E merkure, 13.11.2019, 09:03 PM (GMT)

Aktualitet » Bota

FIAT - ANJELI/Historia e një binomi shumë të suksesshëm

E shtune, 28.02.2009, 10:20 AM


Giovanni Agnelli
Giovanni Agnelli
Nga shumëkush konsiderohet e vetmja dinasti e vërtetë italiane. Një familje industriale që ka ditur të ketë epërsi absolute

Nga shumëkush konsiderohet e vetmja dinasti e vërtetë italiane. Një familje industriale që ka ditur të zërë një vend epërsie absolute jo vetëm në ekonominë dhe shoqërinë e Italisë, por edhe në nivel botëror, duke bashkuar një mentalitet evropian sipërmarrjeje me një dashuri dhe stil tipik të traditës artizanale të Italisë. Meritë mbi të gjitha e krijuetsit të FIAT, Xhovani Anjeli.

Origjina e familjes Anjeli është në zemër të Piemontes, në rajonin e Rakonixhit që, që në shekujt e parë të epokës moderne ka qenë bastioni i Savoja-Açajave, si dhe kishte spikatur si një qendër e rëndësishme e industrisë së mëndafshit. Ishte pikërisht kultivimi i manave, ushqimi i vetëm i krimbave të mëndafshit që i siguruan familjes Anjeli kapitalet e nevojshme për të investuar në veprimtari të tjera tregtare. Nëse bazohemi në disa dokumente noterialë që i përkasin gjysmës së parë të tetëqindës, ishte pikërisht stërgjyshi i parë i familjes, Xhuzepe Francesko Anjeli, i lindur në 1789, që u përpoq i pari të shfrytëzojë paratë e veta e t'i hedhë për vepimtari jashtë bujqësisë. Në qershor të vitit 1839, ai firmosi një kontratë për ndarje të aksioneve në një biznes pambuku me qendër në Napoli, bashkë me 17 ortakë të tjerë.

Në vitin 1853, sërish Xhuzepe Francesko bleu në fshatin e vogël të Vilar Perosa pranë Pinerolos një vilë të mrekullueshme të shekullit XVII, që më parë u përkistëve kontëve Pikon. Zgjedhja e Vilar Perosa, ku u transferuan Xhuzepe Francesko dhe familja e tij, nuk ishte rastësore: zona pranë e Val Kisones ishte e mbushur me magazina. Pikërisht në shtëpinë vilareze lindi në 13 gusht 1866, në po atë vit kur vdiq Xhuzepe Francesko, nipi i tij Xhovani Francesko, djali i Eduardo Anjelit dhe Aniketa Frisetit, si dhe themeluesi i ardhshëm i FIAT.

I mbetur jetim nga i ati që në moshën 5-vjeçare, Xhovani nisi studimet klasikë duke frekuentuar kolegjin prestigjoz torinoz të "San Xhuzepes" dhe më pas i hyri karrierës ushtarake, siç ndodhte shpesh në familjet e borgjezisë së lartë në piemonte. Nga viti 1884 deri në 1886, i riu Anjeli qëndroi në Shkollën Ushtarake të Modenës prej nga doli me gradën Oficer i Kavalerisë.

Pas viteve të studimeve, Xhovani u rikthye në Vilar Peroza, aty ku Anjelët kishin një rol të madh jo vetëm sipërmarrës, por edhe politik. Në vitin 1895, Xhovani mori detyrën e kryebashkiakut të qytezës në provincën e Torinos, ashtu si kish ndodhur edhe me të atin Eduardo 30 vjet më herët. Në vitin 1896, ai vendos të transferohet në Torino, ku filloi të merret me mekanikë, pasioni i tij që në kohën e ushtrisë. Në qytet, Anjeli, që i përkiste një familje me tradita borgjeze, filloi të frekuentojë fisnikërinë e traditave të lashta, por me gusto dhe interesa shumë moderne.

Në veçanti, shoqëria e tij e përditshme përbëhej nga një grup të rinjsh aristokratë të apasionuar pas automobilëve, të cilët mblidheshin shpesh në Kafe Burelo, dy hapa larg stacionit të Porta Nuova. Pikërisht brenda këtij rrethi miqësish lindi dhe ideja ende revolucionare në atë kohë në itali, për të krijuar një kompani për prodhimin e autoveturave në seri, sipas modelit të atyre që tashmë ishin të pranishme në Evropë, si për shembull Benzi në Gjermani si dhe Pezhoja apo Panhardi në Francë. Përvoja e Xhovanit në industrinë e automobilëve kishte nisur me financimin e eksperimentimeve të triçiklave me motorr, për të vazhduar më pas me motoçikletat franceze të modelit Prunelle.

Në 11 korrik të vitit 1899, pranë zyrave të Bankës "Sconto e Sete" të Torinos, Anjeli dhe nja tridhjetë ortakë të tjerë firmosën aktin e themelimit të një shoqërie të re, Fabrika Italiane e Automobilëve Torino, me një kapital fillestar prej 800 000 liretash. Shumicën relative të aksioneve e kishte vetë Banka, e përfaqësuar nga familja Anjeli. Detyra e administratorit të deleguar i shkoi pikërisht Xhovanit. Nisi kështu epopeja e FIAT-it.

Torino ishte një prej qyteteve më të përshtatshëm në Itali për të nisur një projekt si ai i Anjelit: kishte ende fizionominë e një kryeqyteti, ishte qendër bankash dhe mbi të gjitha ruante një sistem zyrash qeveritare, ofiçinash të vogla dhe lanboratorësh artizanalë që mund të ofronin dije dhe krahë pune për qëllimin e kërkuar. Në vitet mes fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX qendra piemonteze pësoi një transformim të thellë, i lidhur ky pjesërisht pikërisht me lindjen dhe zhvillimin e FIAT.

Brenda vetëm dhjetë viteve, përbërja sociale dhe punëtore e popullsisë torineze ndryshoi tërësisht: u rrit në fakt numri i punëtorëve të sektorit metalo-mekanik dhe kjo rritje shkaktoi edhe një ndryshim në fizionominë urbanistike të qytetit, me lindjen e lagjeve popullore.

NJË STIL ITALIAN QË SHEH NGA AMERIKA

Një njeri pa paragjykime dhe konkret, Xhovani Anjeli, udhëhoqi në një kohë të shkurtër FIAT-in në majat e industrisë automobilistike kombëtare dhe ndërkombëtare. Brenda uzinave të kompanisë së tij, Anjeli importoi edhe një mënyrë tjetër pune, apo më saktë atë proces pune që e kish gjetur shprehjen e tij maksimale tek mdoeli fordist që garantonte realizimin e vëllimeve të mëdhenj prodhues në seri. Anjeli kishte kryer në fakt shumë udhëtime për në SHBA dhe kishte vizituar fabrikat automobilistike të Fordit në Detroit, duke marrë prej aty ide dhe procedura. Rritja e prodhimit të automjeteve dhe diversifikimi i aktivitetetve sollën rritjen jo vetëm të kapitalit shoqëror, por edhe atij privat të familjes. Iniciativa, energjia, përkushtimi dhe aftësia e rrallë për të përzgjedhur bashkëpunëtorë të vlefshëm e besnikë: ishin këto kartat fituese të Anjelëve dhe sidomos të Xhovanit, i cili diti të shfrytëzojë edhe në avantazh të tij shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, duke u pasuruar nëpërmjet shitjes së armëve dhe mjeteve të transportit për qëllime lufte. Ndërtimin i stabilimentëve të Lingotos në vitin 1922 ishte simptomë e një rritjeje konstante të FIAT-it.

As edhe ardhja e fashizmit nuk arriti të ngadalësojë familjen piemonteze: ndonëse nuk ishte i regjistruar në parti (megjithëse kishte teserën honoris causa) dhe ndonëse nuk u soll asnjëherë me servilizëm, Xhovani shfrytëzoi Musolinin dhe lëvizjen e tij për të likuiduar lëvizjet sindikale të punëtorëve të tij, si dhe për të siguruar emërimin si senator në vitin 1923. Vitet '20 dhe '30 ishin për FIAT-in një periudhë rritjeje e jashtëzakonshme. Kompania torineze arriti që të marrë kontrollin e shumë prej konkurentëve (mes të cilave Scat dhe Italia) si dhe të imponojë modelet e saj në

Giovanni Agnelli dhe Alessandro Del Piero (Juventus)
Giovanni Agnelli dhe Alessandro Del Piero (Juventus)
tregun italian. FIAT-i u kthye në simbol të teknologjisë italiane dhe sinonim i makinave të përparuara, por njëkohësisht të përballueshme për shumë xhepa. Anjelët nisën të përfaqësojnë edhe një pikë të rëndësishme referimi për klasën drejtuese italiane, jo vetëm nga këndvështrimi i sipërmarrjes, por edhe për sa i përket aspektit social.

Në mënyrat e tyre të sjelljes, në stilin gjithmonë diskret të ekzistencës së tyre, me elegancën e tyre të matur, asnjëherë sipër radhëve qëndronte sekreti i familjes, pikëmbështetje e elitës që udhëhiqte vendin. Blerja e skuadrës së futbollit të "Juventusit" në vitin 1923 dhe të së përditshmes "La Stampa" tre vjet më vonë, dëshmojnë vullnetin nga ana e themeluesit të FIAT për të qenë protagonistë në 360 gradë në jetën italiane të atyre viteve.

FUNDI I NJË EPOKE

Nëse sukseset në biznes nuk i munguan asnjëherë Xhovanit, jeta e tij familjare dhe private pati trazira të mëdha: në vitin 1928 i vdiq e bija, Aniketa; në vitin 1935 i biri, Eduardo vdiq tragjikisht në moshën 42-vjeçare në një aksident ajror në liqenin e Xhenovës. Po kthehej nga Levanto, ku kishte shkuar për të takuar shtatë fëmijët dhe bashkëshorten, Virxhinia Burbon del Monte, e principatës së San Faustinos.

Për të kujtuar fëmijët e tij të vdekur, Xhovani u vuri emrat e tyre spitaleve të Pra Katinat që vetë kishte ndërtuar. Dhimbja për humbjen e të vetmit trashëgimtar mashkull të familjes nuk e shkëputi megjithatë nga puna. Viti 1936 ishte vit i komercializimit të legjendës Topolino, ndërkohë që përgatitjet për Luftën e Dytë Botërore kërkonin të gjtihë përkushtimin e Xhovanit. Fabrikat e FIAT u shpallën zona lufte, sepse në brendësi të tyre ndërtoheshin mjete transporti për luftë. Por, sensi i fortë i biznesit e shtyu Anjelin që të kërkojë klientë edhe mes aleatëve, sidomos atëherë u fol me këmbëngulje për takime me francezë dhe sovjetikë.

Disfata e Italisë në Luftën e Dytë Botëerore, si dhe bombardimet e rëndë që pësuan gabrikat e grupit torinez shënuan nisjen e një periudhe tkurrjeje, në mos rënieje të FIAT-it. Xhovani, tashmë i plakur, që për dhjetëvjeçarë të tërë kishte udhëhequr me vendosmëri dhe energji të jashtëzakonshme shoqërinë e tij të biznesit, dukej se ndiente edhe në vetë trupin e tij atmosferën e dekadencës në të cilën kish rënë Italia gjatë luftës.

Tashmë pothuajse 80-vjeçar, Xhovani Anjeli ndërroi jetë në 16 dhjetor të vitit 1945. U varros në varrezën e Vilar Perosa, ku me dëshirën e tij ishte ndërtuar në varr monumental i familjes në stil romantik, me një statujë të argjendtë të Krishtit, vepër e Eduardo Rubinos, skulptor i njohur torinez dhe mik personal i Xhovanit.

Me vdekjen e Anjelit u mbyll një epokë. Në pritje për pasardhësin, nipin e tij Xhovani Anjeli që i thërrisnin Xhani, djalë i Eduardos, presidenca e FIAT i kaloi Vitorio Valetës. Këtij të fundit i takoi detyra e vështirë për të drejtuar FIAT-in në vitet e Pasluftës, atëherë kur tregu i automobilëve pësoi një rritje të dhunshme. Por Italia nuk ishte më e njëjta. Xhovani Anjeli dhe FIAT-i i kishin hapur portat e gadishullit për kapitalizmin e ri të markës amerikane, me avantazhet dhe kontradiktat e tij, me shpresat dhe zhgënjimet e tij.

RINI E QETË

12 mars 1921, Torino: në orën dy e gjysmë të mëngjesit lindi Xhovani Anjeli, fëmija i dytë i familjes së Eduardo Anjelit dhe Virxhinia Burbon Del Montes. Emri i plotë ishte Xhovani Karlo Francesko Anjeli, me emrin e gjyshit, themeluesit të FIAT që dukej se sanksiononte një fat të paracaktuar tashmë në jetën private dhe profesionale. Në formimin e tij një rol të rëndësishëm luajti gjyshja amerikane, Xhein Kempbëll, nëna e Virxhinias. Gjaku amerikan që ridhte në venat e familjes dhe të avokatit të ardhshëm i dedikohej në pjesën më të madhe të mësimeve të gjyshes nga mamaja. Temperamenti i Xhovanit të ri ishte shumë i fortë dhe sjellja e tij skolastike është shpesh herë burim grindjesh me babanë, Eduardo. Ndërkohë, edhe katër fëmijë të tjerë rrisin numrin e familjes: Suzana, Maria Sole, Kristina, Xhorxhio dhe Umberto.

Xhovani kaloi një rini të qetë. Por në 14 korrik 1935, tragjedia e parë goditi familjen Anjeli. Në moshën 42-vjeçare gjeti vdekjen babai, Eduardo, në një aksident ajror, gjatë një prove të një avioni FIAT mbi qiellin e Xhenovës, ndërkohë që bijtë e tij ndodheshin në Forte dei Marmi me pushime.

Pas vdekjes së të atit, gjyshi Xhovani vendosi që t'ia besojë nipin e tij, Xhovani, një tutori me autoritet shumë të madh moral dhe intelektual të hapësirës liberale torineze, Franko Antoniceli, një njeri absolutisht jopopullor për regjimin fashist dhe i arrestuar disa herë në vitet e errët të diktaturës. Tashmë për fëmijët e tij, gjyshi Xhovani kishte zgjedhur si tutor Augusto Montin, një tjetër personazh kyç në historinë e formimit liberal, antifashist dhe mdoern në Torinon e mesit të dy luftërave. Në vitin 1939, në moshën 18 vjeç, Xhani në shoqërinë e kushëririt të tij Xhovani Nasi hipën në anijen transatlantike "Rex" dhe për herë të parë zbret në Amerikë, me dëshirën dhe nxitjen e gjyshit, Xhovani.

Ky i fundit e konsideronte në fakt si thelbësore për formimin e nipit, dijen mbi ekonominë e SHBA, motor i shkëmbimeve tregtare në botë

Lufta dhe zbulimi i botës së bukur

Disa vite më vonë, pas shpërthimit të Luftës së Dytë, Xhani thirret nën armë dhe shkon në luftë. Në dimrin e tmerrshëm 1941-1942 merr pjesë si tenent në Korpusin e Armatës italiane në Rusi. Një vit më vonë, kundër vullnetit të gjyshit që e donte në Torino, Xhani lufton në frontin shumë të nxehtë afrikan, ku do të zhvillohej beteja e El Alemein. Dhe në frontin afrikan plagoset rëndë në njërin krah. Në vitin 1943, pas riatdhesimit, Xhani mbërrin në Torino. Pas 8 shtatorit 1943, Vitorio Valeta emërohet nga Xhovani si administrator i deleguar i grupit, ndërkohë që Xhani është zyrtarisht zëvendëspresident. Xhani Anjeli diplomohet në Torino, në vitin 1943 përballë një komisioni i të ri me uniforma. Në këtë mënyrë përfundojnë studimet e tij: do të njihet gjithë jetën si Avokati, por nuk do t'i nënshtrohej asnjëherë provimit për ta siguruar titullin.

Pas çlirimit të vitit 1945, FIAT rrezikoi jo pak për shkak të akuzave për bashkëpunim me regjimin fashist. Duhej e gjithë aftësia diplomatike e gjyshit Xhovani për të shmangur Gjykatën. Ndërkohë, i riu Xhani bëhet figurë qendrore e kompanisë. Pagëzohet me emrin Avokati nga bota e gazetarisë ekonomike-financiare, pavarësisht se nuk e kish ushtruar asnjëherë profesionin. Por mbi të gjitha, hyn në skakierën e pushtetit të kumtuar nga gjyshi Xhovani si dhe nga njeriu besnik i familjes, Valeta. Në vitin 1945, në harkun e një muaji, dy tragjedi godasin Anjelët: në 21 nëntor vdes në një aksident automobilistik e ëma, Virxhinia; në 16 dhjetor shuhet senatori i moshuar, themeluesi i FIAT, Xhovani Anjeli.

Me kalimin e viteve, arsimimi dhe formimi i Xhani Anjelit lidhen mbi të gjitha me udhëtimet jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë qëndrimet në Londër, Paris e Nju Jork. Kryen "turin e Madh" të financës dhe ekonomisë ndërkombëtare, duke u mbështetur vetëm në një licencë për të drejtën. Por për të gjithë, edhe jashtë vendit, njihet si Avokati. Xhani Anjeli nis një 15-vjeçar takimesh, lidhjesh dhe kontaktesh që e bëjnë të famshëm në qarqet mondanë, në rrethet e lartë të financës, në sallonet e Londrës, Parisit e Nju Jorkut, në hapësirat artistike e kulturore. Nuk mungojnë sigurisht edhe interesat sportivë: Juventusi, ku do të jetë aksionist, president, administrator dhe gjithnjë tifoz i parë; e më pas garat e anijeve me vela, motorrët, skitë. Sestriere, Saint Moritz, Montekarlo dhe Bregu i Kaltërt janë etapat e detyruara të një pelegrinazhi të vazhdueshëm mes luksit të shfrenuar.

NË DREJTIMIN E FIAT-IT

Janë vite në të cilët Xhani, për shkak edhe të shtypit rozë, njihet si një burrë joshës dhe i dhënë pas grave të bukura. Për këtë arsye shkakton habi të madhe kur në 19 nëntor 1953 martohet në mënyrë civile me Marela Karacolo di Kastanjeto dhe një ditë më pas, në fshatin e vogël të Osthofen pranë Staraburgut, martohet edhe sipas riteve fetarë. Marela do të jetë nënë e dy fëmijëve: Eduardo, i cili kreu vetëvrasje në vitin 2000 dhe Margerita, nënë e 5 fëmijëve, dy herë e martuar, fillimisht me Alain Elkan dhe më pas me Sefge de Pahlen. Pas martesës, Xhani udhëton shpesh për në Shtetet e Bashkuara ku forcon lidhjet me familje të rëndësishme si Ford, Rokerfeler, politikanin dhe strategun e politikës së jashtme amerikane, Henri Kisinger, manjatët e bursës së Nju Jorkut. Udhëtimet e Avokatit kanë edhe destinacione të tjerë evropianë ose jo, sidomos Bashkimin Sovjetik.

I destinuar për të marrë më vonë drejtimin e FIAT, Xhani i kalon vitet pesëdhjetë dhe gjysmën e viteve gjashtëdhjetë si ambasador i grupit nëpër botë. Në Torino është Valeta që komandon, ndërkohë që i riu Umberto mban mbi shpatulla punën e rëndë të kompanisë: zyrë, administrim, filiale. Valeta do të qëndrojë në drejtim deri në 1966, duke e udhëhequr kompaninë drejt pozicionit të industrisë private më të rëndësishme në Italui dhe një prej grupeve më të njohur të tregut ndërkombëtar. Ndërkohë, perandoria FIAT vazhdon të rritet si nga pikëpamja financiare, ashtu edhe ajo politike.

Në 30 prill të vitit 1966, Xhani Anjeli bëhet zyrtarisht kreu i ri i FIAT, ashtu si kishte planifikuar gjyshi Xhovani. Një vit më vonë, në 10 gusht 1967, Valeta ndërron jetë për shkak të një hemoragjie cerebrale. Xhani trashëgon një FIAT të suksesshëm dhe në ekspansion të plotë, pikërisht në një moment kur po shpërthen bumi i automobilëve. FIAT është i pari ndërtues automjetesh në Evropë, duke realizuar parakalimin edhe ndaj gjermanes Volkswagen. Në katin e tetë të korso Markoni, zyrat qendrore të drejtuesve të grupit, ndryshimet në tre vitet e parë janë vetëm në fasadë. Një moment i rëndësishën në jetën e Avokatit përfaqësohet nga Fondacioni Xhovani Anjeli, që lindi në 6 dhjetor 1966, me mbështetjen thelbësore të motrës Suzana si dhe një sërë personazhesh të tjerë të shoqërisë së lartë.

Në vitin 1968 hidhen në erë planet e kultivuara prej një kohe të gjatë nga ana e avokatit për shkrirjen me citroen. Vetëm ndërhyrja e qeverisë franceze dhe reagimi i shtëpive të tjera automobilistike transalpine e bllokojnë operacionin. Xhani Anjeli arrin t'i rezistojë dyvjeçarit shumë të nxehtë 1968-1969, me grevat dhe manifestimet e punëtorëve. I vështirë shumë bëhet raporti me sindikatat. Ndërkohë, FIAT përforcon praninë e tij në sektorë të tjerë si botimet, sigurimet dhe shoqëritë financiare. Dhe të gjithë këto i realizon pa hequr asnjëherë dorë nga kënaqësitë e "dolce vita"-s. Kur ka dëshirë për relaks, avokatit i duhet vetëm të zgjedhë: Vila Freskot në Torino, një shtëpi m'u përballë Quirinale-s në Romë, një shtëpi në Park Avenue në Nju Jork, një vilë në Saint Moritz si dhe shtëpia e përhershme në sestriere.

VITE TË VËSHTIRË

Xhani Anjeli dhe FIAT kalojnë të paprekur furtunat e viteve shtatëdhjetë, në vitet e terrorizmit dhe atentateve. Politikisht, Avokati është më pranë Partisë Republikane të ugo la Malfës. Avokati i përballon problemet e lidhur me krizën e automobilëve dhe kundërshtimet e punëtorëve, duke luajtur fort dhe duke befasuar shpesh kundërshtarët, ashtu sikur në 1 dhjetor 1976, shpalli hyrjen si ortak në sipërmarrjen torineze të Kolonel Gedafit, një personazh që sigurisht nuk ishte shumë i dashur për SHBA. Llogaritë e FIAT në këtë periudhë shkojnë keq, por mbretëria e avokatit reziston. Nga 1974 deri në 1976 Xhani bëhet president i Konfindustrias dhe merr presidencën e Këshillit Administrativ të IFI si dhe të Fondacionit Anjeli. Industrialistët kanë nevojë të përfaqësohen në mënyrën më autoritare të mundshme.

Situata politike është shumë delikate. Kompromisi historik mes Demkracisë Kristiane dhe Partisë Komuniste rrezikon të dështojë, dhe vendi duhet të përballet me dy emergjenca: krizën ekonomike dhe terrorizmin. Janë këta vitet e rreptësisë. Bashkërendimi mes qeverisë, sindikatave dhe Konfindustrias shndërrohet në një sistem të konsoliduar të menaxhimit të zgjidhjeve themelore ekonomike. Por, në fundin e viteve shtatëdhjetë, kompania sheh të afrohet kriza e automobilëve. Prodhimi bie frikshëm dhe FIAT lajmëron për pushimin nga puna të 14 mijë punëtorëve. Hapet kështu beteja më e ashpër me sindikatat që nga fundi i luftës. Punëtorët bëjnë grevë për 35 ditë. Në kangjellat e fabrikave të Mirafiorit, sekretari i Partisë Komuniste, Enriko Berlinger premton mbështetjen e komunistëve në rast të pushtimit të fabrikave. Përballja e hekurt përfundoi në 14 tetor 1980 me një "marshim të dyzetëmijëve". Për habi, kuadrot e FIAT zbresin në shesh kundër sindikatës. FIAT heq dorë nga largimet. Ndërkohë, Avokati vazhdon betejën e tij për rimëkëmbjen e sektorit automobilistik dhe në vitin 1982 arrin që të nxjerrë, me një prezantim spektakolar në kejp Karneval, moodelin e ri "FIAT UNO", i cili do të dominojë Evropën për thuajse një dhjetëvjeçar.

Në mesin e viteve tetëdhjetë, përvijohet për FIAT një shans i madh. Ford u ofron Anjelëve mundësinë për të bashkuar Ford Europa me Fiat me qëllimin për të sjellë në jetë një kolos në gjendje për të dominuar në tregun e ndërlikuar evropian. Hipoteza nuk konkretizohet, por FIAT-i nxjerr Alfa Romeon, një markë prestigji. Megjithatë, monopoli kombëtar në sektorin e automjeteve do të jetë, në një periudhë afatgjatë, një prej pengesave të mëdha për rritjen e FIAT. Ndërkohë, lufta e brendshme për të marrë komandën e kompanisë ka edhe ajo viktimat e saj: për shkak të dështimit të tratativës me Ford del nga grupi Vitorio Gidela, strategu i risive të shtëpisë automobilistike torineze; fillon kështu pesëmbëdhjetë vjeçari i drejtimit të dyshes Xhani Anjeli-Cezare Romiti. Tandemi ringrë FIAT-in në nivelin ndërkombëtar dhe në pak vite e transformon në një holding me shtrirje në fushën e botimeve dhe të sigurimeve. Jo më thjesht automobilë, por një kolos global. Në vitin 1987, FIAT absorbon përfundimisht Alfa Romeon dhe në 1988 Ferrarin. Për Xhani Anjelin, vitet tetëdhjetë janë një periudhë e artë. Sipërmarrja ecën mirë dhe ai është gjithnjë e më shumë një personazh ndërkombëtar. Bota politike e vlerëson, i trembet, e dëgjon. Ai, prapa kuintave të dukshmërisë mediatike krijon fijet e bizneseve të tij.

VITET '90

Në 1 qershor të vitit 1991, ai emërohet senator i përjetshëm nga Francesko Kosiga. Në 1996 mbështet hapur Ulivon dhe qeverinë Prodi në momentin kur i kërkohet italianëve një taksë shtesë për hyrjen në euro. Në ato vite rritet pesha e Cezare Romitit në çështjet automobilistike dhe financiare, deri në 1999. Pas kësaj i vjen radha Paolo Freskos, i emëruar president i FIAT si dhe Xhon Elkan (nipi), në cilësinë e këshilltarit. Në vitin 1997 ndërron jetë në mënyrë të parakohshme nipi Xhovani Alberto (djali i Umbertos). Xhani Anjeli, ndonëse i munduar nga sëmundja, vazhdon të ruajë një fuqi dhe pushtet të jashtëzakonshëm, si një sovran që vepron në hije. Një vit lavdie është ai i njëqind vjetorit të FIAT, në 1999, me festime të mëdha, spektakle, takime njerëzish të famshëm shpeshherë në prani të patriarkut. Do të jetë i fundmi vit pozitiv.

Pas marrëveshjes me general motors në 2000, Avokati asiston në krizën më të rëndë të historisë së FIAT, situatë që e shtyn në 2001 të vihet në mbështetje të qendrës së djathtë të Silvio Berluskonit. Në vizionin strategjik të Avokatit, industria ka nevojë për fleksibilitet dhe liri veprimi. Por është i ndryshëm mendimi i sindikatave dhe forcave politike të së majtës. Por moskuptimi mes Xhani Anjelit dhe qeverisë shpërthen papritur me dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Enriko Ruxhero. 2002 do të jetë një vit i tmerrshëm për sipërmarrjen automobilistike të Avokatit: ka dorëheqje njëra pas tjetrës të drejtuesve, rikapitalizime, rënie të aksioneve, greva, largime për 8000 punëtorë, mbyllje fabrikash. Xhani Anjeli ndërhyn me të njëjtin autoritet, por duket gjithnjë e më i lodhur: sëmundja e rëndë që e ka goditur nuk i lejon të dalë në publik.

Vuajtjet fizike të senatorit të përjetshëm, ato më të rëndat rriten në 1995 kur operohet në një aortë, ndërkohë që vetëm disa vite më herët i ishte nënshtruar një operacioni në zemër. Në vitin 1997, ishte operuar për një frakturë në këmbë, i pesti i jetës së tij. Gjatë atij viti do të shkonte shpesh në Amerikë për kura speciale, ndërkohë që për herë të fundit është parë në publik përkrah Presidentit të Republikës, Karlo Axelio Ciampi. Eshtë 20 shtatori i vitit 2002. Dalja e fundit në publik e Avokatit, në krah të një njeriu me pushtet.


Me të mëdhenjtë...


Kishte njohur Hrushovin e më pas Gorbaçovin, dhe një herë, duke biseduar me Zhivkovin, një stalinist i vjetër bullgar dhe për një kohë të gjatë në krye të vendit të tij, e kish pyetur përse nuk i linte të shpreheshin lirisht disidentët, në vend që t'i mbyllte në çmendinë. Ai nuk u tut aspak: "Nëse nuk janë dakord me mua, atëherë janë të çmendur". Nuk shkoi më mirë me Fidel Kastron, të cilit gjatë një dreke në shtëpinë e tij në Romë, i bëri pyetjen se kur parashikonte të kishte zgjedhje të vërteta në Kubë. Kastro, që nuk mbante uniformë, dhe pikërisht për këtë arsye Avokatit i ishte dukur i "borgjezuar" ia preu: 'Do të ishte njësoj sikur unë të të pyesja se kur do të fillosh të prodhosh automobilë". Lidhjet më serioze i kishte me udhëheqësit amerikanë, evropianë e në përgjithësi me perëndimorët. Me Kenedit ishte një mik i vërtetë: kjo duket qartë nga fotografitë në varkë, në Ravelo, në Kapri, së bashku me Xhon Kenedin dhe bashkëshorten e tij. "E kam njohur Xhonin kur ishte thjeshtë një politikan nga Masacusetsi - thoshte - por ishte e qartë se donte të bëhej president i Shteteve të Bashkuara".

"Ka qenë një mik i mirë dhe i shtrenjtë i familjes time", thotë Ted Kenedi. Ndërsa, Niksonin nuk e kishte shumë qejf, për shkak të sjelljeve të tij të vrazhda kaliforniane. Kishte marrëdhënie të mira me Xhorxh Bushin, Reganin dhe Klintonin, si dhe me De Gol, Pompidu dhe Shirak. Njihte miliarderët e të gjithë botës, shtëpitë dhe familjet e tyre, tekat e tyre. Ndonjëherë qeshte tek kujtonte maninë e Onasis, i cili udhëtonte me anije nëpër plazhet greke me qëllimin që të spiunonte me dylbi nga larg ish-të dashurat e tij. Takimi i tij i parë në Fiuxhi në vitin 1961 me rokerfelerët u trondit disi nga një lajm: "Krejt papritur mësuam se BRSS kishte nxjerrë në orbitë Sputnikun. Na u duk një fakt dramatik. Nuk kishim frikë, por ishim kuriozë se si do të ishte e ardhmja".

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT