E enjte, 28.03.2024, 06:38 PM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Malbrezi i gjashtëdhjetëetetës

E premte, 20.02.2009, 06:36 PM


Mehmetali Rexhepi
Mehmetali Rexhepi
MALBREZI I GJASHTËDHJETËETETËS

Selatin Novosella “DEMONSTRATAT E GJASHTËDHJETËETETËS”

3
PORTRETE
PRISHTINË, 2008

Nga Mehmetali REXHEPI

Vëllimi i tretë i librit “DEMONSTRATAT E GJASHTËDHJETËETETËS”, i autorit, njëkohësisht aktorit të ngjarjeve të shënuara dhe drejtëpërsëdrejti të përjetuara, që nga Gjashtëdhjetëeteta e në vijimësi, Selatin Novosella gjatë katër dekadave ngulmon të shkruaj për kthesën që solli Gjashtëdhjetëeteta pas Luftës së Dytë Botërore, për fatin e shqiptarëve nën Jugosllavi, përkatësisht Serbinë e AVNOJ-it.
Lënda që sjell autori, si dhe në vëllimet tjerë të këtij përcaktimi: përshkruan, rendit, shkëput, risjell, stis e pasqyron nisma që tëholloheshin, por nuk këputeshin, ngase motivi për tu zgjatur, për tu zgjeruar në shtresime idhtarësh, moshash, kryesisht te brezat e rinj ishte i fortë.
Kjo lëndë ku më thellë e ku përciptas, për arsye të sensit, ndjeshmërisë e masës, shpërfaq individualitete e karaktere me nivele të ndryshme arsimore, të brumosur kush nga gjiri i vatrës familjare, akcili jashtë asaj vatre; ose ngjashëm me metaforën popullore: - E sheh rrushi rrushin e piqet.
Autori për të nxjerr në pah bëmat, rolet, karakterizimin e bëmave, hesht çalimet e ritmeve të veprimit, rrjedhën e kryerjes a moskryerjes së ndonjë veprimi të ndonjë personazhi, sepse kishte të tillë, por ai shquan vetëm ata që kapën ritmin në kohën dhe vendin e caktuar, spikati personazhet që po bëheshin strumbullar për spikatje të kryeçështjes. Ai nuk mund t’i lërë në heshtje varri ata që për këtë kryeçështje futën kokën edhe aty tek hyhet e nuk dilet.
Kryepersonazhi i qëndresës, përbuzësi i tmerrit të burgut serb, Rexhep Mala do ta përtrollis përcaktimin për kryeçështjen e jetës tij: çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Mbijetesa torturave serbe me këngë, do ta ngrisin qëndresën e dinjitetin e veprimtarit, si rast antologjik, “sui generis”, ndoshta unikat në botë.
Pas vlerësimeve e nderimit të përbërësve parësor, ngërthyer në figurën emblematike të simbolit e frymëzuesit shpirtëror të vetëdijes, vetëmohimit dhe vetëpohimit, lëvruesit edhe në fushën letrare, kryengritësit që ngjitej relievit të vrazhdë të gjendjes politike të shqiptarëve, Adem Demaçi mitit të tij të prijatarit shpirtëror të kombit ia kundërvuri modestinë, në një shfaqje (pikërisht në këtë mes) me pohimin e tij mbresëlënës. Le të më lejohet ta parafrazoj: për tu bërë i këtillë çfarë jam, merita u takon njerëzve “të vegjël”, atyre që u mbeti barra aspak e lehtë për përkujdesje të dyfishtë për ne burgjeve, duke plotësuar gjithë atë zbraztësi që lamë. Meritë e pashkruar i përket nënës Nazife, edhe qindra Nazifeve tjera, që dhanë bijtë e bijat e shpirtit e të trupit të tyre për Një Nënë të të gjithëve.
Edhe tjetër lëndë, që nuk e kap dot ky libër, ngase nuk është pikëcaku i tij, është asketizmi i nënës, gruas e nuseve tona… Jeta asketike, me rini të djegur për pastërti, që të mbahej vlera morale, pa domosdonë natyrore të kërkesave trupore dhe ekzistenciale, ishte një anë e mynxyrshme që e përbiu gruaja jonë. Një lëndë të tillë pena e bukurshkruesit, po ta lejonte të shkapërderdhej, për çfarë do t’i duhej ngjyra? Çka do t’iu lëmë brezave nëqoftëse nuk e vjelim atë madhështi, ato flijime të dhimbshme dhe krenare! Pa pasqyrimin e asaj lënde brezat nuk do ta ndjenin thellësisht vlerën sublime të lirisë. Liria do të konceptohej si diçka e falur nga jashtë, që e sollën lutjet e mbrëmjes të atij prijësi paqësor a mëshirës së asaj ose kësaj fuqie të globit!

Vëllimin e tretë për Demonstratat e Gjashtëdhjetëetetës, Selatin Novosellla e renditi në dy kapituj. Në kapitullin e parë, “Dëshmorët e Brezit 68”, sjell të dhëna, jetëshkrime, copëza të atmosferës, të kontekstit politik, të mjedisit për secilin veprimtar, si dhe portretizime të veçantive familjare, duke marr vetëm ato shtytje të njëmenda, që veprimtarin e ngrisin në statusin e shenjtë të dëshmorit. Janë tetë sish, që nga shtatëmbëdhjetë vjeçari Murat Mehmeti, Rexhep Mala, Zijah Shemsiu, Mustafë Shyti, Vesel Demaku, Afrim Loxha, Isa Kastrati, Ismet Ramadani.
Për Rexhep Malën Demonstratat e Gjatëdhjetëetetës do të jenë sprova e parë për hyrje në udhëveprimet, vetëmohimin dhe vetëpohimin atdhetar, të pakthyeshëm, me një ritëm që e kapin vetëm kalibra të tillë të guerilës urbane. Mala Gjashtëdhjetëetetën do ta përmbajtësojë e shumëfishojë në nivelin e paparë deri atëherë, nën të njëjtin okupim…
Qasja, mënyrat dhe përmbajtja që do të vihej në veprim, lypën dhe gjetën pikërisht Rexhep Malën, një akullthyes i robërisë, që do ta shpinte guerilen në aktin e epopesë të Kodrës së Trimave, sinonim i së cilës është Ai me vëllamin e tij, Nuhi Berisha.
Kapitulli i parë shënon shuarjen e Rexhep Malës dhe të Zijah Shemsiut. I pari, më 11 janar 1984, pas epopesë në Kodrën e Trimave, ndërsa Zijahu në mënyrë mizore likuidohet në CZ të Beogradit, më 3 maj 1985.
Disa nga veprimtarët e Gjashtëdhjetëetetës: Mustafë Shyti, Vesel Demaku, Afrim Loxha, Isa Kastrati, Ismet Ramadani në vijimësinë e tyre atdhetare, do të arrijnë deri te epopeja e UÇK-së dhe, në këtë kapitull do të bien dëshmorë të luftës çlirimtare, një rrethanë e ëndërruar, e synuar dhe e përmbushur, pos tjerash, pikërisht dhe nga ata.

Kapitulli i dytë i librit përfshin “Veprimtarët e vdekur të Brezit ‘68”.
Nga njëzetëetre sish: Nebih Istogu, Hasan Shala, Isa Demaj, Ismajl Dumoshi, Hamit Abdullahu, Ramadan Bytyçi, Ismajlhaki Emini, Hysen Hasani, Sejdi Kryeziu, Xheladin Rekaliu, Abdullah Kalishta, Jamin Nuredini, Osman Dumoshi, Harun Jakupi, Hyrie Hana, Ibrahim Rudi, Memetriza Murtezani-Gega, Ibrahim Gashi, Ramadan Sinani, Salahudin Hyseni, Abdylaziz Abdiu, Jakup Leka, Ymer Ymeri, ndonëse secili prej tyre do të meritonin qasje më të gjithanshme, autori përqëndrohet në bartësit më emblematik; sikur në kapitullin e parë te figura e Rexhep Malës, në këtë, të dytin te figurat emblematike të Xheladin Rekaliut dhe Osman Dumoshit, duke pasqyruar rrezatimin e ideatorëve veteranë si Kadri Halimi, Metush Krasniqi, Hyrie Hana te brezi i Ismajl Dumoshit, Ibrahim Gashit…

Çfarë vlerash mund të përtrollisen për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen pas leximit të këtij libri?
A) Kujtesa e një populli në udhëtimin shekullor për liri dhe mëvetësi mbi truallin e tij të coptuar, po nuk u vol nga kokat e gjalla që të shkruhet, sistemohet e analizohet, do të tretet bashkë me trupat e bartësve të kujtesës. Arkeologjisë do t’i mbetej vetëm mbetja materiale e patretshme dhe jo njeriu i tretshëm nga dheu.
 Në këtë diskurs shartohet pohimi:
 “Shumë burra trima kanë jetuar edhe para Agamemnonit; mirëpo të gjithë janë humbur në natën e amshuar të harresës, të pashenjë, të panjohur sepse iu mungon poeti i shenjtë”.           
B) Veprimtarët e Gjashtëdhjetëetetës dhe të Tetëdhjetëenjëshit kryesisht, me ndonjë shmangie, i mbetën besnik vokacionit atdhetar dhe, nuk provuan salto morale, të shumtët pritën goditjen mortale.       
C) Gjashtëdhjetëeteta nuk e mbylli qarkun e shtrirjes vetëm në këtë Kosovë të rrudhur, por shtriu gjymtyrët, pothuajse në gjeografinë etnike: Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Ulqin…        
Ç) Gjashtëdhjetëeteta e lëvizi amullinë e heshtjes nga frika… Në kontekstin e vlimit për ndryshime në ish Jugosllavi, shqiptarëve do tu hapen deriçkat për ngritje të statusit autonom për Kosovën me të drejtën e vetos në Federatën Jugosllave, përdorimin e simbolit kombëtar, të gjuhës dhe të universitetit…   
Dhe po të lidhej njëmendësisht “legalja” e institucioneve përfaqësuese të Kosovës me “ilegalen”, pa e përjashtuar e para të dytën, në klimën e kundërthënieve të Federatës së atëhershme, statusi i Kosovës doemos do të përjetonte ngritje nga autonomia në një republikë të federuar… Me shovenizmin serb do të ishim përballur, por të pozicionuar nga tjetër nivel…
D) Gjashtëdhjetëeteta përtrollisi në shtresimet e popullit parimin e “vetëvendosjes deri në shkëputje”. Ky parim madhor do të jetë ylli referues, i pashuar në të gjitha fushëveprimet, fushëbetejat mendore, vetëdijesimin shpirtëror, politik, luftarak e shtetndërtues.    
E) Lëvizja e Gjashtëdhjetëetetës nxorri profile e modele veprimtarësh, karaktere që drejtëpërsëdrejti a tërthorazi bartën e shpien frymën e tyre në Pranverën e Tetëdhjetëenjëshit dhe, është zanafilla e “guerilës më të suksesshme në botë”, si u vlerësua UÇK-ja nga ndonjë diplomat perëndimor.
Autori në vëllimin e tretë nuk i kurseu gjakprishurit “shqipfolës”, atë pjellë të papërgjegjshme për ta ruajtur shqipfarën që mbillej për tu rritur e shëndosh.
F) Lëvizja e bartësve të kërkesave jetike, shesheve kahdo sillej ndeshej e përshkohej nga trajtat e dhunës. Dhuna ishte përshkuesi i brendisë dhe sfondit të hapësirës individuale dhe familjare… Përkitazi këtij shtrëngimi të darëve të pushtetit mohues, frejtë e të cilit i drejtonin serbët, lypej të formësohej e përmbajtësohej veprimtari ose idhtari pasues i tij, njëkohësisht strukturuesi ideor, strategjia, taktikanët dhe prijësi largpamës…

Gjuha dhe stili i këtij autori përkojnë me tipin dhe natyrën e shkrimeve të këtilla. Gjuhën që përdorë ajo mbartë paraqitjen dokumentare të një kronikani dhe vlerësuesi publicistik. Kursi që ndjek Selatin Novosella nuk është diskurs i një vështruesi gjakftohtë. Ai nuk shikon me llupën e një vlerësuesi të rreptë prejardhjen, por rrjedhën e dukurive… Përkundrazi. Ai rrëmbehet nga afërsia idealizuese dhe adhuruese e portretuesve të tij dhe, nuk ua sheh, as nuk do t’ua shikojë huqet, dobësitë dhe çastet e ligësisë njerëzore.
Nëse lagen sytë gjatë leximit, është forca identifikuese me fatet e portreteve, është dhimbja e çiltër që buron si gurrë nga ai malbrez…

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora