E marte, 28.09.2021, 10:50 PM (GMT+1)

Mendime

Emrie Krosi: Tungjatjeta Çamëri!

E premte, 20.02.2009, 08:38 PM


Tungjatjeta Çamëri!

Nga Emrie Krosi

“Diplomacia e vetëmohimit” e shkrimtarit Shefki Hysës është një paraqitje sa e çiltër aq edhe dëshmuese e një kalvari të gjatë mundimesh të popullatës muhaxhire çame, është një lloj historiku i zhvillimeve të një prej çështjeve më delikate, siç është çështja çame, që ende këlthet e kushtron për mohimin që i bëhet. Është peng e moszgjidhje e të drejtave jetike të një popullate martire. Si çdo popullsi tjetër, edhe çamët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë atërore në Çamëri, gëzojnë të drejtën e pronës dhe të trashëgimit të truallit të të parëve të tyre, por vitet kalojnë e askush nuk kujtohet për të ndrequr padrejtësinë që u është bërë. Pas shembjes së pushtetit diktatorial në Shqipëri shpresa e çamëve rilindi. Menduan se kalvari i vuajtjeve të tyre do të merrte një zgjidhje dhe se ata do ktheheshin në vatanin e tyre, në Çamëri, aty ku kanë dhe varret e të parëve, por ky “zgjim postraumatik” s’qe gjë veçse një zhgënjim tjetër. Me sa duket për ta do të kishte akoma e akoma vuajtje, dhimbje e mohim… Tradhtia më e madhe dhe pabesia më e turpshme ndaj kësaj plage të shpresës së tyre të rivrarë rishtas ishte dhe thënia ogurzezë e grekut Micotaqis, në Tiranë, në pranverën e vitit 1991: “Nuk ekziston problem çam”.

Atëherë kush qenka Çamëria?!... Po çështja e saj?

Çamëria, fjalë ende e ndaluar si “molla e Adamit” në fjalorin e politikës shqiptare, por edhe në rrethet e politikave ballkanike e ndërballkanike. Çamëria, një krahinë që kushdo e njeh dhe e ka shkelur, ka mbetur i habitur nga mrekullitë e saj, jo vetëm ato natyrore, por edhe kulturore. Një krahinë që u përket shqiptarëve çamë e që nuk mund të tjetërsohet dhe as të mohohet. U përket atyre që lindën dhe u rritën në atë truall të aneksuar padrejtësisht prej Greqisë më 1913, të cilët quhen dem baba dem shqiptarë, banorë autoktonë të asaj treve, ndoshta shumë më përpara se të vinin fiset greke nga ishujt e Azisë së Vogël, shumë e shumë kohë para Odisesë… Greqia këtë fakt e di mirë! Pse atëherë ka frikë ta pohojë?! Nga gjykimi i vetvetes apo i historisë së saj?! Këtyre e shumë pyetjeve të tjera u jep përgjigje të sakta përmbledhja voluminoze “Diplomacia e vetëmohimit”. Në këtë libër autori Shefki Hysa pasqyron, midis të tjerash, edhe takimet e bisedat, debatet e replikat, dialogjet e përplasjet jo vetëm me politikën e kohës së regjimit komunist, por edhe me politikanët e periudhës postkomuniste si me: Sali Berishën, ish President i Republikës, Ibrahim Rugovën, ish liderin e Kosovës, me Mandelën shqiptar, Pjetër Arbnorin etj., etj. Këto peripeci e orvajtje atë nuk e lodhën, por me një kurajo dhe vendosmëri të madhe prej çami, me shpirtin luftarak e binjak me Bilal Xhaferrin, simboli dhe udhëheqësi i tij ideal, që lindi çam dhe vdiq çam, arriti deri aty sa me “diplomacinë e tij të urtë” është përballur me diplomacitë perëndimore, me të vetmin ideal: Çamërinë dhe Shqipërinë etnike..

Në përpjekjet e tij Shefki Hysa, herë të forta dhe herë të buta, me ustallarët e politikës dhe diplomacisë, iu desh të përdorë një lloj zgjidhjeje të tipit “deux ex machina”, nëpër rrugëtimin e gjatë për mbrojtjen e çështjes çame. Instancat më të larta të shtetit shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca e Republikës dhe Qeveria, janë nxitur shpesh të mbështesin dhe zgjidhin problemin çam, pavarësisht se kanë bërë shumë pak apo pothuajse nuk kanë lëvizur as gishtin, ose që kanë penguar si në mars 2004, kur rrëzuan rezolutën çame. Shefki Hysa dhe miqtë e tij kanë trokitur edhe deri në Parlamentin Euroipian, janë takuar me Komisarët e të Drejtave te Njeriut, me z. Franco Fratini e Oli Rehn si dhe me eurodeputeten Doris Pack (në prill- maj 2006). Kosova e arriti pavarësinë e saj, por Çamëria ende asgjë. Zgjidhja e problemit çam ende pengohet nga vetë qarqet e politikës shqiptare të shitura te greku e serbi. Mos vallë duhet edhe ajo “të militarizohet” për të realizuar të drejtat që i janë mohuar përdhunisht nga zervofilët grekë? Mos vallë duhen sjellë sërish në këto troje, si në Kosovë, përballë politikës së tredhur shqiptare “Klintonët e Bushët e rinj të Amerikës” që të “urdhërojnë” zgjidhjen e çështjes çame?!... Së pari Çamëria është çështja jonë, çështje mbarëshqiptare, jo vetëm e çamëve. Duhet kuptuar mirë se problemi i Çamërisë është i të gjithë shqiptarëve, edhe i politikës e diplomacisë sonë, të cilat duhet të mësohen të vetëveprojnë me përgjegjësi kombëtare dhe jo me poza servile, siç kanë vepruar deri tani, vetëm kur marrin urdhra nga politikat e mëdha botërore. “Çështja çame ka karakter mbarëkombëtar dhe mbarëshqiptar”, - është shprehur ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në një intervistë të viteve `90 në Tiranë, për gazetën “Kombi”, - “duhet patjetër” -theksonte ai,- “që ta bëjmë pjesë të shpirtit tonë, pastaj t`ua parashtrojmë organizmave ndërkombëtarë e dashamirësve tanë nëpër botë dhe të kërkojmë zgjidhjen e saj”... Çamëria është çështja e shtruar për zgjidhje dhe koha nuk prêt. Duhet të punojmë së bashku gjithë faktorët shqiptarë për të pasur një Shqipëri të fuqishme që të konkurojë bindshëm në Europën e qytetëruar dhe për këtë duhet patjetër që edhe çështja çame të zgjidhet ashtu siç u pavarësua Kosova. Duhet punë e madhe për ta çuar në vend ëndrrën e qindra-mijëra çamëve, për të qenë jo vetën në atdheun e të parëve, por edhe qytetarë të denjë të Europës së Bashkuar. Shumë thonë se Çamëria nuk merret! Por e fundit vdes shpresa! Nëse do të mendojmë si mendjeshkurtërit asnjëherë nuk do ta zgjidhim problemin e Çamërisë, por po të kemi më shumë guxim dhe vlera shqiptarie, por edhe më shumë vullnet politik, jo vetëm që do ta zgjidhim këtë çështje, por do të jemi edhe një komb i bashkuar, do të zëmë vendin tonë që na takon në në Ballkan e në Europë, do të jemi shumë më dinjitozë para Qytetërimit Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe kombi i madh shqiptar. Po të jemi të kujdesshëm, libri “Diplomacia e vetëmohimit” nuk është vetëm një apel, por edhe një lloj bible, një model i të bërit politikë e diplomaci, që shumë mirë mund të quhet edhe “diplomacia e urtësisë” e Shefki Hysës, gjë e cila bie në sy edhe në marrëdhëniet e tij me politikëbërësit shqiptarë e ata botërorë, por edhe me miqtë e tij çamë, shqiptarë e të huaj. “Diplomacia e vetëmohimit” është pasqyra e tërë veprimit e mosveprimit shqiptar, është ehoja e tërë përpjekjeve atdhetare të shumë intelektualëve idealistë që çështja çame të ketë jehonë sa më të madhe brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe duhet të jehojë fuqishëm edhe për ata që nuk e njohin akoma apo dhe kanë harruar qëllimisht që ekziston një çështje e hapur, e cila quhet Çamëri. Të vjen keq, kur midis rreshtave të librit, përveçse betejës për Çamërinë e për lartësisim e figurës së Bilal Xhaferrit dhe veprës së tij atdhetare në Shqipërinë diktatoriale e në Amerikë, (vërtetuar kjo nga intervistat, kujtimet, reportazhet e mbresat e miqve e bashkëkohësve) dallon edhe gjurmët e pabesisë, babëzisë dhe mosdëshirës për të vepruar, ca më keq edhe pengesat e tradhtitë e atyre që e kanë për detyrë të punojnë për atdheun e tyre. Indinjohesh thellë kur ata që u janë besuar fatet e vendit edhe nga vota e çamëve, me shpresën se një ditë… “eh një ditë… do të kthehen në vatanin e vet për të vendosur qoftë edhe një tufë lule te varret e të parëve”, sabotojnë në vend të zgjidhin problemin. Pra, politika e diplomacia shqiptare tanimë janë të verbra dhe të shurdhra, ndaj çështjes çame, këtë përfundim arrin dashur padashur. Ndërkohë Shefki Hysa e miqtë e tij arrijnë ta çojnë “Amanetin e Bilalit” deri në Kongresin Amerikan ku zëdhënëse e tyre u bë politikania e madhe Hillari Clinton apo në Strasburg, ku eurodeputetja Doris Pack shprehet: ‘Grekët kërkojnë të drejtat e minoritetit të tyre në Shqipëri, por harrojnë se çështja çame është njëlloj si çështja e grekëve që u dëbuan nga Çekia dhe Polonia si bashkëpunëtorë të Hitlerit… Çamëve duhet t`u njihet e drejta të vizitojnë vendlindjen e tyre, të vizitojnë varret e të afërmve. Asnjë grek nuk mund t`i kundërvihet faktit që të trajtohen të drejtat humanitare të popullsisë çame, për vizita në vendlindje dhe në varret e të parëve të tyre. Përsa i përket çështjes së pronave, Greqia dhe Shqipëria duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe ta zgjidhin midis tyre”… Kurse eurodeputeti greko-qipriot shprehet: “…Çështja çame përbën një problem që ekziston dhe që ne duhet ta kalojmë”… Pra, “lufta vazhdon”. Beteja të tjera i presin çamët. Beteja finale do të jetë atje, në Çamëri, atje ku “vendi ndërronte aromë/ erë dehëse kanelle/ erë mishi qenjgi të njomë…, - siç theksonte Bilal Xhaferri në poezinë “Aromë Çamërie”…Nuk është thjesht një dedikim Çamërisë dhe Bilal Xhaferrit, ky libër, por një klithmë që akoma jehon nëpër qytetet e zonat e Çamërisë të braktisura nga banorët e tyre, sepse qenë ndryshe,sepse qenë çamë muslimanë, se çamët orthodoksë janë akoma dhe kësaj dite në trojet e tyre etnike. Nuk bëhet fjalë se çfarë feje kanë çamët, por kemi të bëjmë me një problem të madh kombëtar, një problem që duhet rë vihet në rrugën e zgjidhjes, në mënyrë që edhe kanalet e komunikimit mes Athinës dhe Tiranës të jenë akoma edhe më transparente. Në të gjithë rrugëtimin e tij Shefki Hysa, që nga fillimi e deri në fund të librit (më saktë fundi do të jetë Çamëria e lirë me çamët shqiptarë), është munduar të kalojë përtej vetvetes me një sakrificë të pashembullt, në emër të një ideali, që shumë nihilistë e quajnë, “mollë e ndaluar”, ose disa prej tyre që e quajnë veten shqiptarë, shkojnë akoma më tej e thonë: “Çamëria problem i mbyllur”, duke çuar ujë në mullirin shovinistëve grekë të rinj e të vjetër. A thua se u zbut Greqia dhe ndërroi mendje, se gati pesëqind mijë shqiptarë punojnë si argatë, jo vetëm në tokat came, por edhe në të gjithë hapësirën e vjetër Pellazgo-Dardane? Jo! Greqia luan një politikë sa të vjetër dhe të re, të “kulaçit e kërbaçit”, duke ditur se hapësirat ballkanike po ngushtohen gjithnjë e më shumë në emër të një diplomacie të re që quhet euroballkanizëm, që duam apo s`duam ne, ballkanasit, duhet të jemi pjesë e saj. Ja si shprehet Ismail Kadare nëpër radhët e librit: “Ka ardhur koha që Ballkani të shtërohet nga krimet e vjetra, dhe një nga këto krime është ajo që ka ndodhur në Çamëri. Drama çame. Dhe kështu Ballkani do të përgatisë rrugën drejt emancipimit. Vetëm pas këtij pastrimi Ballkani mund të bëjë pjesë në familjen e emancipuar të popujve europianë”… Atëherë vetë Athina dhe Greqia duhet të bëjnë “katarsis” (fundja kjo fjalë ka ardhur nga korifejtë e letërsisë antike greke, nga vetë zemra e Athinës së lashtë demokratike, nga Aristoteli) brenda vetes, të pranojnë se ka një problem të madh e të pazgjidhur, siç është çështja çame dhe të mos e njollosë akoma figurën e çamëve, si gjoja “plangprishës” të fqinjësisë dhe armiq të paqes. Kush qenkan më paqësorë se çamët? Kush e do më shumë paqen dhe qytetërimin se çamët? Por ky qytetërim duhet të vijë nga të dy polet politike që formula e “bashkëjetesës ndëretnike e ballkanike” të funsionojë. Të nxitur nga misionari Shefki Hysa, një pjesë e politikanëve shqiptarë si Arian Madhi, Ilir Meta, etj. kanë bërë përpjekje për ndërgjegjësimin e BE për zgjidhjen e problemit çam, por këto ishin nisma individuale më shumë sesa institucionale. “Jo vetëm opinioni botëror, por së pari ne vetë duhet të ndërgjegjësohemi, se kjo çështje duhet zgjidhur si duhet, megjithatë europianizimi i problemit çam tashmë është një arritje e madhe, konkrete një realitet, jo llafe” - është shprehur deputeti Arian Madhi në Parlamentin Europian. Pra, tani e kemi vetë në dorë. Ta bëjmë Çamërinë! Çamëria është e jona! Thënia se pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, tingëllon aktuale sot më shumë se kurrë. Tungjatjeta Çamëri! Tungjatjeta!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora