E premte, 29.03.2024, 01:15 AM (GMT)

Kulturë

Mefarete Laze, lamtumirë një jete me këngë

E merkure, 01.03.2006, 02:18 PM


Ndonëse me profesion është mësuese, kënga ka mbetur pasioni i madh i jetës së saj. Që prej 37 vjetësh ajo e shoqëron e nuk i ndahet asnjëherë, që kur ishte 8 vjeç dhe u ngjit për herë të parë në skenë. E sot, në moshën 45-vjeçare, ka zgjedhur pikërisht ditëlindjen e saj, përvjetorin e 45-të, për t'i dhuruar qytetit të saj, publikut që përherë e përkrahu dhe e motivoi, koncertin e saj të tretë recital, i cili, siç thotë dhe vetë, është recitali i lamtumirës. Mefarete Laze është e njohur nga publiku shqiptar, si një këngëtare me origjinalitet, zëri i së cilës ka një muzikalitet të veçantë dhe që zotëron një kulturë interpretimi të një niveli të lartë. Për vite të tëra është parë në skenat e festivaleve kombëtare të muzikës së lehtë, duke lënë gjurmë jo vetëm për çmimet e shumta që fitonin këngët e intepretuara prej saj, por edhe për vokalin e magjishëm, intrepretimin me pasion e pasuri shpirtërore, duke u dhënë këngëve jetën. Më 1984 bën koncertin e pare recital, më 1987 të dytin, dhe tani, pas 17 vitesh, ngjitet për të ”nusëruar” për të tretën here. ”Ky recital është recitali i lamtumirës, - shprehet Mefaretja, duke mos e fshehur dot keqardhjen. - Zgjodha ditëlindjen time për t'i bërë një dhuratë qytetit tim, Shkodrës sime. Kisha 17 vjet pa ia bërë këtë dhuratë të cilën ia kisha borxh. Ky publik është familja ime e dytë, që nuk më është ndarë dhe që më ka mbushur çdo boshllëk. Kjo dhuratë është mirënjohje për të gjithë atë që ai më ka dhënë, për të cilën nuk i gjej dot fjalët.” Koncerti i tretë recital i Mefaretes, ishte krejt ndryshe nga të tjerët e ngjitur në këtë skenë vitet e fundit. Dhe pse kishte 17 vjet që nuk kishte bërë recital, ndonëse ka qenë e pranishme në aktivitete të tjera kombëtare e lokale, publiku shkodran, ai që e kishte mirëpritur përherë, nuk mungoi të mbushte si rrallëherë teatrin “Migjeni”. Dhe ky publik ishte i veçantë, pasi ishte një spektator tipik qytetar, të cilin është vështirë ta kesh përherë me vete. Por ishte spektatori që entuziazmohej rrugëve të qytetit, krenohej e bënte tifozllëk për të, madje shkonte edhe në Tiranë për ta ndjekur, kur ajo paraqitej në aktivitete kombëtare dhe këngët e intrepretuara prej saj fitonin çmime. Ky publik nuk do ta braktiste idhullin e tij të muzikës së lehtë, ndaj ishte aty. Pikërisht për këtë, dhe përgjegjësia, emocionet e angazhimi ishte tepër i madh. Ndonëse janë shfaqur mendime për ta bërë recitalin edhe në Tiranë, ajo ka qenë e prerë për ta bërë në Shkodër. ”Në Tiranë përherë më kanë pritur mire dhe më kanë duartrokitur, por publiku shkodran më ka dhënë shpirt e krahë. Unë aty linda dhe jetoj, aty u bëra këngëtare dhe shkodrës i jam përherë mirënjohëse dhe i përulem me respekt, - thotë Mefaretja. - Me profesion mësuese është e pamundur që sot të bësh një recital, aq më tepër kur e di se sa presin njerëzit prej teje. Jeta artistike është një recital më vete. Ishte dëshira e fansëve të mi dhe dashamirësia e atyre që më ndihmuan, që më nxitën . Kultura është ndër pasuritë më të mëdha të Shkodrës dhe ajo i meriton aktivitetet kulturore,” - shton ajo. Një kolazh me këngë të interpretuara prej saj para viteve ‘90 u kujtoi spektatorëve emocionet e atëhershme, dhe menjëherë pas tyre në skenë ngjitet Mefaretja e vitit 2004, me një stil e formë të re të kënduari, ku ndryshimin e paraqiti vetë materiali muzikor. Këndoi 17 këngë, nga të cilat 7 ripunime të reja të muzikës së lehtë dhe asaj popullore qytetare. E veçanta e këngëve qytetare shkodrane të stilizuara ishte sjellja e tyre në kohën e tashme, duke bërë që ato të pëlqehen e të këndohen dhe nga rinia, të futen në disko, por edhe të ruajnë shijet e publikut, që e ka dëgjuar këtë këngë për shumë vjet, në të njëjtën formë. E tillë ishte kënga ”Lulet e majit”, që Mefaretja e paraqiti në recital të punuar me orkestracion bashkëkohor, në bashkëpunim me Rudin, këngëtar i rrymës hip-hop, duke ruajtur vijën melodike, e duke i dhënë këngës përmasa të tjera. Kënga “Asaman moj Gjylja e Rremës”, ishte përpunuar në mënyrë të tillë, që edhe pse një këngë e vjetër popullore, dukej se Mefaretja e kishte veshur me xhinse Gjylën e kësaj kënge, duke e bërë atë të pranueshme për çdo brez. Repertori i këngëve të kënduara ishte një gërshetim perfekt i klasikes me muzikën e lehtë, me atë popullore dhe të moderuar. Recitali kishte risi paraqitjen ndryshe të brezave të rinj të këngëtarëve, ku Valmira Katana u paraqit edhe si balerinë, ndërsa vogëlushi Dilan Reka, i dha ngrohtësi këtij recitali. Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbani, me intrepretimet e tyre virtuoze, u pritën mjaft ngrohtë nga publiku shkodran, ndërsa trupa e baletit e drejtuar nga Arjan Sukniqi ishte një tjetër kënaqësi për t'u ndjekur. Recitali u prezantua nga vetë Mefaretja, pasi, siç thotë ajo: “Kisha dëshirë për të bashkëbiseduar me bashkëqytetarët e mi, pa i lodhur me shumë fjalë.” Interpretimet e saj në këtë recital treguan se sa ajo ka punuar, se ajo ka kërkesa ndaj vetes dhe se ecën me hapin e kohës. Tematika e këngëve ishte nga jeta e përditshme, nga momentet e vështira që kalon çdo njeri në jetë, si “Kape ditën tënde”, “Sa më mungon”, “Zemër e trazuar”, “Lamtumirë” etj. “Është një lamtumirë nga thellësia e shpirtit, lamtumirë që ia jap atij publiku që më mbështeti e duartrokiti ngrohtë dhe sonte në këtë recital, ku unë nusërova për të fundit herë dhe njëkohësisht festova me ta ditëlindjen time të 45-të,“ - thotë Mefaretja. Me humorin e saj tipik, ajo tregon emocionet e këtij recitali, përpjekjet për të arritur deri këtu. ”Është si një dasmë ku të gjithë i kanë sytë nga nusja. Unë nusërova dhe në dy recitale të tjera dhe, siç thuhet, pa të nusëroja dhe një here, dija unë si nusëroja. Dhe unë nusërova për të tretën herë. Dasmorët mbetën të kënaqur, pasi nusja 45-vjeçare diti të nusërojë,” - thotë me humor ajo. Dhe emocionet ishin të mëdha, duke ia kaluar një dasme. “Nga familja ime kisha në sallë vetëm bashkëshortin dhe njërën nga vajzat. Më mungonin shumë njerëz të shtrenjtë, që do të doja t'i kisha aty, dhe në këtë rast emocionet janë njerëzore,” - thotë ajo. Për të ardhur deri te ky koncert nuk ishte e lehtë. Kjo pasi përveç dëshirës e nxitjes së miqve e dashamirësve, duhen edhe burime financiare. Mefaretja tregon se pati momente që donte të tërhiqej, për shkak të vështirësive, por ishte këmbëngulja e producentit Arben Mazi dhe mbështetja financiare e miqve të saj, ajo që e bëri të mos ndalej. Përgatitja e tij ka qenë e mundishme dhe e lodhshme. Netë të tëra pa gjumë, punë intensive për 1 muaj e gjysmë, stresi i mungesës së dritave, udhëtimet në Tiranë, ndriçimi, veshja, të gjitha të bëra vetë prej saj. “Ndonëse punova me mjeshtër si Adrian Hila dhe Edmond Zhulali, e ndieva mungesën e Luan Borovës, i cili ka qenë udhërrëfyesi im artistik, që e njihte me detaje formimin tim profesional si artiste,” - thotë Mefaretja. Natën e shfaqjes, përsëri stres. Njerëz që kishin mbetur jashtë teatrit, të tjerë që kishin mundur të hynin, por nuk kishin vende ku të uleshin dhe rrinin në këmbë. Dhe të gjithë këta përplaseshin te Mefaretja, duke i shtuar një stres më tepër, që, siç thotë vetë ajo, nuk iu nda gjatë gjithë shfaqjes. Ajo shton se i ka pasur merak veshjet dhe për këtë punoi me stilisten Rezarta Skifteri, ”pasi doja të paraqitesha në stilin tim, që të mos thoshin spektatorët “u tërbua në pleqëri (mexoveta)” (qesh). Dhe publiku i dhuroi asaj duartrokitje të zjarrta, të shumtë ishin ata që e përgëzuan pas recitalit e që e pritën kur doli nga teatri për ta uruar. “Kishim kohë që e prisnim një koncert të tillë”, “Na hoqe stresin e dritave, dhe për 1 orë e gjysmë ky qytet ishte më i pasuri”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora