Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vejusha e zezë, dhuna e seksit të dobët

| E shtune, 21.02.2009, 10:08 AM |


Gjatë viteve të historisë, gra të dhunshme dhe gra me tendenca për t'u bërë të dhunshme kanë dalë në pah nga vende dhe shtete të ndryshme, duke e shndërruar shtëpinë dhe familjen e tyre në skena krimi dhe legjenda

Ndërkohë që krimet më të rënda të kryera në të gjitha kohërat i përkasin me të drejtë meshkujve, femrat nuk kanë qenë gjithnjë aq të buta dhe delikate sa duken në jetën e përditshme. Para se të hyjmë në detajet e fenomenit "Vejusha e Zezë" duhet bërë një analizë e rolit të rëndësishëm të femrës në botën e krimeve të dhunshme, sidomos në Shtetet e Bashkuara.

Që në vitin 1970, ka patur një rritje alarmante prej 138% të krimeve të dhunshme të kryera nga femrat. Edhe pse diferenca e krimeve mashkullore me ato femërore është ende shume e madhe (15% me 85%) këto shifra tregojnë qartë se shoqëria po ndryshon.

Këtij fakti janë munduar t'i japin një shpjegim, sociologët, kriminologjistët, teologjistët, politikanët dhe historianët e të gjithë botës e megjithatë mesazhi është i njëjti. Femrat nuk janë aspak të paafta të kryejnë akte të dhunshme. Në vitet e fundit, femrat kanë qenë protagonistet e disave nga krimet më të tmerrshme.

Darlie Routier vrau dy djemtë e saj, duke thënë se arsyeja ishin problemet ekonomike. Diane Doëns, vrau një nga tre fëmijët e saj (u mundua t'i vriste të tre, por nuk arriti) në mënyrë që të rifitonte dashurinë e të dashurit të saj, i cili nuk donte fëmijë. Susan Smith mbyti djemtë e saj në një liqen afër shtëpisë, pasi i dashuri i saj nuk mund të merrte përgjegjësinë që të rriste fëmijët e dikujt tjetër. Karla Homolka dhe bashkëshorti i saj Paul Bernardo sulmuan seksualisht, torturuan dhe vranë disa vajza të reja vetëm për të ndjerë emocione të reja.

Tashmë, ka 130 femra në burgjet e Amerikës, të cilat presin dënimin me vdekje. Betty Lou Beets dhe Christina Riggs, u dënuan dhe ekzekuatuan në vitin 2000: Beets me anë të një injeksioni vdekjeprurës në shkurt për vrasje e burrit të saj dhe Riggs për vrasjen e dy foshnjeve.

Gjatë viteve të historisë, gra të dhunshme dhe gra me tendenca për t'u bërë të dhunshme kanë dalë në pah nga vende dhe shtete të ndryshme, duke e shndërruar shtëpinë dhe familjen e tyre në skena krimi dhe legjenda. Krijimi i këtyre historive tregon se meshkujt kanë filluar të zbulojnë shenja vdekjeprurëse në sharmin femëror gjithnjë e më shumë.

Dalilah e preu bravën e Samsonit për ta kthyer supermenin në një ngordhalaq. Agrippina, nëna e Perandorit Nero, i mësoi djalit të saj të dashur ta udhëhiqte Romën, me një zemër të pafalshme. Salome u zhvesh për prerjen e kokës së Baptistit John, dhe ka kaq shumë meshkuj, jeta e të cilëve ka marrë tatëpjetën kur u magjepsën pas parfumit dhe buzëve të ëmbla të femrave, që nga Mark Antony, tek William Tell dhe John Dillinger.

Historia amerikane flet për shumë femra fatale, për shtriga në Salem dhe Massachusetts; për femra pirate në shtatë detet; për akte bandite në New Yorkun e vjetër. Basheba Spooner u dënua me varje për vrasjen e një ushtari gjatë Revolucionit amerikan. Madam Lalaurie ishte e dyshuar se kishte torturuan dhjetra skllavë zezake në New Orleans. Në vitin 1865, qeveria ekzekutoi Mary Eugenia Surrat, për rolin e saj në planin për të vrarë presidentin Lincoln. Belle Starr sulmonte karrocat e udhëtarëve dhe torturonte njerëzit në Perëndimin e Egër. Martha Place, vrau vajzën e burrit të saj në vitin 1880 dhe u mbahet mënd në histori, pasi ishte femra e parë, e cila u ekzekutua në karrigen elektrike. Gjatë viteve 1930 të Depresionit, Bonnie Parker grabiste banka dhe hidhte në erë policët, derisa Policia e Teksasit e kapi atë bashkë me të dashurin e saj, Clyde Barrow në Louisiana. Bonnei Heady u dënua me vdekje dhe u mbyt me gaz në vitin 1953, pasi kishte therur dhe masakruar një fëmijë. Duke filluar me Zj. Spooner, gjykatat amerikane kanë dënuar me vdekje 539 femra.

Statistikat aktuale.

Byroja e Divizionit të Statistikave të Drejtësisë ka publikuar një raport në fund të vitit 1999, duke cituar 2.1 milion femra të dhunshme vetëm në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ky është i vetmi lajm i keq, pasi përsa i përket statistikave të dhunës gjithnjë në rritje, numri i akteve të dhunshme të kryera nga femrat është ulur ndjeshëm. "Këto shifra janë zvogëluar shumë që në vitin 1980", shkruhet në raport "dhe në vitin 1998 arritën numrin minimal që nga viti 1976, duke u vlerësuar si 40% më i ulët".

Megjithëse, shifrat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm, ka shumë pak arsye për t'u gëzuar. Një studim i ngjashëm special i ka bërë disi më të detajuara rezultatet e Byrosë së Drejtësisë, duke thënë se ky raport i përpiluar nga Lawrence A. Greenfeld dhe Tracy L. Snell nuk ka specifikuar pikat më kyçe të kësaj çështjeje shqetësuese dhe ndër tyre duhen theksuar se:

28% e femrave të dhunshme janë të reja dhe disa prej tyre minorene. Tre ndër katër viktima të femrave të dhunshme ishin pikërisht femra. Katër nga 10 femra që kryejnë akte të dhunshme janë perceptuar nga viktimat se kanë qenë nën efektin e alkolit, drogës apo të dyja së bashku gjatë momentit të krimit.

Gjatë vitit 1998, ka patur mbi 2 milion arrestime të femrave, të cilat përbënin 22% të të gjithë arrestimeve brenda një viti. Që nga viti 1980, numri i femrave kriminele që kryejnë vrasje, grabitje apo krime të tjera të rënda është rritur dy herë më shumë në krahasim me numrin e meshkujve. Afërsisht, gjashtë ndër dhjetë femra, të cilat janë aktualisht të burgosura kanë përjetuar në jetën e tyre të paktën 1 abuzim fizik apo seksual në jetën e tyre më parë dhe një e katërta e tyre e ka përjetuar këtë abuzim nga një pjesëtar i familjes. Një statistikë tjetër e frikshme tregon se 60% e 60.000 vrasjeve të kryera nga femrat nga viti 1976 deri në vitin 1997, vrasësja ka zgjedhur për viktimë të dashurin apo një pjesëtar të ngushtë të familjes. Këto ishin vetëm disa statistika për të kuotuar më mirë se si "Vejusha e Zezë" dhe kriminele të tjera kanë arritur deri në e pikën e të gjendurit në një skenë krimi të krijuar nga vetë ato.

Në librin "Vrasësit Serial dhe Viktimat e tyre" të Eric Hickey, femra vrasëse përshkruhen si "vrasëse të qeta". Studimi i tij mbi femrat vrasëse përgjatë shek 19 dhe 20, e ka shtyrë të besojë - dhe lexuesit e tij e mbështesin plotësisht - se ndryshe nga kolegët e tyre të seksit tjetër, të cilët karakterizohen nga shpërthime të mëdha nervore dhe skena të dhunshme të shtyrë nga momente zjarri dhe acarimi, vrasëset seriale femra janë shumë më të "urta" dhe të mprehta. Përgjithsisht ato janë dinake, paramenduese dhe të kujdesshme në përpilimin e vrasjeve dhe në performimin e tyre. Skenat e shpërthimeve të gjakut janë shumë të rralla dhe kryesisht zëvendësohen me taktikë të mirë veprimi si ushqim të helmuar dhe vrasje në dukje aksidente shtëpiake.

Ka shumë lloje të ndryshme vrasësesh seriale dhe më e tmerrshmja e tyre është pikërisht Vejusha e Zezë, e cila e ka marrë këtë emër në nder të merimangës helmuese, e cila vret partnerin e saj, atëherë kur nuk i hyn më në punë. Këto janë femrat, të cilat veshin përparësen e Betty Crocker (shtëpiakes model) dhe fasadën e gruas dhe nënës perfekte për të fshehur instiktin e tyre vrasës.

Në tre të katërtën e rasteve ato vrasin thjesht për përfitim. Ato synojnë siguracionet e jetës, pensionet apo të ardhura të tjera të përfituara nga vdekja e papritur e burrave, fëmijëve, nipërve, fëmijëve të burrit, motrave, vëllezërve, nënave apo baballarëve.

Judias Buenoano, e cila është dënuar me vdekje në Teksas, krijoi disa identitete të rreme për të vrarë 2 bashkshortë, një të fejuar dhe një djalë të sajin për të marrë paratë e tyre. Daiana Lumbrera, ndërmjet viteve 1977 dhe 1990, mbyti të gjashtë fëmijët e saj për vdekje njëri pas tjetrit, duke përfshirë edhe vajzën 3 muajshe. Më pas, doktorët e Teksasit filluan të dyshonin dhe arritën në konkluzionin se nuk kishin të bënin thjesht me një nënë të pafat me fëmijë të sëmurë. Lydia Trueblood nga Pocatello, Ioëa, helmoi një foshnje, 5 burrat e saj dhe një vjehrrë gjatë shek të 20-të. Gjatë viteve 1960 dhe 1970, Maria Velten nga Gjermania helmoi dy burra, një të dashur, një teze, madje edhe të jatin e saj.

Një studim i kryer nga Christiana Evripidou i Universitetit të Virginias, ka zbuluar se megjithatë, shënjestra tradicionale e Vejushës së Zezë mund të ndryshojë. Ajo thotë se, është vërejtur një rritje në numrin e viktimave, të cilat ishin të panjohur për vrasëset e tyre. Vejushat e Zeza janë një kategori vrasësesh të shumëfishta. Nëse ato duhet të quhen vrasëse seriale apo jo, vazhdon të jetë një debat i hapur. Zakonisht, vrasëset e shumëfishta nuk vrasin për të njëjtat motive seksuale si vrasësit serialë meshkuj. Nëse pranohet përkufizimi se duhet të ketë një motivim seksual dhe një instikt vrasës për t'u ndjerë i pushtetshëm mbi viktimat e tij, që një varsës të quhet vrasës serial, atëherë ky nuk është termi i përshtatshëm për vrasëset femra, duke përfshirë këtu edhe Vejushën e Zezë. Qëllimi nuk është të debatohet mbi terminologjinë, por të evidentohet në mënyrën më të detajuar kjo klasë e pazakontë vrasësesh ndërmjet të gjitha këto femra kriminele, të cilat kryejnë më shumë se një vrasje. Nuk është shumë e drejtë t'i kategorizosh këto femra si vrasëse seriale. Ka një ndryshim shumë të madh midis Konteshës Elizabeth Bathory e cila lahej haptazi në një vaskë të mbushur me gjak virgjëreshash për të ruajtur rinënë e saj përjetësisht (edhe pse nuk funksiononte) dhe Genene Jones, e cila asfiksoi gati dyzet të rinj e të reja gjatë kohës që punonte si një infermiere e dashur në një spital fëmijësh. Sipas Enciklopedisë së Vrasësve Serialë të shkruar nga Brian Lane dhe Wilfred Gregg, pjesa e më e madhe e vrasjeve seriale kryhet nga meshkujt dhe përfshin disa karakteristika të veçanta: vrasjet janë të vazhdueshme, shpesh herë duke rritur intensitetin derisa vrasësi kapet ose vdes. Ata kanë tendencë të vrasin ballë për ballë dhe një nga një. Zakonisht nuk ka asnjë marrëdhënie midis vrasësit dhe viktimës së tij dhe motivet janë gjithnjë të dobëta dhe seksuale. Këto vrasës zakonisht shfaqin një dhunë të pangopur, brutalitet dhe një lum gjaku. Në vitin 1991, Eric Hickey i ka ndarë femrat vrasëse në dy kategori të ndryshme, Vejushat e Zeza (të cilat lidhen dhe martohen vetëm për një qëllim të caktur: për të vrarë burrat e tyre për arsye financiare) dhe Engjëjt e Vdekjes (vrasësit e mëshirës, të cilat vrasin dikë, për të cilat duhet të kujdesen - p.sh. fëmijën, nënën, gjyshen - për pushtet dhe ndoshta vetëm për të tërhequr vëmendjen). Megjithatë, gjatë viteve 1990, për arsye se motivet e vrasjeve të femrave u shtuan dhe fokusi mbi vrasësit, viktimat dhe arsyet e tyre u thellua, pasardhësit e Hickey-t e shtuan listën e tij, duke evidentuar disa kategori të tjera vrasësesh të paskrupullta. Deri në vitin 1998 kjo listë ishte shtuar ndjeshëm. Femrat ishin bërë gjithnjë e më të dhunshme, gjithnjë e më shumë përllogaritëse, paramenduese dhe të pamëshirshme.


Lotët e Krokodilit


Një vargan i tërë makinash qëndron me përtaci në rrugën e ngushtë të varrezave të errëta. Nga makina e varrimit, para varganit të gjatë, gjashtë burra me kostum të errët nxjerrin dhe mbajnë në krah një arkivol prej platini, duke ecur të ngrysur drejt një vendi të sapo gërmuar. Prifti urdhëron familjen, miqtë dhe të afërmit të afrohen dhe të rrethojnë varrin dhe fillon fjalimin për të përcjallë të vdekurin në banesën e fundit. Zhurmat zhduken, zërat ulën. Dëgjohen vetëm lutjet që shkëpusin shpirtin nga trupi dhe e ngrejnë atë drejt qiellit. Ndërkohë që lutet, prifti vendos dorën e tij ngushëlluese mbi supin e vejushës së re, e cila fshin lotët me një shami në duar. Pjesëtarët e familjes i fërkojnë krahët që asaj të mos t'i bien të fikët.

Ajo duket kaq e rraskapitur, kaq e mjerë dhe e përvuajtur. Ndërkohë që psherëtin, rënkon dhe lag shaminë me lotët e saj prej aktoreje drame, me veten e saj mendon se për sa kohë (ajo shpreson shumë shpejt) Kompania e Sigurimit do t'i dorëzojë çekun e bashkëshortit të saj të dashur dhe fatkeq.

Ajo është një Vejushë e Zezë, e quajtur ashtu për nder të shumëkëmbëshit helmues, i cili del nga asgjëja, kafshon shpejt dhe fort pa asnjë mëdyshje dhe vret. Skenari i mësipërm, edhe pse i përshkruar me nota piktoreske, nuk është aspak i pazakontë. Ndoshta pak stereotipik, por totalisht i vërtetë. Skena e "vejushës së përvuajtur" e ka ripërsëritur veten shpesh e më shpesh në jetën e përditshme. Filma që gjejnë protagoniste Theresa Russell. Jane Seymour apo Elizabeth Montgomery, në rolin e Vejushës së Zezë dhe që përshkruajnë një personazh që vret pa u vënë re, nuk tregojnë realitetin e Vejushës së Zezë. Hollywood zakonisht synon të tregojë, se meshkujt bëhen pre e tyre për shkak të bukurisë fizike apo sharmit femëror, por kjo thjesht nuk është e vërtetë. Në realitet, Vejushat e Zeza më të suksesshme nuk kishin as hijeshinë e Seymour, as simpatinë e pafajshme të Russell dhe as sharmin e Montgomery. Shumica e Vejushave të Zeza ishin femra shumë të thjeshta dhe ndoshta të papërfillshme.

Por, pamja e tyre jotërheqëse zëvendësohëj me një dinakëri të tejskajshme. Një Vejushë e Zezë është e aftë, me fjalët e duhura, me buzëqeshjen e duhur dhe me sharm të thellë femëror, e cila e tejkalon bukurinë e jashtme, për të futur një mashkull në grackë, për të futur veten e saj në krahët dhe në llogarinë e tij bankare dhe për të përvetësuar çdo qindarkë.

Është e vështirë të japësh një shifër ekzakte se sa meshkuj kanë vuajtur vdekjet e tmerrshme dhe të dhimbshme kur gratë e tyre të "urta" vendosën të planifikonin vrasjen perfekte, pasi burri nuk i duhej më. Arma kryesore është helmi, pasi është shumë i lehtë për t'u përdorur, rezultatet janë të kënaqshme dhe në shumicën e rasteve vdekja diagnosdikohet si pasojë e një sëmundjeje akute.

Në librin "Gratë që vrasin", Ann Jones flet rreth Hannah Hanson. Pas një martese të dështuar me Ward Witham, ajo u shpërngul në Boston në fillim të vitit 1830 ku punonte si rrobaqepëse për të mbajtur veten dhe tre fëmijët e saj. Atje u njoh me George Kinney dhe u bënë miq. Më pas, u shpërngul përsëri dhe u takua me Enoch Freeman, i cili ishte njëkohësisht edhe kushëriri edhe ish-i dashuri i saj. Hannah u martua dhe u bë Znj. Enoch Freeman në vitin 1835, por fatkeqësisht bashkëshorti i saj vdiq si pasojë e disa rrethanave të pazakonta. Vdekja e tij tragjike solli thashetheme dhe aludime të panumërta si pasojë edhe të një çështjeje xhelozie mes Hannah dhe një gruaje tjetër. Për këtë arsye ju desh të shpërngulej përsëri në Boston dhe me dinakërinë e saj arriti të martohej me shokun e saj, George Kinney.

Nusja e re u prek përsëri nga fatkeqësia, pasi biznesi i Kinney falimentoi dhe asaj ju desh të punonte përsëri si rrobaqepëse për të mbajtur të gjithë familjen. Ajo e bënte këtë punë me qef derisa zbuloi se i shoqi i harxhonte paratë në kumar dhe alkol.

Nuk ishte alkoli ai që e çoi drejt vdekjes, por ndoshta çaji bimor i përgatitur nga gruaja e tij. Kur në trupin e tij të pajetë u gjetën gjurmë arseniku, policët filluan të dyshonin.

Mos ndoshta bëhej fjalë për një vetvrasje për shkak të falimentimit të biznesit të tij apo ishte thjesht fakti, që gruaja e tij ishte lodhur, duke punuar e vetme për familjen dhe ai të shpenzonte të gjitha paratë e tyre? Faktikisht nuk kishte asnjë provë që e lidhte atë drejtpërsëdrejti me vdekjen e të shoqit, përveç faktit që edhe Freeman kishte vdekur ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë. Ajo u akuzua dhe u thirr në gjyq, por u shpall e pafajshme vetëm, pasi dymbëdhjetë meshkuj nuk mund ta besonin dot që një grua tërheqëse, punëtore dhe e moralshme mund të bënte një gjë të tillë.

Përse vallë një femër mund të dojë të vrasë burrin e saj? Në botën naive të mëparshme dhe në lajmet televizive, dukej se meshkujt i imagjinonin femrat, me të cilat ndanin shtratin si krijesa të buta dhe tepër pasive për të çuar ndonjëherë nëpërmend vrasjen. Ky ishte vetëm ekskluzivitet i meshkujve, por gaboheshin rëndë…

Historikisht, Vejushat e Zeza i takonin viktimat e tyre tek njoftimet e gazetave të meshkujve të vetmuar, tek klubet për vejusha dhe të ve ose me anë të shoqërisë së përbashkët ku qëllimet e vërteta të femrës kishin kaluar pa u vënë re. Nuk është aspak e pazakontë, që pas vdekjes së të shoqit, Vejusha e Zezë të shpërngulet në një zonë tjetër të qytetit, duke ndërruar identitetin e saj, duke krijuar një të shkuar totalisht të re dhe duke e luajtur çdo rol deri në perfeksion.

Disa Vejusha të Zeza shpeshherë mund të kenë fëmijë nga martesat e mëparshme dhe për këtë arsye disa prej tyre i kanë vrarë fëmijët për të kapur një viktimë të re më me lehtësi. Në ditët e sotme është shumë e vështirë t'i fshehësh fëmijëve të vërtetën, pasi ato arrijnë të perceptojnë edhe ndjenjat e errëta, ndërkohë që në të kaluarën duket se qëllimet vrasëse të nënave të tyre nuk janë vënë re.

Fasada e një Verjushe të Zezë është shumë e besueshme në një shoqëri, e cila vendos në plan të parë virtytet e një gruaje besnike dhe të një nëne të dhimbshur. Njerëzit nuk kanë aspak mëshirë për një vrasëse të tillë, pasi thonë se ajo i zgjedh me gjakftohtësi viktimat e saj, të cilat janë pikërisht ato persona që e kanë dashur dhe i kanë besuar. Pra, vrasjet e kësaj kategorie nuk thyejnë vetëm ligjin, por dhunojnë konceptet dhe principet bazë të dashurisë, besnikërisë, kujdestarisë, miqësisë dhe mbi të gjitha, përdhosin privilegjin e shenjtë të të qenurit nënë.

Pjesa më e madhe e Vejushave të Zeza i fillojnë vrasjet e tyre në mes të tridhjetave, disa prej tyre edhe më herët. Bazuar mbi regjistrimet e vrasjeve të tyre, numri mesatar i viktimave të tyre ka qenë nga gjashtë deri në njëmbëdhjetë në Shtetet e Bashkuara dhe dhjetë deri në pesëmbëdhjetë në vendet e tjera. Këto vrasje bëhen në një hark kohor prej njëmbëdhjet deri në gjashtëmbëdhjet vjet. Motiv i vetëm është përfitimi dhe në raste shumë të rralla këto vrasje janë të shtyra nga tërbimi ose nga frika, se dikush ka arritur të zbulojë të vërtetën e tyre. Në rastet e tjera, çdo vrasje është e mirë llogaritur dhe planifikuar, një vepër e vërtetë arti. Studiues si Kellehers dhe Hickey, i kanë karakterizuar ato si vrasëset më liga dhe më të rrezikshmet e të gjitha kategorive. Ata kanë bërë profilet kriminale të shumë e shumë Vejushave të Zeza të të gjitha kohërave.

Profilet fillojnë me Mary Ann Cotton, nga Britania e Madhe (Zonja e Neveritshme) dhe Belle Gunness (Vrasësja e parë seriale e Amerikës), historitë e të cilave shokuan botën romantike të shkrimtarëve dhe muzikantëve, të cilët me vargjet e tyre adhuronin brishtësinë dhe hijeshinë femërore. Pas këtij çifti kalojmë në shek e 20-të ku pavarësisht evolimit dhe njohjes së forcave të rendit, Vejushat e Zeza vazhdojnë të shpalosin etjen dhe tregtinë e tyre vrasëse.

Mëkati më i madh i Vejushave të Zeza

Vejushat e Zeza janë shumë të përhapura në ditët e sotme dhe vazhdojnë të vrasin. Ndoshta jetët e tyre nuk janë aq melodramatike sa ajo e Mary Ann Cotton, aq të shkëlqyeshme sa e Marie Besnard ose aq të ashpra sa ajo e Blance Taylor Moore. Disa nga ato ndoshta s'do të kapen kurrë.

Ndërkohë, që ky artikull ka bërë thjesht një vështrim të përcipte të Vejushave të Zeza në histori, ka një anë të ërrët dhe seriozisht shumë të egër të karakterit të këtyre femrave, që vrasin vetëm për përfitim. Këto janë femra që vrasin edhe fëmijët e tyre.

Raport mbi femrat kriminele i Byrosë së Drejtësisë, jep rezultate të frikshme dhe të tmerrshme rreth vrasjes së fëmijëve, të dhëna të mbledhura nga regjistrimi i vrasjeve të Vejushave të kapura. Raporti na informon se ndërmjet vitit 1976 dhe 1997, nënat dhe njerkat kanë vrarë 11.000 fëmijë. Interpretimi i kësaj të dhëne tregon se çdo vit kanë vdekur 525 fëmijë dhe të rinj të pafajshëm në 21 vitet e fundit. Fakti më i frikshëm është se pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë vrarë nga nënat e tyre gjatë fëmijërisë. Motive nuk ka qenë vetëm përfitimi. Investigatorët kanë zbuluar se në disa raste janë kryer edhe nga tërbimi apo çrregullimi mendor i shkaktuar nga alkoli apo droga. Metodat janë të ndryshme, por shumica kanë përdorur mbytjen me duar.

Vejusha e Zezë e vitit 2000 ka ndryshuar pak. Ajo vazhdon të jetë manipuluese. Ajo vazhdon të hedhi helm në kafen tënde, ndërkohë që ta shërben atë me buzëqeshje. Ajo vazhdon akoma të asfiksojë dhe të helmojë. Teknikat e saj operuese sa vjen e bëhen më të mprehta, ashtu si Waneta Hoyt, e cila u mësoi shoqeve të saj se si të përdornin SIDS dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse si alibi. Ajo vrau të pestë fëmijët e saj, duke thënë se thjesht kishin reshtur së marri frymë.

"Ekspertët mjekësorë dyshojnë se gati 20% e 7.000 deri në 8.000 fëmijëve, të cilët janë diagnostikuar se kanë vdekur nga Sida, mund të keni vdekur në fakt nga arsye të tjera", shkruajnë autorët Michael dhe C.L Kelleher. "Fatkeqësisht, këto foshnje shpesh herë vdesin në duart e nënave të tyre". Kjo është fatkeqësia më e madhe për të gjithë racën njerëzore, duke konsideruar faktin që edhe kafsha më e egër lufton deri në vdekje për të mbrojtur foshnjen e saj nga grabitqarët. Kjo vërteton më së miri faktin, që kafsha më e egër dhe grabitqare është pikërisht njeriu, i cili arrin të vrasë edhe pjellën e tij.


Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI - RD