E shtune, 20.04.2024, 01:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Gac Marku: Zef Lekaj në monografinë...

E diele, 22.02.2009, 06:18 PM


“Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”

ZEF LEKAJ NË MONOGRAFINË...

Nga Gac MARKU, Shkodër

Artisti i njohur shkodran Zef Lekaj është sjellë në vëmendje të opinionit të qytetit të tij, por dhe të mbarë Shqipërisë përmes një monografie të përgatitur për jetën dhe aktivitetin e tij artistik. Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Shkodrës në bashkëpunim me familjen Lekaj kanë organizuar në mjediset e bibliotekës “Marlin Barleti” të qytetit të Shkodrës promovimin e librit të të birit të tij Leon Lekaj “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”, botim i shtëpisë botuese “Camaj-Pipa”.
Në ceremoninë e organizuar për promovimin e kësaj monografie kanë marrë pjesë shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të qytetit të vendlindjes, kryesia e shoqatës së ish përndjekurve politikë, përfaqësues të pushtetit vendor, pjesëtarë të familjes, miq dhe dashamirës të Zef Lekës.
Për të marrë pjesë në këtë promovim, si dhe për të nderuar figurën e kompozitorit Zef Lekaj ishte i pranishëm edhe Kryetar i Bashkisë së Kuçovës, ku familja e artistit jetoi për një kohë të gjatë, zoti Artur Kurti.
E konceptuar në katër pjesë, autori i saj, Leon Lekaj, hedh dritë mbi shumë ngjarje të jetës së kompozitorit, autorit të shumë gjinive muzikore mbi të gjitha autori i këngës shumë të njohur për fëmijë “Fatosi dhe Qingji”. Monografia, e parë në një kënd të ndryshëm nga ajo çka jemi mësuar të shohim në vepra të ngjashme, dhe e konceptuar me një mënyrë të veçantë prej të birit të tij, është një vepër tek e cila pasqyrohet kronologjikisht jeta dhe vepra e këtij kompozitori. Tek “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”, faktet janë ndërthurur mjeshtërisht prej autorit, duke i shoqëruar shpesh herë edhe me impresione të ndryshme të personaliteteve të fushës së muzikës apo të letrave. Në libër nuk mungojnë dëshmi rrëqethëse të jetës së Zef Lekës, fakte tronditëse, të cilat sillen nëpërmjet ditarëve të tij, të hershëm dhe të vonë. Një vend të rëndësishëm në libër zënë çastet kur pentagramet e artistit kryqëzohen fatalisht në telat me gjemba të kampeve famëkeqe të diktaturës komuniste.
Takimin e ka hapur studiuesi dhe pedagogu i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, njëkohësisht edhe drejtori i shtëpisë botuese “Camaj-Pipa”, Hasan Lekaj, i cili pasi ka evidentuar vlerat e këtij libri, si dhe të artistit, që la gjurmë në jetën artistike të qytetit të Shkodrës, Kuçovës dhe më gjerë, ia dha fjalën kolegëve të tij.
Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja, (Mjeshtër i madh) ishte i pari që e mori fjalën. Ai foli rreth aktivitetit letrar të Zef Lekës, duke venë theksin mbi lirikat e tij, që shkurtimisht autori i librit pasqyron tek kjo monografi.
“ Leon Lekaj, në këtë monografi për të atin, sikur do të na thotë se ai që do të njohë më mirë e më dhimbshëm Zef Lekën duhet të lexojë një roman që Leoni e ka shkruar atje, në hijen e Akropolit ku lindi poezia njerëzore. Në atë roman kalvarin e Zefit e vuan edhe e shoqja, Bardha që Zefi e bëri të përjetshme në këngë, edhe fëmijët e Zefit. Monografia pasurohet dhe merr dritë më shumë, ndërsa “qingji i vogël” i Zefit vazhdon të endet krijesave të trishtuara, por edhe t’iu kujtojë bukurinë e jetës dhe madhështinë e njeriut të lirë, që vdekjes i thotë “Ndal”, tha në fjalën e tij të gjatë shkrimtari dhe dramaturgu i njohur shkodran Fadil Kraja .
Flasin, artistë, shkrimtarë, kompozitorë, këngëtarë, politikanë. Gazetari i Radio-Shkodrës, si dhe njëkohësisht muzikanti i njohur Zef Çoba, i cili ka pasur fatin ta njohë nga afër këtë figurë të shquar të artit foli mbi krijimet e tija muzikore, por më shumë u ndal tek veprat ku tradita ndjehet dukshëm.
Kryetari i Bashkisë së Kuçovës zoti Artur Kurti tha ndërmjet të tjerave:
“...Jam qysh prej 12 vjetësh kryetar i Bashkisë ku Mjeshtri Zef Lekaj jetoi një pjesë të jetës së tij dhe do të isha sinqerisht i lumtur nëse edhe tani qyteti i Kuçovës do të mund t’i afrohej sado pak atyre sukseseve që mbërriti gjatë kohë kur në krye të artit në qytetin tim ishte Zef Lekaj. Ndër dhjetë titujt “Qytetar nderi” që Bashkia e Kuçovës ka akorduar gjatë këtyre viteve, do të doja t’iu bëja me dije se vetëm Zef Lekaj ka marrë unanimisht të gjitha votat...”
Kompozitori që la emër në Shkodër, Kuçovë, e më gjerë, ku ai ushtroi aktivitetin e tij, Zef Lekaj, është i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” në vitin 1972. Në vitin 1995 dekorohet nga Presidenti i Republikës me titullin “Pishtar i Demokracisë”. Me rastin e 75 vjetorit të lindjes (postmortum) me 16 tetor 1999 Bashkia e Shkodrës e nderoi me titullin “Krenaria e qytetit”. Pesë vjet më vonë, Bashkia e Kuçovës, i akordoi Zef Lekajt titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
Zef Lekaj është autor i rreth dyqindepesëdhjetë këngëve, fitues i dhjetëra çmimeve të ndryshme në festivale për fëmijë dhe për të rritur. Ai është autor i shumë tablove muzikore për fëmijë të moshave të ndryshme. Në arkivin e tij, mbeten të pabotuara tregime, poezi, një roman, përkthimet nga poezia italiane e shekullit të shkuar, si dhe mjaft partitura këngësh të pa kënduara.

E VEÇANTA E NJË MONOGRAFIE
Prof. Dok. Alfred Çapaliku
Pedagog pranë universitetit
“Luigj Gurakuqi” SHKODËR

Monografia “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”, shkruar nga Leon Lekaj, redaktor Vincenc Marku, botimet Camaj Pipa, Shkodër 2008, në 146 faqe është konceptuar si thurje mes kapitujve;
1-Dilemat e përzgjedhjes.
2-Liri mes privacionesh.
3-Nën aromën e lirisë.
4-Zef Lekaj në fokusin e të tjerëve.
Ne fillim mbahet qëllimisht një distancë etike, në raportin djalë-baba, nga ana e autorit si dëshmitar okular. Por kur është fjala për krijimtarinë lineare dhe atë të ndërprerë me dhunë të Zef Lekes, Leoni nuk e përfill më këtë distancë, mbasi ai ka kompetencën e shkrimtarit e të muzikantit njëherësh, për të gjykuar objektivisht mbi veprat muzikore dhe letrare të kompozitorit dhe të poetit Zef Lekaj si dhe për veprimtari të spikatura lokale e kombëtare të drejtuara prej tij.
Ne përcaktimin e statujës së Zef Lekaj në muzikën shqiptare Leoni është në sinkroni me përmasat e dhëna nga VIP-ët si Avni Mula, Lucie Miloti, Xhevdet Hafizi, bashkëkohës, njohës profesionistë e interpretues të krijimtarisë pa mort të Zefit.
Kjo monografi të le përshtypjen e një vepre të shkruar gjithë kohën bashkë. Shkrimtarin studiues Leon Lekaj e ndihmojnë herë ditari i të atit, herë ndonjë poezi e tij në liri a në pranga, here ndonjë pentagram a ndonjë tekst, herë ndonjë fotografi personale, familjare a me shokë muzikantë, herë toponimet Shkodër, Gjirokastër, Kuçovë, Berat, Ballsh, Theth, Vlorë, Hot, Kosovë, herë vlerësimet e poetëve Fadil Kraja e Llazar Siliqi herë bashkëbisedimi i dy kompozitoreve Zef Çoba e Zef Lekaj në studion e radio Shkodrës, herë vlerësimet e jurive kombëtare…
Kësisoj, kjo monografi e shkruar bashkë, dëshmon nga pika të shumta e të ndryshme shikimi, për një artist që mbijetoi edhe nën pentagrame të kryqëzuara, që nuk fillonin me çelësin sol, por me frakturën solo…I VETËM!
Kultuara shqiptare duhet të jetë e kujdesshme me vetveten.

VINÇENS MARKU
Pedagog në Universitetin
“Luigj Gurakuqi” SHKODËR

Nëse të tjerët duhet të kujtohen për të mirat që dikush bën e këto t’u shërbejnë si model për të krijuar një të ardhme më të mirë, duket se te ne ende modelet e rëndësishme nuk gjejnë përkujdesjen e duhur, përveçse ndonjë lëvdate të tharë. Kështu, në këto kushte, Leon Lekaj, i biri i artistit të njohur Zef Lekaj, postum, merr përsipër të punojë një monografi mbi të atin.
Mendoj se jeta dhe modeli artistik i Zef Lekës duhet të kishte qenë me interes kombëtar për studiuesit e muzikës dhe krijimtarisë artistike shqiptare në përgjithësi, sepse siç shihet në këtë monografi ai i kalon kufijtë e ngushtë të përcaktimit vetëm si muzikant, por ai është poet, libretist, përkthyes, publicist e mbi të gjitha patriot i madh.
Për monografinë “Një artist në pentagrame të kryqëzuara” kam pasur biseda intensive me autorin, i cili ka ruajtur pothuajse deri në një tiparet e një monografie njohëse për publikun e gjerë, ashtu siç kishim biseduar. Me të drejtë ai ngulmon shumë në formësimin e artistit tek i ati, në fillim duke dashur të bëjë një apologji na kujton se do të ketë shumë kujdes për të paraqitur të atin “... hijshëm në sfondin e kohës ku ai punoi dhe jetoi.” Mendoj megjithatë se Leoni, siç është e natyrshme, nuk i shpëtoi dot diellit atëror. Duke dashur të kujtojë me përpikëri vitet e kaluara me të, më duket, se ky skrupulozitet shkencor paraqitjeje na ka lënë pa disa emocione atë-bir, të cilat ndoshta sjellin subjektivizëm, por do të kishin pasuruar atë duke e bërë objekt studimi për kërkuesit e mëvonshëm.
Autori, pasi ka inkuadruar prejardhjen e Zef Lekës, ushqimin kulturor të fëmijërisë, traditën atdhetare, mëdyshjen e talentit “... edhe vargjet edhe tingujt më pëlqejnë...”, sjellë më pas zgjedhjen e tij, të bëhet pjesë e ngjarjeve artistike të qytetit të Shkodrës, gëlues në të gjitha fushat e jetës nga entuziazmi, që kishte shkaktuar mëvetësia e Shqipnisë e pastaj dëshira po e shqiptarëve për të qenë në radhët e kombeve të qytetnueme.
Leoni e lidh emrin e të atit me Kolegjin Saverian dhe me figurat kombëtare, që dolën prej tij. Veçojmë këtu Mjedën, që mundësoi hyrjen e tij në kolegj dhe fratelin Buiati, që e formësoi Zefin si muzikant. Megjithatë, dua të theksoj, se autori shpreh bindshëm që farkëtimi i artistit i detyrohet shumë mjedisit atdhetar të familjes dhe atmosferës kulturore të Kolegjit Saverian, i cili kishte si mësimdhënës etërit e kulturës shqiptare, si Mjeda, Xanoni, Zamputi e Mëshkalla, etj.
Një pjesë e veprimtarisë artistike me rëndësi në qytetin e lindjes, kulmon me bashkëpunimet me këngëtarët e shquar të qytetit si autor tekstesh dhe kompozimesh muzikore. Njëkohësisht këtu mund të përmendet bashkëpunimi me kompozitorin e shquar Prenkë Jakova tek opera Mrika (opera e parë shqiptare), ku Zefi bashkë me Leonard Dedën, Tonin Zadejen e Tonin Dajinë do të kryejnë funksionin e kor-maestrit në realizimin e saj.
Pa dashur të bëj specialistin e muzikës e duke dashur të shkoj aty ku unë ndihem më mirë, është e drejtë të theksoj se Zefi me tekstin “Kur Perëndon dielli”, të kompozuar nga Leonard Deda, përbën modelin e një autori tekstesh nga i cili duhet të drejtohet muzika e lehtë dhe e kultivuar shqiptare. Fryma baritore e traditës sonë te ky tekst vjen në frymën e kohës, kur e shkroi Zefi, por edhe në frymën e kohës sonë, sepse tek nënrreshtat e këtij teksti, në domethëniet e tij, në përhershmërinë e emocionit të fortë që përcjellë tek dëgjuesi, ai mbetet universal për botën shqiptare, por mendoj edhe përtej.
Te kjo monografi i kushtohet një vëmendje e veçantë periudhës së persekutimit dhe dënimit absurd dhe barbar të kompozitorit, që kishte shkrirë gjithë jetën në krijimin e emocioneve të forta muzikore, duke angazhuar tërë qenien në dobi të shqiptarëve e ndoshta për këtë edhe u dënua. Tri ditë para se të dilte në pension, tri ditë që e ndajnë nga veprimtaria e ethshme për të jetuar në qetësinë e jetës familjare, është dita e mosmirënjohjes më të thellë që një shtet, që vetëm i tillë nuk ishte, i dha shpirtit të brishtë, të sinqertë të artistit, rrënimin e tij e të familjes. Dënim për Fishtën dhe Dostojevskin, dënim për më të madhin e shqiptarëve të asokohe dhe ndoshta për më të madhin e letërsisë botërore të dy shekujve të fundit. Dy emra, që në dimensionet e tyre janë simbolikë e talenteve të mëdha. Dy emra, që duhet të prodhonin vetëm kënaqësi estetike, bëhen paradoksalisht dy emra që të dënojnë! Prandaj kultura shqiptare mendoj se duhet të jetë e kujdesshme me vetveten, pra të nxisë kujtimin e vlerave, të cilat duhet të jenë ylli polar i orientimit. Nga ky këndvështrim mendoj se autori i kësaj monografie, duke na vënë përballë modelin e intelektualit, që sakrifikon për të tjerët, duke qëndruar stoik përpara vështirësisë, i ka bërë një shërbim të mirë kujtesës sonë, që priret të harrojë shpejt.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora