Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ermira Bodinaku: Muzikën popullore e këndoj me dashuri

| E marte, 05.09.2006, 04:31 PM |


Ermira Bodinaku
Flet këngëtarja e njohur e muzikës qytetare popullore e Shqipërisë së Mesme, Ermira Bodinaku. Ajo tregon për dashurinë që ka për muzikën popullore dhe për cilësitë dhe karakteristikat më të mira të kësaj kënge të vendlindjes së saj. Këngëtarja e cila ka qenë edhe specialiste e muzikës popullore kujton me nostalgji vitet kur punonte si redaktore dhe gazetare e muzikës qytetare popullore shqiptare në Radio Tirana. Ermira Bodinaku shprehet se, “Këngën e Shqipërisë së mesme e dua dhe e këndoj me dashuri sepse janë këngët me të cilat jam rritur. Jam rritur duke dëgjuar gjyshen time e cila këndonte nëpër shtëpi me zërin e saj të ëmbël, të ngrohtë. Melizmat, ngjyrat dhe lulet e këngës popullore qytetare të Tiranës i kam dëgjuar nga gjyshja ime”.

-Çfarë të reje sjell ky album i ri për Ermira Bodinakun?
Me këtë album sjell Ermirën, cilësitë dhe karakteristikat më të mira të këngës së vendlindjes sime bashkangjitur me vlerat e vokalit tim. Mendoj se jam brenda shijes së bashkëqytetarëve të mi dhe se edhe ata do të japin vlerësimin e tyre për këtë album.
-Në albumin tuaj përveç këngëve të përpunuara ka edhe krijime të reja?
Po. Kam edhe krijime të reja si kënga, “Sa lezet vallja që ka”, “Mos e mbaj mendjen tek unë”, “Lum kush dashuron”. Albumi im mban 11 këngë dhe tetë prej tyre janë përpunime.
-Ermira Bodinaku sjell Shqipërinë e mesme në këtë album…
Po. Kam sjellë këngën e pastër e Shqipërisë së Mesme. Në këtë album janë këngët popullore të vjetra të Shqipërisë së Mesme.
-Ka materiale të trevave të tjera në këtë album?
Jo. Nuk kam materiale të trevave të tjera, janë vetëm këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme.
-Këndoni edhe këngë të trevave të tjera, të jugut apo serenata?
Po. Këndoj edhe këngë të jugut dhe të gjitha këngët popullore qytetare shqiptare. I dashuroj të gjitha. Shqipërinë e mesme në veçanti sepse jam tiranase, por këndoj bukur edhe këngën e jugut.
-Po me serenatat korçare ka ndonjë lidhje Ermira Bodinaku?
Jo, nuk kam asnjë lidhje thjeshtë hyjnë në preferencat e mia. Më pëlqejnë shumë edhe serenatat.
-Me cilin keni bashkëpunuar për realizimin e këtij albumi?
Për të realizuar këtë album kam bashkëpunuar me Fatmir Lelën. Gjithçka është realizuar nga ai së bashku me mua.
-Po për tekstet e këngëve kush ka punuar?
Edhe tekstet janë një bashkëpunim i yni. Edhe unë shkruaj pak edhe Fatmiri.
-Cilat janë këngët e Shqipërisë së mesme që ju sillni në këtë album?
Këngën e Shqipërisë së mesme e dua dhe e këndoj me dashuri sepse janë këngët me të cilat jam rritur. Jam rritur duke dëgjuar gjyshen time e cila këndonte nëpër shtëpi me zërin e saj të ëmbël, të ngrohtë. Melizmat, ngjyrat dhe lulet e këngës popullore qytetare të Tiranës i kam dëgjuar nga gjyshja ime.
-Gjyshja juaj ka qenë këngëtare?
Jo. Ajo thjesht e kishte pasion këngën dhe këndonte nëpër shtëpi. Kjo ka ndikuar tek unë. Më pas kam ndjekur me vëmendje mjeshtrat e këngës popullore qytetare si, Fitnete Rexha, Hasa Zyberi, më pas dhe Zeliha Sina, të cilët kanë qenë shembull frymëzimi për mua.
-Çfarë ju ka tërhequr më shumë nga këngëtarja e madhe Zeliha Sina?
Zëri i saj dhe interpretimi. Ajo e ka interpretuar shumë bukur këngën e Shqipërisë së mesme. Ajo i ka rritur vlerat e këngës popullore qytetare. Kënga qytetare e Shqipërisë së mesme mund të quhen arioza të vogla, nuk është thjesht një këngë.
-Sapo ka dalë albumi juaj i ri. Mendoni e keni nxjerrë vonë këtë album?
Ashtu është në fakt, ky album ka ardhur pak vonë por më mirë vonë se sa kurrë.
-Mendoni se është e vështirë përshtatesh shijeve të publikut sepse në Shqipëri ka një dyndje këngëtarësh dhe albumesh?
Nuk them se është e vështirë, por ky album ka ardhur vonë për shkak të neglizhencës time. Gjatë këtyre viteve unë kam qenë shumë aktive në veprimtari artistike dhe nuk kam pushuar as një ditë së kënduari. Nuk kam patur asnjë shkëputje nga publiku, për asnjë çast. Kam kënduar edhe në koncerte në Shqipëri dhe jashtë saj.
-Si vendosët të realizonit këtë album?
Në fakt ka qenë një shtysë e Fatmir Lelës. Më tha se, “shumë këngëtarë kanë nxjerrë albume, pse ti nuk po nxjerr një album?”.
-Materialet e albumit janë përzgjedhur nga Fatmiri apo nga të dy?
Të dy bashkë kemi punuar. Natyrisht duke iu përshtatur edhe vokalit tim. Jemi përpjekur të përzgjedhim edhe këngë të cilat nuk janë konsumuar shumë në tregun muzikor, këngë që kanë vlerat e tyre artistike, këngë që më kanë pëlqyer mua dhe kam patur për zemër dhe kështu u realizua albumi.
-Përveç se jeni këngëtare ju keni qenë edhe specialiste e këngës popullore në Radio Tirana. Çfarë kujtoni nga kjo përvojë?
E kujtoj me shumë nostalgji radion sepse kam punuar shumë vite atje. Kam qenë gazetare dhe redaktore e muzikës popullore në Radio Tirana. Atë profesion e kam punuar me plot dashuri ashtu si këndoj këngët me shumë dashuri. Kam realizuar disa emisione muzikor. Unë kam përcjellë vlerat e muzikës popullore qytetare shqiptare në vite. Kam realizuar mjaft emisione të bukura ku kanë qenë të ftuar mjaft specialist nga specialistët më të mirë të muzikës shqiptare si, Çesk Zadeja, Tish Daija që tani nuk jetojnë më. Këngëtarët më të njohur të muzikës popullore qytetare shqiptare i kam patur të ftuar në emisionet e mia.
-Ruhen këto emisione në arkivin tuaj?
Të gjitha këto emisione ruhen në arkiv.
-Do të kthehet më Ermira Bodinaku në profesionin e redaktores së muzikës popullore në RTSH?
Që ditën e parë që jam larguar nga radio gjithmonë kam menduar se do të kthehem aty. Zemrën e kam përsëri aty.
-Në cilat shtete keni qenë e ftuar për koncerte dhe ku jeni pritur më mirë?
Kam qenë në Danimarkë, në Suedi, në Zvicër kam qenë disa herë, në Kosovë, në Maqedoni etj. Jam pritur shumë mirë në këto aktivitete.
-Keni kënduar ndonjëherë këngë të trevave të tjera?
Po i kam kënduar të gjitha këngët, të Shqipërisë së mesme, të jugut, të veriut, këngën kosovare, serenatat korçare, të gjitha.
-Ju i këndoni shumë mirë serenatat korçare, por në këtë album nuk keni asnjë. Do të sjelli Ermira Bodinaku një album me serenata korçare?
Patjetër. Kam ndërmend që ndoshta më vonë do të realizoj një album me serenata.
-Cila është arsyeja që ju pëlqejnë serenatat?
Serenatat kanë qenë një simpati e hershme e imja e cila erdhi duke u rritur pas përfundimit të konservatorit. Më pëlqejnë sepse brenda tyre përmbajnë melodi.
-Ju jeni një familje artistësh. Bashkëshorti juaj është një instrumentist i cili prej vitesh është pjesë e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptarë. Vajza juaj Erga është një talent i ri në muzikë. Si ndiheni për këtë fakt?
Ndihem mjaft mirë dhe mjaft komode. Tre artistë në familje është mjaft mirë. Bashkëshorti im është trompisti i parë i orkestrës së Radio Televizionit, Erga është pianiste, mbaroi Liceun Artistik, është një pianiste e shkëlqyer, por ajo ka edhe dëshirë të këndoi. Ajo do të shkoi në Milano së shpejti, në një specializim në një nga konservatorët më prestigjioz të Italisë, “Arcobalenno”, do të specializohet si këngëtare e muzikës moderne.
-Këndon Erga këngë popullore?
Po, këndoj unë këndon edhe ajo bashkë me mua. Ajo i këndon të gjitha por më shumë pëlqen rrymat moderne.
-Shumë këngëtarë kanë hedhur albume në treg. E ndieni konkurrencën?
Çdo këngëtar ka individualitetin e vet dhe shpreh vlerat e veta. Ambicie nuk kam absolutisht madje kur një këngë këndohet bukur e dëgjoj me mjaft dashuri.
Sot