E premte, 19.04.2024, 04:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Kërkime të thelluara në fushë të frazeologjisë

E enjte, 26.02.2009, 11:11 PM


Begzad Baliu
Begzad Baliu
KËRKIME TË THELLUARA NË FUSHË TË FRAZEOLOGJISË

Pasthënie për librin e Prof. as. dr. Zenun Gjocajt, Trajtesa frazeo-stilistike të shqipes, Era, Prishtinë, 2009, f. 225.
 
Nga Prof. as. dr. Begzad Baliu

Në kërkim të realizimit të idealeve të tij jetësore dhe profesionale (nga nxënësi i shkollës fillore deri te mësimdhënësi në Fakultetin e Edukimit), Profesor Zenun Gjocaj, përvijoi dy rrugë. Të parën e realizoi duke e sakrifikuar jetën e tij, ndërsa të dytën duke i thelluar kërkimet profesionale e shkencore, për të shënuar rezultate të lakmueshme në fusha të ndryshme të albanologjisë. Biografia e tij jetësore dhe bibliografia profesionale dëshmojnë më së mirë vetëdijen e tij historike (qëndrimin e palëkundur në kërkim të lirisë së popullit të tij) dhe nivelin e paraqitjeve shkencore në disa sesione, tryeza e tubime të tjera me karakter shkencor. Një vështrim, sado i përgjithshëm, i veprimtarisë kërkimore shkencore të Profesor Gjocajt,  tregon se qasja e tij studimore reflekton një botë të gjerë hulumtimesh për çështje gjuhësore, letrare, historike e kulturologjike.
Në fushë të gjuhësisë, numri më i madh i artikujve dhe i studimeve të tij i kushtohen kulturës së gjuhës, çështjeve gramatikore, problemeve leksiko-frazeologjike e frazeo-stilistike. Në këto studime vërehet një qasje serioze për trajtimin e problemeve që kanë rëndësi të madhe për disa disiplina shkencore, veçmas për standardin e gjuhës dhe historinë e shqipes e të shqiptarëve. Gjithashtu, në disa vështrime të tjera autori ka trajtuar në mënyrë analitiko-sintetike edhe disa vepra filologjike të gjuhëtarëve tanë, duke dhënë kështu një ndihmesë të çmuar në këtë fushë. Ai ka trajtuar problemet duke zbatuar me sukses metodën sinkronike e diakronike dhe ka reflektuar në ndriçimin e një varg çështjesh që kanë mbetur të pastudiuara sa duhet në shkencat e ndryshme albanologjike.
Një prej fushave themelore, me të cilat është marrë Profesor Gjocaj është frazeologjia si disiplinë leksikologjike, që paraqet një problem të veçantë studimor jo vetëm në gjuhësinë shqiptare. Edhe sot ende janë të paktë studiuesit e kësaj fushe, ndërsa nevoja studimore e përdorimore është mjaft e domosdoshme, sidomos për begatimin e thellimin semantik të fjalëve e të shprehjeve të një gjuhe, me ç’rast do t’i jepte asaj shije, ngjyrim stilistik dhe emocional në përgjithësi, sidomos stileve funksionale. Përvoja e tij e kërkimeve shkencore në këtë fushë u kurorëzua me studimet teorike në veprën “Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe” (2001). Kërkimet e tij në këtë vepër kapin më shumë anën teorike të çështjeve, nga pikëpamja e veçantë frazeo-semantike, si vazhdim i planit leksiko-gramatikor, trajtuar më parë nga studiuesi i njohur shqiptar Jani Thomai, si dhe duke iu referuar studimeve të semantologëve e frazeologëve të njohur në përmasa botërore: P. P. Kalin, A. Kunin, Vinogradov, A. Sechehaye etj.
Vepra që po e paraqesim Trajtesa frazeo-stilistike të shqipes është vazhdim i punës së tij mjaft të rëndësishme në fushë të frazeologjisë. Disa nga këto autori i ka paraqitur edhe në sesione të ndryshme shkencore, por tashti na i sjell të zgjeruara më tej, mbështetur në materialin gjuhësor të vjelë në literaturën leksiko-stilistike. Kjo vepër është vazhdim i mëtejshëm studimor në planin praktik e analitik, për të lëruar këtu përgjithësisht zhvillimin frazeologjik të gjuhës së folur, asaj folklorike e letrare. Përmes trajtimit frazeo-stilistik, autori ka bërë analizën e disa problemeve kyçe jo vetëm në planin historik, por edhe në planin e zhvillimit të gjuhës letrare gjatë shekujve.
Pjesa më e madhe e këtyre studimeve përfshijnë trajtimin e çështjeve frazeo-formuese të shkallëzuara. Ato fillojnë me togfjalëshin e lirë e procese të tjera jo vetëm gjuhësore, kalojnë përmes lidhjeve të detyrueshme të fjalëve si gjymtyrë përbërëse e kuptimeve të tyre, që pësojnë desemantizim relativ komponencial, si dhe i nënshtrohen leksikalizmit frazeologjik me tipare  të veçanta dalluese leksiko-semantike, barasvlerëse apo sinonimike me fjalën kuptimisht të pavarur, por edhe  metaforizmit, figurshmërisë e ngjyrimit emocionues.
Arritjet e tij shkencore në fushë të gjuhësisë janë përqendruar në kahe pothuajse fare të palëruara: në konceptet dhe strukturën leksiko-frazeosemantike e frazeo-stilistike shqipe të përqasura me teorinë e praktikën frazeologjike bashkëkohore në përgjithësi. Deri më tash, këto janë trajtesa të vetme në gjuhësinë shqiptare dhe mjaft të rralla në gjuhësinë ballkanike. Këtu janë diskutuar probleme të natyrës teorike e praktike të gjuhësisë shqiptare në aspektin frazeoformues, frazeosemantik e frazeostilistik.
Vëllimi hapet me një vështrim të rëndësishëm mbi gjendjen e rrethanat studimore të vlerës leksiko-semantike, e më tej edhe stilistike-emocionale të frazeologjisë shqipe, me një pasqyrë të shkurtër të zhvillimit të frazeologjisë shqipe, kryesisht në planin teorik. Kështu autori i hap rrugë të reja formimit të frazeologjisë letrare sapo të ndarë nga togfjalëshi i lirë, që vazhdon të formësohet drejt njësive të mirëfillta frazeologjike gjuhësore. Disa nga këto forma që moti janë gdhendur në formë të idiomave e të frazeo- kompozitave, për ta formuar kështu rrethin vicioz: togfjalësh i lirë - frazeologji letrare (kalimtare) - frazeologji gjuhësore – idiomë - frazeo-kompozitë. Natyrisht jo gjithnjë rrethi është i qartë, pasi që frazeologjia është një disiplinë e veçantë gjuhësore me një ritëm e strukturim shumë të ngadalshëm. Zhvillimi i saj është mjaft i pahetueshëm saqë përsëritja e vazhdimi i organizimit brenda rrethit nuk diktohet lehtë me të njëjtën rrugë kthyese frazeoformuese, por me të njëjtin proces zhvillimor frazeogjuhësor, mbi bazën e një fondi të veçantë leksiko-semantik. Edhe sot e kësaj dite, pas pesë shekujsh shkrimi të shqipes, përdorimi i njësisë frazeologjike, p. sh. te Buzuku, por edhe te L. Matrënga: të zënëtë n fill – zë fill – zanafillë ose vë re – vërejtje – me vumë (o)roe-vrojtim – vrojtues dhe anasjelltas, paraqitet si rreth i brishtë vicioz, ndryshe nga procesi i zhvillimit të njësive të tjera gjuhësore, që nuk i nënshtrohen një rruge të tillë.
Vlera leksiko-semantike e frazeologjisë qëndron në faktin se organizimi semantik e  sintagmatik aty motivohet edhe nga shkaqet jashtëgjuhësore. Frazeologjia është bartëse e fuqishme e  veçorive kombëtare, socio-kulturore, psikologjike, ekonomike etj., e  lidhur ngushtë me të gjitha sferat e jetës dhe në harmoni më ligjet e gjuhës. . Ajo është më tepër prodhim i mendjes kolektive se individuale, e gatuar për një kohë relativisht të gjatë, që synon kuptime e stilema aktuale leksikore. Frazeologjia është material leksiko-semantik, gramatikor e stilistik, fryt i shumë brezave, i lidhur ngushtë me traditën gjuhësore e letrare dhe karakterin etno-psiko-meditativ. Së brendshmi, më tepër se fjala, frazeologjia është përgjithësim fonetik, leksiko-gramatikor, sintagmatik e stilistik. Si e tillë ajo ka fuqi rrezatuese semantike në gjerësi e thellësi, andaj e përfaqëson ajkën leksikore, kontekstuale të kuptimit të figurshëm dhe të përdorimit stilistik.
Kapitujt në vazhdim trajtojnë çështje rreth idiomave shqipe si relikte të shprehjeve frazeologjike, por me të drejtë, autori është marrë me shkallshmërinë e tyre deri më sot, pasi nuk ka mundësi që ato të periodizohen lehtë. Njësitë idiomatike janë formuar shkallëshkallshëm për një kohë të gjatë. Ato, sapo kanë marrë formën e një togfjalëshi të qëndrueshëm me një kuptim të caktuar, kanë filluar format dhe trajtat e tjera. Në këtë mënyrë autori e ka hetuar procedimin e shkallshmërisë së këtyre formave.
Gjithashtu edhe në lëmin e kompozitave frazeologjike, ka vënë re Profesor Gjocaj, mbështetur në vëzhgimet e gjuhëtarëve të tjerë shqiptarë (Jani Thomai) e të huaj (K. Brugmann, B. Delbruck), si në shumë gjuhë të tjera indoeuropiane edhe shqipja ka trashëguar kompozita të tilla, por edhe ka krijuar gjithnjë e më tepër të reja, natyrisht krahas kompozitave jofrazeologjike. Meritë e autorit është se ai u ka bërë një analizë të shumanshme zhvillimit të tyre deri më sot, duke dhënë edhe gjykimet e tij për këtë proces.
Një kapitull i veçantë i është kushtuar strukturës leksiko-frazeo-semantike të terminologjisë shqipe. Dihet se kjo fushë leksiko-frazeologjike është me rëndësi për shprehjen terminologjike sipas natyrës së vetë gjuhës së çdo kombi, andaj edhe të vetë shqipes. Për fat të keq terminologjia shqipe gjendet larg një fondi të mjaftueshëm autentik termash, ndërsa gjuha popullore, nëse nuk ka terma bashkëkohore të fushës shkencore, ka modele të njësive leksikore deri diku të lira, që do të mund të përdoreshin apo të shërbenin si modele për terma që i mungojnë kësaj fushe, duke gjetur edhe mundësi të tjera tipologjike nga gjuhë të tjera, por jo kalke. Autori ka bërë përpjekje të hapë rrugë të reja teorike e praktike për begatimin e terminologjisë në masë të duhur të njësive të tilla leksikologjike mjaft me rëndësi për gjuhën, duke gjurmuar shtigje autoktone gjuhësore në harmoni me ligjet gjuhësore të shqipes, sidomos për stilin didaktik e përgjithësisht shkencor.
Në letërsinë didaktike dhe në atë shkencore, sidomos nga Rilindja e këtej, janë bërë përpjekje të vrullshme për formimin e terminologjisë shqipe, aq sa ndonjëherë ajo përpjekje ka kaluar në purizëm të tepruar. Kuptohet që përpjekja e tyre është rezultat i dëshirës së pastrimit të gjuhës nga fjalët e huaja dhe pasurimit të saj me brumë gjuhësor të shqipes, ku e ka gjetur veten edhe frazeo-terminologjia. Megjithëkëtë, shqipja ende nuk e ka arritur gjithaq një fond të mjaftueshëm. Merita e autorit është se në studimin e tij përfill rrugët që shpien në fushat terminologjike të thjeshta të gjuhës popullore, sa për pikënisje, për t’i përfillur termat, qoftë përmes modelesh, si dhe për ta shtuar apetitin e formimeve terminologjike profesionale.
Në këtë rrjedhë, autori është marrë edhe me prirjet frazeo-formuese të togfjalëshit emëror në gjuhën shqipe. Në bazë të analizave gjuhësore sintagmatike ai ka vërejtur se ky tip leksikologjik përditë e më tepër po e begaton gjuhën, veçanërisht leksiko-frazeologjinë, duke u zgjeruar në të gjitha stilet funksionale jo vetëm të shqipes së shkruar.
Sipas autorit, togfjalëshat emërorë, sidomos të emërores + gjinores e më rrallë të kallëzores parafjalore, kanë prirje mbiemërzimi një a dygjymtyrësh përmes prapashtesimit paralel, leksikalizimit e kompozimit, duke kaluar nëpër hallkat zhvillimore sintagmatike: togfjalësh i lirë me prapashtesim e mbiemërzim të njëkohshëm - togfjalësh i qëndrueshëm - njësi frazeologjike - leksikalizim sufiksal e së fundi kompozim, si finalizim sintagmatik. Ky proces është i shkallëzuar dhe merr forma të ndryshme leksiko-gramatikore e fjalëformuese në rrethana kontekstuale e situative, varësisht prej stileve.
Leksikalizimi kalon përmes disa hallkave sintagamatike, për pasojë edhe leksiko-semantike. Të kësaj natyre, autori sjell shembujt: shes pemë – shitës i pemëve – pemëshitës, shitore e pemëve – pemëtore, por bahçe me pemë – pemishte, mal me plepa – plepishtë; fushë me oriz – orizore, djalë / vajzë Gjakove – gjakovar/e. Prirja për ekonomizim gjuhësor, për motivim semantik e për ngjyrim të figurshëm stilistik, si fenomen i gjuhësisë në përgjithësi, ka sjellë leksikalizimin e shkallëzuar drejt formimit të togfjalëshave të qëndrueshëm e frazeologjikë, më tepër si terma të formimit të fjalëve prapashtesore dhe të kompozitave. Kjo vepër thellon paraqitjen e mundësive të zhvillimit frazeologjik dhe prirjet e saj në pasurimin e mëtejshëm të shqipes në kontekst të përdorimit të stileve funksionale të saj. Këto veçori shihen përgjithësisht brenda gjuhës si sistem dhe si dukuri shoqërore, sidomos të shqipes së standardizuar, begatimit e thellimit kuptimor, metaforik e stilistik të saj, varësisht nga fushat përkatëse stilistike e funksionale.
Një kapitull të veçantë autori i ka kushtuar leksikografisë shqipe, ku frazeologjia shërben si material shtues/ilustrues i fjalëve të mirëfillta, duke filluar që nga Fjalori latinisht- shqip i Frang Bardhit (1635), pastaj Fjalori i Kristoforidhit (1904), Fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”(1908), Fjalori i gjuhës shqipe (1954) dhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980). Janë recensuar fjalorë e janë diskutuar çështje të frazeografisë si praktikë e përditshme shërbyese, krahasuese e studimore. Në këtë prizëm janë parë fjalorë të tjerë një e dy gjuhësh, tipash të ndryshëm, të vegjël e të mëdhenj, varësisht nga synimet praktike e nga diapazoni i hartuesit apo hartuesve, si dhe nga qëllimi i fjalorit përkatës. Janë përfshirë këtu edhe tekstet recensuese për botimet e kësaj fushe, që nga Fjalori frazeografik i Mehmet Gjevorit (1968) e deri te Fjalori frazeologjik i shqipes, i hartuar nga frazeologu i njohur Jani Thomai (1999), si dhe Fjalori frazeologjik ballkanik. Në gjuhësinë bashkëkohore, frazeografia është pranuar si disiplinë e re leksikografike, prandaj autori ka bërë një vlerësim recensues të këtyre fjalorëve duke i theksuar veçoritë e secilit prej tyre dhe duke i parë ata me syrin kritik të studiuesit bashkëkohës. Sado që vepra në sy të parë duket se ka të bëjë me trajtesa të veçanta, nuk është vështirë të formohet bindja se autori ia ka arritur ta bëjë një lidhje kyçe studimore rreth një zhvillimi organik të frazeologjisë shqipe letrare përmes disa strukturave pak a shumë të përbashkëta, për të arritur një tërësi, një si lidhje organike zhvillimore të frazeologjisë si material gjuhësor leksikologjik. Hetohet se autori ka pasur një synim a plan të caktuar paraprakisht të parashtrimit të lëndës në drejtim të studimit të vazhdueshëm të zhvillimit frazeologjik, për të arritur te gjendja e sotme e zhvillimit të kësaj disipline leksikologjike me rëndësi të madhe gjuhësore, veçanërisht stilistike, që e pasuron gjuhën dhe stilet e saj me shprehje të figurshme, për të arritur te prirjet e mëtejme zhvillimore frazeologjike, në të mirë të pasurimit kuptimor të gjuhës në gjerësi e thellësi.
Autori këtu përfshin edhe trajtimin e çështjeve frazeoformuese. Një si sistematizim i shkallëzuar i zhvillimit të frazeologjisë, si disiplinë leksikologjike e si material frazeologjik, duke filluar që nga togfjalëshi i lirë, drejt atij letrar, gjuhësor, e idiomatik, deri te formësimi miniatural frazeo-kompozues. Fjala është për njësi sa frazeologjike aq edhe leksikore, të një strukture të veçantë leksiko-semantike e stilistike, me ndërtim të njëjtë gramatikor në kompozita por me kuptim të figurshëm që me kohë kanë hyrë nga togfjalëshi i lirë, që me kohë është formësuar e gdhendur formalisht e kuptimisht deri në shkallën e sotme. Kështu edhe njësitë frazeologjike, përmes një procesi relativisht të gjatë,  duke filluar që nga togfjalëshi i lirë e procese të tjera jo vetëm gjuhësore, përmes lidhjeve të detyrueshme të fjalëve si gjymtyrë përbërëse e kuptimeve të tyre, që pësojnë desemantizim relativ komponencial, i nënshtrohen  leksikalizimit frazeologjik drejt një kuptimi të barasvlershëm me një fjalë të pavarur. Pastaj, ato barten prej figurshmërisë e ngjyrimit emocionues, deri te leksikalizmi frazeologjik me tipare  të veçanta dalluese leksiko-semantike e stilistike, barasvlerëse apo sinonimike me fjalën gjegjëse, kuptimisht të pavarur.
Përgjithësisht frazeologjia, përfundon autori, i ka përfillur konceptet e veta teorike. Vështruar me syrin e rezultateve në dritën e të arriturave bashkëkohore leksiko-semantike e stilistike, frazeologjia shqipe është në rrugën e trajtimit fillestar të analizës praktike. Deri më tani ajo ka kristalizuar konceptin e vet teorik në planin leksiko-gramatikor (sidomos me veprën e Jani Thomait), e leksiko-semantik (me veprën e Zenun Gjocajt), duke i gjurmuar tiparet dalluese e të përbashkëta, në raport me njësitë e tjera gjuhësore me funksion leksiko-gramatikor. Brenda saj është bërë përvijimi i kufijve dhe  klasifikimi i tipave frazeologjikë. Mbetet të hulumtohet vlera frazeologjike marrëdhënëse në planin frazeo-stilistik e në stile funksionale, sidomos në letërsinë artistike, publicistike dhe shkencore, me synim të rrugëtimit drejt prirjeve të mëtejshme zhvillimore në gjerësi sintagmatike e thellësi kuptimore dhe drejt formimit të një gjuhe kuptimisht të thelluar e stilistikisht të përsosur.
Vlerësimin për veprën Trajtesa frazeo-stilistike të shqipes, mbase më së miri do ta përmbyllnim me një sintezë që del nga studimet e tij mbi rolin frazeo-stilistik në pasurimin e kulturës gjuhësore. Pas normimit, njësimit e standardizimit të vazhdueshëm të gjuhës shqipe, mjeshtri ynë do të konstatojë se ka ardhur koha e pasurimit të gjuhës dhe të kulturës së saj me vlera mbishtresore dhe estetike formash të ndryshme. Në këtë rrjedhë, mbështetur në rezultatet e tij, ne mund të sjellim këto përfundime:
-   Shtrohet nevoja e studimit të mëtejshëm të frazeologjisë në të gjitha pikëpamjet; por edhe vjelja e materialit gjuhësor nga gjuha e gjallë dhe ajo letrare e artistike, me qëllim të përvetësimit të njohurive për frazeologjinë si disipline leksikologjike e si lëndë me rëndësi për kulturën gjuhësore.
-   Raportet kontekstuale frazeologjike me njësi të tjera gjuhësore, leksiko-semantike-sintagmatike, duan studim e përdorim të kujdesshëm. Lipset t’i hulumtojmë e ristrukturojmë, duke i bërë më të fuqishme në thellësi, gjerësi e në stile të ndryshme. Pra, kërkohet që frazeologjinë ta zhvillojmë në të gjitha kahet e përdorimit të saj.
-   Me gjithë specifikën e saj sintagmatike konservatore, frazeologjia ndikon në mënyrë dinamike në organizimin leksiko-semantik, gramatikor e stilistik, në mendësinë kombëtare, intelektuale, mos më tepër se disa njësi të tjera gjuhësore. Veçanërisht është i theksuar ndikimi i frazeologjisë në pastrimin e pasurimin e gjuhës me kuptime e nuanca të reja, në begatimin e kulturës gjuhësore, në zgjerimin e strukturës leksiko-semantike të polisemisë e të stilistikës funksionale, sidomos në stilet e letërsisë artistike, publicistike, satirike, polemike e në oratori.
-   Ajo plotëson zbrazëti leksikore, zgjeron strukturën semantike, e pastron dhe e pasuron gjuhën me kuptime e nuanca të reja kuptimore, të figurshme e me ngjyrime stilistike - emocionale. Si e tillë, është bartëse e fuqishme e përgjithësimit të vlerave leksiko-semantike, gramatikore e stilistike. Aty, individualja gërshetohet me formimin kolektiv,  tradita me bashkëkohoren, si rrjedhim i organizimit gjuhësor e stilistik.
-   Në larminë frazeologjike të letërsisë artistike ndikon vetëdija, talenti, prirja e pajisja, shkalla e aftësisë për sforcimin frazeologjik në gjuhë, lloji i stileve, gjinive të veprës letrare, qëndrimi subjektiv i shkrimtarit, karakterizimi i personazheve në rrethana të caktuara situative etj. Si të tilla, njësitë frazeologjike janë pjesë e organizimit gjuhësor e stilistik, si çdo njësi tjetër dhe kryejnë funksion të njëjtë barasvlerësues polisemantik si edhe njësitë e tjera leksiko-semantike.
-     Natyra e frazeologjisë është e tillë, që nuk mund t’i përshtatet gjithmonë normës së gjuhës, për shkak të fosilizimit komponencial e ngurosjes formale të gjymtyrëve të saj të brendshme, por kjo nuk ndikon në standardizimin e gjuhës, përkundrazi, e pasuron atë .
-   Sinonimet e antonimet në përgjithësi e ato frazeologjike në veçanti janë thesar i çmueshëm për pasurimin e gjuhës me ngjyrime të theksuara leksiko-semantike e stilistike-emocionale. Ndërtimet e tilla në letërsi formojnë antiteza të fuqishme artistike.
-   Frazeologjia, si njësi sintagmatike e qëndrueshme dhe e leksikalizuar, me gjithë përbërjen komponenciale, nuk e dëmton ekonominë gjuhësore, sepse është çerdhe e shumë kuptimeve në gjerësi e thellësi, ku leksikalisht do t’i kërkonte disa fjalë sinonimike.
Vepra Trajtesa frazeo-stilistike të shqipes, në rrjedhë edhe të studimeve të mëparshme të Profesor Zenun Gjocajt, shënon një plotësim të arritjeve të gjertashme në fushë të frazeologjisë. Si e tillë, kjo vepër, e parë qoftë si vëllim i studimeve të veçanta, qoftë si një strukturë e ndërlidhur monografike, sjell rezultate të shënuara në fushë të albanologjisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora