Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dëshmia - Ja si e fsheha Salman Rushdie në ditët e dënimit me vdekje

| E diele, 01.03.2009, 11:57 AM |


Nga Gazeta 55
 
Në ditën e Shën Valentinit të vitit 1989, presidenti iranian lajmëroi fatwa-n, dënimin me vdekje për shkrimtarin Salman Rushdie, me akuzën: fajtor për "blasfemi" në romanin e tij "vargjet satanike". Tani, 20 vjet pas atij dënimi me vdekje që qeveria e Teheranit sapo e ka konfirmuar, shfaqen disa detaje të reja për ditët e para pas dhënies së këtij dënimi, para se shkrimtari të merrej në dorëzim nga Scotland Yard britanik e të niste për të një rrugë e gjatë në mërgim, duke u fshehur, duke jetuar i shoqëruar me eskortë, pa pasur mundësi të jetonte një jetë normale. Ka qenë miku i tij, shkrimtari Ian McEwan, i cili ka bërë të ditura disa detaje prej asaj periudhe të jetës së kolegut të tij indian. Menjëherë pas bërjes së ditur të dënimit me vdekje, Rushdie u fsheh me të, në shtëpinë pranë kodrave Cotswold, në juglindje të Anglisë. "Nuk do ta harroj asnjëherë , ka thënë McEwan. Mëngjesin pasardhës na doli gjumi shpejt. Atij i duhej të merrte veten, të ecte përpara, por gjendej në një moment të tmerrshëm. Ndodheshim në tavolinën e kuzhinës, duke përgatitur nga një tost e kafe ndërsa dëgjonim edicionet e lajmeve të orës 8 në BBC. Ai ishte krah meje, dhe ishte lajm i parë i atij edicioni. Më vinte të qaja, por nuk doja që ai ta kuptonte këtë". Shën Valentini i vitit 1989 shënjoi edhe datën e përplasjes së parë me "islamizmin" për shkrimtarin Ian McEwan. Ngjarja në fjalë është bërë e ditur nga Daniel Zalewski, autor i një profili të gjatë e të detajuar të shkrimtarit që do të dalë në numrin e ri të "New Yorker". Rreth dy javë më parë, ministri i Punëve të Jashtme iraniane, Hassan Qashavi, deklaroi se dënimi me vdekje është ende i vlefshëm për shkrimtarin Salman Rushdie. Vendimi i marrë prej presidentit të asaj kohe bëri që të prisheshin marrëdhëniet diplomatike mes Iranit dhe Britanisë së Madhe. Për këtë arsye, Rushdie, u detyrua të kërkonte shpëtim në Angli ku prej asaj kohe jeton në mbrojtje të vazhdueshme. Përkthyesi japonez i romanit "Vargjet satanike", u vra ndërsa përkthyesi italian mbeti i plagosur.