E enjte, 18.04.2024, 11:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Mexhid Yvejsi: Një fjalor enciklopedik - që të bën nevrik...

E shtune, 21.02.2009, 12:32 PM


NJË FJALOR ENCIKLOPEDIK –

QË TË BËN NEVRIK...
 
Shkruan Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 
(Një Fjalorit Enciklopedik, i cili të bën nevrik, sepse në vend që të ndriçon – ai të errëson, në vend se të udhëzon ai të ngatërron, një fjalor i ri,  por me paragjykime të vjetra, ku më shumë rëndësi i jepet komunizmit, mafisë, derrit, qenit apo hajvanit, se Islamit…!)

Fjalori Enciklopedik, hartuar e përgatitur nga Pasho Baku. Organizator është Selim Hoxha. Konsulentë janë:

          Prof. Muzafer Xhaxhiu

          Prof. Nasho    Jorgaqi

          Prof. Gazmend Shpuza

          Prof. Arqile    Bërxholi

          Prof. Zyri       Bajrami

          Prof. Kristaq  Kume

          Prof. Ana        Lalaj

          Dr.   Konstandin Kristo

          Regjisor: Kristaq Dhamo

          Dr.   Bashkim   Lushaj

          Dr. Pasquale  Busotti

          Prof. Resmi   Osmani

 

Për këshillat, sugjerimet dhe vërejtjet dashamirëse që kanë dhënë për hartimin dhe botimin e këtij Fjalori Enciklopedik falënderohen: Vedat Kokona, Prof. Emin Lafe, Dr. Aurel Plasari, Prof.Petraq Sotiri, Dr. Ahmet Osja, Prof.Wilheim Hansel (Austri), Giovanni Intrevado (Itali), Marian Ninov (Bullgari), Jorgji Doksani, Prof. Murat Xhulaj. Shtëpia botuese Bacchus, Tiranë,2002.

Ky Fjalor Enciklopedik ka gjithsejt 800 faqe, me 25 000 zëra nga të gjitha fushat e dijës dhe të jetës, me rreth 3000 foto dhe ilustrime. Aty shkruhet për personalitete, shtete, popuj, fakte, doktrina, terma, art, kulturë, shkencë, letërsi, gjeogarfi, histori, filozofi, kimi, fizikë, muzikë sport etj.

Hartuesi dhe botuesi në parathënje shkruajnë se kanë bindjen e shpresojnë se ky Fjalor Enciklopedik do të jetë libri i librave në shtëpitë, shkollat e mjediset tona, sepse është i vlefshëm për të rinjtë dhe të rriturit, për nxënësit dhe studentët, për mësuesit dhe pedagogët, për specialistët e fushave të ndryshme, si edhe për cilindo që kërkon të dije më shumë dhe të rritë më tej nivelin e tij kulturor e shkencor.

Bindja e shpresa e hartuesit dhe botuesit është diçka tjetër, ndërsa e vërteta për të pavërtetat e Fjalorit është si vijon:

    Ky Fjalor, Fjalor Enciklopedik, të bënë nevrik! Pse? Sepse, ky Fjalor i bënë vetë ata horë! Në vend se të ndriçon ky Fjalor të errëson, në vend se të udhëzon ai të ngatërron, ky Fjalor i ri është me paragjykime të vjetra.

Kur lexojmë një libër, thoshte Balzaku, ndjenja e së vërtetës na thotë: “Kjo është gënjeshtër!” sa herë ndeshim diçka të padrejtë. Në rast se kjo ndjenjë fletë shumë shpesh dhe u fletë të gjithëve, do të thotë se ai libër nuk ka e nuk do të ketë asnjë vlerë.”

A mund të rritet niveli kulturor e shkencor i nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve, specialistëve të fushave të ndryshme nga “libri i librave” siç cilësohet prej tyre Fjalori Enciklopedik, i cili ka shumë gabime, lëshime, të meta, të pavërteta… me këto “cilësi”, ku mbetet vlera e tij?

Për njerëzit e vetmja vlerë, e vetmja e mirë është njohuria, thoshte Sokrati. Kurse gjëja më e keqe është padituria.

Sa të paditur janë hartuesit, organizatori dhe këshilltarët e Fjalorit Enciklopedik, që janë mbi njëzet, pothuejse të gjithë me tituj shkencor, dëshmojnë këta shembuj që shkruhen në fjalor.

        Këta pak shembuj ndoshta do të mjaftojnë të dëshmojnë për të metat e shumta, për gabimet, paragjykimet, padrejtësitë dhe paditurinë e të diturve tanë:

   1.Në faqën 19-të shkruhet për Dr. Fehmi Aganin, por aty nuk shënohet dita, muaji e viti i lindjes, madje as vendi i lindjes. Kjo mungesë, kjo zbrazëti, plotësohet me një pikëpyetje (?). Kjo nënkupton se ata nuk i kanë njohuritë më elementare për një akademik aq të njohur! Akademik  Fehmi Agani lindi me 23 janar 1932, në Gjakovë. U vra në Prishtinë nga forcat policore – serbe me 5 maj 1999.

 2.Në faqën 78-të shkruhet për Bektashizmin, ku  ndër të tjera thuhet: “Bektashizmi është një sekt mysliman, që beson Zotin dhe adhuron Imam Aliun”.

Këtu është një gabim i madh, tepër i rëndë, që nuk e  falë as Zoti! Për meritat e shumta, Imam Aliu (r.a.) çmohet, vlerësohet, admirohet, por nuk adhurohet. Adhurohet vetëm Zoti. Nuk mund të jetë askush besimtar nëse adhuron dikend tjetër, përveç Zotit…Zoti këte nuk e falë…

3.Në faqën 331 shkruhet për Adem Jasharin (1955-1998), ku ndër të tjera gabime është shënuar edhe ky gabim i rëndë:

“Bashkë me të u vranë dhe vëllezërit e tij Hamza dhe Shabani…”

Edhe fëmijët në djepa nëpër Kosovë, e kudo ku ka shqiptarë, e dinë se Shaban Jashari është babai i Hamëz dhe Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, por qe nuk e dinë hartuesi, organizatori dhe as këshilltarët me tituj shkencorë të Shqipërisë…!

4.Në faqën 590-591 shkruhet për Baba Rexhebin, një fetar, atdhetar dhe dijetar i shquar, por shënimet për të janë të gabueshme, të pasakta!

Me gabime, të pasakta, janë të dhënat për Baba Rexhebin, si emri, viti i lindjes, shkollimi, vendosja në Amerikë, veprimtaria e tij etj.!

Emri i tij i saktë është Rexheb, e jo Rexhep. Baba Rexhebi lindi në vitin 1901, në muajin gusht, jo në vitin 1910. Ka kryer medresën, jo gjimnazin.

Në Fjalorin Enciklopedik shkruan se: “Baba Rexhepi me 1944 u vendos në Detroit të SHBA-së, në teqenë e këtij qyteti".

Edhe këto gabime, në dukje të vogla, por janë të mëdha, për një njeri aq të shquar siç ishte Baba Rexhebi.

Baba Rexhebi në vitin 1944 ishte ende në Shqipëri, duke luftuar me pushkë në dorë me luftëtarët e “Ballit Kombëtar” kundër forcave partizane – komuniste…

Para se të vendosej në Amerikë, Baba Rexhebi sikur shumë atdhetarë të tjerë, që ishin anti-komunist, jetoi në Regio Emiglia të Italisë, prej Italisë kaloi në Egjypt, ku u vendos në Teqenë Bektashiane, afër Kajros…

Baba Rexhebi nga Egjypti erdhi në Amerikë, ku e themeloi Teqenë Bektashiane, e cila u përurua me 15 maj 1954, që ndodhet në qytetzën Taylor , afër Detroit-it, në shtetin Michigan …

Këtu, Baba Rexhebi i shërbeu me nder besimtarëve myslimanë edhe për dyzet vjetët e ardhëshme, deri më 10 gusht 1995, kur ndërroi jetë. Ai i shërbeu edhe kulturës islame, duke predikuar dhe shkruar…Ka botuar revistën “Zëri i Bektashizmës” në gjuhën shqipe dhe anglisht. Kryevepra e tij është libri monumental “Misticizma Islame dhe Bektashizma”, shtypur në New York, 1970, që ka 389 faqe…

5. Në faqën 485 shkruhet për Muhammedin (a.s.), ku ndër të tjera shënime janë edhe këto gabime, të meta, paragjykime…

 “Themelues i besimit mysliman. Mesazhi i tij, i përmbledhur në Kur’an, ikja e vitit 622 u quajt “Haxhillëk”…!

  Këto të meta, këto gabime, këto paragjykime, këto padrejtësi, e gjithë kjo padituri, panjohuri, për njeriun – profetin , më me ndikim në historinë e njerzimit, siç e quan amerikani, Michel Hart, që është lejuar nga aq shumë profesorë e doktorë shkencash, do t’i sjellin kombit shqiptar edhe shumë fatkeqësi…!

Këtyre profesorëve, doktorëve, Klaudius-i do t’u thoshte: “E vërteta nuk drejtohet nga ne, por ne duhet të drejtohemi kah e vërteta.”

E vërteta shpesh është e thjeshtë, thoshte Levald-i, që t’a gjejmë besimin.

Besimin Islam nuk e themeloi Muhammedi (a.s.), as nuk është Kur’ani mesazhi i tij.

Nuk quhet “Haxhillëk” shpërngulja e tij në Medine, në vitin 622…

Pra, në të gjitha këto shënime ka babime. Këto gabime janë edhe ofendime! Nuk kanë të drejtë!

E drejta jeton në bazë të besimit, thoshte Luteri.

Në bazë të besimit Islam, Islami është Shpallje Hyjnore, e cila iu shpallë të gjithë të dërguarve të Zotit, që nga h. Ademi (a.s.) e deri te h. Muhammedi (a.s.).

Muhamedit (a.s.) iu shpallë në formën e plotësuar, të përsosur dhe përfundimtare, e cila përmblidhet në Kur’an.

Kur’ani është Mesazhi Hyjnor, Fjala e Zotit, për të cilën Muhammedi (a.s.) vuajti aq shumë sa qe i detyruar të  shpërngulet nga vendlindja, Mekke-ja, për në Medine.

Për në Medine u – shpërngul në vitin 622. Kjo ngjarje shumë e rëndësishme njihet në mbarë botën me emrin Hixhret, prej nga fillon edhe kalendari i myslimanëve, që njihet me emrin Kalendari i Hixhrit.

Në Fjalorin Enciklopedik në vend të fjalës Hixhret, që do të thotë shpërngulje, pëdoret gabimisht  fjala Haxhillëk. Për fjalën Hixhret të thuash Haxhillëk, do të thotë: ke thënë budallallëk!    

6. Në faqen 278 shpjegohet gabimisht titulli Hafiz, ku shkruan:

“Hafiz: Titull i ulët te klerikët myslimanë.”

Gëte, të “Mëkati”, shkruan se është vështirë të ikësh nga rruga e gabimeve. Rruga e gabimeve ku kanë hyrë hartuesi, organizatori dhe këshilltarët e fjalorit Enciklopedik të Tiranës, dëshmohet edhe me titullin e nderuar Hafiz, të cilin e përcaktojnë si “titull i ulët te klerikët mysliman”!

Titulli Hafiz nuk është titull i ulët. Ky është një titull i veçantë, shumë i nderuar, që e fiton ai që e meson Kur’anin përmendësh. Me e nxënë, me e mësuar Kur’anin përmendësh, që ka 114 kaptina (sure) me rreth 74000 fjalë, është një bekim nga Zoti. Me t’bekue Zoti – nuk është punë e vogël a ?!

Këtë titull të nderuar, përveç shumë të tjerëve, e gëzojnë disa prej dijetarëve, atdhetarëve më të shquar të kombit shqiptar si Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim  Dalliu etj.

Këtë titull të nderuar, përveç  shumë të tjerëve, e gëzon edhe kryetari i Komunitetit Mysliman

të Shqipërisë, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, të cilin tiranët e Tiranës komuniste e paten dënuar mbi 20 vjet nëpër burgje. Këtë e dijnë të gjithë, hartuesi, organizatori dhe këshilltarët, por qe nuk e dijnë se ç’është titulli Hafiz, sikur nuk e dijnë se te myslimanët, në fenë Islame, nuk ka klerë dhe as klerikë!

Pra, të thuash “ te klerikët myslimanë” nuk qëndron, është gabim, por ky është një gabim i vjetër.     

E vjetra shembet, thoshte Shileri, kohët e ndryshojnë…Edhe pse e vjetra, komunizmi, u shembë, kohët ndryshuan, por qe dijetarët tanë të padishëm, nuk u shembën as nuk ndryshuan…!

Grossman-i këtyre do t’u thoshte:

 ”Jeni ushqyer me gënjeshtra gjithë jetën, sot e keni shumë vështirë të

pranoni të  vërtetën”.

Të vërtetën e pati pranuar dyzetë vjet më parë (1962) boksieri amerikan, kampioni botërorë tri herë, Muhammed Ali, për të cilin shkruhet në faqën 370, ku shënohen edhe këto fjalë:

7. “Klej, Kasius (Cassius Clay, 1942). I njohur me pseudonimin Muhamet Ali…”

Muhammed Ali nuk është pseudonim i tij ore pseudointelektualë , por është emri i tij i vërtetë që nga viti 1962, kur e pranoi të Vërtetën, fenë Islame…

Ai e pranoi fenë Islame kur ishte njëzetvjeçar, me 1962, dhe që nga atëherë njihet me emrin e ri, Muhammed Ali. Kishte neveri kur ndokush e thërriste me emrin K. Klej, që e quente emër të skllavërisë.

Ky emër i skllavërisë është i papërdorshëm në Amerikë, nuk përdorët askund në botë, përveç në Fjalorin Enciklopedik, 2002.

Hartuesit, organizatort dhe këshilltarëve të Fjalorit Enciklopedik, në këtë rast, Uhland-i do  t’u thoshte: “Asnjëherë nuk do të jeni të lirë, përderisa nuk përcaktoheni për drejtësi.”

Se nuk janë përcaktuar për drejtësi dëshmon edhe ky shembull i keq.

 8.Në faqen 737 shkruhet për Papa Gjon Palin e Dytë, ku shkruan:

“ Vojtila. I njohur Papa Jovani Pavli II. I pari papë i huaj që nga viti 1523…”

Në gjuhën shqipe shkuhet Papa Gjon Pali i Dytë, jo sikur shkruhet në gjuhët sllave: Papa Jovani Pavli Drugi!

Të shkruash se “Papa Jovani Pavli II është i pari papë i huaj që nga viti 1523”, do të thotë se të gjithë papët paskan qenë shqiptarë! Duhet të shkruante se “është i pari papë jo Italian që nga viti 1523”.

Çka tregon kjo? Kjo tregon dhe dëshmon se ata që nuk dijnë të shkruajnë shqip, nuk dijnë as të përkthejnë…!

Lexues i nderuar! Më falni se  nuk po vazhdoi më rreth Fjalorit Enciklopedik, se po e ndi se edhe jeni bë nevrik!

Ky fjalor, pra , në vend se të ndriçon – ai të errëson, në vend se të udhëzon – ai të ngatërron, një fjalor i ri, 2002, por me paragjykime të vjetra, një fjalor – që të bënë horë! Ku shkruhet më shumë për komunizmin, mafinë, për derrin e qenin, pra për hajvanin, se për Islamin!

Në këtë punim, qëllimi im ishte njohuria dhe e vërteta, që janë ideale binjake, të përfillen në një ribotim. Ato nuk janë pjellë e imagjinatës apo të dëmshme, por të argumentuara. Vërtetoni!

Po e përfundoj me një këshillë nga Enciklopedia Amerikane (The Enciklopedia Americana), ku shkruan:

“Është e sigurt që sa herë idealet binjake të së vërtetës dhe njohurisë janë hedhur tej si pjella të imagjinatës  apo si të dëmshme, shoqëria njerëzore është rrënuar”.

Nëse rrënohet shoqëria njerëzore, shqiptarët ku mbesin?

Zoti na ndihmoftë e na udhëzoftë. Amin! Ashtu u bëftë!

*Autori është studiues i religjioneve



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora