E enjte, 25.04.2024, 11:07 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: “Minosët” e kohës sonë

E hene, 23.02.2009, 07:12 PM


“Minosët” e kohës sonë

Nga Reshat Kripa

Në historinë e kombeve të ndryshëm ka disa data që në kujtesën e popujve bëhen simbole të epokave që ato përfaqësojnë. Me kohë kanë hyrë për të mos u shlyer nga kujtesa data të tilla të ndritura, si 28 nëntori 1443, kthimi triumfal i Gjergj Kastriotit në Krujë, 28 nëntori 1912, shpallja e Pavarësisë Kombëtare si dhe shumë data të tjera. Në radhën e këtyre, një vend nderi zë edhe 20 shkurti 1991, data e rrëzimit të monumentit të diktatorit, dita e çlirimit të vërtetë të Shqipërisë.
    Në këto momente solemne nuk ka se si të mos më dalin para syve ato ngjarje të dhimbëshme të ndodhura gjatë periudhës së errët të diktaturës.
Qershori i vitit 1985. Jorgo Shelloja dhe Sotir Nastua, dy të rinj 20-vjeçarë nga Narta e Vlorës, tentojnë të kalojnë me not nga Saranda në Korfuz. Diktohen nga forcat e sigurimit, të cilat i ndjekin me motobarkën e mbrojtjes. Por në vend që t’i arrestojnë sipas ligjeve të vendit, i masakrojnë me helikën e motobarkës dhe sikur të mos mjaftonte kjo, të nesërmen, me urdhër të kryetarit të degës së punëve të brendëshme, i lidhin pas një makine dhe i tërheqin zvarrë rrugëve të qytetit. Pastaj lajmërojnë familjarët e tyre. Apostol Nastoja nuk guxoi  të merrte kufomën e të birit. dhe ai u hodh diku në një gropë në Sarandë. Ndërsa Pavllo Shellua e mori parasysh rrezikun. Mori kufomën e të birit por,. kur mbërriti në Nartë e priste e papritura e madhe. Kryesia e kooperativës dhe byroja e partisë nuk e lejuan ta varroste të birin në varrezat e fshatit. I mjeri plak duke mos ditur ç’të bënte, u detyrua ta varroste diku në jalli, duke mos lënë asnjë gjurmë varri.
    E takova këtë plak një ditë të vitit 1992. Dëshira e tij e vetme ishte që drejtësia të jepte vendimin e duhur për shkaktarët e kësaj ngjarje. Shoqata e jonë mblodhi dokumentat e duhura për këtë rast. Gjeti edhe dëshmitarët e ngjarjes. Por megjithatë drejtësia nuk veproi. Krimi mbeti pa u ndëshkuar.
Duke kujtuar këtë ngjarje të trishtueshme, më dalin para syve ngjarjet e një filmi gjerman që kam parë në fëmininë time. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist, që në laboratorët e tij eksperimentonte llojet më të egra të torturave, që më vonë do të ushtroheshin  mbi robërit e luftës, hebrejtë apo kundërshtarët e rregjimit. Pas mbarimit të luftës mjeku arrestohet dhe merr dënimin e merituar. Para syve më ka mbetur e gjallë finalja e këtij filmi. Mjeku i kapur mbas hekurave të burgut duke thërritur: - Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm! Ndërsa në sfond prapa tij, shfaqeshin krimet e kryera prej tij. Filmi kishte një titull kuptimplotë; “Vrasësit janë midis nesh”. Dhe tani dua të pyes: A kemi vrasës midis nesh? Përgjigja ime është po. Ata kanë kapur instancat më të larta të vendit.
Le ta ilustrojmë këtë me disa shembuj: Në vitin 1977 ekzekutohen dy poetë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, ndërsa vrasësit e tyre sot nderohen  duke arritur shkallët më të larta, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, apo duke fituar tituj për veprat e tyre, në një kohë kur duheshin demaskuar. Në vitin 1979 në kampin e Spaçit ekzekutohen tre martirë, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, vetëm se kishin guxuar t’i shkruanin letër diktatorit. Ekzekutuesi i tyre deri dje prokuror në Prokurorinë e Përgjithëshme, sot prokuror në Prokurorinë e Elbasanit, në një kohë kur duhet të jepte llogari për krimin e kryer. Në  vitin 1984 në kampin e Qafë-Barit ekzekutohen tre martirë të tjerë, Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe Sandër Sokoli. Kush është ekzekutori i tyre? Një “institucionalist i shquar” që shet norma morali dhe që propagandon pa pikë turpi mbi të drejtat e njeriut nëpër ekranet e televizioneve apo faqet e gazetave që qëndrojnë të hapura katër kanatash për të, në një kohë kur duhej të ishte në bangën e të akuzuarve.
    Në vitin 1988 ekzekutohet, me varje në litar, poeti Havzi Nela, me akuzën e plagosjes së një polici. Ekzekutori i tij deri dje ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe sot është anëtar i kësaj gjykate, në një kohë kur  duhej të ishte dënuar.
Më thoni të nderuar lexues, në cilin ligj të asaj kohe ishte shkruar se njeriu mund të masakrohej me elikën e motobarkës dhe të hiqej zvarrë nëpër rrugët e qytetit? Në cilin ligj ishte shkruar se poeti mund të vritej për vargjet e tij, qofshin ato edhe kundër udhëheqjes së atëherëshme? Në cilin ligj ishte shkruar se njeriu mund të vritej vetëm pse, brenda mureve të burgut, i kishte shkruar letër “Faraonit” apo kishte guxuar të ngrihej për të kërkuar përmirësimin e kushteve në kampet e egra? Në cilin ligj ishte shkruar se njeriu mund të varej qoftë edhe sikur të kishte plagosur një polic? Por Minosët* e kohës sonë nuk njohin ligje të tjera veç atyre të ferrit komunist.
    Por ajo që më shqetëson më tepër është mungesa e vetëdijes për të pranuar të keqen që ka sejcili prej nesh brenda ndërgjegjes së tij. A keni dëgjuar ndonjë zë që të pranojë se ishte i detyruar të kryente vepra që i shërbenin sistemit kriminal? A keni dëgjuar ndonjë të kërkojë falje? Në këto momente ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në Këshillin e Europës: “Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste”.
Një deklaratë kuptimplote, një thirrje e sinqertë e ndërgjegjes. Ja si është shprehur zoti Benesh, përfaqësuesi i grupi demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së Këshillit të Europës “Për dënimin e krimeve të rregjimeve komuniste”: Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Ndaj u drejtohem të gjithë politikanëve shqiptarë, të djathtë dhe të majtë, u drejtohem shoqatave të të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesve të  SHBA-së dhe vendeve të Bashkimit Evropian apo Këshillit të Evropës, jemi edhe ne pjesë e këtij vendi, ne që i hoqëm mbi shpatullat tona tmerret e komunizmit, ne që e paguam me gjakun e njerëzve tanë më të dashur, eshtrat e të cilëve ende nuk po i gjejmë dot. Mos na harroni.Na pyesni edhe ne. Mos u nxitoni në veprimet tuaja pa marrë mendimin tonë, sepse ne i njohim më mirë ato tmerre. Në rast të kundërt na lind e drejta të themi se, kur vrasësit tanë u lejokan të arrijnë majat e olimpit të politikës dhe shtetit shqiptar, a mos vallë paskemi qene ne fajtorët e atij regjimi të urryer, ne që e paguam me jetët tona?
  
“Minos” ishte Mbreti i Kretës. Pas vdekjes një nga tre gjyqtarët djaj të botës së përtejme
Autori i shkrimit është Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, dega e Tiranës



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora