E premte, 26.04.2024, 12:11 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Ardhjen e Bogdanoviçit në Kosovë, nuk e ndaloi qeveria e Kosovës, por Brukseli...?!

E diele, 22.02.2009, 06:55 PM


ARDHJEN E BOGDANOVIQIT NË KOSOVË, NUK E NDALOI QEVERIA E KOSOVËS, POR BRUKSELI...?!

Nga Adnan Abrashi

“Ne nuk i kemi dhënë pëlqimin dhe kemi kërkuar t’u drejtohet institucioneve me kërkesë dhe agjendë, përndryshe do të kthehet prapa, apo nëse insiston të hyjë pa leje dhe me persona të armatosur do të arrestohet”, ka thënë për KTV-në zv. kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Hajde për hajër na koftë. Besoj se, me të dëgjuar këtë lajm, nuk ka kosovar i cili nuk është ngazëllye me këtë potez tejet të qëlluar dhe kaherë të pritur të Qeverisë tonë . Më në fund, një zyrtar i lartë serb vendosmërisht ndalohet që pa leje zyrtare të institucioneve të Kosovës të hyjë në territorin e saj sovran. Në këtë moment, aspak nuk është me rëndësi se a është ai zyrtar Goran Bogdanoviqi,  apo ndonjë tjetër serb mbiemri i të cilit përfundon me “iq” apo “viq”, por  kryesorja është se ia nisi mbarë dhe kjo na inkurajon të gjithëve se më në fund Qeveria e jonë “filloj t’i tregoj dhëmbët e veta”. Figurativisht, të gjithë menduam se pasi këto ditë i mbushi një vjet nga lindja e saj, shyqyr “Pavarësisë” i paskan dalë edhe disa dhëmbë të qumështit në nofulla?!.
Pranoj se,  në kuadrin e shumë kritikuesve të ashpër të tolerimeve të këtyre ardhje-vajtje të pa paralajmëruara të qeveritarëve të ndryshëm serb në territorin e pavarur të Kosovës, ka qenë edhe vegjëlia ime, andaj, aty për aty, lajmi i këtij refuzimi shpresëdhënëse, më bëri një presion të fuqishëm në mua si paralajmërim, se ndoshta më në fund  ka ardhur koha që edhe unë t’i ndryshoj disa qëndrimet e mija të ashpra kritikuese ndaj Qeverisë tonë ende të vogël njëvjeçare.
Dhe, merrni me mëndë se sa shpejtë u stopua ky disponimi i imi revidues? Përkundrazi, shumë shpejtë, ai u shpalos si koftra-efekt në mua, duke më cytur që në të ardhmen, edhe më fuqishëm të qëndroj në këto pozita të bindjeve që kisha për politikanët tanë dhe në përgjithësi për politikëbërjen jo aq të “pavarur” dhe “sovrane” në Kosovë.
Menjëherë të nesërmen, në ditarin e mbrëmjes së RTK-së, dëgjova lajmin befasues se, urdhrin për ndalimin e hyrjes së zyrtarit të lartë serb Goran Bogdanoviq në Kosovë, nuk e kishte dhënë Qeveria “sovrane” e Kosovës, por qeveria vërtetë sunduese në Kosovë e Brukselit. Jashtë krekosjeve dhe lavdërimeve të qeveritarëve tanë se kjo ndalesë ishte rezultati i tyre, sikur po na del nga ky lajm i dytë, realisht, si shkas i vërtetë i këtij ndalimi, qëndron hidhërimi serioz i Brukselit ndaj Jeremiqit,  i cili, ditë më parë, e ka nënçmuar shefin e Zyrës së BE-së në Beograd  Sorensenin (që i raporton direkt Solanës) në mënyrë arrogante dhe të pasjellshme, duke mos i lejuar atij të fliste gjatë takimit, ku ishte prezent edhe shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier. Madje, thuhet se Jeremiqi edhe gjatë pjesës së mbetur të takimit, në mënyrë të dukshme e kishte injoruar Sorensenin. 
Se sa ishte i saktë ky lajmë, menjëherë të nesërmen e vërtetuan edhe mediat tjera. Por, mbi të gjitha, nga ana tjetër e medaljes, gazetat tona ditore dhe mediet tjera elektronike,atë ditë u mbushën me lëvdatat dhe krekosjet e qeveritarëve tanë për këtë sukses të tyre dhe vendosmërinë e mbajtjes së një kursi  të ashpër edhe herëve tjera në situata të ngjashme
A do të jetë vërtetë kjo”vendosmëri” si një  praktikë e vazhdueshme principiele e qeveritarëve tanë edhe në të ardhme, mbase mbetet të shohim. Duhet të presim se, pas këtij ekcesi diplomatik me serbët dhe Jeremiqin, si do të pajtohet në të ardhmen Brukseli. E, nga praktikat tona të gjertanishme, e dimë mirë se Brukseli ndaj Serbisë, gjithmonë është treguar me cilësi dhe virtyte të larta morale si të Zotit: Fal, dhe gjithmonë të fal, vetëm nëse pak pendohesh ... ?!
A thua, a mundemi ta paramendojmë deklaratën publike para kamerave televizive , ta zëmë të Kuqit më vonë, kur shumë shpejtë do ta shohim për vizitë në Kosovë edhe ndonjë zyrtar të lartë serb, i cili si zakonisht, përpos tjerash, do të dërgoj përplotë selame ofenduese kundër shqiptarëve, shtetit dhe qeverisë tonë...?!
Unë, veç tani po mundem ta paramendoj se si në atë moment do të duket një deklaratë e tillë e qeveritarëve tanë, e ju?!
Sido qoftë, me këtë veprim, luajti diçka nga vendi!  Ja nisi, ja nisi...dhe për hajër na qoftë?!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora