Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Clive Owen: Çdo aktor që beson se është seks simbol ka probleme serioze

| E shtune, 21.02.2009, 09:11 PM |


Clive Owen
Clive Owen
Askush nuk e mori shumë seriozisht Kliv Ouenin, kur në moshën 13-vjeçare tha se donte të bëhej aktor. Ishte viti 1977 dhe Ouen ishte nxënës në Koventri, një shkollë me rregulla të ngurta, ku fëmijët e pabindur ndëshkoheshin me punë të vështira në ambientet e shkollës. Ouen ishte i shkëlqyer, me rezultate të mira në të gjitha lëndët, por në një çast iu dha një rol i rëndësishëm në një pjesë teatrale të vënë në skenë prej nxënësve. I pëlqeu aq shumë, saqë prej atij çasti mësimet kaluan në plan të dytë. "Të gjithë e dinin që më pëlqente aktrimi, por askush nuk besonte se do të ndiqja një shkollë drame", tregon sot, pas 30 vjetësh, në një hotel të Los Anxhelosit. "Ishte edhe një fëmijë tjetër në shkollë që donte të bëhej kitarist dhe të dy konsideroheshim si të marrët me këmbët në ajër. Por unë isha vërtet shumë kokëfortë te kjo pikë".

Dhe kokëfortësia ka paguar. Sot ka bërë shumë përpara që prej atij roli në shkollë. "Po, nuk lashë askënd të më largonte nga ai drejtim. Ishte një pasion i madh". Sot është një prej britanikëve më të njohur në botë, një aktor që ka ditur të bëjë për vete Hollivudin. Pamja burrërore dhe përshtatja e roleve të ashpra e kanë bërë të krahasohet me Geri Kuper e Hampfri Bogard. Shpërthimi i madh në kinema ndodhi në vitin 1998, kur regjisori Majk Hodxhs i besoi rolin e një punonjësi kazinoje në filmin "Krupieri". Më pas erdhën role të rëndësishme, si ai i shërbyesit në filmin "Parku Gosfrod" të Robert Altman, në vitin 2001, apo roli i njeriut të pagdhendur në filmin "Më pranë", në vitin 2004, falë të cilit fitoi një "Glob të Artë", si edhe nominimin për aktorin më të mirë të roleve dytësore nga "Academy Award".

Që prej asaj kohe ka luajtur në një seri të gjatë prodhimesh shumë të suksesshme - me rolin kryesor në filmin "Mbreti Artur" i vitit 2004, si një vjedhës misterioz bankash përkrah Denzel Uashingtonit, tek "I brendshmi", i vitit 2006 dhe vetëm një vit më pas, me rolin e aristokratit Valter Rali në filmin "Epoka e artë". Filmi i tij i fundit, "Ndërkombëtari", është një film me buxhet të lartë, ku Ouen luan rolin e një agjenti të Interpolit të përfshirë në luftën kundër korporatave të korruptuara.

Gjej me vend ta pyes për fatin e shokut të shkollës që donte të bëhej kitarist. Tregon se nuk i ka ecur, "tani punon si mësues". Di nga të tjerë se nuk i pëlqen publiciteti që i ofron të qenit yll kinemaje. Edhe pse aktor, çuditërisht thotë se nuk kërkon aprovimin e të tjerëve për atë që bën dhe se nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. "Nëse njerëzit më thonë fjalë të bukura, nuk është se nuk i vlerësoj, por nuk kam nevojë për këtë lloj vlerësimi. Në fakt, po të ndodhë e kundërta, nëse të gjithë më kritikojnë, sigurisht që do të ndalem e do t‘i dëgjoj, por më shumë më pëlqen të bind vetveten se të mbështetem te mendimi i të tjerëve".

Por po këtë qëndrim mban edhe ndaj vetvetes. Edhe pse konsiderohet sot për sot si një prej aktorëve më të pashëm, vëren se ai vetë nuk ndihet i tillë. "As që e shpie ndonjëherë ndër mend këtë", thotë. "Besoj se një aktor që e mendon kështu, apo e konsideron veten simbol seksi, ka probleme serioze, kështu që nuk harxhoj as edhe një çast duke menduar për këtë gjë".

Në fakt, ata që e njohin nga afër e dinë që nuk është ndikuar shumë nga të qenit i famshëm. Shihet më shumë si njeri i ngrysur, me sytë paksa të egër, e i harruar në vetvete. Pika e tij më e fortë në ekranin e madh ka qenë portretizimi i personazheve me nota të forta burrërore, gjë që i shkon për shtat edhe vetë atij. Robert Altmanit, gjatë xhirimeve të filmit "Parku Gosford", i kërkoi të hiqte fare një frazë nga skenari, pasi i dukej e papërshtatshme të thuhej nga personazhi i tij - duke e bërë regjisorin të shqyente sytë, pasi në fakt është mësuar me aktorë që kërkojnë sa më shumë vend në filma. "E kuptoj një frazë që nuk shkon në skenar dhe di të them që nuk shkon", thotë Ouen. "Nuk jam në gjendje të ndryshoj vetë. Nuk jam unë ai që di të shkruajë. Por, nëse ma nxjerr përpara syve, mund të them: ‘Po, tani është siç duhet‘. Jam shumë i qartë me ritmin, fjalët dhe mënyrën se si duhen respektuar të gjitha këto". "Më pëlqen të luaj karaktere të forta, që arrijnë të bindin, që nuk janë vetëm të drejtpërdrejta e të këndshme. Më pëlqejnë gjithashtu edhe personazhet që luftojnë brenda vetes, pasi janë më të vështirë e kërkojnë më shumë mund".

Dhe, megjithëse personazhet e tij mund të mos qeshin shumë, thotë se është më se i kënaqur me këtë dhe se do të pranonte ndonjë film më të lehtë, vetëm për hir të të bijave. "Në fakt, në shtëpinë time, tani për tani flitet veç për këtë temë. Vajzat më vijnë shumë shpesh në shesh-xhirimin e filmave, i takojnë të gjithë, kënaqen, mësojnë që filmi do të shfaqet, por se për shkak të moshës nuk u lejohet ta shohin. Tani më janë qepur pas dhe më kërkojnë të luaj një film për fëmijë. Nuk e besoni dot sa këmbëngulin".

Mos ndoshta prej faktit që vetë është rritur pa baba dhe ndihet më i detyruar t‘u plotësojë të gjitha dëshirat fëmijëve? "Po, sigurisht. Dhe duhet të dini se është diçka shumë e vështirë për një aktor, me gjithë ato udhëtime larg familjes. Por, kur jam në shtëpi i shpie dhe i marr nga shkolla sa më shpesh të mundem. Mundohem të jem sa më i pranishëm. Më e vështira është se fëmijëve u pëlqen rutina, duan të dinë gjithë kohës ku gjendem, gjë që nuk është aspak e lehtë me punën tonë".

Jeta dhe karriera

Kliv Ouen ka lindur më 3 tetor të vitit 1964 dhe nisi studimet në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në vitin 1984. Karrierën e nisi si aktor teatri për t‘u hedhur shpejt në televizion, duke luajtur një rol dytësor në serialin "Bun", të vitit 1986. Për rreth tetë vjet luajti në disa filma britanikë. Shpërthimi i madh në kinema ndodhi në vitin 1998, kur regjisori Majk Hodxhs i besoi rolin e një punonjësi kazinoje në filmin "Krupieri". Pasuan role të rëndësishme, si ai i shërbyesit në filmin "Parku Gosfrod" të Robert Altman, në vitin 2001, apo roli i njeriut të pagdhendur në filmin "Më pranë" në vitin 2004.

Që prej asaj kohe ka luajtur në një seri të gjatë prodhimesh shumë të suksesshme - me rolin kryesor në filmin "Mbreti Artur" i vitit 2004, si një vjedhës misterioz bankash përkrah Denzel Uashingtonit, tek "I brendshmi" i vitit 2006 dhe vetëm një vit më pas, me rolin e aristokratit Valter Rali në filmin "Epoka e artë". Filmi i tij i fundit, "Ndërkombëtari", është një film me buxhet të lartë, ku Ouen luan rolin e një agjenti të Interpolit të përfshirë në luftën kundër korporatave të korruptuara.

G. Shqip