E diele, 27.09.2020, 02:57 AM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Pse është "çmendur" klima

E diele, 22.02.2009, 01:33 AM


Australia në flakë, borë në Sicili, ngrica në shkretëtirë, tajfune të frikshme në juglindjen aziatike. Këto janë shenjat e një moti të çmendur. Por një shpjegim duhet të ketë. Ja cili është

Shira të rrëmbyeshëm prej muajsh, borë në Sicili, madje thonë se në Alto Adice (krahinë në Itali) prej vitesh nuk ka rënë kaq shumë dëborë. I gjithë ky çrregullim i papritur i kohës është pasojë e shpërhapjes së anhidridit karbonik dhe gazeve të tjera që shkatërrojnë klimën. Një dimër i tillë, i regjistruar njëkohësisht me thatësirën e madhe në Argjentinë, uraganet e papara ndonjëherë në Atlantik dhe temperaturat e larta deri në 50°C në Australi, tregojnë edhe një herë se në Tokë po ndodh diçka e tmerrshme, që e ka bërë të paparashikueshme klimën, që i ka bërë lëmsh kurbat dhe që ka sjellë shumë çrregullime në motin e përditshëm.

"Një dimër i tillë ka qenë shumë i rrallë këto 15 vitet e fundit", shpjegon një meteorolog me famë ndërkombëtare, që ka punuar për 13 vjet në Qendrën Meteorologjike Britanike. "Megjithatë, anomalia e këtij viti cilësohet si ndryshueshmëri natyrale normale e klimës. Madje, nuk duhet të qahemi: koha e këtij viti nuk shënon ndonjë ndryshim të madh".

Sipas klimatologëve, ky ndryshim i parapritur i kohës nuk është gjë tjetër veçse një çrregullim i kurbave, që shkojnë gjithmonë drejt ngritjes së temperaturës globale të planetit. Në fakt, "inatosja" e motit na bën të ndiejmë të ftohtin e acartë në Evropë dhe të nxehtin e papritur në Buenos Aires. 2008-a ka qenë viti i dhjetë më i nxehtë që prej 1880-ës dhe deri më sot. "Tendenca drejt ngrohjes globale vazhdon të rritet në mënyrë të pashmangshme, për shkak të rritjes së anhidridit karbonik, që njeriu përhap në atmosferë", thotë një punonjës i shërbimit meteorologjik britanik. "Fakti që gjatë një viti të bëjë dimër i ftohtë, nuk ndryshon asgjë".

Klimatologët shohin me teleskop katastrofat që do të ndodhin gjatë viteve në vazhdim dhe rebelohen kur dikush pyet se çfarë do të ndodhë pas pak kohësh, sepse kështu duket e pamundur të bëhen parashikime edhe për një periudhë 3 ose 6-mujore. "Është një detyrë e vështirë, por intriguese", thotë një meteorolog. "Duke ditur se është e mundur njohja e zhvillimit të temperaturave të oqeaneve deri në tre muaj, bëhet fjalë që të zhvendoset zhvillimi i këtyre temperaturave, të cilat varen nga fenomene si rryma e nxehtë El Nino në Paqësor - te temperaturat e atmosferës. Për fat të keq është më e thjeshtë të parashikosh se si do të jetë koha pas tre muajsh në vendet tropikale se sa në Evropë, hapësira absolutisht më e paparashikueshme", shpjegon ai. Kështu, nuk të habit fakti që disa shërbime meteorologjike të organizatave të ndryshme hedhin hipoteza se të dhënat mund të jenë kontradiktore. Kështu, ndërkohë që qendra e shërbimit meteorologjik amerikane "Akoa" (Administrata Kombëtare e Oqeanisë dhe Atmosferës) parashikon për një pjesë të Evropës Jugore një verë më të freskët dhe me lagështirë, "Ikksh" (Instituti i Kërkimeve Kombëtare për Klimën dhe Shoqërinë) parashikon nxehtësi dhe pak shira. Gjithsesi, të dyja këto qendra të shërbimit meteorologjik regjistrojnë ngjarje jashtë të zakonshmes. Por ende nuk kanë rënë dakord nëse këto ngjarje do të jenë të pazakonshme në sensin e të nxehtit me thatësirë, apo e verës së freskët me lagështirë.

Vështirësitë për të parashikuar se si do të jetë koha në vazhdim i detyrojnë meteorologët të marrin masa për të shmangur ndryshimet e klimës, të cilat mund të shndërrohen në telashe për njerëzit. "E ashtuquajtura ngrohje globale, do të thotë rritje e ngjarjeve ekstreme meteorologjike si uraganet, valët e nxehtësisë, mungesë e zgjatur e reshjeve të shiut, rrëshqitje toke dhe vullkane. Kështu, sfida më e madhe për shërbimet meteorologjike është që të parashikojnë me saktësi jo vetëm atëherë kur bie shi, por edhe kur mund të ndodhë ndonjë katastrofë, për të parandaluar kështu rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet".

Qendrat meteorologjike duhet të jenë më të sakta në parashikimet e tyre, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohe, sepse ajo çka na kanë servirur kohët e fundit nuk kanë qenë gjë tjetër veçse paqartësi.

Gjithsesi, malet ruse të klimës planetare tregojnë se po shkojnë në drejtim të një bote më të nxehtë e më të zhurmshme. "Parashikohen temperatura gjithnjë e më të larta në vendet veriore, si Siberia dhe Arktiku e në Mesdhe".

Ekspertët pohojnë se e vetmja gjë që mund të parashikohet vërtet është rikthimi i ngjarjeve jashtë të zakonshmes, me mijëra të vdekur dhe kosto të larta. Programi ambiental i Kombeve të Bashkuara ka llogaritur se 2008-a ka kushtuar në termat e katastrofave klimatike sa dyfishi i 2007-ës: 200 miliardë dollarë. "Ndryshimet klimatike që po ndodhin kanë kosto të mëdha", shpjegon një ekonomist ambiental. Raporti i fundit i një organizate joqeveritare ka llogaritur se për një rritje të temperaturës me 4°C deri në fund të shekullit, do të kishte një humbje të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror nga 1 deri në 5 për qind. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e madhe, e cila kërkon që tani investime të mëdha për të parandaluar këto ndryshime.

Argjentina pa ujë

Thatësira ka prekur bujqësinë argjentinase. Kjo është kriza më e madhe hidrike e 50 viteve të fundit. E njëjta gjë po ndodh në Kili dhe Paraguai. Ndryshe nga shtetet e lartpërmendura, në Bolivi, Ekuador dhe Brazil ka pasur shumë reshje. Në nëntor të vitit të kaluar, në Brazil shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet goditën 1.5 milionë persona dhe shkaktuan 84 të vdekur. Kjo është tragjedia më e rëndë e lidhur me faktorët meteorologjikë në historinë e vendit

Thatësirë spanjolle

Spanja po kalon periudhën më të thatë të 10 viteve të fundit. Portugalia regjistroi krizën më të rëndë hidrike pas vitit 1917

Katastrofa afrikane

Në vjeshtën e vitit të kaluar, shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet goditën Marokun dhe Algjerinë. Kjo ishte një nga katastrofat më të mëdha të shekullit të fundit. Në janar të këtij viti, sërish përmbytjet goditën Mozambikun, Zimbabvenë dhe Malavin. Për Malavin, kjo ishte përmbytja më e madhe e regjistruar ndonjëherë

Borë dhe ngricë në shkretëtirë

Muajin e kaluar, Irani është mbuluar nga bora, më e dendura në këto 10 vitet e fundit, ndërsa në Bagdad regjistrohen reshjet e para të dëborës në historinë e këtij vendi. Në Irak, rreth 50 persona dhe më shumë se 150 bagëti humbën jetën nga i ftohti. Në janar disa zona të Turqisë kaluan ditët më të ftohta të 50 viteve të fundit

Erërat aziatike

Në Filipine, tajfuni Fenshen u mori jetën më shumë se njëmijë personave, ndërkohë ai Hagupit goditi të gjithë juglindjen aziatike në shtator të vitit të kaluar; gjatë kësaj katastrofe u shkatërruan mijëra anije; në Filipine humbën jetën tetë persona, ndërsa në Hong-Kong pati dhjetëra të plagosur. Më shumë se 100 mijë persona u evakuuan nga zona jugore e Kinës

Australia në flakë

Për Australinë janari ka qenë muaji më i nxehtë i gjysmëshekullit. Në disa zona të kontinentit, temperaturat e kalonin 15-18 gradë mesataren klimatologjike. Në shtetin e Viktorias, temperatura maksimale e regjistruar është 48,8°C. Janë shkrumbuar nga flakët më shumë se 360 mijë hektarë dhe kanë humbur jetën më shumë 200 persona



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora