E merkure, 15.07.2020, 02:39 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Humoristët e famshëm vlonjatë shpallen "Qytetarë Nderi" në vendlindje

E premte, 20.02.2009, 06:22 PM


4 parodistët: S‘kemi kujt t‘ia lëmë stafetën 

Parodistët janë gjithmonë katër, megjithëse më i madhi prej tyre, Mania, nuk e ka më zërin për shkak të një sëmundjeje. Tani po u afrohen të gjashtëdhjetave, por edhe pse janë aktivë, kanë filluar të mendojnë për t‘ia lënë "trashëgim" Vlorës parodinë. At janë të shqetësuar, se deri sot nuk kanë gjetur të rinj të talentuar e të pasionuar pas kësaj gjinie humori që të mund t‘u lënë "stafetën".

Dje i gjetëm të ndarë dyshe-dyshe: ata më sportivët buzë detit, ata më tradicionalët në bilardo. Agron Hamon dhe Afrim Agalliun i takuam në zonën e Ujit të Ftohtë, ku çdo ditë dalin bashkë dhe bëjnë ecje sportive në breg të detit. U ulëm me ta në një kafene, që prej vitesh është pika e takimit për katër parodistët. Dje, Këshilli Bashkiak i Vlorës i shpalli këta katër burra "Qytetarë Nderi". Është normale që në momente të tilla të një suksesi, njeriu të ndalet e të mendojë për rrugën që ka bërë për të ardhur deri këtu. Këtë kërkuam të mësojmë nga parodistët e Vlorës dhe vendosëm që, sipas rendit alfabetik, fjala t‘i takojë të parit, Afrimit.

Afrimi:

Fillimet e mia i kam me lëvizjen amatore të ndërmarrjeve dhe pikërisht tek ajo "Perlat Rexhepi", ku merresha edhe me balet. Ishte viti 1966 kur e nisa aktivitetin artistik dhe nëpër shfaqje të ndryshme spikata si valltar e jo si aktor. Por ishin regjisorët Qirjako Sava e Gaqo Vishi, të cilët më spikatën si element që mundesha jo vetëm të kërceja, por edhe të bëja parodi, pasi kisha vokalin e duhur. Më pas erdhën dhe Meti me Manen, edhe këta nga trupat amatore të ndërmarrjeve, që kishin spikatur në atë kohë. Të gjithë artistët e mëdhenj të Vlorës, si Leka Kruta, Gaqo Vishi, Myqerem Ferra etj., e lëvronin parodinë, pasi luanin edhe si aktorë në skenë, por edhe ishin këngëtarë njëkohësisht. Dhe ne si të rinj që ishim atëherë, ndiqnim këta artistë që e lëvronin këtë gjini dhe dëshironim të bëheshim të njohur. Unë me Agronin, pasi ishim liruar nga ushtria, krijuam dyshen e parë të parodisë në vitin 1974. Debutimi i parë ishte një shfaqje e madhe për ne, sepse të mëdhenjtë e skenës së Vlorës, Leka Kruta dhe Myqerem Ferra, pasi na dëgjuan nuk kënduan më në skenë, duke na lënë stafetën. Pra, unë si Afrim imitoja Lekën, Agroni imitonte Myqeremin. Në vitin 1974 morëm stafetën nga ata të dy, të cilët në atë kohët ishin 50-vjeçarë dhe e lanë skenën për ne. Ndërsa ne sot po shkojmë nga 60 vjeç dhe nuk kemi parë talente të tilla që ta lëmë skenën për ta. Ka shumë të rinj që sot duan të çajnë nëpër emisione si "Ti vlen", apo "Ethet", por ne nuk po shohim ende në këtë brez të ri, të ketë ndonjë me hapësirë vokale të mirë dhe me dëshirë për të lëvruar parodinë. Te ne kanë ardhur shumë të rinj, por kanë kënduar një parodi, ose kanë bërë një skeç, apo diçka tjetër dhe kanë ikur. Në çdo moment ne jemi të hapur që të lëmë një brez të përgatitur dhe t‘u transmetojmë atyre vlerat tona.

Agroni:

Kam qenë 16 vjeç kur dola për herë të parë në skenë. Punoja në Uzinën e Sodë PVC-së dhe në atë kohë kishte shumë amatorë si puna ime që e provuan të bëheshin aktorë humori. Mund të them se u zbulova nga profesor Nikollaq Papa, që ka qenë shef muzike në Sarandë dhe i pavdekshmi Piro Sava. Kemi fituar çmime në atë kohë në trupat amatore dhe të gjithë numrat tanë akordoheshin në një variete. Atëherë kishte shumë Agrona, Afrima, Meta dhe Mane. Mua si Agron më qëlloi dhe fati të qëndroj në Estradën profesioniste të Vlorës. Në atë periudhë kishte shumë aktorë të talentuar më të mëdhenj nga ne në moshë, por ata që më morën, gjetën tek unë në radhë të parë cilësinë e zërit. Në vitin 1967 fillova për herë të parë punë në estradën profesioniste dhe njëkohësisht isha edhe në grupin amator të Uzinës së Sodës Kaustike. Në atë kohë, estrada profesioniste e qytetit inkuadrohej me amatorët e ndërmarrjeve, si ajo e peshkimit, e naftës, e PVC-së etj., dhe mblidheshin shfaqjet më të mira, ose numrat më të goditur. Pra, duke më parë me këto cilësi që kisha, në vitin 1967 më pranuan si profesionist në Estradën e Vlorës.

Mania dhe Meti

Dy parodistët e tjerë, Metin dhe Manen, i gjetëm duke luajtur bilardo. Është Meti ai që tregon për Manen, sepse për shkak të një sëmundjeje, ai nuk mund të flasë: Mania fillimet e para të tij si amator i ka në vitin 1974 me Ndërmarrjen e Ullishtës, me skeçe të karaktereve të ndryshme, duke shfrytëzuar edhe fizionominë e tij. Por ai edhe këndonte ndonjë parodi me grupin e Ndërmarrjes Komunale, pasi iku nga ullishta. Pra u bënë tre parodistë.

Erdha nga ndërmarrja e përpunimit të drurit në vitin 1976 dhe pasi i gjeta të tre, Afrimin, Agronin dhe Manen, u futa edhe unë në radhët e parodistëve të Vlorës. Në vitin 1978 ne bëmë parodinë e parë të Pëllumb Kullës, "Hallet e Demos" dhe që nga ajo ditë nuk ndalëm më me varietetet dhe skeçet tona. Që nga viti 1978 dhe deri tani nuk jemi ndarë dhe të gjithë kemi kënduar bashkë paroditë tona, sa mbahen mend nga publiku, deri sa u sëmur Mania në vitin 2004. Në këtë vit Mania kreu operacionin në fyt dhe nuk mund të flasë dot më, por kjo për parodistët nuk do të thotë që është larguar. Ai merr pjesë në çdo shfaqje, edhe thjesht si figurant. Ta dinë të gjithë, se flitet se Mania nuk është më në grupin tonë, por ai është i inkuadruar me ne, merr pjesë në shfaqje, merr rrogë si ne dhe është gjithmonë me ne. Falënderojmë të gjithë ata regjisorë që punuan me ne për shumë vite, që nga i paharruari Flamur Laro dhe deri te Pëllumb Kulla, televizionet si TVSH e "Top Channel", që vlerësuan dhe vlerësojnë punën tonë.

Fillimet

Unë me Agronin, pasi ishim liruar nga ushtria, krijuam dyshen e parë të parodisë në vitin 1974. Debutimi i parë ishte një shfaqje e madhe për ne, sepse të mëdhenjtë e skenës së Vlorës, Leka Kruta dhe Myqerem Ferra, pasi na dëgjuan nuk kënduan më në skenë, duke na lënë stafetën

Brenga

Ka shumë të rinj që sot duan të çajnë nëpër emisione si "Ti vlen", apo "Ethet", por ne nuk po shohim ende në këtë brez të ri, të ketë ndonjë me hapësirë vokale të mirë dhe me dëshirë për të lëvruar parodinë

Titulli

"Nderimi në vendin tënd, i veçantë"

Në një ditë të ngarkuar me diskutime dhe vendime të karakterit administrativ, Këshilli i Bashkisë së Vlorës kishte planifikuar dje në pikën e fundit të rendit të ditës edhe shpalljen e katër parodistëve të Vlorës "Qytetarë Nderi". Pas një debati, që më shumë kishte të bënte me procedura se sa me vetë vendimin, Këshilli Bashkiak miratoi me shumicë votash nderimin e katër burrave që u bënë të famshëm në të gjithë Shqipërinë, me humorin e tyre të veçantë. Për parodistët, ky vlerësim është më i madh se çdo titull tjetër që kanë marrë deri më sot. "Ne kemi qenë të vlerësuar dhe falënderojmë të gjithë ata që na kanë vlerësuar. Jemi dekoruar edhe me urdhrin ‘Naim Frashëri i Artë‘ nga Presidenti i Republikës, që është më i larti për një artist. Por, të bëhesh ‘Qytetar Nderi‘ i qytetit tënd ka një specifikë të veçantë", thotë Meti. Ai shton se këtë titull nuk e shikojnë si vlerësim artistik, por si një vlerësim moral që u jep vendi i tyre, qyteti i tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora