E enjte, 25.04.2024, 10:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ndrekë Gjini: Rivrasja e Azem Hajdarit (VI)

E hene, 23.02.2009, 06:29 PM


Përse shteti shmang nga hetimi vrasjet, vjedhjet, grabitjet e bandës që mori pjesë në vrasjen e Azemit 

Prokuroria: Asnjë akuzë tjerër për Salihin, përveç vrasjes së Hajdarit

Vjedhja dy herë e Bankës së Tropojës dhe krime të tjera, lihen në harresë nga Prokuroria e Përgjithshme

Për Prokurorinë e Përgjithshme, Jaho Salihi akuzohet vetëm për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit. Kështu kanë deklaruar burime të organit qendror të akuzës. Duke iu referuar edhe punës së grupit të prokurorëve dhe hetimeve e marrjes në pyetje e Salihit, burime të Prokurorisë së Përgjithshme, bëjnë të ditur se po bëhet kujdes që Jaho Salihi të mos “rëndohet” më shumë se një bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.
I dorëzuar vetë, në këmbim të garancive të marra më parë, Jaho Salihi, njihet si autor i shumë veprave të tjera penale, të cilat nga Prokuroria e Përgjithshme janë lënë në harresë dhe nuk përbëjnë objekt të hetimeve të saj.
Një sërë veprash të rënda penale, si vrasje, grabitje, marrje peng personi, përdhunim etj., të provuara e të publikuara si “punëra” të Jaho Salihit, përcillen me indiferentizëm nga organi qendror i akuzës, i cili nën presionin e kreut të saj Arben Rakipi, por edhe të pushtetit politik, është i shtrënguar të bëjë të paditurin.
Në Prokurorinë e Përgjithshme, duke treguar për informacionin e bollshëm që ekziston në ngarkim të Jaho Salihit, për të gjitha veprat penale që kanë atë për autor, tregojnë se asnjë prej tyre nuk ekziston si akuzë në dosjen voluminoze të grupit të prokurorëve.
Vjedhja dy herë e Bankës së Tropojës, dhe përfitimi nga kjo vjedhje e qindra milionë lekëve, ende nuk ka “detyruar” Prokurorinë të ngrejë akuzën ndaj Jaho Salihit, megjithë provat e bollshme që ka në dispozicion.

Çfarë fshihet pas dëshmisë surprizë të ministrit të  Drejtësisë në farsën gjyqësore të çështjes “Hajdari”

Imami dëshmitar apo manipulator i çështjes “Hajdarit”   

Gjyqtari: Imamin e presim si dëshmitar jo si misionar politik të qeverisë

Ministri i Drejtësisë Arben Imami, është thirrur për të dëshmuar para gjykatës në gjyqin e çështjes “Hajdari”. Burime nga Gjykata e Rrethit, bëjnë të ditur se emri i Arben Imamit ka hyrë në listën e dëshmitarëve të kësaj çështje vetëm pas dorëzimit të Jaho Salihit. Kjo ka përbërë edhe surprizën më të madhe të kësaj farse, pasi Arben Imami nuk është  përfolur në asnjë moment as nga akuza e as nga opozita si i implikuar apo dëshmitar në këtë çështje. Çfarë do të dëshmojë Imami kjo ka ngjallur  kureshtjen e opinionit, por edhe të gjyqtarëve e prokurorëve të kësaj çështje. Prokurorët në fjalë  deklarojnë se Imami nuk është marrë në pyetje gjatë hetimit të kësaj çështje, por dëshmitë e tij do t’i sjellë para gjykatës në sallën e gjyqit. Ky burim nuk jep asnjë të dhënë apo motiv se për çfarë do të thirret si dëshmitar në këtë proces ministri Imami. Njëri prej avokatëve të kësaj çështje u shpreh dhe se ky person nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje dhe uroj që ai të mos paraqitet në sallën e gjyqit si misionar, por të flasë thjesht si dëshmitar në se di diçka rreth kësaj çështje.
Pritet që Imami të jetë pjesë e skemave të përgatitura nga SHISH dhe Prokuroria për këtë çështje. Një prej gjyqtarëve të çështjes, tha se ka shumë pak gjasa që Imami të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar me dëshirën e vet, gjë që ngjall dyshime pasi ai e bën këtë me dëshirën e vet. Ligji sipas gjyqtarit e mbron atë nga detyrimi për dëshmi përpara gjykatës sepse duke qenë se ai aktualisht është deputet nuk mund të detyrohet për të dëshmuar para  trupit gjykues.
Gjithësesi le shumë për të dëshiruar dalja në skenë e emrit të tij si dëshmitar vetëm pas vetëdorëzimit të Jaho Salihit, i cili akuzohet si njëri nga autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Dhe ky emër në listën për dëshmitarë vjen pas takimeve që ka siguruar paraprakisht me Jaho Salihin vetë prefekti i Tiranës, Taulant Dedja, në qelitë e burgut të Tiranës. Avokati i Fatmir Metës ka paralajmëruar se do të ketë dëshmi shumë interesante për proçesin. Kjo për faktin se sipas tij me provat që ky avokat ka arritur të sigurojë do të bindë trupin gjykues se në vendngjarje kur është vrarë Azem Hajdari nuk ka qenë makina e Fatmir Metës, por ajo e përfaqësuesit të qeverisë në Tropojë në atë kohë, pra e Taulant Dedjes. Ky avokat deklaron se do të arrijë t’i hedhë poshtë skemat e parapërgatitura nga SHISH dhe Prokuroria për manipulimin e kësaj çështje më qëllim fshehjen e autorëve dhe urdhëruesve të vërtetë të këtij krimi politik.

Dëshmitarët  e Prokurorisë pohojnë implikimin e krerëve të qeverisë në vrasjen e deputetit Hajdari

Teta: Nano dhe Klosi e dinin  kur  do të vritej Azemi

Arben Duka, tha në seancën e tetë të këtij procesi  se ka takuar vetëm disa ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, ish ministrin e Rendit, Perikli Tetën, dhe e ka vënë atë në dijeni për makinën me të cilën është kryer krimi si dhe për autorët e krimit. Ai tha se i ka thënë Tetës se disa nga autorët e krimit janë në Tiranë tek lokali “Tarzani 2”, pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë dhe se askush nuk ka vepruar për t’i kapur ato

Ish-ministri i Rendit Publik, Perikli Teta, ka dëshmuar në gjykatë në seancën e sigurimit të provës së tij para afro një viti se Fatos Nano dhe Fatos Klosi e dinin që më 15 maj 1998 se ndaj deputetit Azem Hajdarit po përgatitet një atentat për vrasjen e tij. Dhe këtë atentat sipas dëshmisë së ish ministrit të Rendit po e përgatiste shefi i Komisariatit të Policisë Tropojë, Fatmir Haklaj. Dëshmia e Tetës që u lexua në seancën e tetë të këtij gjyqi do të  sillte mjaft të dhëna interesante të cilat provojnë implikimin e krerëve më të lartë të qeverisë në këtë vrasje politike. Në dëshmitë e Tetës dhe në bllokun e tij të shënimeve është i zbardhur krejt skenari i vrasjes së deptutetit Azem Hajdari. Atë e kanë informuar që natën e kryerjes së krimit rreth autorëve dhe makinave me të cilat kanë lëvizur kriminelët. Por gjithësesi në këto dëshmi dhe në shënimet e bllokut të tij, vihet re lehtësisht pafuqia e tij për të vepruar. Kështu në këto dëshmi ai thotë se ka dhënë urdhër për arrestimin e Jaho Salihit, por më pas ky arrestim nuk është kryer. Kjo pa treguar motive bindëse se pse ndodhi kështu, Teta ka deponuar para prokurorëve për këto gjëra që di që më 25 shtator 1998. Atje sipas tij ka dorëzuar edhe një kasetë filmike, e cila është zhdukur më pas, flitet për një intervistë të tijën të dhënë për TVSH, e cila nuk u transmetua pasi në atë moment është lidhur në telefon me Jaho Salihin dhe Taulant Dedjan, ku ky i fundit e ka marrë në mbrojtje Salihin duke thënë se ky person ka qenë në Tropojë.
Në këtë seancë qe parashikuar të pyetej ministri Drejtësisë Arben Imami, i cili nuk u paraqit pasi sipas gjykatës ishte i zënë me një konferencë. Në vend të tij erdhi në gjykatë për të dëshmuar ish bodigardi i tij, Kleo Murati. Ky dëshmitar tregoi se i ka thënë ministrit të tij se tre-katër javë para se të vritej Azem Hajdari, ka parë në lokalin tij Izet Haxhinë me tre persona të tjerë. Asnjërin prej tyre nuk i njihte, tha ai, - ndërsa me Izetin ishin miq pasi kishin qenë në shkollë bashkë. Gjyqi i çështjes Hajdari ka shënuar  një nga seancat më interesante.
Dëshmitari Ferdinand Lamaj, tha se makina me të cilën është kryer krimi nuk ishte e Fatmir Metës, por e tij. Makina me targa VL 0646 nuk ka qenë e Fatmir Metës, tha ai dhe më pas ka treguar para gjykatës se si ia kishin marrë atij makinën tip Benz me ngjyrë të zezë Astrit Muldaka dhe Jaho, makinë kjo nga e cila është qëlluar me breshëri armësh mbi Azem Hajdarin dhe dy truprojet e tij Besim Cerja dhe Zenel Neza, natën e 12 shtatorit.
Sipas dëshmitarit Ferdinand Lamaj, i akuzuari Fatmir Meta, nuk ia ka kërkuar makinën atij dhe as nuk i ka marrë makinën atij ndonjëherë, por atë e ka parë në mëngjezin e 12 shtatorit 1998 para lokalit të tij, “Tarzan 2”, që është në afërsi të Drejtorisë së Policisë Tiranë. Por aty, siç tha Lamaj, kam takuar edhe Jaho Salihin, të cilin ia kishte prezantuar miku i tij, Astrit Muldaka, si shef të policisë Tropojë.
Astrit Muldaka, tha Lamaj më kërkoi makinën për të dalë me të dashurën e tij dhe nuk ma solli më. Në darkë, kur u kthye Muldaka, më tha se kemi vrarë tre vetë se po largohet pasi aty është plagosur edhe një shoku i tyre, (ishte fjala për Naim Cengun). Pas dëshmisë së Lamajt, ka reaguar Fatmir Meta, i cili i ka thënë Lamajt, që bëre mirë që erdhe të dëshmosh dhe është mirë të thuash vetëm të vërtetën pasi gazetat na shkatërruan duke sajuar se është bërë krimi me makinën time etj. Ai i ka kujtuar Lamajt edhe bisedën që kanë bërë disa kohë më pas tek lokali “Juna”, ku ky i fundit i ka kërkuar Metës që ta ndihmojë që t’i kthehet makina, ose t’i jepen paratë e makinës. Madje Lamaj, sipas Metës, i kishte thënë ish shefit të Policisë së Tropojës se makina e tij lëviz nëpër Tiranë me targa të Shkodrës dhe se atë e përdor Halil Haklaj. Lamaj, tha se pas ditës së vrasjes kam biseduar me Muldakën dhe kemi rënë dakord që ai të më japë paratë e makinës. Më pas, Fatmir Meta u largua nga salla e gjyqit për shkak siç u tah  të  rëndimit  të gjendjes shëndetësore.
Ndërsa dëshmia e Arben Dukës ish – shef i zyrës së Rendit dhe të Mbrojtjes pranë prefekturës Tiranë, ka qenë në vetvete një denoncim për tërë strukturat qeverisëse lidhur me implikimin e tyre në vrasjen e Azem Hajdarit. Duka, tha se ka takuar ish ministrin e Rendit, Perikli Tetën, dhe e ka vënë atë në dijeni për makinën me të cilën është kryer krimi si dhe për autorët e krimit. Ai tha se i ka thënë Tetës se disa nga autorët e krimit janë në Tiranë tek lokal “Tarzani 2”, pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe se askush nuk ka vepruar për t’i kapur ato. Duka, ka treguar para gjykatës se është takuar me ministrin Teta dhe i ka treguar atij gjithçka kishte mësuar nga miku i tij, Ferdinand Lamaj. Nuk e di se ku ngeci informacioni im, ka deklaruar Duka, pasi shteti më pas i shkëputi marrëdhëniet me mua.
Këto dëshmi kanë shkaktuar reagime të forta në sallën gjyqit ku të pandehurit kanë sharë prokurorët lidhur me manipulimin e provave. U desh ndërhyrja e forcave speciale për të shuar këtë sherr.
Pas një pushimi seanca ka vazhduar me leximin e dëshmisë së ish-ministrit Perili Teta, dëshmi e cila është dhënë gjatë seancës së zhvilluar me të në gjykatën e Tiranës, në një gjyq për sigurim prove. Teta, tha se më 15 Maj 1998 kishte marrë një informacion me shkrim nga SHIK se ndaj Azem Hajdarit po përgatitej një atentat nga Fatmir Haklaj dhe disa persona të tjerë. Teta ka deklaruar se i ka informuar për këtë informacion të gjitha instancat përkatëse dhe vetë Azem Hajdarin. Teta, ka thënë ndër të tjera se për vrasjen e Azem Hajdarit, e ka lajmëruar i pari ish-kryeministri Fatos Nano dhe më pas zëvendësministri i Rendit, Ilir Çano. Teta, ka thënë se ka folur në telefon me Jaho Mulosmanin dhe se sipas tij, ai kishte qënë i sëmurë me temperaturë. Ai ka thënë se ka lëshuar urdhër për arrestimin e Jaho Salihit, por ky urdhër nuk u ekzekutua pasi u rëndua gjendja në vend. Teta, ka treguar edhe për një vërejtje që i ka dhënë në atë kohë zëvendëskryeministri Kastroit Islami, i cili pas intervistës së Tetës në një radio të huaj i ka thënë ish-ministrit të Rendit të ketë kujdes me deklaratat e tij mbi autorët e krimit dhe përsa i përket çështjes së arrestimit të tyre. Teta në dëshmitë e tij flet edhe për tentativat e tij për dorëheqje çka do të thotë se ka patur shumë presion nga eprorët e tij për të mos vepruar lidhur me zbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit dhe arrestimin e autorëve të këtij krimi politik.
Në seancën tjetër të këtij proçesi pritet një përplasje tjetër pasi pret të vijë për të dëshmuar prefekti i Tiranës, Taulant Dedja, që ka mbrojtur haptazi të akuzuarin kryesor të kësaj vrasje, Jaho Salihin dhe madje sipas ish ministrit Teta, ka qenë Dedja, ai që ka insistuar në emërimin e Salihit si shef policie në Tropojë.

Teta: Prokuroria shkatërroi provat e vrasjesa së Azemit

-Cfarë u tha dhe cfarë nuk u tha pas seancës së sigurmit të provës të ish-minsitrit Perikli Teta

Ish-ministri i Brendshëm, Perikli Teta, ka akuzuar  Prokurorinë si shkatërruese të provave të vrasjes së Azem Hajdarit. Teta dorëzoi për zbardhjen e kësaj çështje një material me 60 faqe, meqënëse kaseta me dëshmitë e tij në Prokurori dhënë para disa kohësh, është zhdukur dhe zbardhur me diferenca dhe falsifikime skandaloze. Ai ka deponuar para disa muajve për mëse pesë orë para gjykatës në prani dhe të prokurorit lidhur me gjithçka ai di rreth vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.
Ai ka kërkuar vetë me insistim të zhvillojë këtë seancë para gjykatës në prani edhe të njërit prej të arrestuarve si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, ish - shefit të Komisariatit të Policisë Tropojë, Fatmir Meta. Dëshmitë e tij për këtë çështje, Tata, i ka dhënë në një seancë me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie. Për të drejtuar këtë seancë që në gjuhën juridike quhet sigurim prove, ishte caktuar gjyqtari Kreshnik Omari, ndërsa si prokuror ishte prezent Artur Selmani, njëri prej pesë prokurorëve që hetojnë mbi çështjen Hajdari. Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe avokatët Saimir Visha dhe Hysni Beti të cilët mbrojnë në këtë proçes të arrestuarin Fatmir Meta.
Në këtë seancë ish-ministri i Brendshëm Perikli Teta, sipas një burimi brenda sallës është shprehur lidhur me deponimet e tij të dhëna para prokurorëve me inçizim në kasetë se: “Nuk e kam dëgjuar kasetofonin deri në fund, por kam lexuar materialin e zbardhur dhe në material shumë gjëra mungojnë. Nuk ngul këmbë, nuk akuzoj njeri, nëse kjo që po them tani ka qenë apo jo në kasetofon. Por unë kam patur shumë dyshime lidhur me këtë problem...”
Pasi ka mbaruar kjo seancë maratonë ish-ministri i Brendshëm Teta, i pyetur nga gazetarët e ka mohuar një fakt të tillë të deklaruar në  këtë seancë sigurimi prove të zhvilluar me dyer të mbyllura.

Ja çfarë deklaroi ish-ministri i Rendit pas seancës së sigurmit të provës në Gjykatën e Faktit Tiranë

Teta: Jaho Salihin e emërova me propozim të Taulant Dedjes

- Zoti Teta çfarë mund të deklaroni rreth kësaj seancë që u zhvillua sot?

- Po më mbajtët më shumë duhet të më jepni edhe drekën.
 Po filloj tua tregoj. Unë kam thënë që ditën e parë kur dhashë dorëheqjen nga posti i ministrit të Rendit se vihem në dispozicion të drejtësisë. Dy shkaqe kanë qënë ato për të cilat unë kam dhënë dorëheqje. Këto i kam deklaruar edhe në Prokurori. Të vihem në dispozicion të drejtësisë mbasi të akuzuarit për vrasjen e Hajdarit ishin persona të policisë dhe e dyta ishte jashtë konceptit tim moral të punoj me ato të cilët braktisën shtetin.

- Cilët janë emrat e atyre që akuzohen për vrasjen e Azem Hajdarit?
- Këto do t’i thotë gjykata. Unë deponova gjithçka di për këtë çështje. Unë nuk i kam firmosur deponimet e mia në Prokurori siç e dini edhe ju. Arsyet i kam shkruar dhe u kam thënë se çdo gjë do ta deponoj në Gjykatë. Sot kam deponuar të gjitha faktet dhe i kam dhënë në prani të gjykatës një material Prokurorisë prej 60 faqesh deponime.

- A ka gisht në vrasjen e Azem Hajdarit i arrestuari Fatmir Meta?
- Këto janë probleme të gjykatave. Unë i jam përgjigjur çdo pyetje që më është bërë rreth Fatmir Metës.

- A dinë gjë lidhur me fatin e kasetës tuaj ku ju keni deponuar në Prokurori?
- Kasetën time në Prokurori e kam lexuar bashkë me një material tjetër.

- A ka diferenca?
- Nuk ka diferenca.

- Pra ka qënë e njëjta dëshmi që ju kishit bërë në Prokurori ?
- Patjetër. Unë jam inxhinier dhe nuk gaboj.

- A janë vëllezërit Haklaj sipas jush të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit?
- Se cilët janë personat e implikuar këto janë probleme të drejtësisë. Deklaratat e mia dhe deponimet e mia kanë të bëjnë me atë se ç’di unë lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit.

- Nga ato që sot akuzohen si vrasës të Azem Hajdarit a është ndonjëri prej tyre i emëruar në detyrë prej jush?
- Mban firmën time emërimi i Jaho Salih Mulosmanit, në postin e shefit të Rendit të Komisariatit të Policisë së Tropojës. Siç e kam deklaruar shumë herë dhe siç keni shkruar edhe ju ky emërim më është propozuar nga Taulant Dedja.

- Po për dy emërimet e mëvonshme që i janë bërë Jaho Salihit çfarë dini ju.
- Nuk di asgjë se çfarë kanë bërë pasardhësit e mi. Pra për këtë ju duhet të pyesni pasardhësit e mi. Unë përgjigjem se çfarë kam bërë unë.

- A i kundërshtoi deponimet tuaja sot në seancë Fatmir Meta?
- Zakonisht në Gjykatë ka “Po” ka dhe “Jo”, por unë jam i qetë dhe i bindur për ato që thashë. Unë i kam të shkruara. I kam të gjitha të dokumentuara. Në Ministrinë e Rendit ka shumë gjëra të dokumentuara dhe të shkruara, kështuqë besoj se kjo është edhe ajo arsyeja që unë kam thënë që me arrestimet e para, (për mua nuk ka rëndësi se kush janë ato që janë arrestuar), lëmshi ka nisur të shpërdridhet dhe kjo çështje ka nisur të zbardhet.

- A është shpallur në kërkim Jaho Salihi që në kohën kur ju keni qënë ministër?
- Unë kam dhënë një urdhër që Jaho Salihi të arrestohet atë ditë dhe të sillej tek unë, por ju e dini se pas një ore u sulmua Ministria e Rendit filluan trazirat etj.

- Eshtë e vërtetë se ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, Fatmir Meta, ka ardhur tek ju dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të kryer arrestimin e Jaho Salihit dhe ju nuk ia keni vënë në dispozicion atij helikopterin?
- Nuk e kam patur dhe nuk e kam zakon, (megjithëse duket si mendjemadhësi), që të marr udhëzime dhe porosi, se çfarë duhet të bëj unë nga vartësit e mi, sidomos kur janë shumë të vegjël.

- A pati sot në seancë ndonjë kundërshtim të fortë nga ana e Fatmir Metës?
- Unë nuk e kuptoj se çfarë ju quani kundërshtim të fortë. Unë ju thashë se unë nuk marr porosi nga vartësit.

- A ishte dakord sot Fatmir Meta lidhur me ato që thatë ju për këtë çështje?
- Kishte “po”, kishte dhe “jo”

- Çfarë kishte “JO”?
- Të gjitha janë të shkruara aty.

- A do të ishte më mirë sipas jush që kjo seancë të zhvillohej me dyer të hapura?
- Unë të paktën jam i hapur. Megjithatë shteti është shtet dhe funksionon sipas normave të caktuara, pra ashtu siç do ta mendonte këtë drejtësia. Rëndësi ka që kjo çështje të zbardhet.

- Mendoni se keni thënë sot në Gjykatën e Tiranës gjithçka që dini rreth vrasjes së Azem Hajdarit?
- Nëse nuk mjaftojnë 60 faqet që sot i kam dhënë të shkruara dhe orët që sot vura në dispozicion duke deponuar, jam i gatshëm sa herë që të më thërrasin të vij këtu, për të sqaruar çdo gjë për të cilën do të pyetem.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora