E marte, 16.04.2024, 09:09 PM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: "Kombi Kosovar" i Murat Jasharit shqiptar!

E shtune, 21.02.2009, 05:30 PM


"Kombi Kosovar" i Murat Jasharit shqiptar!

Nga Isa Mulaj

Çka gënjeu Murat Jashari në Lajmet e RTK-së me 17 shkurt?

Deklarimet skandaloze të Murat Jasharit në emër të patriotizmit me bateria të brishta sa vijnë e shtohen aq bëhen edhe më të zhveshura. Në lajmet qendrore të RTK-së të transmetuara në përvjetorin e parë të shapalljes së pavarësisë së Kosovë më 17 shkurt 2009, ai mundohej të thoshte diçka për të ashtuquajturin kombin Kosovar. "Vet Evropa po shkon drejt një kombi ose po bëhet një Amerikë", ishin këto fjalët e Murat Jasharit. Se kjo është vetëm pjellë e imagjinatës së tij, dëshmojnë shumë analiza të mëhershme faktike, citatet e të cilave janë prezentuar më poshtë. Europa kurrë nuk do të bëhet një komb Europian. Ndërsa në Amerikë, janë në fuqi disa ligje dhe rregulla pak më raciste se në shumicën e shteteve të Europës. Për shembull, në çdo formular ku kërkohen të dhënat personale qoftë në formë të shtypur apo elektronike, ekzistojnë këto kategori: Hispanic or Latino - Hispanik ose Latino-Amerikan, White (not Hispanic or Latino) – i Bardhë (jo Hispanik ose Latino-Amerikan), Black or African American (not Hispanic or Latino) – i Zi ose Afrikano-Amerikan (jo Hispanik ose Latino-Amerikan), Native Hawaiian or Pacific Islander (not Hispanic or Latino) – Vendas i Havajeve ose Ishujve të Pacifikut (jo Hispanik ose Latino-Amerikan), Aziatik (jo Hispanik ose Latino-Amerikan), American Indian or Alaska Native (not Hispanic or Latino) – Indiano Amerikan ose Vendas i Alaskës (jo Hispanik ose Latino-American), Two or More Races (not Hispanic or Latino) – Dy ose më Shumë Raca (jo Hispanik ose Latino-Amerikan), Other, specify – Tjetër, tregoje. Tërë këto klasifikime që në shumë shtete nuk kërkohen, bëhet me këtë qëllim: Ti je ti, ti ke qenë ti dhe do të mbetesh ti ashtu si je i bardhë, i zi, i verdhë, i murrmë, i kaltër, i kuq apo çfarëdo ngjyre, i tillë je. Ti mund të thuash se do të bëhem kësi kombi, por në realitet duhet t'i përmbahesh rregullave – ti do të jesh ti qoftë si afrikan, shqiptar, serb, irlandez, kinez, japonez, rus.

Murati më tutje thoshte, po e parafrazoj, se dikur kemi qenë Pellazg (e para tyre pse jo edhe majmuna e kapsamuna më të moderuar se sot!!!), pastaj Ilir, më vonë Shqiptar, tash Kosovar, e nesër do të bëhemi Europian. Një ide bizare që nuk e lejon realiteti dhe rregullat e shteteve tjera se ne të njohim ty vetëm si TI JE TI E NUK TË LEJOJMË QË TI TË BËHESH UNË SEPSE UNË JAM UNË. Ndërsa për trillimin e një kombi të vetëm Europian, futja si të duash, por rregullat e Europës dhe Amerikës të njohin dhe trajtojnë ty vetëm si TI JE TI, sepse TI JE TI. 

Në vijim, shikoni citate nga disa analiza që i demantojnë idetë e mykëta të Murat Jasharit.    

Kjo që po bën Thaçi quhet shkombëtarizim

Nga Shkëlzen Gashi

Artikulli i plotë gjindet në faqen:

http://unitedalbania.org/index.php?option=com_content&task=view&id=752&Itemid=28 

 "Po ashtu, është neveritës fakti që përfaqësuesit e Shoqatave të Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së – që dikur i digjnin flamujt e Ibrahim Rugovës – nuk po reagojnë, por vetëm po thonë se 28 nëntori duhet të figurojë si festë kombëtare. Kaq. Në të vërtetë, përfaqësuesit e këtyre shoqatave nuk i përfaqësojnë interesat e veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së. Ata nuk janë asgjë më shumë se vegla të Hashim Thaçit.

Mbi të gjitha, është e sëkëlldisëse deklarata e Murat Jasharit, përfaqësues i Familjes Jashari, që beson në thellësinë e analizave të krerëve të Qeverisë së Kosovës dhe në arsyeshmërinë e vendimit për heqjen e 28 nëntorit si festë zyrtare. Duket se racionalizimi që Murat Jashari po i bën vendimit të turpshëm të Qeverisë së Kosovës, ka të bëjë, mes tjerash, edhe me ambicien e tij për t'u zgjedhur në krye të institucionit të Ombudspersonit. Në fakt, kjo deklaratë e Murat Jasharit më kujtoi fushatimin tërësisht emocional e të paarsyeshëm që Murat Jashari bënte në favor të mbetjes së Arsim Bajramit në krye të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (Arsim Bajrami më vonë do të jetë mentor i magjistraturës së Murat Jasharit)."

(Ri)integrimet tregtare dhe ekonomike të Kosovës: Ku, si dhe kur?

Nga Isa Mulaj

Artikulli i plotë gjindet në faqen:

http://mollakuqe.wordpress.com/2008/06/30/riintegrimet-tregtare-dhe-ekonomike-te-kosoves-ku-si-dhe-kur/ 

Është indoktrinuese fushata me parullat "E tash Europa; Eja në Europë" që është duke u zhvilluar nepër disa qytete dhe fshatra të Kosovës në kohën kur enklavizimi ekonomik në baza etnike është intensifikuar në terren. Kosova nuk është e integruar brenda vetevetes e disa na shpifin se e ardhmja e saj është integrimi në BE. Një grup tjetër na shpifin për gjoja vlerat kulturore të BE-së si element kryesor i arsyeshmërisë për integrim, duke harruar se moto e BE-së është "të bashkuar në diversitet". Autorët dhe aktorët e parullave "E tash Europa; Eja në Europë" janë të ngjashëm me ata që na i promovonin dogmat e vëllazërim-bashkimit.

Autorët, aktorët dhe sponzorët e parullës "E tash Europa…" ose e nënvlerësojnë seriozisht situatën në terren, ose janë duke synuar t'ua mbyllin sytë njerëzve përballë realitetit. Ata ndoshta nuk e njohin sa duhet historinë e BE-së. Sa për informim të shkurt, ajo që sot njihet si BE është themeluar në vitin 1957 dhe për 35 vite në vijim quhej Bashkësia Ekonomike Europiane (BEE). Ka qenë ekonomia dhe vetëm ekonomia forca shtytëse e integrimit Europian. BE-ja është themeluar më 1993 me traktatin e Mastrihtit të nënshkruar më 1992 për ta ushtruar dhe zgjeruar veprimtarinë e saj në këto tri shtylla: 1) Bashkësia Europiane; 2) Politika e jashtme dhe siguria e përbashkët; dhe 3) Bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe gjyqësorit në çështjet kriminale. Shtylla e parë merret me politikat ekonomike, sociale dhe të mjedisit. Kjo duhet të na interesoj më së shumti, e jo parulla "Eja në Europë". Vetëm ekonomistët nuk e kuptojnë si duhet se ekonomia dhe ndikimi i saj është politika më e madhe dhe më e mençur.

Shteti nuk është kombi

Nga Ndue Ukaj

Artikulli i plotë gjindet në faqen:

http://www.kosova.com/artikulli/46647 

"Pavarësimi i Kosovës, e sidomos ligji për festat zyrtare të Kosovës hapën sërish debatin e ashpër për atë nëse Kosova duhet të krijoj një identitetit të ri, i cili, sipas këtyre projektuesve, pa asnjë argument të arsyeshëm, do të duhej të quhej kombi kosovar. Shikuar në gjitha pikëpamjet teorike e historike për kombin, jo që nuk ekziston ideja komb kosovar, por ajo është një ndër shpikjet imagjinare më të marra. Në fakt, ata që trumbetojnë për këtë ide as që kuptojnë në esencë se çfarë është kombi në kuptimin semantik të fjalës.

De fakto dhe de jure Kosova tanimë i përket një koncepti të ri politik, por kjo farë nuk përkon me tendencat naive të disa individëve për identitet kosovar, sepse ai nuk ekziston, nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe nuk ka asnjëlloj trashëgimie reale, përpos perceptimeve imagjinare.

Kjo ide jo se nuk sjell asnjë impenjim pozitiv në të ardhmen e Kosovës, por vetëm vë një barrikadë në rrugën e unifikimit e konsolidimit të kombit shqiptar në sfidat e reja integruese."

"KOMBI KOSOVAR" NA DËMTON

Nga Shqiptar Oseku

(c) Epoka e Re, 20.02.2009

Artikulli i plotë gjindet në faqen: http://www.mekulipress.com/?m=shfaqart&aid=1215 

"Në rastin e Kosovës, s'do mend se një pjesë të këtyre haverive do të merrnin nota komike, së paku në sytë e brezave të ardhshëm. Imagjinoni, ju lutem, një "inteligjenci" nën lule, që i thotë vetes me gjithë mend liberale, e që e lufton nacionalizmin burimor e shtetndërtues shqiptar. Për hir të ngritjes me dekret (!) të një nacionalizmi tjetër, më të imtë...

E nëse pastaj Murat Jashari sërish ngulmon se ndjehet "kosovar me origjinë

shqiptare", atij mund t'ia kujtojmë fjalët e Komandantit legjendar, Adem Jasharit. "Kjo tokë s'e duron tjetërkënd, veç këmbën e shqiptarit". Me ca njerëz, thjesht, lypet folur shqip."

KUSH JANË ATA QË PO SHPIKIN "KOMBE" TË REJA BRENDA KOMBIT SHQIPTAR??

Nga Basnik Prishtina

Artikulli i plotë gjindet në faqen: http://www.albaniapress.com/lajme/8217/KUSH-JANE-ATA-QE-PO-SHPIKIN-KOMBE-TE-REJA-BRENDA-KOMBIT-SHQIPTAR?-.html     

"Kjo nuk është hera parë dhe mu pse nuk e mësuam mirë leksionin historik nga koha e hegjemonisë së Bashkimit Sovjetik, do të na përsëritet historia e hidhur me Bashkimin Evropian. Tani kemi zëra që po i drejtohen NATO-s "si shpëtim kombëtar". Mbaj në mend nga tregimet e paraardhësve se kësi zërash janë dëgjuar nga gjenerata të mëparshme qe i drejtoheshin Traktati te Varshavës.

Ushtritë e huaja nga traktati i Varshavës nuk i sollën askujt lirinë, por ato e kërcënonin secilin popull që guxonte të kërkonte lirinë e vet. Të ju kujtoj masakrat që beri ushtria ruse në Gjermani, në Hungari e në ish-Çekosllovaki nga 1956-1968, në kohën e këtij ish-traktati, në emër të "ruajtjes" të socializmit.

Nen ombrellën NATO-s u nda dhe po mbahet e ndarë Mitrovica dhe shumë enklava të kolonive militare serbe. Nën mbrojtjen e tyre u dogjën doganat kufitare, kurse dje erdhi Parlamenti Serb në veriun e Kosovës dhe e mbajti një mbledhje kundër Republikës së Kosovës. Sepse NATO, brenda vetes, i përfshinë disa vende që janë në miqësi tradicionale me Serbinë, siç janë Franca, Greqia, Spanja, Rumunia. Nesër do të anëtarësohen në NATO edhe vet Serbia, Maqedonia e Mali Zi, që akoma po i mbajnë nën sundimin e vet krahina të tëra etnike shqiptare. Në të ardhmen përmes NATO-s ushtritë e tyre do të hyjnë edhe në ato pjesë të Shqipërisë, ku kurrë nuk ka pas mundësi të hyjë këmba e serbit apo e grekut. Prandaj ne nuk duhet të bëhemi kaq naiv që të mendojmë se NATO-ja është zgjidhje. Ne Shqiptarët kemi nevojë për miq të jashtëm, sepse jemi të dërmuar nga okupimet e njëpasnjëshme, por ne duhet t'i zgjedhim aleatët tanë të jashtëm me kujdes,….."



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora