E enjte, 25.04.2024, 10:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me shkrimtarin Mexhid Mehmeti

E shtune, 28.02.2009, 08:35 PM


LETËRSIA - SHPREHJE E  NDJESHMËRISË, PËRJETIMEVE...

Intervistoi Bilall MALIQI

Romani “Shtatë ditë pas vdekjes”, i cili mori çmimin “Hivzi Sulejmani” nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës si vepra më e mirë në prozë për vitin 2006, nuk ishte shkas për të hapur bisedën me shkrmtarin e njohur Mexhid Mehmeti. Arsye për këtë bisedë nuk ishin as tetëmbëdhjetë veprat e botuara gjer më tani të këtij autori, të cilat u promovuan në panairin e vjemë të librit në Gjilan, as qindëra shkrime kritike e publicistike për vepra e ngjarje të ndryshme, madje as publikimi i romanit të tij më të ri “Furtuna”, por vëllimi poetik “Përtej harrimit” që kohë më parë e pa dritën e botimit, në shenjë të 60 – vjetorit të lindjes.
 Spontanisht biseda u zgjerua edhe në rrafshe të tjera interesimesh.

Të nisim nga fillimet tuaja letrare. Na thuani kur është përballur me të keqen vetëdijshëm poeti dhe njeriu Mexhid Mehmeti?

-Fillimet... Hë, kanë kaluar që atëherë shumë dekada e vite. Megjithëse si fillim vazhdoj ta konsideroj motin e largët 1965, pikërisht atëherë kur në “Zani i rinisë” botova poezinë “I  tretuni”, të cilën ia pata dedikuar personit më të dashur në jetë, nënës sime, zemra e së cilës ka katër vjet e gjysmë që ka pushuar së rrahuri. Ndërkaq, të keqen t'ju them që e kam kuptuar që kur kam qenë nxënës. Duke qenë edhe i ri edhe shumë i dhënë pas poezisë, sidomos pas asaj poezie që më ofronin rilindësit, unë dhe shumë bashkmoshatarë të mi nisëm të ëndërronim për lirinë tonë që do të ishte e vërtetë vetëm nëse do të ishim bashkë si komb. Atëbotë, kur ngrije shikimin nga hapësirat poetike dhe shihje botën përreth, pashmangshëm hasje në realitet të vrazhdë, që ishte kundër njerëzores, kombëtares... Në këtë kontekst, duke i shprehur ëndërrat e mia, dhe duke u përpjekur t'i realizoja ato, për mua, në njëfarë mënyre, nisën edhe peripecitë jetësore, përndjekjet...

Vazhdimisht keni qenë i pranishëm në shtypin e kohës, derisa më 1977 arritët të botonit përmbldhjen e parë poetike të titulluar “Klithje e përmallim”. Sa ishte e mundimshme rruga nëpër të cilën keni kaluar duke e marrë parasysh faktin se keni krijuar në Preshevë, pra në provincë, larg qendrës, larg qarqeve kulturore?

-Ashtu është, që nga botimi i poezisë së parë nuk kam rreshtur së botuari shkrimet e mia si në poezi ashtu edhe në prozë, duke bashkëpunuar gati me të gjitha gazetat dhe revistat që dilnin tek ne në gjuhën shqipe. Bashkëpunim të tillë me periodikun shqip e kam edhe sot e këtë ditë, përkundër faktit se angazhimi i tillë nuk shpaguhet materialisht. Megjithëse për mua asnjëherë nuk ka qenë me rëndësi përfitimi material, sepse përherë kam pasur dëshirë t'i botoj shkrimet, pra të botoj sa më tepër edhe pse jeta në periferi më ka penguar shumë.

Çfarë motivesh e preokupojnë poezinë tuaj, jo vetëm atë të vëllimit të parë?

-Është thënë edhe më herët: Poezia është shprehje e ndjeshmërisë dhe e përjetimeve. Koha përherë më ka ofruar ndjenja dhe përjetime për lirikën. Që nga libri i parë “Klithje e përmallim” të botuar para tridhjetë vitesh, nuk kam dëshiruar ta dëboj ndjenjën e përmallimit dhe të këndimit metaforik edhe në përmbledhjet e tjera me poezi (“Frymëmarrje”, “Peizazh i ngrirë”, “Rikthim dhembjeje”, “Pikë në zemër” si dhe në poemën “Presheva”). Jehona e këtij përmallimi dhe e kësaj klithjeje, sikundër shprehet për poezinë time kritiku Prend Buzhala, dëgjohet nëpër të gjitha veprat e mia poetike, por me tone më të zbutura, më të disciplinuara, të ngarkuara me barrën e kuptimeve figurative të fjalës e të strukturuar me ritme të reja të thënies së dendur poetike e të trajtës së shkurtër lirike.
 Jam përpjekur t'i përmbahem dy parimeve të poezisë lirike: të lirikës si zhanër që paraqet ekspresionin personal të ndjenjave si dhe të prirjes për ta intelektualizuar, për ta modernizuar e për ta ngritur në shkallë më të lartë meditimin lirik. Duke u gjendur në mesin e konceptimeve të tilla kundërthënëse, nuk kam denjuar ta gjej drejtpeshimin midis emocionit dhe përsiatjeve, përjetimit dhe meditimit, gjithnjë duke e mbajtur anën e artit të mirëfilltë, duke pretenduar lexuesin e zgjedhur, atë elitar...
 Poezinë time e preokupojnë motive e tema nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato refleksive, sociale, erotike, përkushtuese, të tabanit kombëtar etj. Në këtë rrafsh, dua të them, kam ndjerë nevojë për t'i aktualizuar e për t'i estetizuar gjërat, sepse ajo që është e largët në kohëhapësirë, është edhe më e hijshme, kurse ajo që e përjetojmë në çastin e të tashmes, është aq e egër, e hidhur, është ndjenjë aq e zbrazët... Shi për këtë, poeti dëshiron të arratiset diku. “Poeti është një emigrant i përjetshëm”, thotë Cvetajeva. Porse poeti emigron - ku tjetër, - pos në universin e së bukurës, thotë Prend Buzhala. 

A ka të bëjë kjo edhe me vëllimin poetik “Përtej harrimit”, që sapo është botuar?

-Po. Librin “Përtej harrimit” e kam botuar në shenjë të gjashtëdhjetëvjetorit tim të lindjes dhe është një vepër e sajuar me përzgjedhjen e poezive të gjashtë veprave poetike të botuara më parë. Nga gjashtë librat e deritashëm poetikë, pra është krijuar libri i shtatë të cilin e pagëzova “Përtej harrimit”, mbase jo edhe pa arësye. Libri është një botim luksoz, me lidhje të fortë dhe me letër kualitative. Në të, veç poezive të përzgjedhura me kujdes nga poeti i mirënjohur Qerim Ujkani, redakturës së Sabit Rrustemit e përkujdesjes artistike të botuesit Xhemë Karadaku, librin e shoqëron një parathënie shterruese prej rreth dyzetë faqesh të kritikut të njohur Prend Buzhala, të cilëve u jamë shumë mirënjohës për punën që kanë bërë. Njëlloj meriton të falënderohet edhe bashkëvendësi im Fejzulla Mustafa, i cili pa hezitim hoqi shpenzimet e botimit të kësaj vepreje prej 330 faqesh. Të theksoj edhe atë se librin e shoqëron edhe biobibliografia e gjerë e autorit, e cila edhe pse jo e plotë e bën më komplete veprën në fjalë.
 
“Pallati me yje” është një poemë për fëmijë dhe më sa dijmë deri tash nuk keni publikuar asnjë vepër tjetër për më të vegjëlit. Ç' ndodhi me ju? Mos keni ndërmend tash e tutje të vazhdoni më me ngulm në këtë rrafsh, apo...?

-Në popull thuhet: “Mosha e pleqërisë i gjason shumë moshës së fëmijërisë”. Edhe unë si duket kam filluar të fëmijërohem, shenjë kjo e pleqërisë, megjithëse konturat e kësaj poeme janë vënë qysh në vitin 1986. Se a do të vazhdoj edhe më të shkruaj për fëmijë nuk e di. Varet nga frymëzimi dhe sa do të fëmijërohem në të ardhmen?! Për mua është me rëndësi se edhe kjo vepër është pritur mirë si nga kritika ashtu edhe nga lexuesit më të vegjël. Poema fillon me një prolog dystrofësh katërvargëshe dhe përfundon me një epilog tristrofësh. Brenda prologut dhe epilogut radhiten shtatë pjesë, që përbëjnë subjektin e poemës si tërësi. Përmes kësaj poeme, siç shprehet kritiku Ejup Idrizi - Ceraja, synohet largimi i veseve të këqia nga fëmijët si aventurat e ndryshme të mbruajtura me imagjinatë boshe, mendjemadhësia, mendjelehtësia, mburrja e krenaria pa mbulesë, në një anë dhe të shtohet dashuria në mendjet e zemrat e tyre të njoma për punë të mira, të ndershme, të devotshme e bëmirëse...

Çka mund të na thoni për vëllimin tuaj me drama “Monstrumiada”? A i takojnë ato zhanrit të dramave tradicionale, moderne, të absurdit apo...?

-Tetralogjia ime “Monstrumiada” përbëhet nga katër drama të krijuara në periudha të ndryshme kohore. Tri dramat e para “Zibardhët”, “Monstrumiada” dhe “Ëndërroj për një ditë” janë njëlloj trilogjie që kanë ngjashmëri si në mënyrën e të shkruarit, në stil etj., ashtu edhe  në temë, mënyrë të të rrëfyerit, personazhe etj. Ndërkaq drame e fundit e kësaj tetralogjie “Vdekje e hijshme” është dramatizim i baladës së njohur “Hasan Aga dhe Çika Potureshë”, që sipas disa të dhënave e ka prejardhjen nga Kosova Lindore, pikërisht nga fshati Zhunicë që është edhe vendlindja ime dhe, kujtoj unë, pavarësisht se akoma nuk është vënë në skenë, është një “Romeo e Gjulieta” shqiptare dhe është mëkat që edhe sot e këtë ditë ka mbetur në letër, pa i shërbyer qëllimit për të cilin është dedikuaer. Kur jemi tek inskenimi i dramave të mia, mund t'ju them se vetëm dy sish, “Zibardhët” dhe “Ëndërroj për një ditë”, janë inskenuar nga Teatri Amator “Sandër Prosi” i Mitrovicës. Për këtë duhet t'i jem mirënjohës entuziastit dhe njohësit të mirë të teatrit zotëri Halit Baranit, me angazhimin e të cilit këto dy drama të mia jo vetëm që u shfaqën në disa qendra të Kosovës , por morën pjesë edhe në festivale të dramave... Përndryshe, mund të them pa modesti, se për dramat e mia janë shprehur tepër mirë shumë kritikë, teatrologë e njohës të dramës sikundër janë Dr. Nebi Islami, Haqif Mulliqi, Prend Buzhala, Jakup Ceraja etj. Sa i përket zhanrit, kujtoj se nga të gjithat ka nga pak, por më së shumti janë të pleksura elemente të modernes. Kemi të bëjmë me një shtresë letrare, e cila në letërsinë moderne përkufizohet si njëfarë kthimi kah vetja, si përfytyrim i vetëvetes dhe i vetëzbërthimit teoriko-estetik. Në mënyrë të tillë zbulohen procedimet letrare të veprës, kurse teknologjia e krijimit do të bëhet objekt për meditime brenda tekstit letrar.

Megjithëse merreni me shumë gjini letrare, duket se prozën e keni më për zemër. A është kjo e vërtetë?

-Jo se e kam më shumë për zemër, por kohëve të fundit, me pak përjashtime, jam duke u marrë kryesisht me këtë zhanër, sepse më në fund jam bindur se koha po kalon shumë shpejt, në mënyrë marramendëse, dhe njeriu, thjeshtë, nuk ka kohë për të gjitha. Jeta është dinamizuar tejmase dhe njeriu, në cilëndo lëmi qoftë, veçmas në art e letërsi, duhet profilizuar. Mbase është dashur më herët të gjendet “fahu” në mënyrë që edhe sukseset të jenë më evidente.
 Në fillimet e para të prozës së shkurtër, vëllimeve me tregime “Lumja”, të botuar qysh më 1982, pastaj “Puthja vrastare”, novelave “Zgafella e hutinit” dhe “Hija e korbit”, shkrimet e mia në të shumtën e rasteve dokumentojnë kohë e ngjarje, që nga demonstratat e 68-shit e këndej deri në fillimet e luftës së fundit në Kosovë. Këto shkrime, sipas Berat Armagedonit, kanë një pozicionim në një histori të gërshetimit real/fantastik, ashtu sikundër ndodhë më vonë edhe tek proza ime e gjatë. Në këtë lloj proze ku pleksen realja me arealen e dyfishtë, sidomos  në romanin “Shtatë ditë pas vdekjes”, të botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, e me të cilin mora çmimin “Hivzi Sulejmani” për prozën më të mirë në vitin 2006, mëtoj të bëj një përsiatje filozofike, të thellë, mbi perden që ndan dhe bashkon jetën e vdekjen. Mbi lëndoren horizontale e vdektare dhe mbi shpirtëroren vertikale e të përjetshme, sikundër thuhet në arsyetimin e jurisë profesionale të çmimit “Hivzi Sulejmani”. Këto botë të papajtueshme e përjashtuese nuk do të mund t'i ndërlidhte asnjë formë e dijes racionale. Megjithëse, kujtoj unë, është e mundur t'i ndërlidhë sikundër në këtë rast, vetëm dija më e aftë e njohur deri sot – imagjinata krijuese, gjë të cilën jam përpjekur ta inkorporoj edhe në këtë vepër.

Kohë më parë, pa dritën romani juaj më i ri “Furtuna”, i cili u promovua në takimet e vjeme letrare “Hivzi Sulejmani”, bashkë me romanin e Adem Demaçit “Dashuria kuantike e filanit” që mori çmimin “Pjetër Bogdani”. Çka mund të na thuani për këtë?

-Po, romani im “Furtuna” u promovua në këtë manifestim tradicional letrar, më të madhin dhe më prestigjiozin që e ka Kosova, dhe ndjehem i lumtur për këtë. Jo vetëm se Adem Demaçi është figurë emblematike e popullit tonë, por edhe nga fakti se i çmoj shumë shkrimet e tija. Ndërkaq, sa i përket romanit tim “Furtuna”, për të cilin referoi Dr. Hysen Matoshi, kujtoj se është një vepër e ime e radhës e cila, mbase do të pëlqehet edhe nga lexuesit, sepse në këtë kohë prurjesh jo gjithaq të lakmueshme të prozës sonë, do të përbëjë një kontribut modest timin në këtë lëmi.
 Romani ndërtohet mbi parimin e ambiguitetit ndërmjet karakterit të personazhit të emërtuar si Furtuna, përkatësisht diminutivit Tuna, nga njëra anë dhe domethënies së kësaj fjale, e cila sipas Dr. Hysen Matoshit, në aspektin e përshkrimit të mardhënieve shoqërore, shënon një kohë të zhvillimeve të vrullshme, të stuhishme, që rëndom përmbyllet me ndryshime të mëdha në jetën e pjesëtarëve të akcilës shoqëri. Përgjithësisht në këtë roman, Furtuna si personazh dhe furtuna si situatë shoqërore, qëndrojnë në mardhënie të padiskutueshme paradigmatike me veprën. Mund të pohohet lirisht se paradigma ambiguitive, e paraqitur si Furtunë, me të dyja trajtat e saj, ka përvijuar rrëfimin paralel si procedim të autorit. Të ndodhurat e këtij romani zhvillohen në dy linja të veçanta, ndërsa interferimet janë pothuajse të parëndësishme dhe të tilla që nuk e cenojnë mvetësinë e secilës linjë narrative. Në njërën linjë qëndron rrëfimi për Furtunën, të dashurën e personazhit narrator, për dashurinë, poezinë, artin, përgjithësisht për të bukurën; teksa në linjën tjetër zë vend rrëfimi për furtunën shoqërore, e cila kundruar në kontekstin real shoqëror ndërlidhet me luftën e fundit në këto hapësira, me vuajtjet, me vdekjet, frikën, sakrificën...

Shoh se për shumëçka kemi çka të flasim, mirëpo në këto kushte është vështirë të zhvillohet “intervista totale”, ngjashëm me intervistën që zhvillohet në romanin “Furtuna”... Për fund a mund të na thuani çka keni nëpër duar dhe a mund të presim më shpejt ndonjë vepër të re nga pena juaj?

-Zakonisht nuk flas për planet, por meqë më përmendët “intervistën totale” të cilës i kam kushtuar aq shumë vend në romanin tim, më duhet të jem më “transparent” me ju. Në dorëshkrim kam edhe katër romane, një vëllim me novela, një me reçensione, vështrime kritike etj., pastaj nëpër duar kam edhe një monografi, një libër me shkrime publicistike... Shpresoj të më shërbejë shëndeti dhe t'ia dal t'i botoj të gjitha. Sepse, sikundër dihet, kanë ardhur kohë të vështira për librin. Ai pak lexohet e aq më pak blihet... Është vështirë të gjendet botuesi. Edhe më vështirë të gjendet donatori...

BIOGRAFIA     

Mexhid Mehmeti u lind më 1948 në Zhunicë të Preshevës. Fakultetin filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, e kreu në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Një kohë punoi në arsim, ndërsa nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë, ishte korrespondent nga Kosova Lindore për gazetën “Rilindja” - “Bujku”. Pas luftës deri në shuarjen e së përditshmes “Rilindja” kreu detyrën e redaktorit në rubrikën e kulturës. Është prezantuar në disa antologji poetike, tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip e në gjuhë të tjera.
Është fitues i disa çmimeve letrare në poezi, si dhe të çmimit “Hivzi Sulejmani” të LSHK-së për prozën më të mirë të vitit 2006 me romanin “Shtatë ditë pas vdekjes”. Aktualisht është anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Botoi: “Klithje e përmallim” (poezi) - 1977, “Lumja” (tregime) - 1982, “Frymëmarrje” (poezi) - 1984, “Peizazh i ngrirë” (poezi) - 1994, “Monstrumiada” (dramat: “Zibardhët”, “Monstrumiada”, “Ëndërroj për një ditë” dhe “Vdekje e hijshme”) - 1998, “Presheva” (poemë) - 1998, “Rikthim dhembjeje” (poezi) - 1998, “Puthje vrastare” (tregime) - 2003, “Hija e korbit” (novelat: “Zgafella hutinit” dhe “Hija e korbit”) - 2005, “Pikë në zemër” (poezi) - 2005, “Pallati me yje” (poemë për fëmijë) - 2006, “Shtatë ditë pas vdekjes” (roman) – 2006, “Furtuna” (roman) – 2007 dhe “Përtej harrimit” (poezi të zgjedhura) - 2008. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora