E enjte, 18.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kostaq Stefa, pse u pushkatua përkthyesi i amerikanëve: Takimi i fundit me Mehmetin

E diele, 22.02.2009, 11:00 PM


Kostaq Stefa në Firence 1933-34, ku kryente studimet e larta
Kostaq Stefa në Firence 1933-34, ku kryente studimet e larta
Nga Afrim Imaj

Një grusht me kocka, dy metra tel me gjemba dhe një dry i zi. Asgjë tjetër! Kontakti pas gjysmë shekulli me atë që kishte mbetur nga Kostaq Stefa, profesori i “Harri Fullcit” pushkatuar një natë marsi të vitit ‘48, kishte qenë tronditës. Më në fund, njeriu që kishte mbajtur të fshehtë misterin e aktit përmbyllës të tragjedisë së tij dhe tre martirëve të tjerë, u është përgjigjur lutjeve të familjarëve dhe ka treguar vendin e pushkatimit. Pastaj ka rrëfyer dalëngadalë çfarë ka parë atë natë marsi pa hënë. “Ishte pas mesnate kur i pushkatuan. Si mbaruan krismat e armëve, policët ia behën te dera e shtëpisë. U çuam menjëherë. Çfarë ka ndodhur, pyeta unë. Merrni kazma e lopata dhe hajdeni me ne!, urdhëroi njëri ndër ta dhe na vuri përpara. Shkuam te vendi ku i kishin vrarë. Hajde shpejt!, ia bëri komandanti i tyre duke urdhëruar për t’i mbuluar me baltë. As diskutohej të refuzonim. Ashtu bëmë. Hapëm një gropë të madhe dhe i futëm aty të katërt. Në të ikur na porositën kërcënueshëm për ta harruar atë që kishim parë…”. Ka mjaftuar kaq për të mbyllur brengën sfilitëse. Rrëfimi i dëshmitarit të skenës makabre, pas 50 vitesh ka risjellë çastet fatale të katër martirëve beratas, Kostaq Stefës, Hamit Myftiut, Tajfur Haznedarit dhe Baba Bedri Cakranji, eshtrat e të cilëve u gjetën më 18 janar 1993, të lidhur me tel me gjemba e të mbërthyer me dry, ashtu siç ishin pushkatuar pa faj, më 3 mars 1948. Familjarët e rehatuar disi, u janë rikthyer kujtimeve të dhimbshme…  

E shoqja: Jeta-dramë e Kostaq Stefës

Eleni Stefa
Eleni Stefa
Njëqindvjeçarja Eleni Stefa, kur bie fjala për të shoqin, Kostaqin, ka dëshirë të depërtojë përtej 3 marsit ‘48. Ditëvdekja e tij është vetëm një nga momentet e jetëshkrimit të të shoqit, pavarësisht misterit me të cilin ka qenë mbuluar për shumë dekada. Ajo ndjehet krenare që jeta e lidhi me djalin e familjes së madhe të Stefajve, të njohur përtej “Magalem”-it e Beratit jo vetëm për traditat atdhedashëse, por edhe brezat e intelektualëve që bënë histori. “Ky truall i shëndetshëm, shprehet Eleni, i dha tim shoqi një avantazh të madh në rrugën e shkollimit e të formimit qytetar”. Ajo tregon se pas mbarimit të shkollës qytetëse në Berat, Kostaqi nisi studimet në Shkollën Teknike shqiptaro-amerikane, të porsaçelur në Tiranë nga Kryqi i Kuq i SHBA-së. Vlerësimi “shkëlqyeshëm” dhe paraqitja dinjitoze aty, e vunë në vëmendjen e drejtorit Harri Fullci, i cili e përzgjodhi për të ushtruar mësuesin në këtë shkollë. Vetëm 20 vjeç u bë pjesë e stafit mësimdhënës dhe një nga pedagogët më të dëgjuar të shkollës shqiptaro-amerikane. Kjo periudhë do ta miqësonte me drejtorin Fullci dhe bashkë do të ndanin angazhimin e përbashkët për arsimin e rinisë shqiptare dhe zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të saj. Eleni Stefa, e shoqja e Kostaqit, thotë se ai ka patur nxënës me emra mjaft të njohur të gjysmës së dytë të shekullit të XX, siç ka qenë piktori i mirënjohur Ibrahim Kodra, dëshmori Muhamet Gjollesha, Eqrem Stërmasi, Avni Zajmi, Stavro Bojaxhi, Irfan Tërshana, ish-kryeministri komunist Mehmet Shehu, Mirush Përmeti, Anton Delhysa, Dhimosten Malo etj. Sidoqoftë, një ditë shkolla e njohur me emrin e Harri Fullcit u mbyll, por profesori i saj nuk u shkëput për asnjë moment nga nxënësit, kolegët dhe miqtë me të cilët u njoh aty. Po kështu nuk u shkëput as nga ambicia për t’u thelluar në studimet kualifikuese. “Në vitin 1933 kur u shtetëzua shkolla amerikane e Tiranës, Kostaq Stefa bashkë me Beqir Haçin, një nga shokët e ngushtë, filloi studimet në ‘Instituto Superiore di Magistero’ në Firence të Italisë. Me rikthimin pas diplomimit, ‘profesori’, siç e thërrisnin të njohurit, iu kthye profesionit, fillimisht në Berat, e mandej në Tiranë, Shkodër e Dibër. Kështu deri ditën e zbarkimit të okupatorit fashist. Kostaq Stefa me një korpus të zgjeruar miqsh e shokësh, zgjodhi mënyrën e vet për t’iu kundërpërgjigjur atij. Lufta dhe reagimi ndaj pushtuesit i dha rrugë një tjetër historie”. “Eh, lufta, aty fillon drama e Kostaqit…” përmbledh me një ngashërim të brendshëm Eleni.

E bija: Lufta në jetën e tim ati

Vitore Stefa (Leka)
Humanistja Vitore Stefa (Leka) - Qytetare Nderi e Beratit
“Fatin e Kostaqit e paracaktoi mbarimi i luftës”. Eleni Stefës, gruas që ndau me të pjesën më të bukur të jetës, i vjen për mbarë të fokusohet në vitet e rinisë e të shkollimit të të shoqit. Tregimi i saj shkon deri tek epilogu i luftës. Ndryshe ndodh me Vitoren, të bijën, e cila prej kohësh këmbëngul të zbardhë pjesën e jetëshkrimit që lidhet me të. Përtej dritëhijeve të kohës ajo ka konturuar  biografinë e kontributit të tij në lëvizjen antifashiste. I është dashur kohë për të depërtuar tek e vërteta e mohuar për arsye ideologjike dhe është e bindur se në rastin e të atit kemi të bëjmë me një histori të veçantë. “Vetë lidhjet e Kostaqit me krerët e lëvizjes dhe aleatët, shprehet Vitorja, shoqëria me protagonistët e orëve të para të rezistencës antifashsite dhe aktiviteti në terren, ishin të tilla”. Pjesën më të rëndësishme të argumenteve të saj i mbështet te dëshmitë e miqve dhe bashkëluftëtarëve, të cilët bënë emër në vitet e luftës dhe më vonë. Mjaft nga ngjarjet kryesore ka mundur t’i zbulojë në shënimet e tij, të cilat i ka lexuar e rilexuar me dhjetëra herë. Aty është njohur, sic thotë, me emrat e shokëve të të atit që lanë gjurmë të veçanta në vitet e luftës. “A nuk ishin të veçantë, argumenton Vitorja, dy nga nxënësit e tij, Muhamet Gjollesha e Eqrem Stërmasi, që u vetëflijuan në betejat e luftës për liri?! A nuk ishte i veçantë piktori Ibrahim Kodra, që një pjesë të suksesit të vet si artist i madh ia dedikoi profesorit të “Harri Fullcit”, Kostaq Stefa?” Në listën e gjatë me emrat e bashkëluftëtarëve të të atit, Vitore Stefa nuk nguron të përmendë emrin e Mehmet Shehut, numrit “Dy” të lidershipit komunist të Shqipërisë, i përfolur gjatë në vitet ‘80 për aktin e vetëvrasjes. Pavarësisht misterit rreth figurës së tij, vajza e profesorit të Harri Fullcit, ndjehet mirë kur përmend opinionin e të atit që e vlerësonte si luftëtar të revolucionit spanjoll dhe lider të spikatur të betejave partizane. “Babai im, rrëfen Vitorja për “Panorama”, ndjehej krenar për lidhjet me njerëzit e aksionit e të betejave antipushtuese. Se edhe vet ishte një i tillë”. Sakaq vajza e profesorit që shërbeu me zell e sakrifica për lëvizjen a nacionalcclirimtare, i kthehet përmbledhtazi njërit prej misioneve të të atit në ato ditë lufte. “Gjatë operacionit të dimrit `43-`44, kujton ajo, Kostaq Stefa shoqëroi 30 misionarë amerikan 90 ditë në zonat e thella për ti shpëtuar nga sulmi i gjermanëve që i ndiqte këmba këmbës. E përgëzoi për këtë Karaman Ylli, njeriu që ja besoi. E përgëzoi Mehmet Shehu, lideri që e rekomandoi. Vetëm pak muaj pas kësaj, përgëzimet do të merrnin trajtë tjetër. Këtë herë amerikanët nuk vlerësoheshin si aleatë. Ata që operuan me ta gjatë luftës shikoheshin me dyshim. Madje jo vetëm, kaq...”
Kostaq Stefa ishte ndër të parët që ra viktimë e kësaj metamorfoze dhe përfundoi në pranga me akuzën e agjentit të zbulimit amerikan. Të njëjtin fat, por shumë vite më vonë, përjetoi dhe nxënësi i tij Mehemt Shehu, i kryqëzuar si poliagjnet. Gjithsesi, për Vitore Stefën, vetëm epoka e demokracisë ka mundësuar zbulimin e së vërtetës për martirizimin e jashtëzakonshëm të ushtruar nga dikatura komuniste në emër të antiamerkanizmit...

‘Një natë me mysafir Mehmet Shehun’

“Ishte një natë qershori e vitit ‘42 kur trokiti në derë të shtëpisë Mehmet Shehu. Ishte me të shoqen, Fiqireten dhe një nga krerët lokalë të lëvizjes antifashiste. U përqafuan me Kostaqin si dy miq të vjetër dhe pasi folën për miqësinë e dikurshme në shkollën e Fullcit, biseduan gjatë për fatin e qëndresës ndaj okupatorit”.Ka shumë arsye që Eleni Stefa, e shoqja e Kostaqit, i kthehet kësaj ndodhie me një përkujdesje të veçantë. Mehmet Shehu, numri dy i lidershipit komunist, ishte nxënësi i Kostaqit te Harri Fullci. Ish-kryeministri, me kthimin nga Spanja, mbeti në kontakte të pandërprera me të.
Ditët e ofensivës antifashiste i afruan edhe më shumë. Jo thjeshtë si bashkëluftëtarë. Misioni i tyre kapërcente përballjen në front. Në pozicione të ndryshme i gjeti epiloku i luftës. Po asnjëherë larg vëmendjes së njëri-tjetrit. Kështu deri natën tragjike të 3 marsit ‘48. Qysh prej këtej Mehmet Shehu nuk u bë më i gjallë për Stefajt. Kujtesa e tyre do të fiksonte vetëm çastet e vizitës së asaj nate lufte dhe indiferencën e tij për fatin e tyre. Gjithsesi, në rrëfimin për natën e shtetrrethimit kur kishin mysafir Mehmet Shehun, Eleni Stefa, e shoqja e Kostaqit, veçon momentet kur ndanin qëndrimet e njëjta me njeriun që më vonë u bë numri dy i hierarkisë politike…

Mysafir te profesori

Ishte krejt e papritur vizita e Mehmet Shehut atë natë lufte në shtëpinë tonë. Berati ato ditë ishte në shtetrrethim dhe karabineria fashiste bënte represionin në qytet. Frika dhe paniku mbizotëronin kudo. Autoritetet policore kontrollonin shtëpitë e dyshuara si baza ilegale dhe bënin arrestime në masë. Mehmeti vinte nga një rrugë e largët dhe dukej i lodhur. E solli një nga krerët e qarkorit, në kërkim të një baze të sigurt. Erdhi bashkë me të shoqen, Fiqireten që ishte vajzë qyteti, por nuk mund të shkonte në shtëpi për çështje sigurie. Takimi me Kostaqin ishte i përmallshëm. Kishin vite pa u parë. Ishin ndarë që me mbylljen e “Harri Fullcit” në Tiranë dhe qysh atëherë jeta i kishte degdisur në drejtime të ndryshme. Njohja me Kostaqin e ndihmoi mysafirin të rrinte i qetë e të fliste natyrshëm. Më kujtohet një çast kur Mehmeti duke iu drejtuar Fiqiretes, i tha me një lloj shpotie: Ti shko ku të duash, unë e gjeta strehën time. Më i sigurt se te profesori nuk kam ku të jem! Pastaj foli gjatë për ditët që kishte kaluar në Spanjë, si luftëtar i brigadave internacionaliste dhe rolin e nxënësve të Harri Fullcit në qëndresën antifashiste. Kostaqi rrinte i përqendruar në rrëfimin e tij dhe ndjehej mirë kur dëgjonte për kontributin e ish-teknikumsave të Tiranës në luftën kundra okupatorit. Fjalët e Mehmetit për miqtë dhe nxënësit e dikurshëm e lumturonin. “Sa do gëzohet mister Fullci kur të marrë vesh mrekullitë e tyre”, iu kthye një moment atij. Në bisedë e sipër, babai i Kostaqit tregoi për miqësinë me Sheh Ismailin dhe vizitat e shpeshta të tij në Corrush, te shtëpia e Mehmetit. Qëndroi dy ditë e net me radhë Mehmeti me të shoqen në shtëpinë tonë. Lufta dhe fatet e vendit, ishte kryefjala e bisedave me të. Në ikje, ashtu si spontanisht, u kthye nga Kostaqi dhe i shqiptoi një mesazh që aty për aty dukej si diçka jo fort e rëndësishme. “Mos harro miku im se jemi me anën e aleatëve”. Si tha këto, i kujtoi diçka Fiqretes dhe u largua. Sidoqoftë, meraku i tij për aleatët më ka ngacmuar për vite me radhë. Një metamorfozë e çuditshme ndodhi me ta fill pas luftës. “Aleatët” u bënë “armiq” për lidershipin bolshevik që erdhi në pushtet. Madje jo vetëm kaq, por dora e hekurt e tyre do të binte si gijotinë mbi njerëzit që kishin bashkëpunuar me ta. Ndër të parët do të provonte plumbat e pabesisë, Kostaqi, ish-profesori i Harri Fullcit. Fati i tij do të ndiqte me dhjetëra ish-kolegë dhe nxënës të teknikumit të Tiranës, të cilët u martirizuan njëri pas tjetrit si agjentë të amerikanëve. I fundit ndër ta ishte mysafiri i asaj nate lufte që u kryqëzua si poliagjent…

Takimi i fundit me Mehmetin

Ishin ditët e operacionit të dimrit ‘44. Diku fundi i janarit apo fillimi i shkurtit. Kostaqi sa ishte kthyer nga Vlora, ku kishte përcjellë për në Itali grupin e 30 ushtarakëve amerikanë që kishin rënë nga një avion në vendin tonë. Ishte një detyrë që ia besoi Karaman Ylli në emër të komandës partizane dhe ai për 90 ditë me radhë rrugëtoi bashkë me ta nga Belshi i Elbasanit deri në Karaburun. Kur nuk ishte rehatuar mirë nga ky inkursion i vështirë, e lajmëruan se e kërkonte Mehmet Shehu, i cili ishte bërë ndër figurat kryesore të lëvizjes antifashiste. E falënderoi për suksesin e misionit dhe i transmetoi konsideratat e komanduesve më të lartë të ushtrisë nacionalçlirimtare. Siç dukej inkursioni ishte ndjekur nga afër prej tyre. Modest si gjithnjë, i gjori Kostaq, e siguroi Mehmetin se këtë do ta bënte çdo njeri nga miqtë e Harri Fullcit. I tregoi pastaj fotografitë që kishte bërë me aleatët amerikanë dhe duke u ndarë i fali dylbitë që i kishin dhuruar misionarët që kishte përcjellë në Karaburun. E njihte hobin e tij për armët dhe pajisjet ushtarake dhe nuk nguroi t’ia jepte me gjithë zemër. Ishte një dhuratë që Mehmeti e ruajti në kabinetin e punës deri ditën e fundit të jetës. Sidoqoftë, ndodhi ajo që ndodhi dhe ish-kryeministri komunist nuk u bë më i gjallë për të trokitur në portën e mikut të dikurshëm. Përqafimi i asaj dite dimri, do të ishte takimi i fundit i tyre…
vijon nesër...

Kostaq Stefa duke dhënë mësim në shkollë amerikane ''Harry Fultz''
Kostaq Stefa duke dhënë mësim në shkollën amerikane ''Harry Fultz''
Shtëpia e Stefajve në “Mangelem”

E vendosur në lagjen e “Mangelem”-it, shtëpia e Stefajve njihet në Berat si një portë fisnike që ka nxjerrë burra të mençur e atdhetarë të shquar. Gjergj Stefa, njëri ndër ta, ka qënë patrioti më në zë i Sanxhakut që komandoi armatën me 1500 luftëtarë në përleshjet me ushtrinë osmane. Si miku i Abdyl Frashërit, ai ofroi kontribute të spikatura për Lidhjen e Prizrenit. Ndërkaq vëllai tjetër, Kozmai, gjyshi i Kostaq Stefës, e ndoqi hap pas hapi duke u bërë bashkëpunëtori më i afërt i tij. Martesa e Kozmait me Marie Kristoforidhin, motrën e Kostandin Kristoforidhit, solli një krushqi tjetër fisnikësh. Nipi i tyre, Kostaqi do ti shtonte jetëshkrimit të shtëpisë së Stefajve, faqe të tjera dinjiteti e lavdie....

Martirët

Të pushkatuar më 3 mars 1948

- Kostaq Stefa, profesor
- Hamit Myftiu, ish-deputet
- Tajfur Haznedari, nëpunës bashkie
- Bedri Cakranji, klerik (babi i Teqesë)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora