E enjte, 28.03.2024, 03:44 PM (GMT)

Editorial

Enver Bytyçi: Presidenti historik i Kosovës dhe dështakët antirugovë të Tiranës

E premte, 20.02.2009, 10:00 PM


Enver Bytyçi
Enver Bytyçi
Të pathënat në librin me shënime e kujtime të Paskal Milos

Presidenti historik i Kosovës dhe dështakët antirugovë të Tiranës

Nga Enver Bytyçi

Nuk kisha parashikuar asnjëherë se mund t'i rikthehem një teme, e cila i takon periudhës së para dhjetë viteve. Po i uroja vetes që të kisha qenë i gabuar në vlerësimet e asaj kohe, të cilat i kam shprehur në shtypin e Tiranës e para së gjithash në revistën "Koha". Do të kisha dashur që ato ngjarje të më dukeshin si një "ëndërr" e keqe, pra të ishin inekzistente. Por nuk lënë ekzekutorët e së ligës që të besosh në të tilla iluzione, pra se lufta totale "Antirugovë" paska qenë "aksidentale". Tash së fundi është shfaqur në publik një libër shënimesh e "kujtimesh". Atë e ka shkruar Paskal Milo, një prej dy-tre ekzekutorëve kryesorë të aksioneve serbo-shqiptare kundër Rugovës. Ai mbante para dhjetë vitesh postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Librin e tij zoti Milo e ka promovuar në Prishtinë. Madje, gjatë promovimit ai ka thënë se shumë gjëra nuk paska guxim t'i thotë sot, por "do t'i thotë dikur".
Thelbi i çeshtjes është se Paskal Milo vazhdon të ripohojë se "Rugova ishte njeri i Milosheviçit". Nuk e thotë këtë kësisoj, fjalë për fjalë, siç e kishte thënë shefi i tij, Gjinushi. Por ama lexuesit ia le këtë shije, ia transmeton gjithë katalogun e shpifjeve antishqiptare e antirugovë, të cilat Paskali dhe miqtë e tij në Tiranë, në Beograd e në Athinë i kishin promovuar gjatë pranverës së vitit 1999. (Për mua çdo përpjekje e atëhershme e Tiranës zyrtare për të delegjitimuar presidentin, qeverinë dhe parlamentin e Kosovës ka patur inspiracione ideologjike dhe antishqiptare). Milo, megjithëse i njeh shkaqet e vërteta të marrëdhënieve të ftohta midis Prishtinës institucioanle dhe Tiranës zyrtare, i fsheh ato qëllimisht. Por që lexuesi të jetë i qartë në sqarimin e kësaj teme do të përpiqem të sjell në kujtesë fakte dhe ngjarje, të cilat kanë ndodhur para dhjetë viteve. Përmes tyre bëhet më i lehtë dhe vlerësimi i shkaqeve të vërteta të acarimit të konfliktit brendashqiptar, konflikt që më së paku e ka dashur dhe predikuar presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai konflikt mund të cilësohet si një fenomen me shkaqe politike, konceptuale dhe taktike të qarta e të qëllimshme për ta vështirësuar rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë së saj.

Dallimet në konceptin strategjik të zgjidhjes së çeshtjes së Kosovës

Paskal Milo shkruan në ditarin e tij të datës 31 Maj 1998 se "I pëlqen ose jo Nano apo qeveria shqiptare, ata janë përfaqësuesit e shtetit amë që po investon dhe që po rrezikon kaq shumë sot në situatën në të cilën ndodhet vendi. Rugova e ka për detyrë të bashkëpunojë me ta."(!?) 1) Megjithatë "historiani" Paskal Milo përgjigjen e kësaj vërejtjeje e kishte marrë nga historiani i shquar Prof. Dr. Zekeria Cana, i cili në ditarin e tij të datës 5 Tetorit 1998 shkruante se "Në konferencën e sotme të shtypit Paskal Milo rithekson se qeveria shqiptare është për statusin e Kosovës si republikë brenda federatës jugosllave. Ai ia sheh Rugovës me të madhe që ka refuzuar ftesat e shtetit shqiptar për të diskutuar rreth mënyrave të zgjidhjes së çeshtjes së Kosovës. Si të mos i refuzonte ato grishje përderisa Nano takohet me Milosheviçin në Kretë, kurse në Lisbonë deklaron se Kosova duhet të jetë pjesë e një Serbie të lirë e të demokratizuar?!" 2)
Fatos Nano, pas takimit me Milosheviçin në Kretë të Greqisë, kishte bërë thirrje që Rugova të "respektonte institucionet e Serbisë" dhe të inkuadrohej në ato institucione. Ai, nga një takim ndërkombëtar në Lisbonë, kishte deklaruar se "Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi" dhe jo Prishtina. Ndërkohë, Ibrahim Rugova kishte shprehur rezervat e tij rreth takimit Nano-Milosheviç në nëntorin e vitit 1997 në Kretë të Greqisë.
Nga e gjithë kjo veprimtari antishqiptare e qeverisë së Nanos e Milos nuk goditej vetëm autoriteti i Presidentit historik të Kosovës, por vetë ardhmëria e këtij vendi. Për ta realizuar skenarin e tyre, deri në takimin e Rugovës me Presidentin Bill Clinton, Milo nuk kishte adresuar asnjë ftesë për liderin e Kosovës, që ai ta vizitonte Tiranën. Ftesa kishte ardhur në rend dite vetëm pas udhëtimit historik në Shtëpinë e Bardhë, gjë që shpjegohet me frikën se autoriteti i Rugovës në rritje të vazhdueshme mund t'i dëmtonte pozitat e qeverisë së Tiranës në aspektin ndërkombëtar.
Por dhe pasi Milo kishte dërguar ftesën për Rugovën, Fatos Nano kishte vazhduar ritualin e pohimeve të tij, në thelbin e të cilave qëndronte mohimi i pavarësisë së Kosovës si dhe i institucioneve që kishin buruar nga ky vendim historik i fillim viteve 1990. Gazeta e njohur zvicerane "Neue Züriches Zeitung" shkruante: "Si kompromis për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë Fatos Nano rekomandon formulën "Republikë pa të drejtë shkëputjeje". Kjo do të thotë shkëputje nga Serbia, por në të njëjtën kohë që Kosova të jetë pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave. Nano kërkoi rrethimin demokratik të Serbisë, si mjet për ta rrëzuar nga pushteti Milosheviçin dhe për të sjellë në qeverisjen e Beogradit forcat demokratike" 3)
Dy ditë më vonë, gazeta e njohur gjermane "Frankfurter Rundschau" kishte shkruar se "Gjatë takimit në forumin ekonomik të Kras Montanas Nano ka folur të premten për atë që Kosovës t'i jepej statusi i republikës si pjesë e Federatës Jugosllave, siç është Serbia dhe Mali i Zi". 4) Frankfurter Rundschau, 27 Qershor 1998. Këto opcione, të shpallura me bujë prej kreut të qeverisë shqiptare për opinionin e brendshëm e të jashtëm, binin në kundërshtim të hapur me opcionin e përsëritur për gati një dekadë nga ana e Ibrahim Rugovës, thelbin e së cilës e përbënte pavarësia e vendit.
Konceptin e tij për pavarësi ai e kishte përsëritur gjithashtu në takimin me presidentin amerikan, ndërkohë që kishte patur guximin dhe meritën t'ia emëtonte në katër sy vetë kreut të dhunës serbe kundër shqiptarëve, Sllobodan Millosheviçit. Këtë fakt ia sjell opinionit publik Veton Surroi, një nga anëtarët e delgacionit shqiptar në takimin e najit 1998 me Milosheviçin. 5) Me opcionin për shtetin e lirë e demokratik të pavarur të Kosovës Rugova ishte shfaqur nga fillimi i veprimtarisë së tij politike e deri në momentet e fundit të jetës së tij. Madje, ai kishte formuluar kërkesa maksimaliste. Më 27 Gusht të vitit 1999, pak kohë pas çlirimit të vendit prej pushtuesve barbarë serbë, Rugova kishte marë pjesë në një konferencë në qytetin e Minit në Itali dhe në prani të personaliteteve italiane dhe europiane kishte mbrojtur tezën e pavarësisë. Duke folur për këtë çeshtje ai kishte thënë se, "Në qoftë se nuk merret në konsideratë opcioni i pavarësisë për Kosovën, atëherë ajo do të bashkohet me Shqipërinë" dhe kishte vënë në dukje se kjo mund të sillte një destabilitet tjetër në Ballkan. Për Rugovën, pavarësia e Kosovës ishe zgjidhja më optimale, e cila do t'i sillte stabilitet rajonit të trazuar. 6) Ndërsa në fillim të qershorit 1999 ai kishte ripërsëritur se Kosova duhej të ihte e pavarur dhe kishte paralajmëruar se nuk do të pranonte asnjë rezolutë që e parashihte atë si pjesë të Jugosllavisë. Këto vërejtje ai ia kishte paraqiur gjatë vizitës së tij në Madrid vetë kryeministrit spanjoll, Josè Maie Aznar. 7) Frankfurter Rundschau, 08.06.1999.

Frika prej bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Fatos Nano dhe vetë autori i librit me kujtime e shënime, Paskal Milo, gjatë gjithë historisë së zhvillimeve të viteve 1990 ishin përpjekur që të evitonin shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Një shkëputje e saj prej Serbisë do të thoshte, sipas tyre, bashkim me Shqipërinë. Pikërisht ky proces duhej luftuar me të gjitha mjetet, edhe me ndihmën e Milosheviçit. Kësaj strategjie i kishte shërbyer marrëveshja e korrikut 1993 midis Fatos Nanos dhe udhëheqësit socialist të panhelenikëve grekë, Andresas Papandreu, në të cilën thuhej shprehimisht: "Siç është Jeruzalemi për Izraelin, është Kosova për Serbinë". Shkurt, një deklaratë e tillë e nënshkruar prej shefit të atëhershëm të opozitës shqiptare shprehte jo vetëm frymë e koncepte kompromisi, por më shumë se kaq, ishte përpjekje e dëshpëruar për ta varrosur në stilin serb zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Pas vitit 1997 Nano kishte ardhur në pushtet dhe vetëm pak muaj pas përshëndetjeve që kishte marrë prej Rexhep Qosjes "për revolucionin e vonuar" ishte takuar me Milosheviçin në Kretë. Takimi me Milosheviçin nuk ishte dënuar atë kohë e nuk ishte përfolur si akt tradhëtie edhe pse ishte bërë pa praninë e kurrkujt tjetër. Kritikat erdhën nga opozita e Tiranës dhe nga institucionet e Prishtinës për atë se ai takim ishte jo transparent, ishte inskenuar me ndërmjetësinë e qeverisë greke, të cilën Rugova e kishte refuzuar të ishte edhe ndërmjetëse e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Mbi të gjitha Prishtina dhe Rugova ishin të pakënaqur e të zemruar nga strategjia antiKosovë që zbulohej në qëndrimet e Nanos pas atij takimi. Nuk ishte zor të merrej vesh se në atë takim të nëntorit 1997 Nano dhe Milosheviçi ishin marrë vesh për dy çeshtje: Së pari që të shtyheshin shqiptarët ta pranonin sovranitetin serb. (Republikë pa të drejtë shkëputjeje - d.m.th teorikist sa kishte dhënë Kushtetuta e hkurtit të vitit 1974). Së dyti, në funksion të këtij objektivi të eleminohej politikisht Ibrahim Rugova. Për këtë ishin angazhuar me entusiazëm të shfrenuar Nano, Meidani, Milo, Klosi, Gjinushi e të tjerë. Kjo strategji ishte parashikuar të ndërtohej duke përçarë faktorin shqiptar, si rruga më e lehtë dhe e sigurt edhe për eleminimin e institucioneve të Kosovës dhe të autoritetit të Rugovës. Roli i Tiranës zyrtare dhe i Milos është dëshmuar në këtë drejtim si përcaktues. Në të njëjtën mënyrë tinzare e të pakuptim ishte inskenuar gjithashtu nga të njëjtët skenaristë në Athinë edhe takimi i janarit 2001 midis liderit të socialistëve shqiptarë, Fatos Nano dhe pasardhësit të Milosheviçit si president i Serbisë, Vojisllav Koshtunica.
Por ka qenë dhë është në stilin e personazheve të lartpërmendur, që kur shohin se procesi s'ka kthim, të shndërrohen si "shpëtimtarët" e situatës së krijuar. Edhe në rastin e Kosovës, kur opcioni i Rugovës për pavarësinë e Kosovës ishte shndërruar si e vetmja zgjidhje, atëherë këto personazhe vrapuan të thonë: "Kosova e pavarur është zgjidhja e vetme" dhe u turrën të rrëmbenin flamurin e meritave të paqena. Këtë synon Paskal Milo në librin e tij, kur thotë se ai dhe qeveria që ai ka përfaqësuar ka bërë shumë për kosovën. Por e këtij stili ishte dhe vizita e Ilir Metës para pak ditësh në autostradën Durrës - Prishtinë. Megjithëse Meta, Rama e të tjerë e kanë denoncuar ndërtimin e kësaj autostrade, tash që shohin se kjo vepër e shekullit është në përfundim, shkojnë ta vizitojnë dhe të deklarohen me pompozitete më të mëdha se vetë Berisha, për gjoja kontributet e tyre në ndërtimin e saj. Njerëz si Milo janë të gatshëm që brenda natës, nëse ua do interesi, të shndërrohen në tjetërçka, vetëm e vetëm që të fshehin obstruksionet e tyre antishqiptare dhe të marrin flamurin e shpëtimit. Njësoj si disa spiunë të Serbisë, që në momentet e fundit ishin bashkuar me UÇK-në, për të "shëruar" plagët e spiunllëkut.

Rugova fizikisht peng i Beogradit, politikisht peng i Tiranës zyrtare

Përpara se sa të citoj disa paragrafe të librit të Milos, të cilat i kam lexuar në shtyp, më duhet të riprodhoj atë çfarë ka ndodhur me Rugovën më 1999. Me datën 1 Prill 1999 Ibrahim Rugova ishte shfaqur në montazhin serb televiziv si peng në duart e Milosheviçit. Të nesërmen televizioni i Tiranës i menaxhuar për interesat e klaneve serbo-shqiptare, e kishte shpallur atë "tradhëtar", ndërkohë që Paskal Milo dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë kishin deklaruar se "Institucionet e Kosovës janë inekzistente". Ndërkaq, një ditë pas shfaqjes së inskenuar të Rugovës në ekranin televiziv të Beogradit, më 2 prill 1999, qeveria e Tiranës në vilën 31 të bllokut, në të cilën kishte banuar me dekada diktatori Hoxha, kishte formuar qeverinë e përkohëshme të Kosovës. Udhëheqësi shpirtëror i revolucionarëve të vonuar, Rexhep Qosja, prej kohësh ishte instaluar në atë vilë dhe së bashku me Mejdanin, Nanon, Gjinushin e Milon lidhnin të gjitha fijet e lëmshit antishqiptar, për të zhvleftësuar institucionet e Kosovës dhe për të varrosur atë kontribut historik që kishin dhënë shqiptarët nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Më i angazhuari ndër ta kishte qenë Paskal Milo, nëse i referohemi botimeve me shënime e kujtime të kryetarit të sotëm të parlamentit të Kosovës. Milo "është i tradhëtuar" nga shërbëtorët e tij dhe për pasojë nuk mund t'i shesë si demagogji predikimet në librin që ka botuar.
Thsunami antishqiptar dhe antirugovë kishte nisur hapur atë ditë nëntori të vitit 1997, kur Sllobodan Milosheviç dhe Fatos Nano, me ndërmjetësinë e kryeministrit grek, kishin kaluar së bashku rreth dy orë në Kretë. Për këtë takim një meritë dhe rol të veçantë kishte pasur vetë Paskal Milo. Ai ishte kujdesur për të gjitha detajet e tij, për rrjedhën e bisedimeve si dhe kishte marrë përsipër implementimin e marrëveshjes midis kryeministrit shqiptar e presidentit serb për mënjanimin e Ibrahim Rugovës nga skena politike. Milosheviç do të synonte ta realizonte këtë, duke shfrytëzuar filozofinë e qëndresës paqësore të Rugovës, pra gatishmërinë e tij në emër të kësaj filozofie për të biseduar me këdo, edhe me Milosheviçin dhe për ta diskretituar sa më shumë në sytë e qytetarëve të Kosovës. Ai e kishte pranuar Rugovën si inerlekutor për bisedime e nënshkrime marrëveshjesh, si ajo e arësimit, e ndërkohë kishte vazhduar politikat e dhunës e të aparteidit, me qëllim që ta zhvleftësonte udhëheqësin historik të shqiptarëve. Ai do ta merrte Rugovën peng dhe do të montonte pamje televizive të llojit të 1 prillit 1999, që t'i jepte qeverisë dhe presidentit shqiptar në Tiranë mjetin e nevojshëm për fushatën antirugovë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ende pa mbaruar lajmi televiziv në Beograd ky lajm u transmetua nga televizioni i Tiranës. Nuk ka si shpjegohet që Tirana zyrtare pak orë pas kësaj e kishte quajtur Rugoven "njeriun e Milosheviçit", nëse perifrazojmë një deklaratë të ish-kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, shefit të partisë së Paskal Milos, Skënder Gjinushi. Gjinushi dhe Neritan Ceka gjithashtu e kishin emërtuar Bukoshin si "kryebandit".
Po me dy prill 1999 kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, ministri i tij i mbrojtjes, Halil Bicaj, si dhe të gjithë përkrahësit e tyre ishin shpallur nongrata dhe ishin kërcënuar që të mos shkelnin në Shqipëri. Përndryshe ata do të pësonin fatin e paraardhësit të Bicajt, Ahmet Krasniqi. Kishte filluar fushata e shtrigave kundër FARK-ut, ishin udhëzuar udhëheqësit e UÇK-së të mos pranonin asnjë kontakt e kompromis me njësitë luftarake të Rugovës e Bukoshit si dhe me vetë këto personalitete. Udhëheqësit e instaluar në pushtetin e Tiranës, ndër të cilët Pakal Milo, kishin urdhëruar anullimin e marrëveshjes së Oslos, duke thelluar përçarjen midis faktorit politik shqiptar në Kosovë.
Manipulatorët i Tiranës zyrtare kishin vënë në veprim gjithashtu garniturën e tyre, Sabri Godo, për ta denigruar rolin historik të Ibrahim Rugovës dhe përgjegjësinë e tij si themelues i shtetit e president i Kosovës. Ky e kishte shpallur liderin shqiptar "si kartë të djegur dhe tradhëtar". Ato kohë Godo ishte në rrjesht me Paskal Milon dhe ishte përgëzuar nga vetë ministri i Jashtëm për qëndrimin "parimor" që kishte shprehur. Ndërsa Fatos Klosi do të koordinonte të gjitha veprimet me Drejtorinë e përgjithshme të Doganave për të ndaluar e konfiskuar armët dhe mjetet e tjera që qeveria Bukoshi i kishte dërguar në ndihmë të luftës në Kosovë.

Koha e shkurtër e euforisë antirugovë të Tiranës zyrtare

Loja e diskretitimit të figurës së Ibrahim Rugovës do të zgjaste pak javë nën një atmosferë gëzimi dhe optimizmi për ta fituar betejën antirugovë. Vetë kreu i shtetit, Rexhep Meidani, kishte pritur "delegacione" nga LDK dhe i propogandonte këto takime si "takime me grupe luajale brenda LDK-së" me qeverinë e Tiranës, një metodë staliniste kjo, për përçarje të tjera në faktorin politik shqiptar të Kosovës. Madje kalemxhinjtë e Meidanit jo pak raste kishin formuluar njoftimet për medien rreth bisedimeve dhe takimeve të tilla, në të cilat dukej qartë cinizmi dhe përpjekja që njerëzit e LDK-së t'i kundërviheshin liderit të saj, Ibrahim Rugova.
Më pas rrjedhat kishin filluar të vinin paksa ndryshe. Franca, Italia, SHBA-të qeveria angleze i kishin tërhequr vëmendjen qeverisë së Tiranës për këtë sjellje ndaj Rugovës dhe personalitetit të tij. Madje SHBA-të kishin deklaruar publikisht se "mbështesnin kërkesën e Rugovës që ai të lihet i lirë". Ndërkohë, në mungesë të Rugovës, Bukoshi ishte ftuar në kryeqendrat botërore dhe gjatë tureve të tij kishte takuar kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë vendeve perendimore, si në Romë, Uashington, Berlin etj. Gjatë këtij ndryshimi cilësor të përkrahjes ndërkombëtare, në Tiranë kishin filluar të ndërtonin strategjinë e re në rastin e dështimit para Rugovës. Sabri Godo shkruhej në shtyp atë kohë, kishte kërkuar numrin e telefonit të Bukoshit, për të bërë përpjekjen e parë të "pajtimit". Më pas kryeministri Pandeli Majko e kishte ftuar kryeministrin legjitim të Kosovës për vizitë në Tiranë dhe e kishte pritur me ceremoninë e pritjes së një kryeministri në detyrë.
Kurse Paskal Milo kishte marrë një rol të veçantë. Pasi Dr. Ibrahim Rugova ishte çliruar nga kthetrat e pengmarrësve të tij e të familjes së tij në Beograd, Milo kishte udhëtuar për në Romë ekskluzivisht për ta takuar liderin historik të Kosovës dhe "për të marrë direkt prej tij informacionin e nevojshëm si dhe opinionin e tij" për zhvillimet në Kosovë. Ashtu si në iniciativën për ta ftuar Rugovën pas takimit të tij në maj 1998 me presidentin Clinton, edhe këtë radhë Tirana zyrtare i kishte rënë në gjunjë presidentit Rugova, sepse ky ishte ftuar nga Tony Blair dhe Zhak Shirak dhe kryetarë shtetesh me peshë në Perendim. Dukej se bashkë me kuriozitetin e takimit fshihej dhe frika se mos Rugova do ta qortonte qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj tij dhe problemit të Kosovës. Tirana, shkruante ato ditë Mero Baze, i trembet slloganit të Perenndimit "me Rugovën edhe pas paqes", sllogan, të cilin e kishte përsëritur Romano Prodi pas takimit me Rugovën në ditët e para të majit 1999. 8)

Dështimi i përpjekjeve antirugovë

Më në fund Tirana zyrtare e Meidanit, Nanoa, Gjinushit dhe Milos e kishte humbur provimin në përplasjen me Rugovën. Ajo nuk do të bëhej më asnjëherë e besueshme jo thjesht për Presidentin Historik të Kosovës, por as për qytetarët e saj. Ajo kishte dështuar në një përpjekje të pamotivuar kombëtarisht për eleminimin e liderit karizmatik dhe institucioneve të Prishtinës. Dështimin e plotë të kësaj strategjie antikombëtare e kam përjetuar vetë në pranverën e vitit 2000, kur presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Meidani, ishte në Prishtinë, zyrtarisht për të marrë pjesë në panairin e librit. Ai dështoi ato ditë që të takonte Rugovën dhe madje e refuzuan dhe vetë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai mundi të zhvillonte vetëm një takim në hotël "Grand" me disa përfaqësues të partive politike, ndonjë prej të cilëve e kam dëgjuar vetë të thoshte: "Si mund të pritet kaq keq e me kaq pak njerëz "Presidenti i Shqipërisë"!
Por këtë dështim nuk dëshiron ta pranojë Paskal Milo. Ndaj ai në librin e tij nuk merret me kujtime dhe shënime të realiteteve të atëhershme, por me insinuata dhe qasje të njëjta si të kohëve të luftës së ftohtë me Rugovën. Ai nuk ndjen as në promovimet e sotme më të voglën përgjegjësi për aventurat e tij antirugovë. Njerëzit në rrethana të caktuara mund të gabojnë. Kjo është e natyrshme. Por këmbëngulja për të mos e pranuar fajin dhe dështimin është më shumë se faj. Paskal Milo ka shërbyer si korrier midis presidentit Meidani dhe Rexhep Qoses dhe kishte ndërthurur fijet e komplotit ndaj institucioneve të Kosovës, veçmas kundër institucionit të Presidentit Ibrahim Rugova. Ai e ka rikthyer qëllimisht në publik një temë, për të cilën Milo dhe miqtë e tij do të duhej të skuqeshin e të kërkonin falje publike. Por nga ato pjesë të librit, të cilat i kam lexuar në shtyp, kam vënë re se zoti Milo ka marrë përsipër një rol të trifishtë:
Së pari ai përpiqet të shfajësohet, duke mohuar shkaqet e vërteta të ftohjes dhe ngrirjes së marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me institucionet e Kosovës, përfshirë dhe institucionin e Presidentit. Madje bën të paditurin, edhe pse ai është arkitekti i skenarëve kundër Rugovës në vitet 1998-1999. Bie në sy p.sh cinizmi i tij kur shkruan se në takimin në Rinas pas kthimit nga Rambujeja "Meidani nuk e di se për çfarë arsye nuk i kushtoi vëmendje, ndoshta se e kishte ftuar disa herë dhe ai kishte refuzuar". E vërteta është se Maidani në atë takim nuk mund t'u kushtonte vëmendje edhe Qosjes, edhe Rugovës, se presidenti shqiptar kishte shprehur qartë një antipati deri në urrejtje kundër presidentit të Kosovës.
Së dyti, përpiqet ta paraqesë udhëheqësin historik të Kosovës si të dyshimtë në qëllimet e tij, njësoj si atëherë kur ndërsente figurat e shquara të Kosovës, si Adem Demaçin, për t'u deklaruar se "Rugova është politikisht i vdekur, politia e tij është një katastrofë" dhe se "Njësoj si Mlosheviçi edhe Rugova e ka mashtruar popullin e tij". Ndërkohë që gazetari i shquar gjerman shkruante nga Prishtina se "Në të kundërtën, Rugova kërkon pavarësinë e Kosovës, ndërsa Demaçi reklamon "Ballkaniadën e tij". 9)
Së treti, Milo përpiqet të shtrembërojë realitetin e lidhjeve të Rugovës me Perendimin dhe me NATO-n.

Kush ishin njerëzit e Milosheviçit në Shqipëri?

Paskal Milo përpiqet që t'i thotë publikut shqiptar, tash pas dhjetë vitesh, kur vetë protagonisti i ngjarjeve Rugova nuk jeton më, se lideri historik i Kosovës ka qenë "njeri i Milosheviçit". Ai përsërit sot atë akuzë që e kishte formuluar atëherë dhe ia kishte dhënë Skënder Gjinushit ta shprehë në publik. Lexuesi do të më falë se mund ta lodh me një citim disi të gjatë nga libri i Milos. "Ajo që kërkoja të sqaroja më tepër, por edhe më habiti më shumë, ishte çështja e bisedimeve të tij me Millosheviçin, Milutinoviçin dhe nënshkrimi i komunikatës së përbashkët.
Nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar përshtypjen se kishte qenë peng dhe se kishte qenë i detyruar që t'i bënte këto takime dhe të mbante këto qëndrime. Më deklaroi se kishte qenë i ndërgjegjshëm se këto takime duheshin bërë, se ai e kishte takuar edhe më parë Millosheviçin (maj 1998), se duhej krijuar besimi dhe se ishte në interes të të dy palëve të bisedonin.
Më habiti kur më tha se Millosheviçi, Milutinoviçi, Shahinoviç etj. ishin treguar realistë, se e kishin kuptuar situatën dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje se edhe këta njerëz janë, njerëz që mendojnë e kërkojnë një zgjidhje, çka do të thotë se pikërisht me këta jo vetëm duhet të bisedohet, por edhe të bashkëjetohet. Madje edhe për largimin e tij nga Prishtina më tha:
"U thashë serbëve që të më lëshojnë se nuk kam se çfarë të bëjë në Prishtinë, se po të jem jashtë do të jem më i dobishëm dhe do të punoj edhe për juve që të arrihet një marrëveshje", shkruan Paskal Milo. 10)
Unë nuk e ve në dyshim faktin që Rugova nuk ka dashur t'i rrëfehet Milos për atë ngjarje, sepse vetë ministri i Jashtëm i shtetit shqiptar ishte një nga "pengmarrësit politikë" të Presidentit të Kosovës. Entusiazmi i Tiranës zyrtare për ta dënuar dhe ndëshkuar Rugovën si dhe për ta nxit krahun radikal të UÇK-së kundër tij ishte një fakt i njohur për liderin historik të Kosovës. Në këto kushte Rugova e ka konsideruar takimin thjesht si një moment kortezie, për të dhënë mesazhe "bashkëpunimi". Njerëzit rrëfehen, por para atij që kanë besim. Paskal Milo nuk ishte njeriu i duhur dhe i besueshëm, para të cilit duhej të "rrëfehej" Rugova. Dhe kjo, mungesa e gatishmërisë së Rugovës për "t'u rrëfyer", nuk përbën provë se ai ishte "njeriu i Milosheviçit". Nga ana tjetër Rugova e ka njohur faktin se njërëzit e Milosheviçit ishin pikërisht një numër jo i vogël qeveritarësh të Tiranës. Ndaj dhe nga kjo logjikë vjen përfundimi se ai duhet të jetë ndjerë i fyer kur pengmarrësit e pyesnin nëse kishte qenë ose jo peng. Se kjo pamje ka qenë e tillë, dëshmohet njëkohësisht në një ditar të Prof. Dr. Zekeria Cana. Profesori i nderuar shkruan në ditarin e tij të datës 5 Tetor 1998 se "Më 11 Gusht kur policia dhe ushtria serbe e shkelën Irzniqin, Prilepin, Gllogjanin, Baballoqin, Shpatejin dhe fshatrat e tjera, në kanalin e sistemit të ujitjes së Radoniqit mund të lexohej parrulla e shkruar me germa të zeza: "Fatos je nash" (Fatosi është i yni). 11) Ndërsa vetë Milo është person i dëshmuar me lidhje të shumta deri ato të spiunazhit me miken e Serbisë, Greqinë.

E vërteta për Rugovën zbulohet në Perendim e fshihet në Tiranë

Kam arritur në këtë përfundim, sepse Rugova nuk ka nguruar të flasë për këto çeshtje në raste të tjera, kur ai ka vizituar kancelaritë europiane. Ndërkaq vetë qeveritë dhe shtypi perendimor ishin shprehur qartë dhe pa asnjë lloj dyshimi se "Rugova kishte qenë peng në duart e kriminelit Sllobodan Milosheviç".
Qysh në ditët e para kur Rugova ishte izoluar në Prishtinë, në Perendim ishte dhënë ky njoftim saktë dhe pa asnjë lloj mëdyshje: Shtypi perendimor shkruante për takimin e Rugovës me Nikolla Shahinoviç, për shkuarjen në Prishtinë të ambasadorit rus, Juri Katov dhe takimin e tij me Presidentin e Kosovës. Ndërkohë një reporter njoftonte se e kishte pyetur Rugovën për lirinë e tij të lëvizjes dhe kishte marrë përgjigjen: "Unë jam këtu. Këtu janë dhe forcat policore serbe të sigurisë". Ndërsa kur Rugova ishte shfaqur në ekranin e televizionit të Beogradit, një diplomat në Bruksel kishte deklaruar se ato pamje i takonin takimit të Rugovës me Millosheviçin para dy vitesh. Të njëjtën gjë kishte deklaruar gjithashtu këshilltari i Presidentit Bill Clinton, Greg Schulter. 12) Gazeta gjermane "Frankfurter Rundschau", e Martë, 6 Prill 1999. I njëti burim informativ bënte me dije ato ditë se ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë i kishin kërkuar menjëherë presidentit serb që të Dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij t'i lirojë nga pengmarrja dhe kishin kërkuar që Presidenti i Kosovës të shkonte për takim me ta jashtë Jugosllavisë" 13) Një kërkesë të tillë do të duhej ta kishte bërë që ditën e parë qeveria, pesidenti dhe institucionet e tjera të Shqipërisë, por fatkeqësisht, në vend të kësaj ata kishin duartrokitur skenarët Milosheviçit, me qëllim që ta fundosnin dhe eleminonin politikisht liderin e pakontestuar shqiptar. E njëjta gazetë ka informuar më 10 prill 1999 se "Ibrahim Rugova ishte mbajtur në arrest shtëpie nga forcat policore serbe në Prishtinë" dhe se takimi me Milosheviçin, ishte inskenuar që ai të trajtohej nga UÇK-ja si tradhëtar. Në fakt më shumë se krahu enverist i UÇK-së, përfaqësuar prej Jakup Krasniqit, atë e trajtuan si të tillë institucionet e shtetit shqiptar. Kurse televizioni kryesor gjerman ZDF kishte provuar ato teknikisht montimin televiziv të takimit të Rugovës dhe të Milosheviçit si dhe montazhin e deklaratave të shpalluara.
Kur Rugova ishte liruar nga pengmarrja fizike serbe si dhe "pengmarrja" politike shqiptare, qarqet perendimore u sqaruan për pozicionin e tij të vështirë si dhe për kërcënimet që kishte patur ng ana e diktaturës nacionalshoviniste e Beogradit. Gazeta tjetër gjermane HNA shkruante atë kohë se ".. Sipas vlerësimeve të shumë prej vëzhguesve perendimorë Rugova ishte që nga fillimi i luftës në Kosovë më 24 Mars peng i Presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç". 14) Në fillim të qershorit 1999 presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte vizituar Madridin dhe gjatë aaj vizite kishte deklaruar se që nga java e parë e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë ai kishte qenë peng i Presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç. Ndërkohë kishte shtuar se me mbështetjen ndërkombëtare kishte mundur të lirohej nga kjo pengmarrje. 15) Gazeta gjermane "Frankfurter Rundschau", datë 8 qershor 1999. Ndërsa nënpresidentja e Bundestagut gjerman do të shprehej me rastin e dhënies së çmimit për tolerancë të qytetit të Münster se Agani dhe Rugova qëndruan në Prishtinë, kur shumë prej të vetëquajturve udhëheqës të Kosovës shiheshin në skenat e shout në Perendim. 16)

Kundërthëniet mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Paskal Milo i ka dhënë shumë vend në libër deklaratës së montuar të Rugovës për gjoja thirrjen e tij "Për ndalimin e bombardimeve të NATO-s". Ai e interpreton këtë nga ajo se Rugova nuk i kishte pohuar në takimin e 7 majit 1999 të kundërtën e kësaj. Eshtë spekulluar shumë me këtë akuzë kundër Rugovës. Janë shkruar dhe libra të tjerë, në të cilat kam lexuar deri pyetje të tilla sugjestive: "A mos Rugova donte ushtrinë serbe në Kosovë?!". Në të njëjtin stil shkruan thuajse dhe Milo. Nga ajo që shkruan duket se ish-ministri shqiptar i Punëve të Jashtme vazhdon të mbrojë koncepte e teza të tilla për udhëheqësin e Kosovës.
Natyrisht shqiptarët e njohin faktin se cili nga këta personazhe, Rugova apo autori i loibrit, Milo, ishin pro ose kundër ndërhyrjes së NATO-s në konfliktin e Kosovës. Por unë mund të jap një ide për lexuesin, jo për ta bindur, thjesht për të rifreskuar kujtesën me ato çfarë kanë ndodhur rreth kësaj teme në kohën kur Milo pretendon se e ka shkruar ditarin e tij me shënime.
Fatos Nano në qershor 1998 i jepte një intervistë gazetës gjermane "Süddeutsche Zeitung" të Münchenit dhe e quante të pamundur ndërhyrjen e NATO-s për të parandaluar konfliktin në Kosovë. Në hyrje të intervistës gazeta shkruante se "Kryeministri shqiptar, Fatos Nano, e sheh të pamundëshme ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Një zgjidhje afatgjatë e krizës, sipas shefit të qeverisë së socialistëve, qëndron në demokratizimin e Beogradit". (Der albanische Ministerpräsident Fatos Nano hält ein Eingreifen der NATO im Kosovo für unmöglich. Eine dauerhafte Lösung der Krise setzt nach Ansicht des soczialistishen Regierungschefs eine Demokratisierung in Belgrad voraus). 17)
Më duhet gjithashtu të rikujtoj faktin se Nano në të njëjtën kohë, kur jepte intervista të tilla për shtypin perendimor, kishte shkruar një letër në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, dhe i kishte kërkuar instalimin e trupave të NATO-s jo në Kosovë, por në kufirin shqiptaro-shqiptar me Kosovën. Sipas tij, prezenca ushtarake e NATO-s në Shqipëri pranë kufirit me Kosovën do të shërbente për ruajtjen e stabilitetit të Shqipërisë... Kryeministri shqiptar shkruante në atë letër gjithashtu se refugjatët e ardhur nga Kosova krijojnë një vatër tensioni të nxehtë "me rrezik për stabilitetin e Shqipërisë" 18) Lindita Karadaku: "Nano kërkon NATO-n në krizë qeverisjeje" - Revista "Koha", Nr 4, datë 20 qershor 1998.
Në këto arësyetime dhe deklarime të shefit të tij në qeveri Paskal Milo nuk ka qenë spektator, përkundrazi ai ka qenë një ndër aktorët kryesorë. Ai është formulues i politikave të tilla, të cilat janë artikuluar në gojën e shefit të tij më drejtpërdrejt sesa në deklarimet e sofistikuara të ish-ministrit të Jashtëm. Dhe shqiptarët është e udhës ta kërkojnë rrezikun serioz jo te deklarimet e drejtpërdrejta, për të cilat është i mundshëm një qëndrim refuzues, por te spekullimet dhe spekullatorët e sojit të Paskal Milos, të cilët "fshihen prapa gaxhoit".
Po le të shohim se cili ka qenë ato kohë e para atyre kohëve qënrimi i Ibrahim Rugovës. Si në çdo koncept tjetër, si në çdo lloj strategjie tjetër, edhe qëndrimi i Rugovës ndaj Perendimit dhe në veçanti ndaj NATO-s është krejt i qartë, pa kurrëfrë mjegullnaje. Menjëherë pas masakrës së Reçakut Rugova kishte kërkuar me insistim ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Ai thoshte se vetëm kjo ndërhyrje mund ta ndalë makinën ushtarake të Serbisë. 19) Dy javë më parë, domethënë para asaj masakre të dhunëshme të policisë dhe ushtrisë serbë në Kosovë, Rugova kishte thënë: "Siguria dhe paqja në Kosovë është e mundëshme vetëm me ndihmën e NATO-s. Vetëm stacionimi i trupave të NATO-s, thoshte Rugova, mund të sjellë sigurinë e popullsisë dhe është kusht i një zgjidhjeje politike afatgjatë të krizës". 20)
Eshtë me vend të përmendet fakti se ai të njëjtën kërkesë ia kishte bërë presidentit amerikan, Bill Clinton, në takimin e majit 1998. Në atë takim Rugova kishte kërkuar gjithashtu, siç e pranon vetë Milo, që UÇK të mos trajtohej si një organizate terroriste dhe si pasojë e kësaj kërkese amerikanët kishin ndërruar qëndrim. Formula e tij që "Kosova të vihej nën protektorat ushtarak e civil ndërkombëtar", si "periudhë ndërmjetëse për definimin politik të zgjidhjes së statusit të saj", ishte një formulë që përsëritej çdo javë prej tij, deri në kufijtë e mërzitjes. Studiuesi gjerman dhe Drejtor i Radios "Dojçe Vele" të eimisonit shqip, Fabian Schmidt, jep në një studim të tijin thelbin e qëndrimit të palëkundshëm të Ibrahim Rugovës, kur shkruan: "Në një bisedë gjatë takimit të organizuar në Shwarzenberg të Gjermanisë më 15 shtator 1992, Rugova kishte dhënë prova të shumta të terrorit serb në Kosovë. Ai thoshte se shqiptarët i janë nënshtruar një represioni policor serb direkt me urdhër të Beogradit. Ai paralajmëronte se Serbia synon të shkaktojë një situatë tragjike në Kosovë, njësoj si ajo e Bosnjes. Ky skenar i parlajmëruar nga Rugova gjashtë vite më parë, u realizua pas kaq vitesh". 21)

Përmbledhje:

Nëse vemë re me kujdes të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë si dhe procesin e ndërtimit dhe definimit të shtetit të Kosovës, atëherë është i padyshimtë roli historik i udhëheqësit legjendar të saj, Ibrahim Rugova. Përpjekja e Paskal Milos për të errësuar këtë realitet është dhe do të mbetet një përpjekje e dështuar. Nëse vemë re qëndrimet dhe deklaratat e Nanos, Milos dhe udhëheqësve të tjerë socialistë (përjashtuar Pandeli Majko), atëherë shohim se këto qëndrime e deklarata kanë ardhur gjithnjë në kundërshtim me vullnetin e shprehur prej shqiptarëve në Kosovë, vullnet i përfaqësuar prej liderit historik, Ibrahim Rugova.
Kur Paskal Milo bën fjalë për ftesat dhe përpjekjet e tij që ta sillte Rugovën për vizitë në Tiranë dhe e kritikon qëndrimin e tij refuzues, kjo paraqitje e tij mbetet vetëm si një përpjekje demagogjike dhe cinike. Eshtë e vërtetë se Milo, Meidani dhe të tjerët e kanë ftuar Rugvën për vizitë në Shqipëri. Por është po aq e vërtetë se ata e ftonin pasi i kishin kryer punët e pista në kurriz të Kosovës e të Rugovës ose pasi kishin vërejtur se "Rugova ishte dhe do të mbetej personi kyç i Kosovës i përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare perendimore".
Rugova nuk mund ta vizitonte Shqipërinë pas takimit Nano-Milosheviç, takim në të cilin ishin thurur plane e skema për eleminimin e vullnetit politik të Kosovës si dhe të institucioneve politike të saj. Rugova nuk mund të diskutonte me Nanon, Milon, Meidanin etj për modalitetet e zgjidhjes së krizës, kur për këtë ata deklaroheshin në frymën antirugovë. Rugova nuk mund të vizitonte Tiranën, pse këtë e kërkonte ministri shqiptar i Punëve të Jashtme atëherë kur ai ishte thirr në Uashington dhe ishte takuar me presidentin amerikan, Bill Clinton. Rugova nuk kishte pse takohej në majin e vitit 1999 me personalitetet e Tiranës zyrtare, pasi këta e kishin shpallur "tradhëtar" dhe "politikisht të vdekur".
Strategjia nacionale e Ibrahim Rugovës ishte medalja e kundërt e strategjisë nacionale të qeverisë së socialistëve, kryesuar nga Fatos Nano dhe Rexhep Meidani e përfaqësuar nga Paskal Milo. Strategjia e zgjidhjes së problemit të Kosovës ishte formuluar krejt ndryshe në Tiranën zyrtare dhe krejt ndryshe në Prishtinën zyrtare. Tirana dhe Prishtina nuk mund të bashkoheshin, sa kohë që qëndrimet e tyre ishin të kundërta. Koha, pas dhjetë vitesh ka dëshmur se strategjia e Rugovës dhe e Prishtinës ishte e drejtë, reaiste dhe e kapshme. Ndërsa ajo e Tiranës zyrtare ishte e gabuar, e stisur dhe pa krye. Ky ishte thelbi i konfliktit midis qeverisë së socialistëve në Tiranë dhe institucionit të presidentit në Kosovë.
Kur Ibrahim Rugova i kujtonte Tiranës zyrtare se Kuvendi i Shqipërisë e kishte njohur në kohën e Ramiz Alisë Republikën e Kosovës, ai kishte parasysh që të jepte gjithashtu sinjalin se konflikti midis tij dhe qeverisë së atëhershme shqiptare nuk ishte një konflikt ideologjik. Përkundrazi ishte një konflikt nacional e parimor dhe si i tillë i pakompromis. Ndaj të gjitha klithmat antirugovë të Paskal Milos në librin e tij vijnë në shprehje si një lloj cinizmi jo njerëzor, e për më tepër jo realist.
Milo, në vend që të merret me shkaqet e konfliktit të qeverisë së tij me institucionin Rugova, merret me gjëra krejt anësore, të cilat nuk thonë asgjë, aq më tepër për shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë dëshmuar një mbështetje të fuqishme të politikave rugoviane nga dita e parë e shfaqjes së tij në politikë e deri në ditën e fundit të jetës së heroit. Nëse qeveria e Tiranës do të tregohej e ekuilibruar, do të kishte zbatuar të paktën parametrat e kërkuar nga qeveritë perendimore. Ngutja dhe denoncimi që ajo i bënte në prill 1999 Rugovës ishte njëkohësisht justifikim i veprimeve antishqiptare e antirugovë të Milosheviçit.
 
Burimet e informacionit:

1) Gazeta Shqiptare, 08.02.2009.
2) Revista Koha", Nr 43, 17 Tetor 2000.
3) Neue Züriches Zeitung, e Mërkurë, 24 Qershor 1998.
4) Frankfurter Rundschau, 27 Qershor 1998.
5) Gazeta "Express" 29.01.2009
6) Revista "Koha" Nr. 18, datë 18 Shtator 1999.
7) Frankfurter Rundschau, 08.06.1999.
8) Revista "Koha", numër 11, 15 Maj 1999.
9) Gazeta "Frankfurter Rundschau", datë 29 Qershor 1998.
10) Gazeta shqiptare, 08.02.2009.
11) Revista "Koha", nr 43, 17 Tetor 2000.
12) Gazeta gjermane "Frankfurter Rundschau", e Martë, 6 Prill 1999.
13) Gazeta "Frankfurter Rundschau", datë 8 Prill 1999.
14) HNA, e premte 7 Maj 1999.
15) Gazeta gjermane "Frankfurter Rundschau", datë 8 qershor 1999.
16) Gazeta "Frankfurter Rundschau", Nr 194, e Hënë 23 Gusht 1999.
17) Gazeta "Süddeutsche Zeitung", 23 Qershor 1998.
18) Lindita Karadaku: "Nano kërkon NATO-n në krizë qeverisjeje" - Revista "Koha", Nr 4, datë 20 qershor 1998.
19) Frankfurter Rundschau, 18 Janar 1999.
20) Frankfurter Rundschau, 02.01.1999.
21) Libri Wegweiser zur Geschichte: - Kosovo, 2006, faqe 35-36.  



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora