E premte, 19.04.2024, 05:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Metamorfoza e dhembjes

E merkure, 25.02.2009, 08:17 PM


Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani
Shkruan Shefqet DIBRANI

 

METAMORFOZA E DHEMBJES

 

Ali Podrimja „LUM LUMI“, poezi, (botim i katërt, i plotësuar), botoi Shtëpia Botuese „ROZAFA“, Prishtinë 2003. Faqe 152. ISBN 9951-02-020-8

 

 

 

GJUMI I TOKËS

 

I paloi krahët zog i kaltërt

Te koka vuri gurin e vet

Nuk u zgjua as e pamë më

Gjumë i tokës e kishte zënë

Tek mbyllej në pikë të zezë

universi

 

(Ulpianë, 2002)

 

 

Nuanca përjetimi të fenomenit dhembje:

Dhembja, sinonim intim apo realitet shpirtëror, dukuri apo nuancë filozofike, përjetim real apo figuracion artistik, konfrontim mes unit personal dhe atij vetjak.

Derisa dhembja është sinonim i intimes, përjetimi shpirtëror, e lidh në mënyrë figurative, drejtpërdrejt apo tërthorazi vetëm autorin i cili e regjistron dhembjen. Fatkeqësia nuk është fenomen që paralajmëron, ajo parandihet, parashikohet, sidomos kur ecim rrugëve me rreziqe, por më shumë vjenë krejt e papritur, mu atëherë kur fare s’na ka vajtur mendja. Fatkeqësia mund të regjistrohet edhe më herët me shkrimet tona, po më artistikisht me një saktësi befasuese bëhet përmes vargut poetik. Dhembja që del nga fatkeqësia, qoftë edhe nga rastësia, është dhembje intime për aq sa është edhe dhembje e përgjithshme. Këtu përjetimet janë të ndryshme. Fenomeni „dhembje“ nuk regjistrohet dhe nuk manifestohet te të gjithë njerëzit njësoj, prandaj ato kategorizohen sipas disa formave të pa përcaktuara. Më dalluese janë dy: Dhembjet normale të cilat kanë përjetime të ndryshme, dhe dhembjet artistike të regjistruara gjithashtu me forma të ndryshme.

Përmasat e përjetimit janë në raport varëshmërie me regjistruesin e tyre, se si dinë t’i shprehin apo t’ia sërvijojnë tjetrit. Forma e paraqitjes, e shprehjes, e prezantimit ka shumë rëndësi. Jo lotët, jo klithmat, gërryerjet, gërvishtjet e vajtimet janë çdo herë e kurdoherë fenomene që përcaktojnë dhembshurinë shpirtërore për të dëshmuar më çartë se kemi dhembje, kemi një ngulshim shpirtëror. Për të paraqitur më bindshëm këtë, ose momentin e caktuar duhet njohur artin e të shkruarit. Pra, kush e njeh këtë art më mirë se poeti, e nga poetët tanë, kush shkruan më mirë poezi të kësaj teme se sa Ali Podrimja. E dhembjen intime kush e ka regjistruar në mënyrë më artistike se sa Podrimja në veprën “LUM LUMI”, që pa dritën edhe botimi i katërt i tij, madje i plotësuar, që do të thotë se ka plotësuar dhembjet e reja të cilat iu kanë bërë palë - palë sikurse edhe vitet. Dhembja si ndjesi shpirtërore mundëson çlirimin emocional të një ngarkese të grumbulluar në një moment kritik. Hidhërimi është proces i kundërt me dhembjen, dhe manifestimi i skajshëm i tij kalon në ekzotizëm për çka do të venerohen pasojat në një distancë kohore mjaftë të shkurtër. Forma mbetet proces ndijor ku me anën e metabolizmit mundëson çlirimin e ngarkesave të grumbulluara në momente të caktuara përjetimi, manifestimi i së cilës mbetet në varmëni të disa faktorëve të pa përcaktuar. Gjithmonë forma është proces metafizik që cakton fuqinë e dhembjes, forcën e saj. Kurse forca është njësi e rezistencës që mat fuqinë e dhembjes, përmbajtjen e saj dhe durimin, nëse këto i krahasojmë me komponentët fizike.

Këto komponente janë të ndërlidhura asimetrikisht mes veti që veprojnë si trup, si formë dhe si tërësi e ndjenjave shpirtërore. Procesi i dhembjes ka etapën e parapërgatitjes atë të zhvillimit, ka kufijtë e së mundshmes për t’u zhvilluar, gjegjësisht për t’u manifestuar dhe mjaft faktorë të tjerë që herë vërehen e herë janë të padukshëm. Po qe se i kalon limitet (kufijtë) e caktuara, dhembja kalon në sëmundje kronike, kurse sëmundjet kronike me kohën bëhen gangrenë kanceroze. Të gjitha këto kanë një përfundim tragjik. Ka dhembje që kalojnë në ndikimet psikike duke u regjistruar si çmendi. Çmendja shënon instancën më serioze të çrregullimeve mentale, e me këtë determinohen ndryshimet në zhvillimin normal, fizik e mendor të njeriut.

Trajtimin e dukurive të ndryshme të fenomenit „dhembje“ e bëra për ta nxjerrë në pah përkufizimin banal dhe për ta kundërshtuar atë kritikë e cila e pat trajtuar poezinë e Podrimjes te libri “LUM LUMI”, të parë vetëm nga këndvështrimi i raporteve, përkatësisht të afrisë së autorit me subjektin - personazhin e trajtuar në vijëzimin e koordinatave me sintagmën: „Dhembje e autorit për fëmijën“ është shkalla më e ulët e profesionalizmit kritik. Këtu pëson më së shumti ana artistike e poezisë, mesazhi dhe porosia e saj.

Ky vlerësim negativ bëhet jashtë konvencave letrare, atëherë kur kritiku i din raportet dhe lidhjet që i ka autori me subjektin. Ai, prizmin e këndvështrimit të tij duke mos mundur ta shkëpus nga ky raport, do ta bëjë vlerësimin nga ky prizëm, duke u rreshtuar (pa vetëdije) në atë grupimin që ka rënë nën ndikimin e skepticizmit dhe skematizmit të vlerave.

Për këtë arsye, vlerësimi i tij del i karikuar me ngjyrime dhe nuanca të theksuara negative, duke vu në pah dobësitë dhe të metat e vlerësimit objektiv, qoftë të poezisë apo subjektit që trajton.

Sipas kësaj logjike, poeti duhet të shkruajë poezi duke mos prekur asgjë nga vetvetja, nga intimja, nga jeta personale. Qenka e ndaluar, sepse kështu bie nën ndikimin e dhembjeve personale ku imazhi i poezisë po u zvetënuaka dhe po humbka atë anën artistike. Kështu mund të kuptohet se autori duhet t’i ikën botës reale dhe asaj objektive.

Por, nëse autori vepron sipas këtij sugjerimi: subjekti i trajtimit nuk do të përputhet me realitetin e mundshëm, atëherë poezia e tëra mbulohet me misticizëm ku nuk do ta përshkojë ajo fija e objektivitetit, gjithsesi do të duken poezi sureale të një kohe reale që ka jetuar, vepruar me të gjitha të ndodhurat e përditshmërisë.

Ali Podrimja dallon për shumë arsye, në këtë libër ai merr si subjekt trajtimi vetveten, intimen, personalen. Asaj ia mvesh rrobat artistike, ia jep ngjyrimet e ndodhive të subjektit fqinjë, atë të mundshmen e përjetimeve që i ndodhin secilit në mënyrë artistike, e gdhend sikurse drurin që e skalit skulptori, pastaj e laton dhe e farkon kujdesshëm. Secilit varg ia jep formën, përmbajtjen dhe fytyrën që do të ketë diçka nga bota e secilit.

Tash, vargu i poezisë së Podrimjes nuk është varg që shpreh vetëm botën e tij të brendshme, që ka përshkruar vetëm gjëra të ndodhura në brendësinë intime të unit personal, prandaj edhe trajtimi i motiveve qoftë kjo dhembje personale, duhet të merr karakter të përgjithshëm. Sidomos kur dihet se poezia niset nga intimja, nga origjinalja, për ta shprehur të përgjithshmen, objektiven e kohës reale që pastaj për t’u rezistuar kohërave.

                             

 unë megjithatë deri në vdekje

 do ta kërkojë atë që e humb           

                 

Poezia: „Kërkon atë që nuk mund ta gjej“ faqe 32.

Nuk do të lëshohemi për të trajtuar raportin e autorit me subjektin që ia kushton poezinë. Kurse vlerat e poezisë i shijojmë nga një distancë kohore më shumë se dy dekada. Në atë kohë shoqëria shqiptare, (sidomos ajo e Kosovës), ka qenë nën vorbullën e ndryshimeve dhe përpjekjeve për t’u ndryshuar. Gjëra, që ndodhen deri në atë shkallë ku saktësisht i ka parandier poeti Podrimja. Nëse këto dy vargje poezie i trajtojmë nga këndi i raporteve shoqërore - politike, i ndryshimeve të mëdha që atëherë kanë pasuar, dhe do të pasonin hala edhe më vonë, do të vërejmë dy gjëra qenësore.

E para: Autori ka parandier herët një dhembje të përgjithshme që do të ndodhë, dhe…

E dyta: Autori me vetëdije përfundon se për atë që humb individi apo shoqëria, qoftë edhe atë „autonominë e pakët“ do ta kërkojë - kërkojnë deri në vdekje.

Pra, nga dhembja personale poeti ka parandier edhe një dhembje të përgjithshme të cilës i jep kodin e qëndresës dhe të këmbëngulësisë, e bazuar qoftë në të drejtën zakonore, atë juridike apo ndërkombëtare, që atij i ka buruar nga thellësia e dhembjes shpirtërore.

“Ali Podrimja ka sublimuar një ligjërim krejt të veçantë në letërsinë bashkëkohore, madje duke u bërë kryengritës i ideve poetik”, ka theksuar në parathënien e librit Sali Bashota. Por motivi i dhembjes në poezinë e Ali Podrimjes, kurdoherë ka përmasa më të gjëra të lëvizjeve shoqërore, jo vetëm aso intime siç është thënë dhe fatkeqësisht insistohet të thuhet. Sepse, sipas kësaj formule, të gjitha tragjeditë shqiptare athua nuk kanë motiv të ngjashëm me atë të dhembjes së autorit, qoftë kjo e përshkruar edhe sipas një rasti intim: „Dhembja ime/ ka dy sy dy vesh një hundë“. Pra, dhembja e autorit është koka e njeriut të thjeshtë që ka: dy sy, dy vesh, një hundë. Është dhembja e kombit për të gjitha ato që ndodhën dhe do të ndodhin në aspektin regresiv të shoqërisë shqiptare si etnikum në përgjithësi.

Te poezia „Pikëllimë“, e shkruar në vitin 1981, do të gjejmë pikën kulmore të një shpirti të trazuar në një kohë rrëmujë, dhe sikur poezinë ta simbolizojmë se ia ka kushtuar Kosovës - kombit, ajo do të merr konotacione të tjera me ngjyrime politike, gjithsesi edhe me përmasa më të gjera:

 

Unë nuk qaj

shi bie vogëlushi im

shkundet plepi i shtëpisë

 

                                    Poezia: „Pikëllimë“ faqe 86.

 

Nëse fjalën (e vetme) „vogëlushi“ e marrim si sinonim i kombit, atëherë poezia merr krejtësisht kuptim tjetër, p.sh:

 

Unë nuk qaj

shi bie kombi im

shkundet plepi i shtëpisë

 

Po te e njëjta poezi në strofën e fundit, mund të lexojmë dhembjen e autorit për çështje kardinale të shprehura me nuanca të dhembjes intime dhe personale:

 

Unë nuk luaj vendit

muret lëvizin sendet vogëlushi im

vjeshtë e keqe mori

 

ose:

 

Unë nuk luaj vendit

muret lëvizin sendet kombi im

vjeshtë e keqe mori

Kush mbanë mend vitin 1981 dhe ngjarjet e atij viti, ka mundësi më lehtë të zbërthejë vargun „vjeshtë e keqe mori“, të përmbyllur me vargun tjetër: „Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll“! Vetvetiu zgjidhet enigma e dhembjes së Ali Podrimjes.

 U dashtë të kalojnë njëzetë vjet me re të zeza që mbulonin qiellin për të ardhur te një pamje tjetër nga e cila poetit i kullon zemra vetëm dhembje dhe ai përsëri nuk mallkon por i kthehet dhembjes së Lumit.

 

MALUM O LUMI

                             

Unë jam Zoti yt :

                  Amin

                             

Trillova kohën e tretë

të të mos zgjojë asgjë

                 

Udhëtimi yt mbyllet me klithma

me ardhjevajtje marramendëse

Me humbjet malum o Lumi

 

                                                (1981 - 2000)

 

                                                Poezia: “Malum o Lumi“, faqe 80.

 

Po më mirë, „t’i lëmë netët ballkanike pas shpine“, (varg i A.Podrimjes te poezia „Parisi, vendlindja”, faqe 51), i lëmi edhe frustrimet e asaj kohe. Nuk e trajtojmë as saktësinë e poetit, po t’i kthehemi qëllimit: „Metamorfoza e dhembjes“?!

Dhembja si metamorfozë është dukuri poetike që e hasim në vargjet e shumë poetëve, sikurse që e hasim edhe mendimin e njëanshëm, aspak profesional të kritikës, përkitazi dhe rreth nocionit „dhembje“ në poezinë e Ali Podrimjes. Këtë dukuri e kanë trajtuar me sa duket një pjesë e kritikëve letrar pa pasur njohuri të mjaftueshme, madje nuk ngurruan për t’i sugjeruar poetët (sidomos ata që janë të rinj), të mos kultivojnë këtë zhanër të poezisë.

Personalisht kam mendim tjetër: Poetët, artistët dhe krijuesit në përgjithësi duhet t’i regjistrojnë dhembjet personale, pra edhe ato më intimet me vargun poetik, me tablo artistike qofshin këto në prozë, reportazhe, ditarë intim apo piktura, skulptura, realizime skenike apo edhe filma artistik, duke ua mveshur petkun artistik të ndryshimeve shoqërore të kohës që jetojnë. Dobia është e dyanshme; në njërën anë do të shlirohen vet autorët nga një ankth e shtrëngim shpirtëror që kanë, kurse në anën tjetër, letërsia dhe kultura e kombit do të pasurohet me vepra origjinale, autorët e të cilave rrjedhën e ngjarjeve e kanë perceptuar në forma të nduarduarta.

Model për të marrë guximin e theksuar (autorëve të rinj), ua sugjerojmë librin „LUM LUMI“ të poetit, Ali Podrimja. Por, nëse do ta pyetnim Ali Podrimjen, me siguri ai do të thoshte: „Jam i vetëdijshëm se s’jam i vetmuar në letrat shqipe as në këtë plan, sikurse që nuk jam as i vetmi në letërsinë botërore që jam marrë me trajtimin e fenomenit të „dhembjes“ .

Hulumtimet e më tutjeshme secilin autor do ta shpijnë nga një e vërtetë e saktë që e trajtuam në këtë shkrim, ndërsa unë nuk pata pretendim për të zbuluar diçka të re. „Qëllimi ishte të përsëritej, sepse përsëritja është nëna e të nxënit - mësuarit“.

 

Zvicër, 1997 – 2004.

 

 

 

 

 

 

SHËNIME PËR AUTORIN:

 

Ali Podrimja (1942). Shih faqe 16.

 

 

Marrë nga libri “Libra dhe mbresa”, venerime letrare, Botoi “Albanisches Institut” St.Gallen/Zvicër 2005, faqe 525-532

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora