E enjte, 25.04.2024, 01:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Evgjeni Çulli: Vitoria është kënga ime e zemrës dhe kënga që e kam kënduar unë për herë të parë

E shtune, 21.02.2009, 02:59 PM


Evgjeni Çulli
Evgjeni Çulli
Në dasmën time Vath Koreshi ideoi “Gjeneral Gramafonin”

Gazeta greke shkroi “klarineta e Laver Bariut hedh një batalion në luftë”

Nga Albert Zholi
 
Evgjeni Çulli është një nga këngëtaret më të njohura popullore përmetare. E lidhur shpirtërisht me muzikën kombëtare ajo ka nxjerrë këto ditë albumin e saj të dytë me këngë të traditës. Për karrierën e saj, miqtë e saj të mëdhenj përmetarë do të flasë në këtë intervistë…
 
Kur ka filluar Evgjenia të këndojë për herë të parë?

-Që në vogëli. Fillimi ka qenë me aktivitetet e shkollës 8-vjeçare në Përmet. Mësuesi i muzikës pikasi diçka tek unë dhe më aktivizoi pranë Shtëpisë së Pionierit, që nga klasa e pestë. Kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e shkollës, duke marrë çmim të parë në Festivalin e Pionierëve të asaj kohe. Në vitin 1978-t u aktivizova në Festivalin e Pionierëve në Shkodër me një këngë që zuri çmim të parë në Përmet. Më pas pati një periudhë pauzë. Nuk arrita të fitoj për liceun dhe shkova në shkollën elektrike në Korçë. Me mbarimin e shkollës, u ktheva në Përmet dhe duke qenë se e kisha pasion të madh muzikën, që ishte shpirti im, bashkëpunova me muzikantët pranë Shtëpisë së Kulturës së Përmetit. Kur erdhi në vitin 1986 Osman Mula, me grupin e Shtëpisë së Kulturës unë u paraqita me këngën “Vitori t’u bëftë nëna”. Ishte kënga ime e parë, një këngë shumë e vjetër përmetare, që më bëri shumë të njohur në rang kombëtar. 
 
Mund të na flisni pak më shumë për mjedisin tuaj familjar?

Rrjedh nga një familja libradashëse apo më mirë të them arsimdashëse. Gjyshi im Kozma Thomollari ka qenë njeri i ditur dhe megjithëse i varfër shtëpinë e kishte mbushur plot me libra. Ndërsa babai im kish pasur dhe ka miq intelektualë të ndryshëm me emër si: Jakov Xoxa, Xhevahir Spahiu, Vath Koreshi, Lliko Nino, Përparim Xhixha, Arshi Xhezo dhe Luan Dibra.

Çfarë ju ka ngelur në mendje nga rrëfimet e babait?

Emri i vëllait të gjyshit Naun Thomollarit, borizanit të famshëm të Brigadës së 6-të Sulmuese që ra heroikisht në luftë me okupatorin nazist në Shën Pal të Mirditës më 24 tetor 1944. 
 
Çfarë lidhjesh ka pasur babai juaj me shkrimtarin Vath Koreshi?

I ftuar në dasmë nga babai im, i ndjeri Vath Koreshi (shkrimtar i madh) , i mahnitur nga këngët e bukura, interpretimi dhe atmosfera e magjishme, u nxit apo mori frymëzimin për të shkruar skenarin e mrekullueshëm të filmit artistik “Gjeneral Gramafoni”. Në dasmën time ka marrë pjesë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, ku vajzat e ansamblit më nisën nuse. 
 
Përse nuk e vazhduat shkollën e lartë?

(Loton). Edhe sot e kam peng. Isha nxënëse e shkëlqyer. Babai im ka qenë nëpunës i rëndësishëm i organeve të partisë dhe të pushtetit dhe të partisë në regjimin komunist. Por atëherë çdo ditë lindnin, imagjinoheshin armiq. Kështu dhe me babanë tim që ishte dhe është një njeri i shkëlqyer dhe i ndershëm, pa diskutuar për patriotizmin që ai ka në gen, në vitin 1975 atë e shpallën si njeri kundër vijës së partisë dhe e izoluan në një fshat të Përmetit. Kështu edhe unë jo vetëm që nuk shkova në shkollë të lartë, por u largova dhe nga kënga. Punova në një elektropompë larg ëndrrës për këngën e bukur dhe magjepëse. 
 
Një nga bashkëpunimet tuaja më të frytshme ka qenë ai me usta Laveri Bariun dhe me Mentor Xhemalin?

-Usta Laveri ishte klarinetisti i parë i trupës. Ai pa diçka tek unë dhe më pëlqente. Unë kisha një timbër paksa të veçantë nga të tjerët. Ai më thoshte gjithnjë: “Ti se çke në fyt, sikur të këndon një bilbil”. Dhe Mentor Xhemali vinte gjithnjë në Përmet dhe merrte pjesë në të gjitha aktivitetet që zhvilloheshin aty. Kemi realizuar këngë me Mentorin, një kolazh të këngëve përmetare që është transmetuar dhe nëpër televizione.

Si kanë qenë marrëdhëniet e usta Laverit me Mentorin?

-Kanë qenë marrëdhënie shumë të mira. Ata bashkëpunonin sepse kishin një jetë të tërë që këndonin dhe interpretonin së bashku. Ka pasur shumë këngë që i ka realizuar ustai, sidomos prerjen që bënte në këngët qytetare përmetare, që i jepnin shumë lezet. Kënga përmetare ka disa të veçanta që ato dinin t’i kombinonin bukur.

Ka pasur momente të bukura që keni ndarë bashkë?

-Shumë. Me to mjaftoje që të hipje në skenë dhe të realizoje një koncert që të ndjeheshe mirë. Mbaj mend që kemi qenë të ftuar në një koncert nga Petro Lluka, një nga klarinetistët më të mirë të Janinës. Ishte viti 1995. Ai kishte dëgjuar për ustain, për më tepër që ne kemi bërë një disk në Dhorastrates, ku u realizuan orkestralet e ustait dhe këngët tona ishin plotësuese. Ishte një ekskluzivitet i Greqisë. Nga jehona e ustait na ftuan në një nga lokalet në Greqi në Iraklios. Aty ishin ftuar personalitete të artit, për muzikën popullore. Aty e kemi ndjerë veten shumë artistë. Petro Lluka u fut mes nesh dhe u bë pjesë e orkestrës. Petroja e lavdëronte shumë Laverin dhe një moment ustai më thotë: “Hë moj Evgjeni a këndojnë këta më bukur nga ne?” Na pritën shumë mirë atje dhe në pjesën e fundit orkestrale u ngritën në këmbë të gjithë shqiptarët dhe grekët duke brohoritur. Ai interpretoi si asnjëherë tjetër. Të nesërmen gazeta greke “Eleftherotipia” shkroi “Usta Laver Bariu me magjinë e klarinetës së tij mund të hedhë një batalion në luftë”.

Momente të tjera të veçanta?

-Kemi bërë dhe një album tjetër së bashku. Ka ardhur në Përmet një shtëpi diskografike që ishte i interesuar për interpretimet e ustait. Ata regjistronin pjesë kaba, ndërkohë që këngët tona ishin plotësuese. Kishte rreth 7 pjesë ustai dhe 4 këngë ishin të miat me një këngëtar tjetër. Ky album ka pasur një shitje të jashtëzakonshme në Gjermani dhe Japoni, duke na dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme. Muzika përmetare dhe interpretimi i Laver Bariut nuk kanë pasur kufij

Një nga aktivitetet tuaja më të suksesshme ka qenë pjesëmarrja në festivalet Gjirokastrës? Ç’mund të themi për këto?

-Që nga vitet pas ‘90-ës kam marrë pjesë në të gjitha takimet e këngës popullore. Kam qenë në festivalin e këngës popullore në Elbasan ku jam paraqitur me këngën “Vitori t’u bëftë nëna” dhe jam vlerësuar dhe me çmimin e tretë. Çmimin e parë në atë festival e mori Bujar Qamili. Vitoria është kënga ime e zemrës dhe kënga që e kam kënduar unë për herë të parë. 
 
Ndërkohë që këto kohë ke nxjerrë dhe një album tjetër?

-Pas 6 vjetësh kam nxjerrë dhe një album të ri meqenëse të gjithë më pyesnin të bëja diçka të re. Në bashkëpunim me Klodian Qafokun vendosëm të inçizojmë një tjetër. Ka bërë një punë cilësore. Janë 9 këngë popullore të mirëfillta që kanë ardhur të ripunuara, kanë ardhur me pak më shumë ritëm dhe ka qenë dhe me vegla të gjalla. Kam marrë instrumentistët më të mirë, të gjithë virtuozë. Albumi ka dalë para vitit të ri nën supervizionin e “Superstar”-it.
 
Në muzikën popullore vihen re shumë huazime. Ju vetë keni huazuar ndonjëherë nga këngët greke apo të vendeve të tjera?

-Asnjëherë. Unë jam bazuar tek këngët popullore përmetare. Këngët greke janë të bukura, por unë jam bazuar thjesht në këngën time, sepse ato këngë më janë përshtatur.

Kush janë këngëtarët më të preferuar për ju?

-Këngëtarët shqiptarë që preferoj është Artiola Toska. Ndërsa nga Jugu më pëlqen shumë Petrit Lulo, Maja.

Je marrë ndonjëherë me politikë?

-Asnjëherë. Politika nuk më intereson. Kënga është larg politikës.

E ndiqni shtypin?

-Jo dhe aq. Ka shumë kronikë të zezë.

Po librin?

-Im atë ka një bibliotekë shumë të pasur dhe kam lexuar shumë.

Çfarë është kënga për ju?

-Është jeta ime. E shoh që pa këngën nuk mund të rroj dot.

Gjatë kohës së lirë me çfarë merreni?

-Mundohem të dëgjojë ndonjë këngë të re sepse mendoj gjithnjë se më duhen. Unë personalisht nuk dëgjoj muzikë të huaj, por kryesisht preferoj muzikën popullore. Zhanret e tjera muzikore nuk janë tërheqëse për mua.

Mendoni se femra shqiptare ka kapur pozitat që i takojnë në shoqërinë shqiptare?

-Dhe e kanë kapur. Më duket se kohët kanë ndryshuar. Femrën e shoh me të vërtet të civilizuar dhe pse mendoj se duhet të luftojë më shumë në fushën e vlerave.

Nëse do ju jepnin një vend në administratë do e këmbenit me muzikën?

-Jo.

Albumi i parë

-E kam realizuar në 2001-in me 12 këngë të mirëfillta përmetare. Ato janë pikë tabani. Albumi quhet “Fllad jugu në këngë” dhe kam bashkëpunuar me orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë dhe orkestrues ka qenë Ladi Hakimi. E kam bërë në studion “Jes” pranë konservatorit. Doli një album shumë i bukur dhe pati një shitje të jashtëzakonshme. E kishte ekskluzivitet “Shqipja 2000”. Kënga “U bë dru në përcëllimë” u kthye në hit dhe këndohet në çdo dasmë. Por dhe “Ujët e rrëzës” e shumë këngë të tjera. Të gjitha ishin këngë popullore dhe patën shumë sukses.

Këndvështrimi për meshkujt shqiptarë

-Meshkujt janë më patriarkalë. Dhe këtë mund ta shohësh mirë tek këngët shqiptare. Një pjesë e madhe e këngëtarëve sot operojnë me pamjen e tyre të jashtme dhe kjo është një e keqe e madhe. Kënga është këngë dhe ka tjetër bazë. Ajo ndërtohet mbi melodinë, tekstin interpretimin dhe jo mbi pamjet e jashtme. Shpesh dhe ato që e kanë biznes muzikën parapëlqejnë këto këngëtare, sepse sipas mendimit të tyre, kjo gjë u pëlqen meshkujve.

Koncerti më pikant

-Kam qenë në shumë koncerte në vende të ndryshme. Kam qenë dhe në Spanjë me grupin e Lapardhasë, ku me disa këngëtarë të tjerë përfaqësonim këngën përmetare dhe ato këngën labe me iso. E kemi kaluar shumë mirë dhe njerëzve u dukej interesante mënyra jonë e të kënduarit. Sidomos isopolifonia ishte shumë e kërkuar

Pengu gjatë karrierës

-Sigurisht që kam. Them se jo se nuk kam ditur ta menaxhoj veten po nuk kam pasur një mbështetje që kënga përmetare të dilte më tepër në pah. Duhet të gjeja një sponsor që ta kisha më të lehtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora