E enjte, 25.04.2024, 10:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Sajhe Poleshi: Kënga popullore rrezikon te degradohet nga amatorët

E shtune, 09.09.2006, 04:03 PM


Sajhe Poleshi
Sajhe Poleshi, këngëtarja e njohur e muzikës popullore flet për karrierën e saj. Këngëtarja promovon albumin më rë ri të saj të titulluar “Lauresha”, bashkëpunim me emra të njohur të muzikës shqiptare si është Edmond Zhulali apo edhe poetët Gjok Beci dhe Agim Doçi. Sajhe Poleshi premton se do të vij me një album tjetër me këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Këngëtarja e njohur ka qenë e pranishme në Diasporën shqiptare dhe do të vazhdojë të jetë prezente për publikun shqiptarë.
-Sajhe Poleshi shkëlqen në festivalet e Gjirokastrës dhe fillimet e karrierës suaj...
Unë kam filluar në 1978 në Festivalin e Gjirokastrës ku kam kënduar këngën “Mirë se na erdhe” e cila në atë periudhë ishte një hit.Ajo ishte një këngë dasme. Në atë festival jam dekoruar nga Kryetari i Kuvendit Popullor me urdhër të Naim Frashërit të klasit të tretë. Kam marrë pjesën në shumë koncerte qeveritare dhe në çdo koncert tjetër të kësaj natyre unë isha e pranishme.
-Ju e kenisur muzikën që e vogël. A mund të na tregoni diçka në lidhje me fillimet tuaja në fushën e muzikës?
Kam vazhduar shkollën në vlorë për infermieri dhe aty kam pasur mundësinë të aktivizohem me asamble popullore të muzikës, ku jam shquar për aftësinë time. Më pas edhe kur fillova punën, vazhdova të merrja pjesë në koncerte të ndryshme deri sa përfundova në Festivalin e Gjirokastrës.
-Po ju nuk keni marrë pjesë vetëm në Festivalin e Gjirokastrës apo edhe në festivale të tjera?
Po, kam marrë pjesë edhe në festivale të tjera me gupin e Dibrës. Në festivale jam vlerësuar me çmime të ndryshme nga Kryetari i Kuvendit Popullor.
-Cila është kënga juaj më e dashur?
Të them të drejtën “Mirë se na erdhe” është bërë himn dhe është një këngë shumë e dashur për mua. Janë edhe shumë këngë të bukura në repertorin tim. Në Festivalin e Këngës së Përpunuar jam paraqitur më këngën “Oj zogo” të cilën e kam kënduar me artisten e madhe Najle Hoxha, e përpunuar nga artisti i popullit Çesk Zadeja ku kam marrë çmimin e dytë. Kjo këngë është shumë e bukur dhe tani e këndojnë të gjitha brezat.
-Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj me të cilët keni realizuar albumin tuaj të ri?
Kam bashkëpunuar për këtë album të ri me kompozitorin e njohur Edmond Zhulali dhe poetët Gjok Beci dhe Agim Doçi të cilët janë emra të njohur të muzikës.
-Këngët në albumin tyaj të ri janë krijime të reja apo këngë të ripunuara?
Pjesa më e madhe e tyre janë krijime të reja. Pesë prej tyre janë këngë të reja kurse tre janë ripunime.
-Orkestrimet në albumin tuaj të ri janë më moderne dhe më të kohës. Ka qenë dëshira juaj kjo?
Po. Ishte dëshira ime dhe Edmond Zhulali i ka realizuar shumë bukur këto këngë.
-Është kënga “O mirë se na erdhe” në albumin tuaj të fundit?
Jo kjo këngë nuk është në këtë album. Mendoj se do jetë patjetër në albumin tjetër.
-Ka patur një arsye që nuk është kjo këngë në albumin tyaj të fundit?
Zgjodha që kjo këngë të mos ishte në këtë album sepse desha të bëja diçka tjetër, më ndryshe për publikun.
-Sajhe Poleshi ka qenë pjesmarrëse në shumë koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Si jeni pritur nga publiku në këto koncerte?
Unë kam qenë e ftuar në disa koncerte. Kam qenë e ftuar në një koncert në vendlindjen time, në Peshkopi, ku jam pritur shumë mirë. Ky ka qenë koncerti i parë. Më pas kam qenë në një koncert në Burrel, për komunitetin e Burrëlit. Kam dhënë një koncert në Kukës, në Lezhë, në Rrëshen dhe publiku më ka pritur jashtëzakonisht mirë në këto qytete.
-Në cilin nga këta qytete në të cilët keni dhënë koncerte jeni pritur më mirë?
Nuk diskutohet që në vendlindjen time. Aty jam pritur shumë shumë mirë, por në përgjithësi jam pritur mirë në të gjitha qytetet.
-Cilat kanë qenë këngët më të kërkuara nga publiku, të cilat ndoshta i keni kënduar edhe dy herë në një koncert?
Këngë shumë e kërkuar është “Oj zogo”. Këngë të cilën e këndoj edhe në gëzime familjare shumë shpesh.
-Sajhe Poleshi ka qenë pranë publikut me këngë “live”?
Po. Gjatë gjithë verës unë jam shumë e ngarkuar, kam një grup timin muzikor dhe marr pjesë në shumë gëzime familjare.
-Si ndihet Sajhe Poleshi pas viteve 1990, kur jeni pritur më mirë para apo pas viteve 1990?
Në atë periudhë ne ishim shumë të mirëpritur, por edhe në këtë kohë nuk kemi ngelur prapa dore. Më shumë pritemi dhe kërkohemi në Diasporë.
-Çmendim keni për këngëtarët e rinj që po bëjnë albume shpesh edhe ndoshta jo shumë cilësor?
Tani nuk është problem talenti, atë ta jep natyra. Talenti është i lindur dhe nuk është i fituar. Kanë dalë shumë këngëtarë dhe madje këngëtarë të mirë, por më vjen keq për përkthimet që bëjnë. Këngën popullore duhet ta leshë ashtu si është në origjinal, si e ka krijuar populli sepse ashtu është më e bukur dhe më e ëmbël. Përkthimet dhe përpunimet e këngëve nuk realizohen kurrë aq të bukura sa origjinali.
-Nëse një këngëtare e re do të përpunonte një këngë tuajën. Si do të ndiheshit ju?
Unë e di që shumë këngëtarë i kanë marrë këngët e mia dhe i kanë përpunuar. “Oj zogo” është përpunuar shumë nga këngëtarë të ndryshëm, por ashtu si është origjinali i kësaj kënge nuk ka arritur asnjë këngëtarë ta këndoj. Më pëlqen që këtë këngë e këndojnë këngëtarë të tjerë, por nuk dua që t’i humbin vlerat e saj gjatë përpunimit.
-Albumi juaj titullohet “Lauresha”. Pse keni zgjedhur këtë titull për albumin tuaj?
“Lauresha” titullohet një nga këngët e albumit tim. Meqënëse kjo këngë mua më pëlqen shumë dhe me mendimin e Gjok Beci vendosëm që ta titullojmë kështu.
-Albumi juaj ka vetëm këngë të veriut apo edhe të jugut?
Janë të gjitha këngë të veriut, këngë të ëmbla dhe të bukura. Këngë të jugut këndoj shumë mirë në gëzimet familjare. Gjithashtu këngë të jugut i kam kënduar edhe kur isha në shkollë.
-Ju këndoni këngë epike dhe lirike. Cilat flenë më shumë në shpirtin tuaj?
Të dyja këto gjini i këndoj shumë bukur, por unë si shpirt pëlqej më shumë këngët epike, këngë të lashta, të qeta, të shtrira dhe më përshtaten edhe në zë.
-Ju keni qenë e pranishme edhe në shumë koncerte në Diasporë. Si jeni pritur në këto koncerte?
Kam qenë pothuajse në gjithë Europën dhe në Amerikë për koncerte. Jam pritur shumë mirë në të gjitha vendet ku kam shkuar. Në Zvicër publiku ka qenë shumë i zjarrtë dhe gjithashtu në Danimarkë dhe në Amerikë, në qytetin e Neë Yorkut, në Manhatan, në Detroit, Çikago etj. Kemi dhënë shumë koncerte në Amerikë dhe jemi pritur shumë mirë atje.
-Koncertet në Diasporë kanë qenë afatgjata?
Nuk rrija më shumë se tre muaj jashtë sepse mërzitesha. Rikthehesha në Shqipëri.
-Keni patur ftesa të cilat i keni refuzuar?
Po. Vitin e kaluar kam patur një ftesë në Angli dhe nuk shkova për arsyet e mia familjare.
-Artistët shqiptarë që janë të pranishëm në Diasporë quhen Ambasadorët e Kulturës Shqipe. Sa dakord jeni me këtë?
Kjo fjalë qëndron sepse arti njihet në të gjithë botën. Kur shkonim në koncerte me ansamblin nuk njoheshin personat por arti njihej gjithmonë.
-Keni patur raste në të cilin ju kanë dëgjuar të huaj dhe si ju kanë vlerësuar ata?
Po. Ka patur shumë raste që në koncerte ka patur të huaj dhe më kane vlerësuar shumë. Më shumë kanë vlerësuar interpretimin dhe zërin melodioz.
-Ka në albumin tuaj këngë epike?
Po. Kam një këngë për Kosovën në këtë album dhe pjesa tjetër është me këngë lirike.
-Ju së shpejti do të vini me një album tjetër në tregun muzikor. Cilat do të jenë bashkëpunimet tuaja për këtë album të ri?
Për albumin e ri do të kem të njëjtët bashkëpunëtor që kisha në albumin “Lauresha”. Albumi do të jetë me kolazhe dhe me këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Do të këndojë këngë edhe të jugut dhe Shqipërisë së mesme.
-Keni qenë pjesë e ansamblit Dardania në Tropojë?
Po, kam qenë pjesë e këtij ansambli. Kam marrë pjesë në të gjitha koncertet me këngëtarë shumë të mirë si, Fatime Sokoli, artisten e merituar, me Gëzim Nikën, Fatmira Breçani.
-Ju jeni nga Dibra. Nga cila trevë janë pjesa më e madhe e këngëve tuaja?
Në fakt unë këndoj më shumë këngë Dibrane. Dhe me këto këngë jam pritur shumë mirë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora