E premte, 19.04.2024, 03:04 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Itali, historia e një intrige ndërkombëtare

E diele, 22.02.2009, 01:10 AM


NARGO 16 / Aksidenti ajror u shoqërua me një mister që nuk u sqarua kurrë

Pak javë më herët...

Në Romë kishte mbërritur një komando e përbërë nga pesë palestinezë me origjinë libiane, të cilët agjentët e SID (shërbimi i fshehtë italian) filloi t'i mbajë nën vëzhgim: mikrofona në dhomë, gjurmime etj. SID zbuloi shumë shpejt se 5 palestinezët kishin marrë me qera një apartament në Ostia, ku fshihnin dy raketa ruse tip "Strela" si dhe dispononin oraret e linjave ajrore izraelite të Aeroportit të Fiumicino-s në Romë. Një detaj shumë i rëndësishëm ishte tarraca që rrethonte dhomën ku ata banonin, që binte ekzaktësisht pingul me linjat e ngjitjes së avionëve. Hipoteza e atentatit ishte e qartë. Të pestë u arrestuan menjëherë.

Por ministri i Jashtëm i asaj kohe, Aldo Moro, dha urdhërin për rikthimin e pesë të burgosurve, pas protestave që vinin nga Libia. Kështu, dy prej tyre u riatdhesuan menjëherë, ndërsa tre të tjerët u mbajtën të ndaluar edhe për pak kohë. I takoi Kapitenit La Bruna të SID, që të shoqëronte në atdhe dy libianët e parë: pikërisht në atë rast u përdor Argo 16. Ndalesa e parë u bë në Maltë, aty ku pritej që dikush të vinte dhe të merrte të bugosurit e liruar. Por, asnjë avion nuk erdhi asnjëherë aty kështu që të gjithë u nisën sërish drejt Tripolit. Që aty, Gedafi kishte premtuar se do t'ia "jepte" të burgosurit Al Fatahut, organizatës që ishte pjesë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇL).

"Shërbimet izraelite ishin shumë të zemëruar nga ky dorëzim i të burgosurve", rrëfen Ambrogio Viviani, kreu i kundërspiunazhit në SID në vitet 1970-1974 - "edhe sepse na kishin ndihmuar në skedimin e të pestëve që ne kishim arrestuar. Ne u shpjeguam se i kishim marrë urdhërat prej qeverisë".

Në atë rast, Argo 16 kishte qenë në qendër të një operacioni të fshehtë të SID. Domethënë, a mund të konsiderohet rastësi që vetëm pas tre javësh, i njëjti avion u rrëzua në pistën e Venecia Tesera?

Në pasditen përpara aksidentit, në 22 nëntor të vitit 1973, ai avion i tipit C47 Dakota, kishte ardhur nga Roma për t'u nisur sërish mëngjesin tjetër drejt bazës së Avianos. Në orën 7 të mëngjesit, në bordin e Argo 16 (i cili kishte qëndruar gjatë gjithë natës në pistën e Venecias), zunë vend Komandanti Anano Borreo, Koloneli Mario Grande, Marshallët Aldo Skiavone dhe Francesko Bernardini. Ishte i njëjti ekuipazh që, më pak se një muaj më herët kishte shoqëruar palestinezët në Tripoli.

Në orën 07:30 të mëngjesit, Argo 16 u ngrit në ajër: por sapo mbërriti në lartësinë 2500 këmbë, nis të bjerë drejt stabilimentit industruial Montefibre në Porto Margera, shumë pranë aeroportit.

Sipas Luixhi Borreos, babait të tij, komandanti i ekuipazhit të Argo 16, Anano Borreo kishte kohë që trembej për jetën e tij: ishte i vetëdijshëm që puna e vendoste vazhdimisht në qendër të situatave delikate dhe të rrezikshme.

Në një moment tensioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar (në fakt, vetëm disa javë më herët ishte zhvilluar Lufta e Kipurit, në të cilën Italia kishte furnizuar Izraelin me ndihma dhe mbështetje logjistike), edhe shërbimi i fshehtë italian nisën të mendojnë se prapa fatkeqësisë së Argo 16 mund të ishte në të vërtetë një atentat.

Në 29 nëntor të vitit 1973, në Romë, në Pallatin Barakini në zyrat qendrore të SID, u zhvillua një mbledhje për t'u dhënë detyrat e reja eksponentëve ushtarakë. Ishin të pranishëm Vito Miceli, kreu i SID, Gjenerali Gianadelio Maleti si dhe shumë zyrtarë të tjerë. Pikërisht në këtë mbledhje, Maleto pohoi se, me shumë mundësi bëhej fjalë për një sabotim nga ana e shërbimeve të fshehtë izraelitë. Në fund të fundit, sipas tij, politika italiane e dyanshme (nga njëra anë aleanca Atlantike me mbështetjen për Izraelin dhe nga ana tjetër, simpatia për botën arabe dhe kauzën palestineze) duhej të priste pasoja nga njëri prej dy fronteve.

E madje politika e jashtme italiane bazohej në një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Italisë dhe OÇL-së së Arafatit: një marrëveshje e fshehtë, e cila do të mbetej e tillë për shumë vite të tjerë.

Xhovani Pelegrino, president i Komisionit Stragi në periudhën 1994-2001 rrëfen: "Ai pakt u arrit në vjeshtën e vitit 1973 gjatë luftës së Kipurit, ndërmjet Ministrisë së Jashtme të Italisë dhe OÇL-së. Marrëveshja parashikonte që OÇL nuk do të kryente atentate në tokë italiane dhe ne do të ofronim lirimin e luftëtarëve palestinezë që kapeshin në tokën italiane".

Hetimi

Në vitin 1973, ajo marrëveshje ishte ende Top Secret. Ndërkohë, aeronautika ushtarake hapi një hetim mbi aksidentin e Argo 16. Sebastiano Sartoreto, avokat i familjes Borreo rrëfen: "Komisioni i përhershëm i ngritur pranë Ministrisë së Mbrojtjes nxorri konkluzionet, që më pas i kaluan Prokurorisë në 1974, ku çështja u arkivua". Pra, për aeronautikën ushtarake, çështja ishte e mbyllur: për ta kishte qenë thjeshtë një aksident. Por në fillimin e viteve tetëdhjetë, si Gjenerali Miceli ashtu edhe Gjenerali Viviani, nëpërmjet intervistave të dhëna shfaqën publikisht dyshimet mbi shkaqet e vërtetë të tragjedisë së Argo 16. Sebastiano Sartoreto vazhdon rrëfimin e tij, duke thënë se, "që në periudhën mes viteve 1984 dhe 1986 ishin botuar tre artikuj tek "Il Giornale", në të cilët Gjenerali Miceli fliste për Argo 16 dhe thoshte se avioni u hodh në erë. Më pas, tek "Panorama", Viviani do të thoshte se bëhej fjalë për një ngjarje pak të përgjakshme të shërbimeve të fshehtë izraelitë kundër qeverisë italiane".

Në verën e vitit 1986, Prokuroria e Venecias e rihapi çështjen e Argo 16. Hipoteza mbi të cilën punoi gjykatësi Masteloni, të cilit iu besua çështja ishte e qartë: avioni ishte rrëzuar prej izraelitëve për shkak të lirimit të pesë palestinezëve. Pas vlerësimit të bërë vite më parë, në 1974 në të cilin thuhej se shkaqet e aksidentit ishin të papërcaktuara, Masteloni urdhëroi një vlerësim të ri që çonte në konkluzione shumë të ndryshme.

Dhe do të ishte sërish Gjenerali Xhandelo Maleti, në atë kohë numri 2 i SID, që do të ofronte të vërtetën e tij: Ai foli për sabotazh nga ana e Mosadit (agjencia e inteligjencës dhe shërbimi i fshehtë i Shtetit të Izraelit) si dhe një mision dashakeq.

Përplasje hipotezash

Dhe natyrisht, ekspertët nisën të studiojnë se, cila ishte dinamika e saktë e tragjedisë. Në raportin e vitit 1974 të kryer nga Aeronautika, thuhej se në rënien e Argo 16, impakti i parë ishte mes krahut të avionit dhe një shtylle ndriçimi në stabilimentin e Montefibres: një hipotezë e hedhur poshtë, sepse shtylla e ndriçimit nuk mund të kishte mbetur e padëmtuar.

Në të kundërt, raporti i gjykatësit Masteloni këmbëngulte se avioni kishte goditur pikërisht mbi godinën e Qendrës Mekanografike të Montefibres. Ka edhe më: siaps raportit të vitit 1974, ai i Argo 16 ishte një "fluturim me pamje", domethënë pa ndihmën e instrumentave në bord. Ndërkohë që në raportin e porositur prej gjykatësit Masteloni u hodh poshtë kjo hipotezë, duke e përcaktuar si një "fluturim instrumental".

Pika e fundit i përket orës së saktë të fatkeqësisë. Sipas raportit të Aeronautikës të vitit 1974, ekuipazhi i Argo 16 kishte marrë kontakt me kullën e kontrollit të aeroportit të Venecias në orën 7:33 të mëngjesit, ndërkohë që raporti i 1986 pohon sen avioni e humbi kontaktin me kullën e kontrollit vetëm një minutë më vonë. Në këtë hetim, nuk janë vetëm raportet që i kundërvihen njëri-tjetrit: Në Gjykatën e Venecias, dëshmitarët patën që në fillim kontradikta. Nga Venecia, Masteloni u kërkoi dokumentat e Argo 16 atyre të shërbimit të fshehtë të Romës, por këta u përgjigjën se nuk kishte ekzistuar asnjë dosje, asnjëherë. Që këtu nisi të hidhet hipoteza e një manovre diversioni.

'Motivi kryesor - pohon gjykatësi Masteloni në një intervistë të dhënë kohët e fundit - ishte e gjithë paketa politike e miratuar mes qeverisë italiane me arabët, me OÇL". Bëhet fjalë për të famshmin "zbulimi Moro", quajtur kështu për shkak se në letrat e ministrit të Jahstëm të asaj kohe, Aldo Moro, u gjetën një seri referimesh të saktë të paktit mes Italisë dhe OÇL: një marrëveshje me Frontin Popullor, që parashikonte transportin e armëve dhe eksplozivëve, duke garantuar në këmbim imunitet nga sulmet.

Në një artikull në Corriere della Sera në gusht të vitit që kaloi, Dino Martirano shkruante: "Pelegrino, ish- president i Komisionit Stragi shpjegon: Moro i pohonte në një letër ambasadorit Kotafavi në vitin 1978 se 'ne me palestinezët merremi vesh ndryshe...'. dhe duke komentuar këtë letër, Miguel Gotor (autor i librit "Letra nga burgimi") e ka përcaktuar gjenezën e "zbulimeve Moro" në tetorin e vitit 1973 "vitin e luftës së Kipurit". Më pas, Pelegrino ofron një lidhje shpjegon "efektet anësorë të marrëveshjes": "Ideja e gjykatësit Masteloni që hetoi mbi Argo 16, edhe pse procesi më vonë nuk e konfirmoi, ishte se ndoshta bëhej fjalë për një veprim të Mossadit për të ndëshkuar Italinë, për shkak se kjo kish bërë marrëveshje me palestinezët". Dhe lidhja mes aparateve italianë dhe palestinezë ishte kaq e konsoliduar, saqë vetë Moro e përdori këtë kartë kur bëhej fjalë për të shpëtuar jetën e tij: "Në një prej letrave nga burgu Moro kujtonte eksperiencën e Xhovanones (kreu i qendrës së SID në Beirut), duke thënë se vetëm palestinezët mund të bënin ndërmjetësin me Brigadat e Kuqe".

Avioni, i rregjistruar me kodin MM61832 kish qenë përdorur më herët nga Gladio, një organizatë e fshehtë e tipit "stay-behind" ("qëndro prapa vijës së armikut" e krijuar nga NATO për t'iu kundërvënë një pushtimi të mundshëm sovjetik të Evropës Perëndimroe) për të transferuar njerëzit në bazën stërvitore të Kapo Marrargiu në Sardenjë si dhe për të transportuar armë për llogari të NASCO, depozitat e fshehta të gladiatorëve.

Sekreti mbi Gladio do të zgjasë deri në vitet nëntëdhjetë, ku më pas Presidenti i Këshillit të Ministrave, Andreoti vendosi ta shpërndajë. Në vitin 1988, gjykatësi Masteloni i kërkoi SID listën e udhëtimeve të kryer nga Argo 16. Por në atë rast u përdor neni i sekretit shtetëror i autorizuar edhe nga kryeministri i kohës, De Mita. Dhe dy vjet më vonë, Masteloni u pengua sërish nga sekreti shtetëror teksa hetonte mbi ushtrinë e fshehtë. U bllokua nga drejtori i qendrës ku stërviteshin gladiatorët. E të thuash që vetëm pak kohë më parë vetë kryeministri kishte garantuar se sekreti nuk do të përdorej më për Gladio-n... Bëhet fjalë për pengesën e përjetshme të sekretit shtetëror.

Në mars të vitit 1997, gjykatësi Karlo Masteloni dënoi 22 zyrtarë të Aeronautikës me akuzën e shtypjes, falsifikimit dhe kryerjes së akteve që lidhen me sigurinë e shtetit. Në fakt, sipas gjykimit të tij, "ata që nëpër vite janë marrë me këtë çështje kanë fshehur sistematikisht, ose kanë falsifikuar apo shkatërruar çdo element që mund të na çomnte në rrugën e duhur". Mes tyre u akuzuan edhe Zvi Zamir, ish-kreu i Mossad dhe Asa Leven, ish-përgjegjës i Mossad në Itali.

Në fund u dërguan për gjykim 9 zyrtarë, funksionarë dhe konsulentë të SID dhe Sismi. Ministri Publik, Remo Smiti, kërkoi dënimin me tetë vite për Maletin, Viezer dhe Lehman si dhe heqjen e akuzave për gjithë të tjerët, duke parë mungesën e provave si dhe shkarkimin e Zvi Zamir, i konsideruar urdhërues i sabotazhit. Avoketërit mbrojtës arritën të hedhin poshtë të gjithë akuzat dhe në 16 dhjetor 1999 gjykatësit konkluduan se, avioni ishte rrëzuar për shkak të një avarie apo gabimi të njërit prej pilotëve. E megjithatë, edhe sot e vërteta mbetet mister.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora