E enjte, 28.03.2024, 08:16 PM (GMT)

Mendime

Rexhep Shahu: Ditari i urrejtjes së Paskal Milos

E hene, 23.02.2009, 06:19 PM


Ditari i urrejtjes së Paskal Milos

Nga Rexhep Shahu

Lexova në shtyp pak faqe nga ditari i Paskal Milos, si ish ministër i jashtëm i Shqipërisë, për Kosovën. Qesha me vete dhe thashë: varja teneqenë e bjeri legenit.
Por teksa ndiqja një bisedë të tij me Babaramon në “5 pyetje nga Babaramo”, u nervozova dhe mendova se nuk duhet të heshtin të gjithë njerëzit se kështu helmohen të gjithë nga mashtrimet e Milos. Unë nuk dua të merrem me gjithë ditarin e tij, se rrenat e servilizmi i tij të bëjnë me vjellë, por sa lexova e dëgjova, ndjeva se Milo po hakmerret ashpër me Ibrahim Rugovën, i cili fizikisht nuk është më që ta tallë sërish të mjerin Milo.
Një herë në një takim mes Rugovës dhe Milos ka ndodhur kështu: Milo i fliste për Kosovën, për çeshtjen kombëtare, bënte patriotin e madh para Rugovës, bënte politikanin e klasit të lartë para Rugovës, gjeopolitikanin, sufleramerikanin, etj etj. Ai, Rugova, durimmadhi, që kishte si fatkeqësi të tijën patjen e informacioneve të shumta, të kryqëzuara e të verifikuara nga shumë drejtime e sidomos nga miqtë amerikanë të shqiptarëve dhe kancelari të tjera mike të shqiptarëve, teksa dëgjonte llomotitjen e Milos, heshtte e nënqeshte lehtë. Kur i erdhi radha, se ai linte radhë për të folur dhe dinte të priste radhën, fillon dhe i flet Paskalit të Milos, (si Çehovi grave... per reçelin...), për manin, si një pemë shumë e çmuar, një pemë e dobishme, për frutat e manit, për vlerat e tyre, për rakinë e manit, për vetitë e saj edhe kuruese etj etj. Sa më shumë Paskali hapte sytë, aq më shumë Rugova i fliste për manin, frutat e bardha, të zeza e të kuqe të manit dhe rakinë e manit.
Kështu filloi dhe mbaroi biseda e krejt takimi. Milo iku nga sytë këmbët dhe nuk ia harroi kurrë këtë gjë Rugovës. Edhe herë të tjera kur rastësisht dhe kurrë jo domosdoshmërisht janë takuar, Rugova ia ka kujtuar manin e rakinë e manit. Milo priti vdekjen e Rugovës dhe të kalojë do kohë e të bindet taman se Rugova ka vdekë (jo Kosova e jo rugovizmi) dhe del e shet dëngla, përralla e rrena për Rugovën. Ngeli Milo t’ia bëjë portretin Rugovës. Portreti i Rugovës është portreti i Kosovës. Në atë emision të Babaramos (i cili nuk u tregua miqësor me Milon), Milo foli për Demaçin, Qosen, Thaçin, Zekën, për pseudonimsa, shiksa, sigurimsa, anonimë etj. Tha se nuk kanë rëndësi votat, kur Babaramo i tha se politikani matet me vota. Nuk është tregues a të votojnë apo jo qytetarët e tu, por Rugova është i keq e Thaçi e Qosja të mirë, ani se këta dy të fundit dolën qeth e rruar, qose në zgjedhje në Kosovë pas luftës dhe nuk u vertetua teza komuniste se pushtetin e fitojmë me grykën e pushkës. Pasi qe bërë ngaterrese e madhe nga Milo e të tijtë në Shqipëri e Kosovë e ngado dhe nuk u dallua se a u luftua për të çliruar Kosovën apo për t’ia marrë pushtetin Rugovës. Luftë e madhe për Kosovën në hotelet, zyrat e lokalet e Tiranës, me mjekërrruarit, me ata që u veshën si gratë e rruan mjekrat për të ikur nga Prishtina e për t’u fshehur në Tiranë në vilat qeveritare. Dhe që nuk kanë thënë ende qartë se luftën e bënë dhe fituan amerikanët dhe NATO-ja dhe Bill Klintoni na la detyrë në Ferizaj që ne të fitonim PAQEN se luftën e bënë dhe fituan ata vetë e jo shqiptarët, ani pse qejfi ia ka Milos e të tijve të jetë ndryshe, por s’është dot ndryshe, për fat të keq të tigrave të paqes.
Kjo ngatërrese solli që të fitonte Rugova sepse nuk kishte hapur kurrë xhepin e palltos për të vjelë honorare patriotizmi, nuk kishte ikur dhe nuk e kishte braktisur Kosovën kurrë dhe nuk kishte ngritur seli në zyrat e Paskal Milos në Tiranë, në hotelet e Tiranës, Kukësit a ku të them tjetër. Rugova nuk e përfillte Milon dhe ky është shkaku i vetëm i diratit të urrejtjes. Nuk e konsideronte, nuk ia mbushte mendjen. Milo donte dhe i bënte fresk dikujt tjetër që i puthte dorën Janullatosit kur ai fliste keq për shqiptarët, dikujt, që ndërsa populli qante nga dhimbja, para shumë kufomave, u thote njerëzve në miting se unë shoh gëzim e lumturi në sytë tuaj, etj etj. Milo deomos laget sa herë përmend Thaçin, por ama laget dhe nuk e fsheh dot përulësinë mjerane para Thaçit, të cilin Milos ia ka prezantuar dhe ia ka çuar në zyrë ish shefi i shërbimit sekret të Shqipërisë, Fatos Klosi (kështu i rrefeu Milo Babaramos…)  dhe Milo me të tijtë është sjellë ndaj Kosovës, Thaçit e të gjithve si kapterr i Fatos Klosit.
Milo rreket të poshtrojë sa mundet e si mundet Rugovën dhe të lartësojë Thaçin. Rrëfen për takimin me Rugovën në Itali kur i ndjeri sapo ishte liruar nga Milosheviçi. Rrëfen siç don ai dhe për ta bërë të besueshme rrefenjën e tij përfshin edhe dy vartës të tij që mbanin shënime në mënyrë të pavarur. Në këtë takim a ka patur njeri tjetër aty pari apo Rugova ka shkuar i vetëm fillikat në takim me Milon... Rugova paska folur mirë për serbët. Milo ka pritur që Rugova të shajë, thërrasë e ulërasë, t’i vrasë serbët në tavolinë sy Milos, t’ua kalarojë nënat, t’i qahet Milos, dhe ai t’i jepte ndihmë, ta qetësonte, (ah sa vuajtje e ka burri që nuk e ka përfillë aspak ai Rugova...), Milo që për Rugovën ka qenë qysh prej fillimit i padenjë, i papërfillshëm, i padobishëm, i parëndësishëm, për çeshtjen shqiptare, për shkakun e vetëm se Rugova kishte shumë e shumë herë më tepër informacione të gjithëçfarëllojshme për Paskal Milon sa vetë Paskali nuk kishte e nuk dinte e nuk din ende për veten e tij.
Është mënyrë e mirë që për të rritur pjacën tënde, për t’u bërë dikushi dhe për t’i shpëtuar pluhurit të harrimit, të merresh e qoftë edhe të përgojosh figura të mëdha. Milo ka gjetur figurën e duhur për të shënuar emrin e tij. Bjeri Rugovës, pështyj Thaçit e kacavjerru e puthe e kafshojë prej gjoja dashurisë së madhe për të.
Por vetëm kaq do t’i thoja Milos: Po të ishte gjallë Rugova edhe 20 vjet, 20 herë do t’i fintonte zgjedhjet në Kosovë. Sepse e donte populli i tij. Ti Milo nuk je pjesë e popullit të tij. Mos i mashtro njerzit sidomos në Kosovë. Thaçi nuk mund të të dojë ty, sado hero ta bësh ti, sepse ai e kupton se ti e suvaton dhe bojatis si Rama pallatet e Tiranës për të mashtruar votuesit, nuk mund të të dojë ty më shumë se sa e don Ibrahim Rugovën. Sepse edhe Thaçi është rritë me Rugovën, është mëkuar me idetë e tij, është rritë me rugovizmin e tij, është një nga nxënësit e shkollës së tij. Edhe Thaçi s’del dot prej Rugovës. Ndaj mos i përçaj më shqiptarët në Kosovë. Sidomos tash që nuk është ai që të rrëfen ty në takime diplomatiko-politiko-ministrore, për manin, frutat e rakinë e manit.
Promovimi dhe reklama e tipit bolshevik që po i bëhet ditarit të Milos, ka për qëllim që të shuajë e sfumojë Rugovën, epokën e tij, filozofinë e tij, anise çfarë e si e tha ai ndodhi në Kosovë e me Kosovën realisht, si dhe të mitizojë dhe heroizojë kundërshtarët politikë të Rugovës. Në dukje është dëm për Rugovën, por në fakt është dënim që po u jep Milo kundërshtarëve të Rugovës, të cilët kujtojnë se kanë pushtetin në Kosovë. Rugovën s’e cënojnë dot paskalët e as milot e jo më shtetasit e tij sado të pushtetshëm të jenë bërë pas vdekjes së Rugovës. Sepse Rugova është udhërrëfyesi i çdo njeriu që i thotë vetes shqiptar e që jeton në tokën e tij amë, Kosovë, anipse edhe Milo, si serbët, i ndan në kosovarë e shqiptarë dhe u thotë kosovarëve se tokë amë kanë Shqipërinë, duke pohuar e vertetuar si historian tezën serbe se Kosova nuk është tokë shqiptare, siç ua thoshin serbët shqiptarëve të Kosovës kur i dëbonin, ikni shkoni në shtetin tuaj amë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora