E enjte, 25.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Tanush Kaso: At Zef Pllumi më fali këpucët e lirisë

E shtune, 21.02.2009, 11:00 AM


At Zef Pllumi
At Zef Pllumi

Nga Oliverta Lila

Teksa kalon nga njëra stendë në tjetrën, mes fotosh të shumta të ekzekutuarish, lista të mbushura me emra të vrarësh, gjithçka ndjen Tanush Kaso, ish i burgosur politik, mund ta përmbledhë në një fjali: "I kujtojmë me dhimbje shokët që nuk arritën këto ditë që ne po jetojmë, ndoshta jo të shkëlqyera, por liria është e shenjtë". Ai kaloi më shumë se 10 vjet burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar. Teksa sheh ekspozitën e hapur në hollin e Muzeut Kombëtar në kujtim të viktimave të komunizmit, shprehet se për atë kohë mund të flitet shumë. Ai ishte një djalosh 25-vjeçar, arsimtar në malësinë e Tiranës e më tej në Peshkopi, kur u arrestua për agjitacion e propagandë. "U akuzova për pjesëmarrje në një grup antikomunist, që e pati fillimin në Tiranë. Për një vit e zhvilluam këtë aktivitet të paligjshëm, mblidheshim në shtëpitë e njëri-tjetrit, pastaj në kohën kur donim të bashkoheshim me një grup tjetër të drejtuar nga Pjetër Arbnori në Durrës, ata u arrestuan. Pas tyre edhe ne. Bëhet fjalë për pranverën e vitit 1961, në atë kohë kur ishte në mbyllje gjyqi i Teme Sejkos e kur në altoparlantë buçiste pretenca e tyre. Ne takoheshim nëpër kafene, në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe përgatiteshim sepse mendonim që mund të vinte pluralizmi. Në grupin tonë ishte Uran Kalakulla, Riza Kuçi, Karaman Papali dhe Agim Musta", shprehet Kaso. Kujton kohën e hetuesisë e pastaj shpërnguljen e vazhdueshme në burgje e në kampe me punë të detyruar. Dënimi filloi në Burgun e Burrelit, më pas në Laç, Fushë-Krujë, Elbasan, Spaç, ku kalova një kohë të gjatë, më tej në kriporet e Vlorës, ku edhe u lirua. Aty ka njohur edhe një tjetër të burgosur, të ndjerin At Zef Pllumi, një prej shumë katolikëve që ishin futur në listën e zezë. Me të kujton edhe një episod të veçantë. "Ditën që do të lirohesha, unë nuk kisha këpucë të vishja. At Zef Pllumi më dha të tijat. I kishte blerë kur kishte tentuar të kalonte kufirin dhe u kap. "Merri, më tha, unë nuk mund të dal që këtej, por të paktën të dalin këpucët e mia". Tanush Kaso mbante në këmbë këpucët e At Zef Pllumit kur la kriporet e Vlorës dhe ditët e vështira të burgjeve. "Në mirënjohje i dërgova një pako më vonë", tregon Kaso. Në ato vite të vështira, kur dhuna i rëndonte më shumë se kurrë, ai e kujton At Zef Pllumin që predikonte përuljen "Nëse dikush të godet në një faqe, ktheji tjetrën". "E kam takuar edhe pas ‘90-ës. Na ka lënë një pasuri të madhe, librat e tij ku secili gjejmë veten", tregon Kaso. Më pas kujton punën e vështirë në minierën e Spaçit. "Kam qenë që në fillimet e Spaçit. Në fillim aty çuan disa të burgosur për të përgatitur terrenin, për të ngritur barakat për të burgosurit, rrethimin me tela dhe pastaj na çuan ne. Shkuam bashkë me kapterët që kishim në Burgun e Elbasanit, mirëpo ata nuk ishin mësuar me minierën. Sapo binte ndonjë gur, ata iknin me vrap, dilnin nga miniera para nesh. Kështu që ata i këmbyen brenda disa ditëve me disa policë të tjerë, të përgatitur, ish-minatorë mirditorë që i veshën policë. Disa ishin njerëzorë, disa shquheshin për egërsinë e tyre. Por puna në minierë ishte shumë e vështirë dhe e rrezikshme", tregon ai. Në kohën kur masat nuk ishin aq të rrepta, në burgje lexonin edhe literaturë të huaj, të ndikuar edhe nga njerëzit e kulturës me të cilët ndanin qelitë. Por ndërsa fatet brenda rrethimit me tela me gjemba parashikoheshin, të tjerë që kërkuan ta sfidojnë atë kur liria dukej se ishte aq afër, mbetën viktima në qiell të hapur. Tanush Kaso kërkon të ndalet në stendën e viktimave që tentuan të kalonin kufirin në vitin 1990. Ata ishin të fundmit që u ekzekutuan në emër të lirisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora