  të tillë, në marrëdhëniet djem-vajza, që të kujton kohët e romantizmit të Verterit të Gëtes dhe të Gracielës së Lamartinit.

G. 55