E enjte, 28.03.2024, 04:31 PM (GMT)

Kulturë

Skënder Kamberi: Shqipëria nudo është “dhuratë” e politikës shqiptare

E merkure, 25.02.2009, 05:14 PM


Skënder Kamberi: “Vajzat shqiptare shkojnë dhe shesin trupin e tyre në bordellot apo semaforët e botës”
 
Shqipëria nudo është “dhuratë” e politikës shqiptare

Nga Albert Zholi
 
Z. Kamberi këtu në studion tuaj po shoh disa piktura femrash nudo. Mos vallë po përgatisni ndonjë ekspozitë me titull “Nudizmi”?

Po! Po përgatis një ekspozitë, por me një titull ndryshe. “Shqipëria nudo” do të jetë titulli i ekspozitës. Unë jam piktor i figuratives, se sa e bëj këtë poetikisht është tjetër gjë. Por në mënyrë figurative Shqipëria sot është lakuriq. Është nudo, s’ka prindër, nuk ka vëllezër, nuk ka motra, nuk ka të afërm, as nënë, as babë. S’ka prindër që të kujdesohen për Shqipërinë, s’ka politikanë që të kujdesohen për Shqipërinë. Kjo Shqipëri është braktisur nga të gjithë politikanët qysh pas vitit 1991. Ky është një opinioni imi personal. Unë nuk bëj elozhe. Elozhe mund të bëj duke treguar disa teori të kapitalizmit këtu në Shqipëri por që janë treguesit e një praktike drejtimi kapitalist antipopullor se sa popullor.
 
Ku konsistojnë këto teori?

Në realitetin e sotëm jetësor shqiptar që shfaqen në kapitalizmin e ashpër shqiptar (jo se dua komunizmin, përkundrazi). Unë di që Gjermania e Hitlerit u mund, u thye nga forcat e aleancës. Fill pas këtij momenti kancelari gjerman Hajzenhauri ju drejtua popullit të tij”. Asnjë të mos dalë jashtë kufijve gjerman. Gjermania është dhe duhet ndërtuar nga gjermanët. Kush largohet do të dënohet, ndëshkohet”. Kush e tha këtë nga politikanët shqiptarë pas vitit 1990. Ndërsa ne hapëm kufijtë dhe asnjë nuk u kujdesua për ata që iknin. Ikën nëpër dete, nëpër borë, lumenj të rrëmbyeshëm. Shumë u mbytën, shumë humbën dhe s’dihet akoma ku janë, u vranë nga të ashtuquajtur “miq” në kufijtë që kemi. Në këtë aspekt, duke bërë një retrospektiv të mendjes si qytetar i Shqipërisë, nuk më pëlqen ky qëndrim indiferent, kultian që në vend të themi ku na shkojnë djemtë dhe vajzat, politikanët mendojnë çfarë ti ndajnë kësaj Shqipërie të copëtuar. Ata mendojnë vetëm për vete në këtë kapitalizëm të ashpër.
 
Ku e bazoni këtë mendim tuajin?

Ja. Shihni kur zbrisni nga avioni në aerodrom. Do shihni tym dhe smog. Të duket diçka e mjegullt, pa orientim. Mizerabël. Evropa i sheh këto lloj qeverisjesh dhe bën sehir, sepse kjo Evropë na shet makinat e vjetra. Makinat që ata i hedhin në kazanet e plehrave. Pra çdo gjë që vjetrohet në Evropë sillet në Shqipëri. Shqipëria është kthyer në kazan plehrash. Shqipëria me këto çmime astronomike që ka, kur vetëm një pjesë e vogël punon dhe kemi polic më shumë se semafor, ku papunësia është më e madhja në Evropë, duhet parë me përparësi dhe jo si gjithmonë e fundit. Pra rrogat më të vogla, papunësia më e madhe, smogu më i madh, prona që nuk dihet e kujt është. Kush e ka bërë këtë katrahurë shqiptare dhe a i shikon Evropa këto shëmtime të politikës shqiptare?
 
Pra në ekspozitën tuaj, ju në retrospektivë po i ktheheni një pikture që keni bërë në sistemin komunist dhe tashmë po e peneloni në një këndvështrim tjetër. Ç’janë këto gjymtyrë të “Shqipërisë nudo” ku shihen të pikturuara euro, dollarë?
 
Është një refleks i zemrës time, mendjes time, pra i këtij realiteti, që unë, atë pikturë që kam realizuar në vitin 1969, kur ishte një përvjetor i Kongresit të Lushnjës, tashmë po e riideoj në një këndvështrim tjetër. Atëherë ideja e kësaj pikture ishte fitorja e Kongresit të Lushnjes. Ishte një pikturë për këtë ditë historike, ku ne kërkonin të na ndanin mes Serbisë, Italisë dhe Greqisë. Por sipas Kongresit Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Në vitet 1912 -1913 ajo u njoh nga shumë shtete të botës. Presidenti i SHBA-ve, Uillsoni deklaroi që Shqipëria është shtet i formuar dhe tashmë ajo ka marrë njohjen dhe territorin e saj. Kjo tashmë s’mund të kthehet mbrapsht. Prandaj ato forca që kanë pushtuar Shqipërinë të kthehen me ushtritë në vendet e tyre. Kjo Shqipëri ishte menduar të copëtohej nga fuqitë kapitaliste të kohës. Edhe sot po këta shtete të veshur me papion, me luks, me makina superluksoze, vijnë në Shqipëri kapardisur hapën dhe motelet e tipit modern (që Hygoi i ka dënuar motelet që në atë kohë, si vend për prostitucioni). Hygoi ishte njeri i paqes dhe njeriu i paqes lufton të shëmtuarën, të keqen. Edhe unë jam njeriu i paqes. Kjo Shqipëri sot është lënë në mëshirë të fatit sa nga politika shqiptare po aq dhe nga ajo evropiane dhe superbosët evropianë.
 
Ku është lidhja e kësaj politike me “Shqipërinë nudo”?

Ti ndoshta e di më mirë se unë…Vajzat shqiptare shkojnë dhe shesin trupin e tyre në bordellot apo semaforët e botës. Po ashtu lidhin kontrata me motele. S’kanë lekë sepse i kanë prindërit papunë, i kanë të sëmurë dhe shkojnë në motele për të nxjerrë lekë për të vazhduar shkollën. Kush janë shkaktarët e kësaj gjendjeje? Evropa e din këtë gjendje dhe jep mësime për politikën shqiptare. Nuk e din Evropa që rrogat e shqiptarëve janë 150 euro kur qytetarët e tyre marrin 1500 apo 2000 euro në muaj?. Dhe rrogëtari shqiptar nuk ngre kokë për këtë pagesë sepse ngelet fare pa punë. Një proverb rus thotë “Aty ku s’je, mendon se je më mirë”. Por po ta provosh s’është ashtu. Emigracioni është i dhimbshëm. E ke dëgjuar këngën e emigrantit të Spanjës? Të ngjeth mishtë. Të bën të ngelesh pa mend. Emigranti, emigranti… Ne nuk duhet të kënaqemi që na dërgojnë 100 euro nga jashtë emigrantët, vëllezërit tanë. Nuk është ekonomi kjo…
 
Nga se vjen gjithë kjo anomali në politikën shqiptare dhe ekonominë e vendit tonë?

Sepse çdo gjë tek ne është ndërtuar mbrapsht. Ndryshe nga gjithë bota. Konkretisht, ministritë shqiptare të gjitha dyert i kanë nga mbrapa jo nga para. Sepse dhe punët bëhen mbrapsht edhe kryeministra nga mbrapa e ka hyrjen. Vetëm një ministri e ka nga para derën ajo e Kulturës që është bërë tani. Edhe te pensionet dyert janë mbrapsht. Prandaj, çfarë presim të na vejë mbarë?
 
Prandaj Shqipëria nga ju në shumë piktura paraqitet nudo?

Sigurisht, përderisa punët venë mbrapsht. Kongresi i Lushnjës luftoi për Shqipërinë, të mbrohet, të mos copëtohet. Ja arriti qëllimit. Ndërsa ne sot shohim se kjo Shqipëri duket si e goditur me thika, Më duket si ajo piktura e një piktori francez të viteve 1912, që e kishte pikturuar Shqipërinë të goditur me thika. Pra këmbët, kofshët e Shqipërisë janë duke u fërkuar nga duart e atyre që kanë euro në duar, siç po bëhet me Himarën që na gënjen greku duke bërë disa kisha, ndonjë shkollë apo rrugë dhe trumbeton me disa të shitur që Himara është greke. Pra blihen këmbët e bukura të

Shqipërisë për pesë para. Ku janë politikanët?

Qeveria shqiptare hesht sepse ekonomia kombëtare shqiptare është shkatërruar. Ndaj shijnë grekët dhe serbët apo të tjerët mbi trupin e bukur të Shqipërisë që tashmë është “nudo”. E shijojnë të huajt këtë “nudo” sepse kanë para. 72 miliardë lekë janë vjedhur nga ekonomia shqiptare këto 20 vjet, ndërmarrje, uzina, fabrika, punishte, armatime, miniera, buste, e ç’të të them. Ku kanë shkuar? Janë rrëmbyer. Nga një grusht njerëzish. Shqipëria është veshur vetëm me një bluze kuq e zi që nuk ka mbuluar edhe fytyrën. Pra atë fytyrë që e ka pamjen e mjegullt.
 
Pikturat që do të paraqiten

Nuk e di. Janë disa. Sepse Shqipëria është zhveshur nga të gjitha anët. Nga të gjitha drejtimet. E kanë lënë si një vajzë të bukur por të zhveshur. Ta shijojnë ata që kanë lekë, kur në fakt është dhe duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve. Do ta paraqes në të gjitha këndvështrimet. Në të gjitha ato pjesë që të duket e tëra nudoja shqiptare. Unë në kohën e socializmit kam qenë në disa vende jashtë shtetit. Një çast që vija nga Kina, ndalova në Hungari (Budapest 1973). Filluan të kontrollonin të gjithë sa ishin në avion që dilnin. Nga Kina, Rusia, Gjermania. Nga je ti më thanë mua. Nga Shqipëria. Më nderuan dhe më thanë kalo, pa më parë asgjë. Sikur të isha president. Të tjerëve s’u lanë as çorape pa kontrolluar. Ndërsa pas vitit 1991, na kanë vënë qentë në Austri në kufirin Austriako- Gjerman. Na kontrollonin sikur të ishim kriminelë. Qentë dhe policët kudo që shihnin, na thoshin të pa fe, kriminelë, hajdutë…Unë që nuk di të gënjej, pyes veten, përse kjo gjendje ? Ç’është kjo kastë 20- vjeçare që e katandisi Shqipërinë në këtë farë feje?!
 
Si e zhveshi politika Shqipërinë nudo

PO. Nga latinishtja ministër do të thotë shërbëtor. Pra ata janë shërbëtorë të popullit. Fatkeqësisht nuk është kështu. Ata janë pronarët e popullit. Prandaj Shqipëria tashmë në sytë tanë dhe të të huajve është zhveshur nudo. Këtë dua të tregoj me këtë ekspozitë. Shqipëria si një nga vendet më të bukura në botë, por që drejtohet nga politikanë të shëmtuar. Dje kritikoja mënyrën e drejtimit të ekonomisë komuniste dhe më thoshin rebel. Edhe sot e njëjta gjë. Drejtimi i ekonomisë është false, iluzive, donkishotjane. Rebel politikanët quajnë ata që nuk u shkojnë pas ujërave, por kritikojnë drejtimin pa principe të shtetit duke parë në radhë të parë interesin e vet. Kështu është quajtur edhe Bajroni edhe Francisko Goja. Turgenjevi, Rebrandi, të cilit i grisën një pikturë pasi një pjesë të aristokracisë i bëri siç ishin të shëmtuar (në shpirt). Artisti është rebel se shikon më tej se sytë e pragmatistit. E vërteta është e shenjtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora