E shtune, 20.04.2024, 05:51 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Çka më kujton 90-vjetori i shoqnisë “Vllaznia”

E shtune, 21.02.2009, 02:55 PM


Çka më kujton 90-vjetori i shoqnisë “Vllaznia”

Nga Besnik Dizdari

Mbas gjashtë ditëve, me 16 shkurt 2009, âsht 90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia”. Shì në daten kur ajo lindi: 16 shkurt 1919! I ka mbetë sportit kjo punë në nji mënyrë kuptimplote, po “Vllaznia” âsht krijue si nji shoqni atdhetare e kulture, sportive dhe e artit. Kësisoj, përkujtimi i saj âsht përtej kufijve sportivë. Madje për kah randësia e historia kombëtare.

Çka më kujton 90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia”?

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia”, më kujton se në shkurtin e vitit 1919, kur Shqipnia jonë ende nuk ishte bâ plotësisht, do burra të mençëm e të nji kulture të Shkodrës, qenë mbledhë për t’i dhanë jetë nji bashkimi atdhetar që ka mbetë emblematik. Dy shoqnina atdhetare me baza të besimit, “Mustafa Pasha” e “Vaso Pasha”, njena e përbame prej shkodranësh të besimit islam e tjetra prej shkodranësh të besimit katolik, u bashkuen për t’i dhanë jetë ”zgjimit të djelmnisë shqyptare në fushën letrare, theatrore, muzikore e gjimastike” – siç thuhet në komunikatën e themelimit.

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton edhe nji herë se Shkodra kjo ka qenë: e bashkueme, e nji kulture të thellë tradicionale, luajale e kryengritëse njikohësisht, “qytet me kunora që të hodhën përkrye gur e hekurat e para” – siç shkruen Martin Camaj i madh.

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” prej së cilës vjen edhe i pari klub sportiv shqiptar, më kujton se në nji farë mënyre, ajo âsht bâ simbol i sportit kombëtar. Prej saj kanë ardhë në Shqipni gati të gjitha sportet, nëpërmjet të cilëve, në kohna ajo ka bashkue shqiptarët. Sepse ajo në të vërtetë, nuk do konsiderue shoqni lokale, por përtej. Qysh ditën e parë të saj ajo kërkoi “zgjimin e djelmnisë shqyptare”, siç proklamoi.

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton edhe nji herë se ajo âsht identifikue me qytetin e saj të nderuem, Shkodrën, pa dallim besimi, bindjeje politike e rendi shoqnor. E këte ajo u përpoq ta ruente edhe atëherë kur qe tejet e vështirë për ta ruejtë…

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton se pjesën mâ të madhe të jetës së saj, gati 50 vjet, “Vllaznia” e kaloi në vështirësi. Qe ajo kohë e regjimit komunist kur shpesh emni i saj te dikush ngjallte alergji, thjesht për shpirtin e pavarun që “Vllaznisë” i kishin mëkue ata, krijuesit e saj të vitit 1919.

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton, (për hir të së vërtetës) se ajo në atë periudhë shpesh u nepërkamb, u nëvleftësue, e pse jo, disa herë u shkatërrue tue ia marrë arbitrarisht djemtë e saj për të tjerë, e tue e dënue pa mëshirë. E prap ajo çonte krye falë shpirtit të saj të madh, forcës së saj, talenteve të saj të pashtershëm, ndjenjës së saj të revoltës. Dhe mbijetoi!

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton se ishte nji kohë kur rrezikoje të shkrueje pak si tepër për te, për forcën e saj, për njerëzit e saj të talentuem shumë prej të cilëve forca e egër e nji pushteti i mënjanonte me nji të rame të lapsit.

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton se ajo ka qenë vepër e familjeve ma të mira të Shkodrës, të cilat qysh ditën e parë të krijimit e mbajtën me shpenzimet e tyne ate: Naibi, Juka, Serreqi, Pipa, Dani, Boriçi, Ashiku, Bushati, Draçini, Saraçi, Marubi, Paluca, Kakarriqi, Kodheli, Kraja, Dibra, Hoti, Jakova, Kaduku, Paçrami, Shiroka, Logoreci, Ramadani…

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton se ndër veprat e para të saj qenë tri: hapja e nji shkolle, çelja e nji biblioteke, organizimi i nji gare sportive.

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton se e para në Evropë, ajo ka organizue garën e parë atletike në Shqipëri (1920) dhe rrethin e parë të vërtetë çiklistik për amatorët në Evropë (1925). Dhe se i ka dhanë Shqipënisë gazetën e parë sportive (“Gazeta e Sportit” – 1925).

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” në intimitet, më kujton se… për fat edhe unë jam i biri nji prej anëtarëve të parë të saj, Gani Dizdari, nji mësuesi ndër të parët, i cili më ka lanë për kujtim koleksionin e periodikut të saj, “Agimi”, prej të cilit prej kohësh kam mësue se çka qe “Vllaznia”. Veçse pa patun në nji kohë guximin për ta shpalosë autentike atë histori të madhe…

90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia” më kujton se ajo kurr nuk qe diçka teknike, por social-kulturore dhe se burrat në krye të saj, qenë profesorë e juristë, artistë e tregtarë, sportistë e shkollarë, gazetarë e zanatçinj, shkrimtarë a poetë. Këtu ka qenë forca e saj. Ajo i bashkonte të gjithë në nji, si shokë të nji ideali kombëtar. Hil Mosin e Hys Draçinin, Kel Marubin e Jonuz Tafilajn, Sali Nivicën e Mati Logorecin, Kristo Floqin e Ndue Palucën. E kësisoji, siç e shihni.

90-vjetori i Shoqnisë Vllaznia më kujton se e kishte për nder të vente në krye të saj edhe shqiptarë të Tosknisë, nji Kristo Floq e Sali Nivicë. Sepse ajo i kishte vendosë t’i thoshte vetes Vllazni, jo Dasì, mâ saktë Shqyptarì!

90-vjetori i Shoqnisë Vllaznia, më kujton se për veprimtaritë themeluese që zhvillonte, nji herë Mbreti Zog nëpërmjet kryetarit të saj të nderit, Tush Kakarriqi, i dërgoi telegram përgëzimi me këte përmbajtje:

“Tue e konsiderue djelmninë shqiptare shqiptarisht t’organizueme e t’edukueme si nji nga shtyllat themelore të jetës së përjetëshme t’atdheut t’onë të dashtun, çmojmë iniciativën e bukur të djelmënisë s’atyshme të bashkueme n’emen të Shqipnis, të gjuhës, të traditave të njejta dhanun mbas qellimit t’nalt të përparimit, të kulturës, të sportit dhe urojmë veprim e sukses. Zog I”.

Çka më kujton mâ 90-vjetori i Shoqnisë “Vllaznia”?

Më kujton se duhet vue në vend historia të cilën nuk patëm burrninë ta shpalosnim në nji kohë, në atë kohë… Kërkoj të falun edhe unë. Sidomos atyne të cilëve nuk ua përmendëm kurr emnat.

Qe pra, tek janë ata, pa asnji mungesë:

Kryesia e Shoqnisë “Vllaznia” (16 shkurt 1919):

Kryetar: HIL MOSI
Nënkryetar: HYS DRAÇINI
Arkëtar: PATUK SARAÇI
Këshilltar: KEL MARUBI
Këshilltar: LUIGJ KODHELI
Kontrollor: TAIP HILMIA
Kontrollor: OMER RUSHDI
Sekretar: JUNUZ TAFILAJ
Llogaritar: ALI BORSHI
Drejtues i degës letrare: KRISTO FLOQI
Drejtues i degës theatrore: SALI NIVICA, MATI LOGORECI
Drejtues i degës muzikore: NDUE PALUCA
Drejtues i degës gjimnastike: KOL MARGJINI

Këto më kujton 90-vjetori i Shoqnisë Vllaznia, e cila mbas gjashtë ditëve, me 16 shkurt 2009, ka përkujtimin e saj të madh. Ajo nuk ka nevojë për dekorata, sepse vetë për kulturën shqiptare âsht një dekoratë gjigande e prarueme në gjithë Shqipninë tash 90 vjet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora